leoni

Mehmet Bislimi: Pavarësia më 28 NËNTOR!…

Këto ditë, kryeministri i Kosovës, zoti Agim Çeku deklaroi për mediet se pavarësia e Kosovës mund të shpallet me 28 nëntor! Nga ana tjetër, lideri i Ora-s theksoi se kjo do duhej bërë ca para krishtlindjeve! Zotëri Kola dhe zotëri Sejdiu thanë se kjo do të ndodhë së shpejti, ndërkaq zoti Thaçi tha se nuk është profetizues datash e evenimentesh historike, por se kjo do të ndodhi pa dyshim! I mbetet zotit Eqerem Bej që të deklarohet për shpalljen e pavarësisë për ditën e Bajramit, apo ditën e Hashureve, mbase propozimi i zotit Merxha do të jetë që pavarësia e Kosovës të shpallet për Shën-Gjergj!… S’do mend, kjo lojë e papërgjegjshme me pavarësinë e Kosovës nga elita jonë politike, mbase do të sjelli pak freski tek popullata jonë e cila fatkeqësisht po digjet nga vapa e madhe që po mbretëron këto ditë gjithë andej, se sa do të na freskojnë deklaratat shterpa mbi pavarësinë, me gjasë do mbetet si pazarit të parë, prit Gomar sa të del bar!… 
Mendoj se lexuesi e ka më së të çartë se askush nga artikullshkruesit, publicistët, analistët, politologët e të tjerë, të paktën me dëshirë nuk do të shkruante për dështimin rreth miratimit të një rezolute për statusin e Kosovës i cili pësoi fiasko në Këshillin e Sigurimit! Kalimi i çështjes së statusit të Kosovës nga KS në Grupin Negociator, do të thotë nisje nga e para, që nënkupton rifillim të bisedimeve, të cilave nuk ju dihet fundi, dhe jo vetëm kaq: Kjo nënkupton edhe dështimin e BE-së para çështjes së pazgjidhur të Kosovës përball bllokut Sovjetik e mos të flasim më për Bajrama- xhinjët e Krishtlindje-xhinjët tanë të cilët tani më janë duke e parë përditë e më çartë se pesha e tyre politike prej karkaleci për gjërat madhor siç është çështja e pavarësisë është krejt e pa diktueshme! Prandaj këto shkrime jemi të shtrënguar që t’i bëjmë kundër vullnetit tonë, dhunshëm, pa vullnet e shpirt thyer, ngase dështimet e mundshme janë me pasoja të paparashikueshme për të gjithë popullin tonë që kaq shumë dha e priti për lirinë e Kosovës. 
Në një shoqëri i (thënçin demokratike) si kjo jona, ku interesat vetanake, klanore e politike po mbizotërojnë mbi ato kombëtare, vërehet pa u lodhur mbi sipërfaqen e djegur të statusit të Kosovës, karagjozllëku politik i prijësve të institucioneve tona për dhe rreth zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Bartësit e Institucioneve tona, të afirmuar kuturu e pa mbulesë që operojnë pa argumentuar dhe pa koordinuar e me kryeneçësi me fakte të sajuara e me vendim marrje në dëm të njëri-tjetrit, për më shumë në dëm të fatit të Kosovës, realitet ky që neverit popullin tonë e për më larg kjo nuk është as filli i mënyrës afirmative të tyre. Këta bartës të pa denjë të vullnetit të popullit tonë kanë stërkequr çështjen e zgjidhjes së statusit. Tanimë duke e vërejtur fare qartë paaftësinë e tyre politike së bashku me zhgënjimin, apo thënë më troç naivitetin e tyre politik, ata do duhej të kuptojnë se nuk do ta kanë fatin e as privilegjin e të ngriturit të flamurit si dikur plaku Vlonjat! Edhe sikur të ndodhte kjo tamam me 28 nëntorin e këtij viti, i ka ikur “ajami” prerjes së”ushkurit” të pavarësisë zotërinjë që moti, prandaj do duhej që t’ju kujtojmë këngën e vjetër të Hasime Mirashit: Prit me muaj e prit me vjet, pushka e Lilës s’po kërcet!”… 
Fati i këtyre njerëzve që nuk hezituan t’i imponohen përdhunshëm kohës, madje në emër të unitetit e që në fakt këta përfaqësojnë të kundërtat, pra pjesë të tërësisë shoqërore të shkapërderdhura nëpër subjekte politike e jo politike të cilat tek më pastaj përbëjnë tërësinë. Prijësit e Institucioneve tona, pashpjegueshëm u bënë kukulla në duart e binomit politik ndërkombëtarë me orientim të dyshimtë që për qëllim kishin klonimin e këtij mekanizmi.
Prandaj rënia e rezolutës në provim para Këshillit të Sigurimit, kishte për pasojë më shumë “nxënësit” e pa përgatitur, apo “profesorët” qyqarë e të pa fuqishëm për ballë një realiteti të pa diskutueshëm?! Më këtë akt të qyqarllëkut politik Këshilli i Sigurimit vetëm sa trimëroi dhe forcoi qëndrimet e Rusisë dhe Serbisë, madje duke i kurajuar ato edhe më që të mos lëvizin nga pozitat e tyre politike. Tani së fundi, kalimi i çështjes së statusit nga KS në GK, ngërthenë në vete edhe një lojë më shumë me fatin e shqiptarëve dhe me përfaqësuesit tanë tragjik- fatkeqësisht!
Tashmë kur një ndjesi e pafuqisë politike në rritje, ka kapluar bartësit e institucioneve tona, të cilët me entuziazmin e tyre të dikurshëm e pa mbulesë u sulen drejt pallatit shumëkatësh për të arritur sa më pranë buxhetit të shtetit që synojmë.
Entuziazmi pa mbulesë ka filluar të digjet ngadalë së bashku me bartësit e kotësisë dhe zhvatjes politike e materiale. Ama u desh një kohë mbi tetë vjeçare, dhe krejt në fund edhe një vapë dyzetë gradësh që këto ditë po mbretëron në Kosovë për të djegur edhe premtimin shterpë, fatkeqësisht kjo vapë po djeg edhe popullin, por ja që ne si popull realitetin e shohim vetëm kur na kaplon temperatura përvëluese klimatike e politike dyzetë gradësh! 
Që nga viti 1999 e deri më sot, shumë çështje favorite për Kosovën u dogjën dhe nuk mund të riparohen më, së bashku me to edhe çështje e statusit që përplaset nga Bajrami në Krishtlindje, prandaj kjo elitë politike as që ka më mandatin legjitim të përfaqësojë interesat tona kombëtare, madje ka një vit që në mënyrë ilegjitime këta sorollaten në për botë dhe zhvatin nga buxheti i Kosovës!? 

Mendoj që para së gjithash populli ynë në mënyrë të prerë duhet të kërkojë zgjedhje, nga ku do të dalin udhëheqësit dhe përfaqësuesit e rinj të popullit të Kosovës të cilët do të jenë legjitim për para popullit tonë për të shpallur shtetin e Kosovës, nëse kjo nuk ndezë, atëherë duhet shpallur bashkimi i tokave shqiptare në rajon që në fakt është e natyrshme dhe e pashmangshme! Të shpresojmë se me punë të përkushtuar e sistematike, populli ynë do të arrijë që t’ua pres rrugën e dinozaurëve të fundit politikë, të cilët për shumë decenie kanë lozur dhe po lozin me fatin tonë. Ne duhet të jemi gati dhe të sqarojmë botën se mes dy poleve të kundërta, pra në mes lirisë dhe robërisë nuk ka emër tjetër.. Kështu që populli shqiptar do të jetë i detyruar ( herdokurë) që të deklarohet në mënyrë të prerë se ne do të përdorim të gjitha mjetet juridike, politike, morale e kombëtare, pra edhe mjete tjera, në mënyrë që të jetojmë të lirë e jo të robëruar!
Këtë duhet detyrimisht ta themi ne e jo t’ua bartim brezave pasues, jemi zvarritur mjaftë për një shekull, dhe çdo zvarritje tjetër është dënim i ardhmërisë sonë.
Të kundërtën e kësaj e tha prerë e pa u skuqur, jo më pak se presidenti “demokrat” i Serbisë, i përkëdheluri i Evropës, Tadiq se shteti i tij do të përdor të gjitha mjetet ( që nënkupton edhe luftën)… në mënyrë që mos ta lëshojnë Kosovën!? Pse ne të mos tregojmë të njëjtën gatishmëri kur është në pyetje liria jonë kombëtare, pse jo edhe gatishmërinë e luftës ( nëse kjo na imponohet), kur synimi ynë është liria dhe jo pushtimin! 
Ndryshe do të mbesim të pushtuar nga Serbia, pra do duhet të shtrëngohemi që ta pranojmë jetën e robit, apo të qytetarit të lirë e sovran në tokat tona. Ky është realiteti politik tani në këto hapësira, dhe nuk kemi asnjë arsye që realitetit t’i vemi grimin e premtimeve shterpe.


( 3. 3. 2008) Mehmet Bislimi: 19 VITE MË PARË NGRIU PLUMBI NË ZVEQAN


Mbase pak kush e di sesi iu zu plumbi në “fyt” shkritores së Zveçanit, këtu e 19 vite më parë. Se cili është personazhi i kësaj ngjarjeje, ende nuk e di as opinioni ynë. Në fakt të bllokosh tonelata të tëra plumbi që ishin në formën e lëngët, duke u shkrirë në Furrnaltën e Zveçanit, në ish shtetin Jugosllav, kjo vepër automatikisht kualifikohej si vepër e rëndë, që rrezikonte rëndë interesat e ish Jugosllavisë, atëbotë kjo vepër mund të ndëshkohej në bazë të nenit 114 të LPJ- së, që nënkuptonte dënim drakonik! 

Furrnaltës së shkritores së Zveqanit, ia zuri plumbin në fyt, Ismet Bislimi nga Prekazi! 

Ismet Bislimi, pas dëgjimit të aktgjykimit të të vëllai ( Mehmetit) në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kur ia shqiptuan dënimin prej 8 vitesh burg për pjesëmarrje dhe organizim të demonstratave të Pranverës se së madhe të vitit 1981, u zotua se nuk do të ndalej së vepruari në shërbim të çështjes kombëtare, duke vazhduar kështu traditën e rrugës së tij familjare. Ismeti atë kohë, punonte në Mitrovicë dhe kjo ishte mundësia që ai të ishte në kontakt të vazhdueshëm edhe me shumë shokë të ilegales të cilët po vepronin në qytetin industrial. 
Në banesën e Ismetit, shokët që vepronin në atë grup, të cilëve po u printe Jonuz Mustafa, ishin të kujdesshëm që Ismetin ta kursenin shumë në mënyrë që aktiviteti i tij mos të bie në sy të UDB-së, për shkak se ai kishte mbetur kujdestar i familjes dhe duhej të përkujdesej edhe për të vëllanë e tij në burg, por edhe sepse duhej të kursehej banesa ku ata vepronin, në mënyrë që koha e veprimtarisë së shokëve të zgjatej sa më shumë. 
Ismet Bislimi në banesën e vet në Mitrovicë, kishte sistemuar disa nga shokët që vepronin duke shtypur traktet të cilat i shpërndanin më pas në qytetin e Minatorëve. Aty shtypeshin traktet dhe shpërndaheshin më pas në terë qytetin, por edhe në rrethinë e deri në vendin e quajtur “Vojtesh”. Shpërndarjen e organizonte Jonuz Mustafa me shokë kurse, Ismetit i ishte besuar që traktet dhe pamfletet t’i shpërndante vet në Zveçan, pra edhe brenda në repartin e shkritores ku edhe punonte, nga ku edhe siguronte letrën për trakte si dhe materiale tjera. 

Nga banesa e Ismet Bislimit në Mitrovicë, shpërndaheshin edhe gazetat ilegale me përmbajtje kombëtare si: :Lajmëtari i lirisë” dhe “Liria Nr.1”, pastaj u shpërnda edhe numri 5 i “Zërit të Kosovës”. Po aty shpërndahej e lexohej edhe literaturë tjetër si librat për “Shotë e Azem Galicën” e literaturë tjetër. Shumica e anëtarëve të grupit ishin studentë të Fakultetit të Xehtarisë në Mitrovicë. Sigurimi i shtetit kishte vu në veprim mekanizmat e vet të hulumtues, duke rënë në gjurmë të këtij grupi. Më parë ishte arrestuar Jonuz Mustafa, i cili pas shumë torturave e peripecive, kishte arritur që të mbajë betimin e dhënë para shokëve dhe ua kishte mundësuar shokëve që të vepronin edhe më tej. Kishin filluar arrestimet e radhës më pas. Jonuzi ( pas mbarimit të dënimit ) nga Ismeti ishte lajmëruar që të ikte jashtë, ndërkohë arrestohen Salih Maliqi, Murat Mehmeti, Safet Latifi, Hafiz Gara, Ismet Bislimi, Enver Balaj etj. Të gjithë këta, në saje të vendosmërisë së tyre, por edhe të pjekurisë, kishin arritur që të mbajnë sekretin, edhe përballë gjithë atyre torturave që pasuan. Ismet Bislimin e kishin torturuar më së rëndi, nga se kishte edhe të vëllanë e tij në burg dhe mbi këtë bazë, kjo familje me qëndrimet e saja të çarta kundër pushtuesit serb, do duhej të “mblidhte mend” e mos të punonte më kundër Jugosllavisë! “Do t’ju mbysim me dajak”, i kishte thënë një inspektor i sigurimit të UDB-së Ismetit gjatë torturave që i bëheshin atij në hetuesi! 
Mirëpo Ismeti nuk u tund për as një çast, pas shërimit të plagëve që i kishin bërë inspektorët e UDB-së, Ismeti vazhdoi veprimtarinë, tani më duke e zgjeruar rrethin edhe me veprimtarë të tjerë. Ai sa herë që kthehej nga vizita, që i bënte të vëllait në burgun e Pozharevcit, sikur mbushej me urrejtje kundër pushtuesit serb, ngase atje po shihte padrejtësitë që po i bëheshin të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë, dhe këtë urrejtje e zbrazte duke u organizuar me shokë për të vepruar kundër pushtuesit. 
Ishin ditët e mëdha të grevave të Minatorëve të Trepçës ( shkurt 1989). Asokohe në muajt shkurt, mars, Kosova po ziente me demonstrata, greva, kishte dhjetëra të vrarë, të plagosur, qindra të arrestuar!… Ishte koha kur Millosheviq po përgatiste planin për marrjen e ish autonomisë së Kosovës, gjë të cilën e realizoi mbi gjakun e shqiptarëve me tërë arsenalin e vet ushtarako- policore, madje edhe me zinxhirë tankesh! Prandaj, ishte i pa shmangshëm shpërthimi i përgjithshëm popullor, shpërthimi i revoltës së fuqishme dhe të pa mposhtur popullore, meqë Kosova po rrugëtonte drejt realizimit të aspiratave për liri.
Asokohe vepronte edhe grupi tjetër i veprimtarëve: Xhavit Bajraktari, Shyqeri Miftari, Agim Bajrami, Hysni Hajrizi, Musli Binaku, Enver Haliti nga Pasoma, Elheme dhe Myrvete Bajraktari, Mexhit Peci, Gani Baliu, Shyqeri Ahmeti, Hajriz Bajraktari e tjerë. Të gjithë këta po kërkonin rrugë të ndryshme për të dëmtuar armikun, madje me aksione konkrete, të cilat do të fillonin që të bëheshin edhe brenda fabrikave të caktuara ku ata punonin. Në një rast kishte ardhur edhe deri te kërcënimi publik para organeve të sigurimit, të cilët kishin shkuar në shkritoren e Zveqanit për të kërcënuar punëtoret. Minatori, Shyqeri Ahmeti nga Radisheva ( sot Dëshmor i kombit), publikisht u kishte thëne organeve të sigurimit se: “Në qoftë se vetëm një minatorë vdes, ne të gjithë punëtorët e Zveqanit do të hidhemi të gjallë në furrë!”… 
Dhe këtë e kishte thënë fuqishëm e shumë seriozisht! Shyqeri Ahmeti, që ishte burrë i vendosur, dhe fjala e tij nuk kthehej mbrapa, prandaj kishte përkrahjen e pa diskutueshme të të gjithë punëtorëve, i tillë ishte Shyqeriu nga Radisheva, i cili ra dëshmor në luftë për liri në vitin 1998 në malet e Radishevës.
Xhavit Bajraktari, kishte biseduar me shokët e LPRK- së, për një aksion konkret, ku shqyrtohej mundësia për të bllokuar shkritoren, Furrnaltën e Zveçanit, ndërkohë që Beogradi do të kishte më pak plumb të cilin po e përdorte kundër popullit dhe demonstruesve shqiptarë! Kjo nuk ishte e lehtë për t’u bërë, prandaj kërkohej studim e analizë më e thellë, pa dyshim se kërkohej edhe guxim e vendosmëri.
Më pastaj ishte bukur e rëndë se kujt do t’i besohej kjo detyrë, në mënyrë që do të përfundonte me sukses?!… Pa shumë bisedimesh, studimesh, analizash, por edhe hamendjesh, ishte Ismet Bislimi i Prekazit, ai, që mori për sipër këtë aksion të një rëndësie dhe përgjegjësie të veçantë!
Ismeti punonte aty, e njihet terrnin dhe kishte bërë tanimë mbi 7 vite veprimtari në kuadër të organizimit të fshehtë që vepronte për ditë e nga pak, kundër pushtuesit serb. Ismeti vendosi që ta ndalte shkritoren atëherë kur ajo të ishte e mbushur plotë me lëndë të shkrirë plumbi, dhe këtë e bëri me sukses! Atë çast, kur Ismeti ngrehu zinxhirin dhe ndali shkritoren e plumbit në Zvaçan, atë çast u trondit dhe u tmerrua UDB- ja e Beogradit, kur mori lajmin se: ”Furrnalta e shkritores së Zveqanit, pushon se shkriri plumb për ushtrinë dhe milicinë serbe, nga se e kanë bllokuar irredentistët shqiptarë!”… Kjo ishte një ndër goditjet më të mëdha që i ishte bërë regjimi të Millosheviqit atë kohë.
Në momentin kur Ismeti e ndali furrnaltën, me te, të pranishëm kishin qenë edhe Habib Latifi, Xhevdet Ibrahimi dhe Pajazit Ymeri. 
UDB-ja, kishte filluar fushatën e hulumtimeve, dhe Ismetin për ditë të tëra e marrin në pyetje, duke e torturuar rëndë, sidomos inspektorët Radojqeviq dhe Dragan të cilëve ai kurrë, nuk ua kishte mësuar mbiemrat. Ismetin, ata e kishin kërcënuar edhe me vdekje, me djegie në furrë, me vrasje, me varje etj. Por që Ismeti kishte qëndruar stoik dhe nuk e kishte pranuar veprën!… Pas shumë e shumë torturash, në mungesë dëshmitarësh (pra as një nga shokët e pranishëm), në momentin kur Ismeti e kishte ndalur shkritoren, nuk kishin pranuar e treguar se kush e kishte ndalur furrnaltën.
Nën presionin e ngjarjeve të furishme që kishin përfshirë Kosovën gjatë muajve shkurt- mars 1989, që pasuan Ismetin e lirojnë me kërkesën që ai të paraqitet të nesërmen prapë në zyrat e UDB-së. Me t’u lirua, Ismeti për disa kohë kaloi në ilegalitet, duke u strehuar në fshatin e tij të lindjes në Prekaz, i vendosur që më mos të bie më i gjallë në duar të tyre.
Organet e UDB- së, nuk e kaluan kaq lehtë këtë rast, kështu që ata më vonë Ismet Bislimit ia morën banesën e tij që e kishte në Mitrovicë, (pronë të babait të tij ), duke i ia hedhur plaçkat e tij nga dritarja në rrugë, në mënyrën më të dhunshme, pastaj e suspenduan nga puna. Ismeti pati edhe pasoja të tjera shëndetësore nga torturat e shumta si ato që pësoi nga torturat e vitit 1982 edhe më keq me 1989.
UDB-ja kurrë nuk e mori vesh se kush e ndali Furrnaltën e shkritores së Zveçanit! …
Që prej17 vitesh nga ish regjimi i Millosheviqit, Ismeti është i privuar dhunshëm nga puna e tij, është i larguar dhunshëm nga banesa e tij në Mitrovicë buzë lumit Ibrë në rrugën e Kolashinit Nr: 1 a. Ismeti, i dëmtuar rëndë nga shëndeti si pasoj e torturave më çnjerëzore që përjetoi nga UDB-ja, na tha një ditë:
– “ Mendova se më në fund erdhi dita e drejtësisë, dhe pasi që u ankova tek institucioni i quajtur Habitat, për padrejtësinë që m’u kishin bërë, ku pushteti i Millosheviqit ma kishte marrë banesën time me dhunë, në seancën gjyqësore për të drejtën mbi pronën, në fakt ata ma kthyen banesën!”…
– Thash me vete: “ Drejtësia vonon, por nuk harron! Drejtësia ndërkombëtare, do t’i kthej gjërat në vend të vet, më në fund. 
Por kjo nuk ndodhi, pas ankesës së UDB- së nga Beogradi, me motiv se kemi të bëjmë me një familje armiqësore ( Bislimi) e cila po që se kthehet aty, do të shqetësojë banorët serbë!…. Për ironi, Habitati, tërhoqi vendimin e vet dhe banesën time prapë ia la Serbit në shfrytëzim!?… ashtu siç ia kishte lënë edhe administrata e Millosheviqit 17 vite më parë!”… A thua, kjo na qenka drejtësia ndërkombëtare e UNMIK-ut dhe e Habitatit: Më hiqen nga puna, më larguan nga banesa, më shëndet të rrënuar dhe prapë fajtor shqiptari Ismet Bislimi i cili banesën e tij mund ta shikojë vetëm nga ana tjetër e Ibrit, në të cilën tani edhe me një vendim të ndërkombëtarëve, pra të “institucionit” Habitat, ia dha të drejtën serbit që të jetojë fare i qetë në banesën e një shqiptari që quhet Ismet Bislimi nga Prekazi i Epërm i Skenderajt

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …