Mehmet Bislimi: Pranvera e vitit 1981
Pranvera po vjen ngadalë. Si duket nuk mund të kalojë pa u hetuar “koincidenca” e vlimeve të furishme në Kosovë, që në vazhdimësi kanë ndodhur gjatë muajit mars. Që nga viti 1981 e deri të rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari, marsi ishte prehri ku mbështeti kokën e tij plot me halle populli ynë liridashës. Edhe më pas, kur Egzonin me shokë i përpiu Ibri i ftohtë e deri tek ditët e sotme, ngrohtësia e tokës gjatë muajit mars sikur na forcoi, tamam si Anteun dikur. Marsi, ky muaj i legjendave që zuri vend në historinë tonë më të re, ky muaj madhështor, ky muaj i Komandantit tonë legjendar!
Këto ditë po priste populli ynë: 11 e 26 marsin, 1, 2 e 3 prillin e vitit 1981, për këtë ditë kishte punuar populli ynë. Kjo pranverë e madhe që erdhi më herët se ajo kalendarike. Erdhi e furishme, me lulëkuqet e atij behari të rinisë sonë më të bukur e të madhërishme studentore.
Bijtë më të mirë të popullit tonë kishin punuar gjatë kohë për një ditë si kjo. Hapur e fshehur, ata sollën 11 marsin (pas demonstratave të fuqishme e të përgjakshme të vitit 1968 e shumë më herët me përpjekjet e shqiptarëve në vazhdimësi), duke u përballur me vuajtje e persekutime, me varfëri e diskriminim, me shtypje e degradime, me arrestime e arratisje, me vrasje e likuidime, me shpërngulje e dëbime, deri edhe të spastrimet etnike e dëbimet masive të shqiptarëve nga toka e vet, nga shtëpitë e veta nga qielli dhe dielli i vet!…
Kjo rrugë e gjatë, deri ku jemi sot, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por ishte rrugë e rimuar me gjak. Ky gjak dhe kjo aspiratë kërkon, finalizimin e vet. Nuk ka çmim tjetër që shpaguan sakrificat e shqiptarëve për lirinë e vet, veç bërjes së shtetit të Kosovës dhe bashkimit të tokave tona . Obligim i detyrueshëm kombëtar, morale, material, kulturor, shpirtëror e ligjësorë, duhet që domosdoshmërish të na përcjell brenga jonë e përhershme dhe përkujdesja jonë sistematike për të gjithë shqiptarët që prapë “fati” i la të ndarë nga trungu i vet!…
Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë me pupla të ish pushtuesit Jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme që të rreshtohej drejt. Në fakt, as që priste kush një rreshtim të tillë, ngase ishte e palogjikshme që nga ajo shtresë vasalesh të presësh diçka atdhetare. Pushtuesi kishte përgatitur këtë shtresë të shëmtuar me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri tek të bërit e ligjit. Një hafije për dy shkronjat “ K. R”, që do të thoshte “ Kosova Republikë!” , të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 e 5 vite burg! Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj elite, shkuan aq larg, sa që për ta bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre, hoqën dorë edhe nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave siç ishin: Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi etj.
Këtë klasë injorantesh politik e shfrytëzoi maksimalisht pushteti titist, deri sa një ditë e hodhi për tokë si një leckë të ndyrë. Ata vazhdimisht i ranë po të njëjtës melodi, që nga akuzat kundër popullit të vet si: irredentist, ballist, nacionalist, vrimë e miut, diferencime, lëçitje e shkuan aq larg sa që preken edhe në simbolin tonë kombëtar! Pra, qëndrimi i kësaj elite me kohë kishte kaluar edhe në urrejtje të papërmbajtshme dhe tejet hakmarrëse kundër bijve të popullit të vet! Kjo bazë e urrejtjes e mbështetur nga yshtjet e politikës së Beogradit zyrtar, elitën shqiptare të asaj kohe e kishte bindur që të lehte pa ndërprerë kundër interesave të popullit të vet. Qentë po lehnin, karvani po ecte!
Në veten e parë:
– Më 26 mars, u ngjita shtyllës ndriçuese të elektrikut të rrugës (diku pranë radio Prishtinës), dhe hoqa flamurin e Jugosllavisë, duke e përbaltur e përplasur atë për tokë. Sinan Hasani, më vonë në një libër të tij, kishte shkruar se: “Një student me një shpejtësi majmuni u ngjit shtyllës së metaltë përpjetë, dhe përdhosi flamurin e Jugosllavisë!” …
Në fakt, ai kishte të drejtë ngase mua më duhej një shpejtësi e tillë, për të hequr shumë flamuj të Jugosllavisë titiste, të cilët i kishin vu majmunët e shumtë si Sinan Hasani me shokë, mu në zemër të Kosovës! Ç’është e vërteta, unë e përbalta flamurin e pushtuesit jugosllav, atë flamur të cilin më vonë e vrau me pushkët e lirisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës- bijtë më të mirë të popullit tanë liridashës.
– Demonstratat e vitit 1981, populli ynë i përkrahu fuqishëm e pa u hamendur. Në mesin e studentëve vërshuan si lumi; nxënës, punëtorë, qytetarë, vajza, gra, të rinj e të moshuar- që të gjithë! Vlen të ceket, dhe nuk guxon të anashkalohet: Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës; qëndruan hapur për demonstruesit ditën dhe natën! Ata na pritën me bukë e kripë e zemër, na strehuan, na i lidhën plagët, nga e ngrohën shpirtin, na dhanë kurajën dhe mbështetjen, prandaj edhe sot i puthi me respekt duart e të gjitha atyre nënave që na dhanë bukën e ngrohtë e na i lidhën plagët e njoma. Ta paçim borxh Prishtinë!
– Punëtorë të shumtë të furrave e të shitoreve, po shpërndanin bukë, pijë e ushqime të tjera, për demonstruesit. Sot për atë kohë, më lejoni të ju them: Ju lumtë o bijtë e atdheut, dëshmuat dashurinë dhe përkushtimin për atdheun dhe për bijtë tuaj!
– Punëtorë të shumtë nga organizata të shumta punuese si: “Ramiz Sadiku”etj. me helmeta në kokë u futën në gjirin e demonstruesve. Ata sollën me vete së bashku me përkrahjen morale për ne edhe mjete tjera barrikade si: kamionë, ekskavatorë, rrafshues, buldozerë etj. Demonstruesit u bënë të pakalueshëm. Këta punëtorë u solidarizuan me bijtë e vet, duke dashur që të vdesin pranë dhe përkrah nesh! Mos e harroni këtë kategori që sot është si mos më keq!
– Punëtorët e shëndetësisë, po shpërndanin fasha, medikamente, vaksina e gjithë çka ishte në mundësinë e tyre për shpëtimin dhe aftësimin e demonstruesve. E madhja Sahadete Mekuli i kishte pritur demonstruesit e plagosur në spital me fjalët më të bukura, dhe më të guximshme si: ME FAT PLAGËT O TRIMAT E KOSOVËS ! Mos e harroni këtë akt atdhetarie, Shëndetësi e Kosovës, mos shkelni mbi betimin e Hipokrates sonë Sahadete!
– Me 2 prill, mbi fakultetin Ekonomik, ushtria serbe nga tanku i ushtrisë jugosllave, shtiu në turmën e demonstruesve. Shtiu armata e quajtur APJ! Nga breshëria e plumbave, u këput për dhe Besa Ahmeti- nxënëse. Plagët ia lidhëm me këmishën e trupit të Fejzë Veliut nga Polaci i Drenicës dhe e futëm në një makinë “Reno 4”. Mbaj mend se në momentin kur Besa ishte mes jetës a vdekjes, tek po i thoshte një shoqes së vet: “Mos trego në shtëpi për plagosjen time, mos u trego prindërve, thuaju se Besa është me demonstruesit!”… dhe vërtetë emri i Besës ishte kudo me ne, është edhe sot. Mos harroni gjakun e derdhur për liri rrugëve të Prishtinës, dhe Besën e Betimin e dhënë për liri të Kosovës!
– Një grua që kishte në dorë një litër qumësht, të cilën e kishte blerë diku në treg për fëmijët e sajë, na e zgjati atë qumësht, duke na thënë: “Merreni, po ua jap këta qumësht, ashtu sikur fëmijëve të mi!” Mos e harroni qumështin e nënave të cilat na e dhanë për këto ditë, jo për të shkelur mbi gjakun e derdhur rrëke për liri, se pastaj detyrohen e na thonë : “ Haram ju qoftë gjiri i nënës!”
… – Në demonstratën e prillit ishte vra edhe i riu Xhelal Maliqi, punëtor i Televizionit të Prishtinës. Edhe një lule e këputur në mesin e shumë luleve- Dëshmor të Kombit. Me disa shokë shkuam atje që të përkuleshim për të fundit herë para trupit të tij. Si sot… në një oborr të vogël… nën një pemë të madhe që kishte qenë aty, një djalë i ri si një lis, shtrirë në një arkivol të vjetër, shtrirë e me sy të hapur!… Ata sy, edhe sot të hapur qëndrojnë?! Qindra Dëshmorë të Kosovës nuk po i mbyllin dot sytë. Mos harroni, ata sy duan që Kosovën ta shohin të lirë e të bashkuar, dhe vetëm të lirë e të bashkuar!
– Me dy prill, nga shtëpia e Dalibashiqëve (atje afër mensës së studentëve), diku rreth orës 11 paradite, ishte shtënë me armë zjarri. Dalibashiqët kishin plagosur një demonstrues për vdekje. Në orën 4 pasdite, kur policia u ngjit lart në atë lagje, prapë njëri nga Dalibashiqët doli me pushkë M 48- të, në dorë, dhe diku 10-15 metra mbi shtëpinë e tij, qëlloi një demonstrues tjetër i cili atë moment ishte duke manovruar me një kamion për të bërë barrikadë në rrugë. Nga një largësi prej 200 metrash më lartë, mbrapa një trafo-je të rrymës, këtë ngjarje e kemi parë me sytë tanë tre veta: unë – Mehmet Bislimi nga Prekazi, Ismet (Milazim) Kabashi nga Polaci dhe Ilaz Kolovica nga Prishtina!
Nuk kam njohuri, nëse këta dy demonstrues të qëlluar me pushkë nga qytetari Dalibashiq, kanë vdekur, apo kanë shpëtuar me plagë të rënda në trup? Atë botë, Dalibashiqët për këtë krim u dënuan vetëm me nga 30 ditë burg kundërvajtës!!! As kjo nuk duhet harruar!…
– Në Kosovë gjatë demonstratave të marsit dhe prillit të vitit 1981, milicia dhe ushtria jugosllave, vrau 11 demonstrues dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Burgosi mbi 2500 të rinj kryesisht studentë, përjashtoi nga shkollat, Universiteti, fabrikat, dhe institucionet tjera, diferencoi, lëçiti me mijëra shqiptarë. Shumë nga të burgosurit shqiptarë, i mbyten edhe në burgjet serbe si Fazli Graiqevci, Xhemaili Berishen, Zija Shemsiun, Abedin Balen, Ibrahim Krasniqin, Ibrahim Kastratin e mbi 173 të tjerë në burgun e Dubravës. Vizitoni varret e tyre me respekt në mënyrë që të kujtojmë flijimin e tyre për një Kosovë të lirë e të bashkuar!…
– Milicia e Jugosllavisë, në mesin e tyre edhe shumë milicë shqiptarë, me 26 mars, diku pas orës 16 u vërsulën rreth konvikteve të studentëve, përdorën një dhunë të paparë deri në përmasat e një çmendurie, shfryer shtazërisht e më plotë urrejtje mbi rinin studentore. Nuk më hiqet nga sytë flamuri në duart e një vajzë të re, të cilës iu kishin vërsulur më shumë se katër milicë, e nuk po mundnin të ia hiqnin flamurin nga duart- Shqiponjës trime të Kosovës! Mos harroni se askund në botë nuk ndodh, që simbolet nacionale të përdhosen e përshtatën për hir të minoritarëve që në Kosovë përbëjnë jo më shumë se rreth 5 %!
– Shqipëria socialiste e Enver Hoxhës, ishte i vetmi shtet në rajon dhe Evropë që demonstratat e vitit 1981 i përkrahi moralisht e shpirtërisht, pa rezervë e fuqishëm, duke i vlerësuar kërkesat tona si të drejta. Shqipëria, njëkohësisht ishte i vetmi shtet që dënoi dhunën dhe represaliet që ish aparati shtypës jugosllave i zbatoi kundër demonstruesve duarthatë shqiptarë të Kosovës të cilët po kërkonin të drejtat dhe lirinë e vet- dhe asgjë më shumë. Këtë nuk duhet ta harrojmë!
– Në maj të po atij viti Tahir e Nebih Meha, si dikur Oso Kuka, u dogjën në kullën e barotit! Ata me këtë rast i treguan pushtuesit jugosllav se shqiptarët një ditë do të detyrohen të mbrohen edhe me armë. Tahiri atë vit vrau me pushkën e lirisë forcat e dhunshme të pushtuesit, vrau namin e tyre edhe për më keq hodhi për tokë “mitin” mbi paprekshmërinë e njësiteve speciale të ish UDB-së. Mos harroni krismën e pushkës së lirisë të Tahir e Nabih Mehës. Ishte lajmëtarja e parë e pushkëve të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
… E tërë një histori luftërash e vuajtjesh për liri, sigurisht që nuk i ka rrënjët kaq cekët. Ato rrënjë janë të thella, dhe datojnë që kur erdhën pushtuesit në tokat tona, prandaj rrënjët e lirisë nuk dukën mbi tokë që t’i shkuli pushtuesi kur të dojë. Jo, ato bulojnë çdo pranverë, bulojnë nga shtytja që i jep fuqi gjaku i derdhur për liri. Historia jonë nuk është histori romantike me të vërshuara e me të shkëputura, kjo është histori që i ka futur tmerrin pushtuesit serb. Kjo histori ka kaluar për tehun e shpatës së Gjergj Kastriotit, për mes kështjellës së barotit të Luanit të Janinës, për mes kullës së Oso Kukë Vraninës, për mes litarit të Idriz Seferit e gjoksit të Mic Sokolit e shtatit të Jakup Ferrit, për mes diplomacisë së Abdylit, Hasanit, Nolit, Currit e Qemalit, për mes kobures së Boletinit, për mes së tehut të sëpatës së Ahmet Prekazit e mitralozit të Adem Jasharit. Kjo është një histori e tërë, që nuk e zhbëri as Sulltani i Turqisë, as Krajli i Serbisë, as Cari i Mosokovit e as shpifjet e Perandorit!
Brezi i demonstrueseve të vitit ’68 dhe’81, përfundimisht shembi themelet e ish Jugosllavisë pushtuese. Pushkët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetur fuqishëm nga populli ynë liridashës, bënë gërmadhë kalanë gjakatare të quajtur Serbi.
– Mos të harrojmë edhe këtë: Çmimin e lirisë deri sot, populli shqiptarë e ka paguar shumëfish!
Prill, 2015