Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Premtimet e partive politike përballë mërgatës!

Disa nga partitë politike, si LDK, PDK, AAK, LVV,etj. kanë vënë në lëvizje potencialin e tyre politik e njerëzorë, duke dashur që për mes mërgatës të rrisin reputacionin e tyre, madje të vjelin edhe ndonjë votë aty-këtu, në kohë zgjedhjesh etj. Tani, sa do të jetë frytdhënëse kjo, mbetët për të parë- hamendësohem unë, dhe për këtë ka disa arsye të cilat i qëndrojnë aktualitetit:

Para së gjithash, subjektet politike të Kosovës, mërgatën e kanë injoruar, më thjeshtë e kanë parë vetëm si një levë prurjesh, dhe kjo ka dhënë efektin e pasivitetit- për të mos thënë zhgënjimit të saj.

Së dyti, ata asnjëherë nuk kanë marrë mundin që mërgatën tonë, ta trajtojnë si qytetarë të denjë të këtij vendi, për të cilin kanë dhënë aq shumë, duke u nisur që nga familjet e veta e deri tek obligimet përballë shtetit tonë, madje shumë nga ata, kanë lënë edhe luksin e Evropës dhe kanë rënë në gjirin e atdheut!

Së treti, mërgata jonë shqiptare gjithandej në dyert e botes së madhe, ka dhënë shembullin e mirë të punës, shkollimit të fëmijëve të tyre, ka shumë kuadro që janë shtyllë e shoqërisë atje ku jetojnë, dhe kjo çmohet e respektohen- në fakt sa gjest i lig ky, kur në vendlindje fyhen dhe injorohen!

Së katërti, mërgata sot, nuk përfaqësohet askund në Institucionet e vendit, nuk e ka të drejtën e fjalës, të vendimmarrjes, të qasjes së mundësive të barabarta etj. Mërgimtari i thjeshtë, fare lehtë e vëren këtë indiferencë pa mbulesë të shoqërisë sonë e cila mbushët e zbrazët pandërgjegjshëm, vetëm në kohë vjelash e përvjelash të mërgatës…

Së pesti, krejt e natyrshme, sjelljet e pandërgjegjshme të ndonjë mërgimtari në vendlindje, nuk pasqyrojnë më shumë së edukatën e tij, që i takon familjeve tona- fatmirësisht, këta nuk janë shumica dhe gabimi ynë trashanik bëhet, kur ne i përgjithësojmë ndodhitë;

– “Shihi këta të jashtmit, që janë quar peshë!”…

Së gjashti, ligji i natyrës nuk e kursen as mërgatën, pra gjeneratat kanë ndërruar edhe atje. Kjo është shumë e logjikshme; lidhja emocionale me atdheun, ndryshon mes gjeneratave dhe kategorive të rritura në dhe të huaj, pa dyshim dallimet e lidhjes emocionale me atdheun, vërehen edhe në Kosovë!

Së shtati, mendoj së jetëgjatësia e riorganizimit të njësiteve partiake të shtrira gjithandej nëpër Lande, Regjione dhe Kantone me degë e nëndegë, nëpër gjithë shtetet e Evropës, Australisë dhe Amerikës, nuk të jap shpresa afatgjate për një angazhim politik të qëndrueshëm.

Duke u nisur edhe nga shembulli i dy dekadave të kaluara, së partive politike, mërgata iu duhet vetëm sa ta kalojnë lumin!- një shembull i keq ky, që ka lënë shije të hidhur edhe tek brezat që po rriten atje.

Në vazhdim, anëtarët ose simpatizantët fanatik të ndonjërit prej subjekteve politike, duke dashur që të tregojnë një përkushtim të lartë për subjektin e caktuar, me mbushjet dhe zbrazjet e mllefit të tyre politik, ata para së gjithash vrasin këtë riorganizim me dorën e vet- mbase pa diturinë e tyre.

Me pak fjalë, çdo përkushtim që bëhet mbi bazën e fanatizmit, është humbës i arsyes së veprimit pragmatik, dhe është i dedikuar të dështoj.

Si ligj i pashkruar dhe i pashmangshëm; të gjitha këto grupime politike të organizuara në dhera të huaja, me kohë dhe në kohë, do ta humbin kuptimin e ekzistencës së tyre, dhe do të pushojnë së vepruari në heshtje, në fakt do të humbin kuptimin e ekzistencës në vendet e huaja përkatëse, ku ata jetojnë e veprojnë, dhe kjo është e pashmangshme.

Si përfundim:

Mërgata jonë, dhe pa përjashtim, të gjithë mërgimtarët e botës, në fakt ata atdheut të tyre nuk i marrin asgjë. Ata, si edhe mërgimtarët tanë. të të gjitha kohëve, atdheut i kanë sjellë të mira materiale, politike dhe etike.

Mërgata jonë, nuk do, dhe nuk po kërkon shpërblim për asgjë, jo ngasë ne, ia kemi borxh moral familjeve dhe atdheut tonë të dashur.

Mërgata kërkon respekt dhe mirëkuptim, edhe kur ata nxjerrin ndonjëherë dhembjet e shpirtit (pa dashjen e tyre), lëmsh që i është mbledhur në grykë, larg atdheut me zemër të plasur- Kosovë, atdheu ynë i dashur!

Edhe Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, F. Noli, Konica e dhjetëra bijë tanë gjithandej tokave shqiptare, ishin të Syrgjynosur, arratisur e mërguar e nakatosur. Të gjithë këta, sollën përvojat e mira nga vendet e zhvilluara, bënë dhe ngritën lartë e më lartë shtetin dhe emrin e Shqipërisë!…

Gusht, 2022

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …