Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Perceptimi aktual

 Nëse perceptimi aktuale skicon klasën politike gjithandej tokave shqiptare, atëherë është i pashmangshëm zhgënjimi i prurjeve të dëshiruara përgjatë këtyre dy decenieve e ca. Me gjithë emocionet e pajustifikueshme, kasta politike kalëruar nëpër kohë, kohë kjo e bartur mbi supet e të gjitha ngjyrimeve politike, pa përjashtim, nuk bënë ndonjë dallim për të qenë, veç përmbushjes së premtimeve, që ishin bërë para fanatikëve që jargojnë për kundërvënie, jo më shumë së kaq dhe vetëm kaq! Është për keqardhje për qëndrimin e pandreqshëm të qytetarit tanë, që ende po vuan nga varësitë naive prej militanti fanatik- politik, sa keq, ves ky që nuk u ndreq, as sot e mot!…

Që nga e kaluara e deri tek e nesërmja, në mënyrë analoge, gjatë gjithë këtij rrugëtimi sikur na ka përcjellë një psherëtimë e mëdyshjes dhe zhgënjimit të bazuar përballë operatorëve tanë politikë, opusi filozofik i të cilëve nuk ka çka të ofrojë më shumë. Peshuar me kandarin e paanësisë, rruga politike, kalorësit dhe kalëruesit e saj, Kosovën e shpunë deri atje sa të krijon përshtypjen e papërgjegjësisë së shtet-bërjes, e cila nuk mund të jetë e plotë pa forcimin e ligjit, mëkëmbjes ekonomike, pacenueshmërisë territoriale, morale, politike, kombëtare, përgatitja diplomatike, strategjia për të udhëhequr dhe zhvilluar shtetin, sigurinë e qytetarit, fuqinë vendimmarrëse mbi dukuritë negative që po vrasin Kosovën dje e sot etj.

Jo, fatkeqësisht jo, shkarjet e njëpasnjëshme nuk ta forcojnë bindjen deri në atë shkallë sa qytetari ynë të mos ndihet me krenari të vrarë pa fajin e tij përderisa nënvlerësohet kontributi i tij në shërbim të atdheut, parlamentarë, po trashet fodullëku, sa nuk po e mbanë jastëku!

Përkundër vullnetit të mirë, në përditshmërinë tonë po forcohet përshtypja e një ndjesie inferioriteti përballë problemeve të shumta të cilat duan trajtim të veçantë dhe emergjent.

Ky kompleks varësie në shoqërinë tonë, sikur ka kaluar në rutinën të politik- bërjes sonë e cila nuk e vret më ndërgjegjen e bartësve të saj. Fatkeqësia qëndron në faktin se; pozitë- opozitë, shoqata, OJQ e çka jo tjetër, të gjitha këto së bashku valojnë në vorbullën e dështimeve të njëjta, që Kosovës i kanë kushtuar pafundësisht shumë, madje nuk ka fuqi e forcë premtuese që mund të zhbëjë kohën dhe dëmin që pësuam, pushtetarë, po trashët fodullëku!… 

Qasja nga një këndvështrim tjetër, pa dashur të përvetësojë të drejtat e rezervuara të dyshimit mbi atë që është bërë dhe mbi atë që ka mundur të bëhet, sigurisht edhe mbi këtë që aktualisht po bëhet, na shpie në evokimet afirmative të momentit të cilat nuk ofrojnë më shumë së një mundësi për të gjykuar; nëse kemi më shumë të drejtë të besojmë, apo të dyshojmë- kjo është për t’u thënë: deri me tani, vetëm sa po shtohet fodullëku politik, or shok, or mik!…

E vetëkuptueshme, rendi i ri e do që „politika moderne“, të ketë edhe fërkimet e saja, të cilat do të qojnë pakontestueshëm drejt finalizimit të qëllimit rikuperues të gjithë asaj, që e keni vrarë dhe po e vrisni nëpër kohë, me papërgjegjësitë tuaja për ballë vlerave të lirisë. A do të arrihet kjo një ditë, me sa po duket, jo, asnjëherë, urtësia filozofike e thotë aq bukur:

Nuk mund të lahesh dy herë në ujin që lëvizë, nuk mund të çlirohemi dy herë, nuk mund ta bëjmë shtetin dy herë, nuk duhet ta vrasim çlirimtarin dy herë, mjerisht këtë po e bëjmë!…

Kaq e thjeshtë:

Dallimi mes një shoqërie ku vlerësohen vlerat, dhe një shoqërie ku përbuzën ato, është shumë i madh- përbuzja është nder veset më të liga!

14-6-2021

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …