Mehmet Bislimi: Sa herë që është dhënë kushtrimi në Drenicë!

 


Nuk është ndonjë befasi mobilizimi i radhës së Drenicës, që edhe kësaj here u tregua, si gjithmonë, në ballë të detyrës së saj kombëtare për të kryer obligimin e vet kushtetues dhe atdhetar, për të votuar për më të mirët, për ata që Drenica i ka për zemër, për ata që po ndërtojnë shtetin e Kosovës, për ata që shtetin po e shpijnë drejt integrimeve euroatlantike, për ata që kanë dhe po krijojnë një imazh të mirë për vendin tonë, për ata që po bashkërendojnë me miqtë tanë evropianë e amerikanë, për ata që duan ta shohin këtë vend të lirë e të pavarur, për ata që me pushkët e lirisë bënë që populli ynë të bëjë gjumin rehat në shtëpinë e vet pa frikë se do të zgjohet nga gjumi i rrethuar me tanke e bajoneta nga paramilitarët e milicitë serbe.>>>


 


Drenica e mobilizuar rreth bijve të vet ndër shekuj, sa herë që është dhënë kushtrimi gjatë historisë, ka treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur zërit të Atdheut, pra padyshim edhe kësaj radhe. Nuk është kjo hera e parë që Drenica del e mobilizuar më shumë dhe më mirë nga shoqet e saj. Ndokush që s’e di këtë le të trokasë në portën e memories dhe le të kërkojë ndihmë se e ka mbuluar myku i harresës (dikush sikur do që për interesa të ngushta të çastit, të ulëta e meskine, me qëllim që të kaluarën tonë të ndritshme ta margjinalizojë, në mënyrë që imazhi i ballit të oxhakut të Drenicës të lëndohet)! Rikujtojeni se ata ishin bijtë e saj, se ishte Drenica ajo që Sulltanit të madh i hoqi kokën në fushat e Kosovës së madhe, ishte biri i Drenicës ai Milleshi i Nikollës nga Kopiliqi që më 1389, së bashku me drenicasit e tjerë, la kokën e vet dhe mori një kokë sulltani me vete për këtë dhe, ishte Ahmet Delia ai që dogji sarajet e sulltanit turk me 1878 me themel, që kishte ngritur te Skenderaj i sotëm duke i solidarizuar luftëtarët e lirisë nën kushtrimin : “Oooo, bjerini burra kush është trim!”, ishin burrat e Drenicës të betuar në Kuvendin e Morinës më 1903, të prirë nga Ahmet Delia, ku kishin lidhur besën: “Duam me dek për vatan!”…. Ishin bijtë e Drenicës, të prirë nga Azem Galica me shokë (1914-1924), që për 12 vjet rresht i bënë ballë pushtuesit gjakatar serb. Ishte Hasan Prishtina, tribuni i Drenicës që dridhi Portën e lartë!, ishte Shaban Polluzha ( 1945), që mobilizoi bijtë e Drenicës për të mbrojtur tokat tona kundër titizmit çetniko-partizan, në një kohë kur sot zoti Pacolli në intervista të ndryshme shprehet se do të bëhet Titoja i Kosovës!!!


Pa dyshin se, ishte Drenica e para ajo që u dridh nga zhbërja e Qeverisë, duke e ndier thellë prishjen e saj, prishjen e shtetit, stopimin e njohjes së më së 20 shteteve që pritej t’i bëhej Kosovës, në një anë dhe nga ana tjetër, ishte zoti Isa Mustafa, ish-komunist i regjur Titist (Putini dinak i LDK-së së sotme), që kërkoi me këmbëngulje rënien e këtij koalicioni, që kërkoi me këmbëngulje rënien e shtetit të Kosovës, që kërkuan me çdo kusht prishjen e imazhit të Kosovës, që po kërkojnë edhe sot, pas zgjedhjeve të mbikëqyrura me mbi 30 mijë vëzhgues, si kurrë ndonjë herë më parë në historinë e zgjedhje të lira që janë mbajtur në rajon  e më gjerë. Isai, kishte treguar hapur gatishmërinë për t’ia vënë zjarrin imazhit të Kosovës gjatë fushatës me “trimat e tij” të Kodrës së Trimave , fillimisht Putini i Kosovës gëlltiti zotin Sejdiu, pastaj injoroi deri në skajshmëri zotin Bukoshi. Për të qenë ironia më e madhe ai talli dhe injoroi të birin e Rugovës – Ukën, nga një anë, dhe nga ana tjetër u betua në të atin e tij (Rugovën), pra ia luajti lojën të atit e të birit dhe të shpirtit të shenjtë!…


Ishte Drenica ajo që u solidarizua me Tahir e Nebih Mehën ( 1981), ishte Drenica, ajo që thuhet se në vitin 1992 votoi për Rugovën me 98 % ( dhe atëherë LDK-së, kjo përqindje e lartë nuk i prishte punë fare). Drenica e bëri këtë për Rugovën atë kohë, duke shpresuar se ky burrë do t’u prijë proceseve, mirëpo duke e ndier peshën e zhgënjimit të kotësisë së Rugovës, Drenica u mobilizua që nga viti (1993) e më herët, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i strehoi bijtë e saj, iu dha bukë, kripë e barut bijve të vet dhe nuk i mohoi kurrë ata, nuk i la vetëm kurrë, u dogj dhe u poq së bashku me ta, u flijua për lirinë e tokave shqiptare së bashku me ta, përkulet sot me respektin më të thellë para varreve të tyre anë e kënd tokave shqiptare.


Drenica kurrë nuk i ka sharë bijtë e vet as dje, as sot, as nesër, as në luftë, as në paqe, as në fushatë, as në votime.


Biri i saj, prijësi i vendit – kryeministri Hashim Thaçi, as gjatë kësaj fushate nuk përdori gjuhën denigruese, nënçmuese, poshtëruese, ai nuk shau askënd, nuk fyeu askënd, përkundrazi duroi të gjitha sharjet e fyerjet e të ligjve mbi kurrizin e vet, dhe vazhdoi punën me përkushtim! Ai mbrëmë tha: “Deri këtu kemi arritur së bashku, dhe së bashku kemi për të bërë edhe shumë!”…


Ishte Drenica ajo që ra në gjunjë para birit të saj, komandantit Adem Jashari ( 1955 – 1998), ishte Drenica ajo që ndoqi pas dritën e kandilit të diturisë, që kishte ndezur mësuesit i parë i saj Shaban Jashari ( 1924-1998), i cili u flijua vetë për të na bërë dritë neve! Ishte Drenica ajo që u mobilizua si kurrë më parë nën kushtrimin e Komandantit Legjendar – Adem Jasharit.


 


Është Drenica kjo sot që nuk i lëshon dhe nuk do t’i lëshojë kurrë nga dora bijtë e vet, të cilët po i prijnë proceseve të shtetndërtimit, është Drenica kjo që do të votojë për Hashim Thaçin, birin e vet dhe birin e Kosovës, në të cilin beson dhe këtë besim e mbështet me fakte në punën e tij që preket me dorë, që shihet me sy, që shijohet me shpirt e me zemër!


Ishte Hashim Thaçi me shokë, që pas një shekulli robërie, pas një shekulli errësire, pas një shakulli balte e dhune, Kosovën dhe Drenicën e nxori nga kjo baltë e rëndë duke ndërtuar rrugë, shkolla, ura, ambulanca, trase e shumë gjëra të tjera.


Ishte Drenica ajo që në çdo zgjedhje doli e para, u mobilizua dhe votoi gjithnjë në përqindje të madhe, që nga 70 deri në 87 e 98 % , është Drenica kjo që ka vetëdije të lartë, që ka kulturë, që e kupton më së miri rëndësinë e votës, rëndësinë e shteti, rëndësinë e lirisë, rëndësinë e atdheut që është larë pëllëmbë me pëllëmbë me gjakun e djalërisë shqiptare… është Drenica ajo që ka dhënë më së shumti për të bërë shtetin, që po jep dhe që do të japë në vazhdimësi.


Drenica historikisht kurrë nuk ka ndenjur duarkryq duke bërë sehir, ajo sa herë që e ka kërkuar nevoja është djegur e pjekur për atdheun tonë, është prerë e vrarë me zjarr e me hekur për çlirimin e vendit, është mobilizuar nën kushtrimin e burrave të dheut: ooooo kush është trim more heeejjj!…, dhe po sot ka atë ndjenjë solidarizimi e mobilizimi dhe gatishmëri për t’u përgjigjur e sakrifikuar në altarin e lirisë së atdheut.


Drenica nuk bëri as më shumë dhe as më pak, ajo iu përgjigj thirrjes së shtetit tonë që po ngrehim nga e para: “Të gjithë në zgjedhje, votoni më të mirët!”…, dhe ajo votoi.


Drenica nuk është fajtore pse të tjerët nuk dalin me përqindje më të madhe në zgjedhje, ajo ka kryer obligimin e vet qytetar e kombëtar në mënyrën më njerëzore. Drenica jo pak herë ka nderuar me votën dhe bukën e saj edhe LDK-në, AAK-në, AKR-në, VV-në, LDD-në e të tjerët. Pra, mos e mohoni nderin dhe bukën që ju ka dhënë Drenica o burra të dheut të shkapërderdhur nëpër parti, për faktin e vetëm që nuk keni dalë të parët! Kjo është loja e demokracisë, dhe ju këtë do duhej ta kuptonit më së miri.


Drenica i do të gjithë shtetndërtuesit, i voton ata, por votën më të shtrenjtë e jep vetëm për ata që janë të përkushtuar për ngritje e atdheut dhe shtetit tonë – pavarësisht nga vijnë ata: nga Llapi a Gallapi, nga Rugova a Dukagjini, nga Anamorava a Anadrinia, nga Pashtraku a Artakolli… ajo voton  për ata që ia do zemra, prandaj mos ngacmoni verdiktin e popullit të Drenicës se bini ndesh me ligjet e demokracisë dhe me të drejtat dhe liritë e njeriut!


Vota është e lirë dhe sovrani e hedh atë sipas bindjeve të tij. Tani lë të ndjekin shembullin e Drenicës edhe komunat e tjera! Do të shihni se përqindja e pjesëmarrjes nuk do të jetë kaq e ulët. Bëjeni edhe ju punën tuaj nëpër komunat tuaja! Mos u çuditni pse nëpër komunat e tjera nuk dalin në zgjedhje me këtë përqindje kaq të lartë, për partitë e tjera, ata nuk dalin për faktin e thjeshtë; po pra,  ngase nuk kanë për kë të dalin e nuk kanë për kë të votojnë!…


Gëzon fakti se kësaj radhe spektri politik i Kosovës u pasurua edhe me një subjekt të ri (Vetëvendosjen), e cila krijoi një befasi të këndshme me renditjen e saj së cilës i urojmë mbarësi në rrugëtimin e gjatë të saj në relievin politik të shqiptarisë.


Shushuritjet e të humbëseve e vënë procesin zgjedhor mes dilemash Hamletiane: “Të pranosh rezultatin e zgjedhje, apo jo- kjo është çështja!”…. Mirëpo, është edhe një e vërtetë e madhe: Nuk ka  ndodhur askund në botë që humbësit janë të kënaqur me çfarëdo procesi qoftë ai, natyrisht, ata gjithmonë janë të pakënaqur dhe kjo iu bënë mirë atyre, njeriu i gjallë kurrë nuk duhet të pajtohet me humbjen, ai, apo ata duhet të punojnë shumë, në mënyrë që të fitojnë dhe jo të pretendoi që për mes insinuatave dhe intrigave të përvetësojnë fitoren e tjetrit!


Me këto zgjedhje nuk doli humbës askush, me këto zgjedhje fitoi Kosova, para së gjithash. Të gjitha partitë ishin të mira, të gjitha ishin konkurrente, të gjitha bënë të mundshmen maksimale dhe natyrisht se vetëm njëri do të ulet atje lart, atje ku është më së larti – puna e tij bëri që ai të jetë biri i popullit tonë, z. Hashim Thaçi!


Drenica edhe 100 herë po të dalë në zgjedhje, ajo nuk di ndryshe; do të votojë për çlirimtarët, për shtetndërtuesit, për ata që kultivojnë miqësinë me Evropën dhe me Amerikën, për ata që do të përmirësojnë jetën e qytetarit, për burrat e dheut dhe të motit që do t’i shërbejnë vendit me përkushtim. Pa dyshim se Drenica do të mohojë gjithmonë plëngprishësit – qofshin ata edhe bijtë e saj- ajo do t’i bëj haram!


Po. E vërtetë, PDK- doli më e votuara, ishte ky verdikti i popullit të Kosovës dhe jo vetëm i Drenicës, prandaj me popullin mos luani! Punoni dhe bindeni atë me punë e me përkushtim! Urime PDK! Urime Kosovë! Urime shqiptarë për ditë më të mira!


 14.12.2010

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …