Veprimtari i njohur, i burgosuri politik, luftëtari i lirisë dhe publicisti e krijuesi, Mehmet Bislimi, në një bisedë në studion e TV-Diellit ka folur për angazhimet dhe veprimtarinë e tij atdhetare, por edhe për situatën aktuale në Kosovë.
Pasi ka folur për shkollimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e vitit 1981, pastaj burgun, angazhimet atdhetare, luftën e UÇK-së, në të cilën ka marrë pjesë prej themelimit të saj, veprimtari, Mehmet Bislimi ka kritikuar një segment të drejtuesve të luftës, të cilët pas luftës nuk ishin treguar në nivel të detyrës e përgjegjësive, që kishin ngarkuar në jetën politike të vendit. Ai, veçmas ka kritikuar fryrjen e pashembullt të numrit të veteranëve dhe ka sqaruar se pikërisht për shkak të keqpërdorimeve të tilla dhe të natyrës së tillë edhe e ka refuzuar triskën e veteranit, edhe pse veten, me të drejtë e konsideron veteran të luftës dhe të Lëvizjes atdhetare.
Duke folur për demarkacionin e Kosovës me shtetet fqinje si: Mali i Zi, Serbia e Maqedonia, Mehmet Bislimi thotë se kjo çështje duhet të kryhet, duhet të përfundojë sepse është e domosdoshme, që Kosova ta ketë kufirin e vet definitiv, meqë është shpallur shteti i pavarur dhe është pranuar nga shumica e shteteve të botës.
Pavarësisht se cila frazeologji përdoret, qoftë korrigjim, përmirësim, ndërrim territoresh e formulime të tjera, kufiri me Serbinë duhet të definohet përfundimisht. Ai mendon se me rastin e demarkacionit me Serbinë do të duhej të respektohej parimi etnik sa i përket popullatës shumicë. Sipas tij tri komunat serbe të veriut: Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku do të mund të ndërroheshim me tri komunat e Kosovës lindore, Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, pavarësisht se kemi të bëjmë me territore shqiptare nga të dyja anët. Por nuk mund të flitet për këmbim të tërë Veriut të Kosovës me tri komunat e Kosovës Lindore. Ai ka saktësuar se asnjëherë në të kaluarën Kosova nuk e ka shtrirë autoritetin e vet në veri, ku aktualisht ka pushtet fiktiv por jo real.
Një pjesë të bisedës në studion e TV-Diellit, krijuesi, Mehmet Bislimi, i cili aktualisht me tërë familjen jeton dhe punon në Zvicër, ia ka kushtuar edhe krijimtarisë së tij me të cilën është marrë një kohë të gjatë dhe merret aktualisht. Ai, deri tani ka nxjerrë në dritë 12 vepra publicistike, letrare e artistike, në prozë, poezi, humor e satirë. Qasja e tij në lëmin e krijimtarisë është realiste, hulumtuese, me një gjuhë të pasur, invencion krijues dhe njohës i thellë i trajtimit të problemeve dhe temave të caktuara të së kaluarës dhe aktualitetit. Në mesin e veprave shquhet monografia, “Këtu i thonë Drenicë” kushtuar Tahir e Nebih Mehës, të cilët qëndruan trimërisht dhe heroikisht kundër ushtrisë të RSFJ-së, më 13 maj të vitit 1981.
Në pjesën e fundit të bisedën në studion e TV-Diellit, Mehmet Bislimi është shprehur se është më se i nevojshëm unifikimi i qëndrimeve të tërë faktorit politik e institucional të Kosovës në bisedime me Serbinë, në mënyrë që arrija e një marrëveshjeje të paqes me këtë shtet, të jetë e pranueshme nga të dyja palët dhe me këtë akt të ndërtohet paqja e qëndrueshme dhe perspektiva e një jete më të mirë për njerëzit dhe ardhmërinë e tyre.
( Bisedën me veprimtarin, Mehmet Bislimi në studion e TV-Diellit e ka realizuar kryeredaktori, Ahmet Qeriqi)