Përballë qasjeve dhe përpjekjeve tona të pareshtura për liri dhe bashkim kombëtar, populli shqiptarë në gjirin e vet ka ngërthyer dy shtresa shoqërore,
Të parët; me karakter dhe vullnet të çeliktë, të gatshëm për të dhënë gjithçka në shërbim të atdheut!, të cilët përherë kanë përbërë shumicën dërmuese të popullit tonë, dhe
Të dytët; me karakter të paqëndrueshëm, të gatshëm për të dhënë gjithçka në shërbim
të pushtuesve!, fatmirësisht këta përherë kanë përbërë pakicën e shoqërisë sonë.
Përderisa, të parët kanë mbajtur gjallë shpresat për liri e bashkim kombëtar të popullit tonë, të dytët me veprimet e tyre të dëmshme dhe kundër atdheut, përherë kanë vrarë këto shpresa.
Sido qoftë, grupimi i të parëve lidhet me flijim e sakrifica për atdhe deri në sublimim, me heroizma të paparë si Oso Kuka, Ferri, Vokshi, Curri e deri tek Adem Jashari e qindra Dëshmorë tjerë. Kategoria e të syrgjynosurve si Abdyl Frashri, Boletini etj. të arrestuar e burgosur si Demaçi, Fazli Greiqevci, Ukshin Hoti e qindra të tjerë, të burgosur, arratisur e përndjekur nga pushtuesi- thjeshtë ata ishin dalzotës të atdheut tonë të zhuritur për liri.
– Grupimin e dytë e përbënin çaushë e zabitë, kmet e posllanik, xhandar e poreznik, milic e sudi, kusarë e dilenxhi, rekrutues të UDB-së e kokëshkretë, deri tek hierarkia e ish udhëheqëseve të ish komiteteve krahinor e federale Jugosllave!…me pak fjalë të gjithë këta gjakprishur me shërbimet e tyre, kanë zgjatur jetën e pushtuesit, duke ia lehtësuar atij mekanizmin e sundimit- njëkohësisht, duke vrarë në një mënyrë apo tjetër shpresat dhe përditshmërinë e shqiptarëve të robëruar të cilët ishin të shtrënguar që me gjakun e tyre liridashës të paguajnë haraçin e robërisë nga njëra anë, dhe tagrin e kokëshkretëve shqiptarë nga ana tjetër!…
Për pasojë, shqiptarët, asnjëherë nuk e kishin mundësinë që ta vënin në peshojë barrën e përgjegjësisë së vrasësve të shpresave të atdheut, për shkakun e thjeshtë, se në tokat tona një pushtues ikte, dhe një tjetër vinte, kështu që pushtuesit shfrytëzonin shërbëtorët e ri- pasues të shërbëtorë të vjetër në vazhdimësi, fatkeqësisht deri tek ditët e sotme, Përçudnisht, ne kemi dëgjua nëpër kohë, kur lavdërohet Hamzai, Esad Pasha, ish titistët e caktuar e deri tek Bllaca i ditëve të sotme!…
Është për t’u veçuar se gjeneratat e tëra të përvuajtur-ish, liridashëse të tërë, nuk kanë kërkuar as edhe një herë llogari brenda kombit të vet!, as e kanë qëllim që të kërkojnë- jo, ata duan drejtësi dhe një shoqëri ku secili do të ndihet përgjegjës për veprimet e veta- qofshin ato të tanishme, apo të shkuara, kërkesë kjo që do të shkonte deri në atë shkallë sa t’i vrasi ndërgjegjja ish të pandërgjegjshmit! Mendoj se, përderisa ish shërbyesit e pushtuesit nuk e kuptojnë këtë, pra nuk janë të sinqertë me vet-veten e tyre në rend të parë, pastaj, jo se jo me të përvuajtur e popullit tanë, që megjithatë nuk u zmbrapsen kurrë nga rruga dhe misioni i tyre me moton: Liria mbi të gjitha!
Pa keqardhje, por bëmat e kohëve të liga, sikur i kanë bërë zap gjërat nga rrafshi i vet, duke thelluar hendekun moral në rend të parë, për moralvrarët, natyrisht e ëmbël dje, por e hidhur sot!, një krahasim po kaq banal sot: kur njëra palë i mbante armët në brez, me leje dhe në shërbim të pushtuesit- tjetra i mbante ato me leje të Bajram Currit e kundër pushtuesit. Në shtëpitë e njërës palë, sejmen e milicë, hanin e pinin- kurse në shtëpitë e palës tjetër; kontrollonin, demolonin, arrestonin, keqtrajtonin pafundësisht atdhedashësit tanë. Me njërën palë pushtuesi ndante sofrën e bukës- me tjetrën shiheshin përmes grykës së pushkës. Njëra palë vdiste për atdhe, tjetra palë e vdiste atdheun. Njëra palë ndihmonte dhe strehonte ushtarët e lirisë, tjetra i denonconte dhe i luftonte ata. Njëra palë ishin mysafirë të përhershëm në postëkomandat e pushtuesit, për të spiunuar në dem të atdheut dhe bijve tanë- pala tjetër në këto postëkomanda keqtrajtoheshin deri në alivanosje, atyre u rridhte nga goja gjak, e megjithatë me sa zë që kishin thërrisnin: Atdheun nuk e jap!, prandaj me sjellje të tilla mospërfillëse, pa kritere etike, kombëtare dhe shoqërore nuk mund të zhvillojmë një shoqëri të lirë me një demokraci të mirëfilltë.
Me përkushtim të madhe, për të gjithë të përvuajturit e kombit tonë të të gjitha kohërave, për të gjithë luftëtarët që kanë marrë pushkët e lirisë në dorë për ta mbrojtur e çliruar atdheun të cilët dhanë edhe jetën në shërbim të çështjes së pazgjidhur shqiptare- me të vetmen dëshirë dhe porosi: deri në realizimin e aspiratave tona kombëtare, mos pushoni!
Kujtimi dhe vepra juaj, gjithmonë qoftë e nderuar!
- 2. 2020