Fatkeqësisht, në kohët e sotme të shoqërive moderne me demokraci të avancuar, sikur janë ngatërruar parimin e vlerave të mirëfillta shoqërore e filozofike. A do të thotë kjo që rendi i ri demokratik i shoqërisë sonë të lejojë sjellje kaq të papërgjegjshme, madje cili është koeficienti i kulturës ku peshohen këto sjelljeje?!
Në pikë dite para elektoratit, gra fëmijë burra, pleq, intelektual, vendor e ndërkombëtarë që na shikojnë, përcjellin e dëgjojnë… Këta “Lider”, me shprehje rrugaçërie, me sharje, fyerje, kërcënime, përçmime e shantazhime kaq hapur! Ata shajnë; intelektualë, akademikë, elitarë, pushtetarë, ushtarë të lirisë, atdhetarë e qytetarë të tjerë që në rrugëtimin e tyre, të paktën janë munduar të lënë gjurmë në shërbim të atdheut, në shërbim të së mirës, që nuk kanë sharë e fyer askënd përgjatë atij rrugëtimi, me të vetmin qëllim që të arrijmë deri këtu ku jemi sot.
Si kundërmasë e gjithë këtij rrugëtimin, ata sot stigmatizohen nga injorantë, rrugaçë dhe kusarë të tërë. Stigmatizohen e shpifen nga portale të caktuara, me papërgjegjësitë e tyre para fjalës së thënë publike, pa e vërtetuar burimin e tyre, në stilin: “ Kush shanë më shumë Akademikun, Luftëtarin, Atdhetarin, Çlirimtarin, të urtin njeri etj, aty i epet hapësirë edhe më shumë për të sharë!”, dhe atë për çdo ditë, shani, shpifni, fyeni rrugaçë të tërë, se ka ardhur dita e rrugaçërisë, por kjo nuk do të zgjas shumë!…
Në një rend shoqëror, qoftë ai edhe në fazat më të vrazhdët të tranzicionit të tij, ku injoranca dhe arroganca çmohet si vlerë e virtyt, është e rëndë për të thënë, por kemi të bëjmë me një atavizëm gjenetik mbase. Shtrohet pyetja prej nga gjithë ky mllef kundër vlerave, prej nga gjithë kjo urrejtje, prej nga gjithë kjo shthurje kur kujtojmë se edhe në kohët më të rënda të pushtimit, ne si popull dhe shoqëri, nuk kemi rënë pre e yshtjeve të pushtuesit dhe me vendosmëri e ndërgjegje, kemi mbrojtur bijtë dhe atdheun, madje nuk kemi lejuar që të tjerët të na i shajnë në asnjë rrethanë.
Sjellje e ulët kjo që tregon varfërinë e një mentalitetit hakmarrës të një kaste injorantesh e rrugaçësh të çakorduar nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, pasqyron shoqërinë që në pamundësi të veprimit të ligjit, megjithatë, nuk bie pre e këtyre naiviteteve që t’i hakmerren rrugaçërisë me rrugaçëri, kjo është për të u vlerësuar!
Mendoj së kjo kastë e shoqërisë me këto sjellje arrogante, pretendon të tregoj epërsinë, duke demonstruar dhunë e kërcenim, përderisa atyre u mungon ana njerëzore e gjykimit, siç është potenciali i ngritjes intelektuale, mënyra e të shprehurit, mënyra e dëgjimit dhe argumentimit të çështjeve madhore, respekti i ndërsjellë, njohuria mbi çështjet me peshë, ikja nga yshtjet e çastit etj.
Me gjithë këtë përditshmëri sharjes, populli është ai, që di më së miri të dallojë të njerëzishmen nga rrugaçëria e shfrenuar, dhe këtë do ta thotë hapur me 9 shkurt.
17-01-2025
Mehmet Bislimi