Mehmet Bislimi: Pse po mbahet në burg NASER SHATRI?!

Kush mund të shpjegojë shpotinë ironike të përdhunimit të drejtësisë deri në përmasat e një absurdi, e cila në emër të drejtësisë po dhunon pikërisht drejtësinë! Kundër qytetarit Naser Shatri, në emër të ligjeve serbe të diktatorit Millosheviq, që janë ende të zbatueshme dhe të vlefshme vetëm në Kosovë dhe atë nën administratën e UNMIK-ut, është ngritur një akuzë tejet tendencioze absurde, pra një histori e sajuar nga kuzhinat e UDB-së së Beogradit! Çështja e zotit Shatri, tani e sa kohë ka mbetur hipotekë e të “fuqishmëve”, të cilët në emër të asaj që pretendojnë të ndajnë drejtësi, përdhunojnë atë në mënyrën më banale. Ai akuzohet se me 3 tetor të vitit 1989 në Istog, me armë zjarri ka plagosur ish inspektorin SPB-së Tomisllav Baboviq! Mbi këtë “bazë”, prokurorja ndërkombëtare Deborah Wilkonson, ka ngritur aktakuzën kundër Naser Shatrit i cili po mbahet në paraburgim që nga data 21 janar 2006 në bazë të një fletë arresti të ish pushtetit diktatorial Serb! 
Naser Shatri fillimisht u arrestua në aeroportin e Vjenës në bazë të një fletë arresti absurd, që ishte lëshuar mbi baza të një legjislativi antishqiptar e antinjerëzor nga pushteti diktatorial i Millosheviqt! Mbi këtë bazë, dikur ishin arrestuar edhe ish kryeministri i Kosovës z. Agim Çeku, po njëjtë edhe Hashim Thaçi, kryeministër i tashëm! Arrestimi dhe vet mbajtja në burg, që më se dy vite e zotit Shatri, është shkelje flagrante e konventës ligjore të të drejtave të njeriut, është lojë dhe nënçmim i drejtësisë, është shembull i pa precedencë në historinë e legjislativit të drejtësisë evropiane e cila në Kosovë me çdo kusht po zbaton ligjet e ish diktatorit Millosheviq, ligje të cilat fundi i fundit vet Evropa i ka dënuar, ngase në vete kanë bartur urrejtje ndërnacionale, si të tilla, janë të njëanshme dhe tejet diskriminuese. 
Njerëzimi i këtij globi për gjatë shekullit të kaluar, mbi kurrizin e vet ka bartur peshën e shumë ligjeve diskriminuese të diktatorëve të ndryshëm që ka njohur bota si: Stalini, Pinoqet, Mao, Kastro, Millosheviq, Husein etj. A ka diçka më absurde së të gjykosh një njeri i cila paska mbrojtur jetën e vet në kohën e Stalinit ta zëmë, apo Maos, Huseinit, Millosheviqit. Ky gjykim kërkohet pikërisht 19 vjet pas rastit, për shkakun se paska mposhtur një inspektor të atij aparati shtypës?! Këto gjëra anakronike por edhe tragjike e komike njëkohësisht, ndodhin sot në Kosovë tonë, nën administratën e “avancuar demokratike” të UNMIK-ut, që pretendon vendosjen e demokracisë evropiane tek ne. 
Naser Shatri atëbotë, plagosi në zyrë të hetimeve dhe torturave inspektorin në fjalë, duke u vetëmbrojtur, pasi që inspektori Baboviq kishte nxjerrë revolen dhe ia kishte vu në gjoks Shatrit, të cilin po e kërcënonte edhe me vdekje. Naseri në kacafytje me Baboviqin, kishte mposhtur atë dhe revolja kishte shkrepur në duart e Baboviqit, duke mbetur inspektori vrasës i plagosur me revolen e vet!… Në bazë të cilave ligje të Evropës, lejohet që inspektori i shërbimit të shtetit t’i vejë revolen në gjoks qytetarit? Kush mund ta arsyetoj dhe t’i jap të drejt inspektorit gjakatar Baboviq për këtë veprim?! 
Do të ishte shumë më me vend dhe e domosdoshme, që ju zonja prokurore Wilkonson dhe ju zoti Gjykatës Johan Fields t’ia sqaroni popullit të Kosovës se të gjithë ata që kanë plagosur, apo edhe vrarë inspektorët e një sistemi diktatorial, (sistem ky që e ka dënuar e gjithë bota demokratike dhe e civilizuar), por që tani në bazë të “ligjeve” të UNMIK-ut, që janë të zbatueshme në Kosovë, do të dënohen, qofshin ato të ndodhura edhe para 20 vitesh! 
Natyrisht Serbia do të hakmerret, qoftë edhe përmes administratës së UNMIK-ut, ne e kemi këtë të çartë që moti, po juve zonja prokurore?! Do të ishte shumë e dobishme të na sqaroni ju zonja prokurore, por edhe ju zoti gjykatës se kush është akuzuar apo kush është i burgosur në Kosovë nga ish inspektorët a milicët serbë të Millosheviqit të cilët për 20 vite të sundimit të tyre gjakatar në Kosovë nëpër zyrat e UDB-së, nëpër rrugë, në shkolla, në universitete, në fabrika, në pyll, fushë e ara vranë pa gjyq me qindra shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive si: Fazli Grejqevcin, Xhemajli Berishen, Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Bedri Sokolin, Selman Vojvoden, Ylfete Humollin, Ali Ajetin, Shukrie Musliun, Rexhep Bislimin, Besim Ndrecën, e qindra të tjerë anë e kënd Kosovës… 
Ndikimi negativ në zhvillimin e një kornize legjislative me plotë paqartësi e kontradikta nga më absurdet, që po degradon e degjeneron qasjen e mirëfilltë mbi drejtësinë e vërtetë, nuk janë veçse pjesë të veçanta të një veprimi të menduar keq për të vendosur në vend drejtësinë. Shkelja mbi vlerat universale të drejtësisë, qysh më parë prejudikon viktimën, këto kalkulime të gabuara zbehin besimin e popullit në drejtësinë tuaj. Fatkeqësisht, për këto 8 vite të ndarjes së “drejtësisë” suaj, pësuan prapë luftëtarët e lirisë të cilët pushtetin e dhunshëm serb e rezistuan me të gjitha mundësitë që patën, prandaj ata po dënohen sot për veprat që kanë bërë, madje edhe këtu e 20 vite më parë! Këtu nuk përjashtohen as ata të cilët mbrojtën dinjitetin dhe qenien e vet njerëzore para gjithë asaj makinerie gjakatare Millosheviqiane. 
Ky ishte faji i vetëm i të akuzuarit të sotëm, që prokuroria kërkon ta dënoi zotin Shatri, nga se ai u vetëmbrojt përballë një mizori që donte t’i merrte jetën! Në fakt sikur zoti Shatri të ishte i vrarë nga inspektori serb Baboviq këtu e 20 vite më parë, athua a do të pirdhte drejtësia ndërkombëtare e UNMIK-ut për të vu para drejtësisë kriminelin Baboviq?! Me siguri që Baboviqi do të jetonte i qetë sepse ashtu jetojnë sot në Kosovë dhe jashtë saj vrasësit e mbi 13 mijë shqiptarëve dhe mbi 300 mijë njerëzve tjerë në Jugosllavi. Vetëm nga kazermat ushtarake të ish së ashtuquajturës Armatë Popullore Jugosllave, janë kthyer në arkivol mbi 70 djem të rinj shqiptarë; sa i kishin rënë brisk fytyrës- siç thotë populli!?
Deri me sot, as nga drejtësia vendëse e as nga ajo ndërkombëtare, as që janë hapur fare hetimet e lërë më të akuzohet dikush! Nga ana tjetër, kush mund të më thotë se cili milic, paramilitar, inspektor apo trupë tjetër serbe, pjesëtarë të aparatit shtypës të kasapit të Ballkanit janë duke u gjykuar për vrasjen dhe masakrimin e gjashtë qytetarëve të lagjes sime, që i kam njohur me emër e mbiemër dhe që kam kaluar një pjesë të jetës me ta: Fetije Bislimi vjeç 32, e sëmurë mentalisht, e palëvizshme, vrarë, masakruar e djegur. Fadil Latifi 26 vjeç dhe Arif Latifi 80 vjeç (babë e birë), vrarë masakruar e djegur. Smail e Xhemail Bajrami ( vëllezër), mbi 60 vjeç, vrarë e masakruar.
Selman Selmani 75 vjeç të gjithë këta vrarë e masakruar nga policia serbe me 1999. Dhe sa e sa raste të tilla krejt të ngjashme kanë ndodhur në mbarë territorin e Kosovës?
Kush po dënohet për këto krime sot, o drejtësi e UNMIK-ut? 
Lironi njeriun nga ajo akuzë e pa kuptimtë, kërkoni atij falje por edhe popullit të Kosovës për shkeljet që i keni bërë drejtësisë gjatë këtyre viteve. Ligjet demokratike nuk nderohen duke i rikthyer ato të kohëve të monizmit, apo duke i vazhduar ato për tua zgjatur jetën. Sa do të ishte logjike, që sot të dënohet një qytetar i përkushtuar për liri e demokraci, një luftëtar i paepur që ka luftuar aparatin shtetëror të diktatorëve më në zë si: Stalin, Mao, Kastro, Pinoqet, Husein, Millosheviq etj- gjykoni vet!?

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …