Aftësia për të komunikuar me masat është art, por arti nuk do duhej të paraqiste pjesën e talljes më groteske të një ligjërimi joprofesional, madje për të mos rënë në grackat e premtimeve të kaluar që vendnumëruan. Sot e atë ditë, premtimeve nuk iu beson më as i ati e as i biri, në veçanti tani kur vërshimet, kohë e ftohtë, kohë skamjesh shpirtërore e materiale, kohë dimri e zhgënjimi, sikur ka rënduar tej mase gjendjen e popullatës.
E gjitha kjo, përcjellë me pasiguri politike, fizike, klimatike e deri tek loja me zgjedhje, lojë me elektorat, lojë me fushatë, që nuk po ndalët këtu e dy vite rresht! Si ta kuptoi qytetari ynë këtë avaz zgjedhjesh e zhbërje zgjedhjesh, që tri herë brenda një viti e ca! Zgjedhje këto që buxhetit të Kosovës po i kushtojnë mbi 20 milion euro, shumë e barabartë kjo me ndërtimin e të gjitha shtëpive që pësuan nga vërshimet këtë herë, më rëndë se në krye të herëve tjera!…
Fushata elektorale ende pa filluar zyrtarisht, është futur në “zonat e nxehta”, lagur me ujëra të pista të vërshimeve, që kanë vrarë rëndë rehatinë e qytetarit gjatë këtij dimri me plot halle. Tanimë, nuk është etike që elektoratin e lagur e ngrirë deri në palcë ta gënjejmë prapë, mjaftë na ka vrarë moti e zoti, a nuk mjafton kjo!?
Me atë çka po shohim deri tani, gjithnjë duke u bazuar edhe në atë çka mediat na paraqesin, spekulimet vazhdojnë, tamam si vërshimet gjithandej, rrethuar nga një përmbytje e heshtur shpirtërore, nuk ka më rëndë se humbja e shpresave për një të ardhme më të mirë. Kjo vrasje e dyfishtë shpirtërore, nder më të rëndat, kur njerëzit kapën për shkume se mos shpëtojnë ndonjë gjë për t’ia hedhur matanë!
Njëjtë edhe partitë politike, po kapin çka po ju vjen për dore, me shpresa të zbehura, në mos po kapim diçka, për ta kaluar lumin. Dhe sa ta kalojnë lumin, pastaj ta lodrojnë atkinë: ”Kalova lumin, …!”. Jo, kjo nuk duhej të ndodhte, kjo nuk duhej të kaloj në ves e përditshmëri, kjo nuk duhet të kalojë në shprehi.
E kuptueshme, dikush duhet të fitoj, fatkeqësisht, shumë herë kanë fituar ata që kanë ditur të joshin elektoratin më premtime boshe. Dhunti kjo, që në portretet e premtuesve, afishohet në formë të një shikimi të përhumbur, duke dashur ta mbysin zhgënjimin e tyre me një paraqitje të preferencave të momentit, dhe asnjë herë deri me tani në ato të perspektivës. Këta sikur harrojnë se konkretizimi, qoftë edhe i një projekti të vetëm, për të bërë fare dhimbshëm historinë e plagosur të një palë zgjedhjeve joshëse, duke gënjyer vetën dhe elektoratin mbi atë që nuk u realizua tash e shumë vite- ngrehim zërin këtu edhe një herë: Vetëm brenda këtyre dy viteve të fundit, janë zgjedhjet e treta të parakohshme këto, a duhet të skuqet e turpërohet dikush për ketë, dhe deri kur kështu?!…
Kjo histori e plagosur, e cila në vete ngërthen një revoltë shpirtërore të dështuar të një shoqërie politike fund e krye të çorientuar, që dështon në sapo fillim të qeverisjes!
Ndryshe, përfytyrimi i një gjendje të krijuar enkas për këto vite të tmerrshme të “suksesit mbi qeverisjen e territ” në Kosovë, vështirë së mund të rikuperohet.
Ky mister i kësaj bote të ligë, i cili aterroi mbi Kosovën e kërrusur “burrat e politikes”, qytetarit hallexhi të Kosovës, vetëm sa ia ka rënduar barrët e jetës. Në fakt populli ynë, këtë kopje “burrështetasish” nga më të çuditshmit, nuk e kishte imagjinuar kurrë, por ja që e gjeti belaja me ta. Eksperimente të tejzgjatura këto, që kanë një kosto të cilën po e vuan ky vend pa fajin e tij.
E saktë, përderisa problemet e pazgjidhura nuk shtrohen drejt, ato edhe nuk zgjidhen drejt. Forca e ligjit në Kosovë ka munguar fatalisht dhe pashpjegueshëm, prandaj të ligjtë më parë përqafuan të pabërat, pa frikë nga goditja e dorës së drejtësisë.
Mbetesh pa fjalë, kur në shesh shëtisin keq bërsitë, vrasësit, dhunuesit e larmishëm etj. madje, krejt lirshëm e pa frikë se do t’i godas ligji. Ata, edhe imponohen në mënyrë krejt vulgare për të qenë pjesë e politikë bërjes në Kosovë- ruana zot!…
Sovrani e ka në dorën e vet, që rrahagjoksëve, vulgarëve, dhunuesve dhe vrasësve të imazhit kombëtarë dhe të gjithë atyre që mundohen të përfitojnë mbi fatkeqësitë e çastit, t’ju tregojnë se nuk do të lejojmë më denigrimin e dinjitetit të qytetarit.
Unë besoj shumë në këtë, populli ynë do duhej t’ju besojë fakteve, faktet flasin vet, prandaj mund të gënjehet vetëm ai që dëshiron të gënjehet!
15-01-2021
Mehmet Bislimi