Mehmet Bislimi: Sa herë vjen Marsi…

 


Sa shpejt ikën vitet, po bëhen dhjetë tani, që kur gjuhët e flakëve të luftës së furishme kishin përfshirë Kosovën. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veç kishin lëshuar shtat dhe po mateshin me pushtuesin për t’i treguar atij se ky vend ka dalzotësit e vet, pra ka bijtë e tij që janë bërë gati për t’i dalë atdheut dhe popullit tonë në mbrojtje. Pjesëtarët e UÇK-së, po bënin historinë më të re të Kosovës, historinë e dhimbshme, por shumë krenare, ata po mateshin me ashpërsitë e pushtuesit Serb dhëmbë me dhëmbë, i cili nuk po respektonte as edhe një normë njerëzore. Ata, po tregonin gatishmërinë e vet për të paguar çmimin e lartë të lirisë së tokave tona, pa varësisht kostos së saj- liria mbi të gjitha.


Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, po përdridhte mustaqet e me shikimin e


mprehtë po depërtonte rreptë atyre tymnajave e flakëve që po përcëllonin atdheun tonë. Ai kishte tre kut mustaqe, me shtatin si lis me rrema. Në shpinë kishte bjeshkët e Qyqavicës si mburojë, në gjoks mbante bjeshkët e Shkëlzenit si pararoje.
Si në legjendat e Gjergj Elez Alisë, po edhe Komandanti ynë me Bajlozin u pre në shtat sa gjaku shkoj rreke e lumenjtë u skuqen. Nëntë herë ishte pre me dushmanin e me nëntë plagë në shtat po qëndronte në këmbë e i fortë Komandanti ynë- si dikur Jakup Ferri me shokë. Ai po mbante plisin mbi sy si strehët e kullave tona prej guri, me mitralozin nën sqetull, pashëm pash po i binte fluturim qiellit të Kosovës e si shqiponja që ruan zogjtë e vet me flatra, qiellin po mbulonte. Në ato lartësi mund të fluturojnë vetëm shqiponjat e Kosovës që ranë për atdhe, nën kushtrimin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari!
Kur mërrolët lëshoheshin në ballin e Adem Jasharit, atëherë hallakatej edhe moti e zbrazej furishëm së bashku me breshëritë e plumbave të luftëtarëve të lirisë mbi armikun gjakatarë. Ademi Jashari me trimat e tij, bënë historinë më të re të Kosovës. Ai dha krejt çka pati për lirinë e saj që ta shporrim një herë e përgjithmonë pushtuesin Serb. Komandanti ynë Legjendar se bashku me trimat e tij, tanimë i takojnë historisë së popullit tonë, ata u bënë legjendë e gjallë e një qëndrese të pa imagjinueshme nga shumë strateg të së djeshmes, por edhe të sotëm!
Që nga ajo ditë e deri me sot, kaluan shumë vite. Qytetaria e civilizuar të gjithë atyre që bënë të pamundurën për çlirimin dhe përparimin e vendit të vet, por edhe për gjëra të tjera humane e njerëzore, nderon dhe respekton me ndjenjën më të thellë, të gjithë ata që bënë flijimin më sublime në shenjë të një qëllimi human. Qysh nga lashtësitë mitike të mbretërisë së perëndive, kur Prometheu u sakrifikua në emër të moralit e të humanizmit për njerëzinë, ka mbetur diku një shenjë që quhet gur!


Ky gur, që quhet: ”Guri i Prometheut!” bie fjala… Nga ajo kohë e deri me sot, në literaturën botërore ky shembull i mishërimit në mbrojtje të njerëzisë në emër të humanitetit vetëmohues, flitet e shkruhet për këtë gur, ku thuhet tek: “Guri i Prometheut!”… Ky sublimim në filozofi quhet mishërim i së madhërishmes me njerëzoren, diçka e shenjët, diçka e madhërishme.
Që nga lufta e Kosovës me 1389, pra që nga atëherë qëndron një gur, ku më vonë bënë edhe një mur ku varrosen rropullitë e Sulltan Muratit të parë! Edhe sot ajo tyrbe në Mazgit të Kastriotit quhet “Tyrbja e Sulltan Muratit”, ku njerëzit ( të yshtur) nga Perandoria Otomane, kanë krijuar edhe besëtytni të ndryshme rreth saj, dhe shkojnë atje e gjunjëzohen (para kasapit të popullit të vet), për të kërkuar shërim! Më vonë, po ashtu pushtuesi ynë Serb, ka ngulur me shumë dinakëri edhe një guri tjetër diku në Gazimestan, ku tuboheshin dikur pushtues e poltron për t’u betuar se do të djegin Kosovën, Nga një absurditet tek tjetri e deri në fatalitet, dhe atje përkuleshin e duartrokisnin kasapin e Ballkanit dhe të shqiptarëve, e duartrokisnin edhe vet shqiptarët!


Kështu popujt e civilizuar vunë nga një gur diku në shenjë mirënjohje për diçka shumë njerëzore, por që popujt pushtues këta gurë i vunë diku edhe në shenjë hileje e me qëllim të përvetësimit të historisë e së bashku me historinë e imagjinuar prej kokave të tyre të sëmura- për pasojë, më vonë këta pushtues kërkonin edhe “tapitë” mbi tokat që ata duan t’i pushtojnë e përvetësojnë. Dhe nuk i dihet e vjen një ditë kur ata duan të kërkojnë diçka me këtë gurë që i kanë ngulur dikur me duart e veta në tokat e huaja?!
Ku ishim ne dje, po edhe ku jemi sot?


Nëse dikush e bëri një mur për Sulltan Muratin, pse ne nuk e vumë nga një Gur për Millesh Kopiliqin, qoftë në fushëbetejë, qoftë në vendlindjen e tij, qoftë në kryeqytet i cili Sulltanit të madh të Turqisë ia la kokën në Kosovë si hipotekë të historisë!


Kush është ai që mund të më tregoi mua, djalit tim, bijve tanë, brezave që do të na pasojnë se: Ku mund të gjunjëzohemi ne, para gurit dhe emrit të Millesh Kopiliqit i cili me shpatën e madhe shqiptare ia preu kokën pushtuesit që po sillte peshën e prangave të robërisë mbi trojet tona. Ai që di të më tregoi këtë- unë, do t’i falë pasurin time!…
Në gurtë e varreve të krushqve kam hasur, dhe janë të paprekur me qindra vjet- siç është e paprekur edhe legjenda për vëllavrasjen e dasmorëve, ngase pushtuesi e ruante me fanatizëm “legjendën” mbi vëlla-vrasjen tonë, për të na yshtur edhe më, por habit fakti se nuk janë ruajtur as gurët e as legjendat për trimat e asaj kohë që lanë kockat e veta për lirinë e atdheut?! Kush i vrau gurët dhe legjendat dje nëpër shekuj- dhe kush po i vret edhe sot e me porosi të kujt?!
Sot kur trimat tanë legjendën e zbriten nga qielli në tokë, dhe bënë realitet, të kapshëm dhe të prekshëm me dorë. Madje e ulën atë këmbëkryq në luadhin e madh të shqiptarisë! Mungojnë gurët e historisë; në Prishtinë, Ferizaj, Therandë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Besianë, Gjilan e në shumë qytete e qyteza, mungon një guri- në shenjë respekti për Komandantin tonë Legjendar Adem Jashari e për shumë trima tjerë?! Mos harroni se në po të gjitha këto vende të Kosovës së dikurshme, kishte me dhjetëra gurë të pushtuesve Serb, para të cilëve poltronët shqiptarë përkuleshin në mënyrë tragjike-komike, madje nga tri herë në ditë. Mbi këta gurë është bazuar edhe “Pakoja e Ahtisarit”, mbi të cilët gurë po vihen edhe kufijtë e plagëve të Kosovës të cilat ngadalë e një ditë do të bëhen realitet, madje pranuar e nënshkruar me dorën tonë, që ne mos të sillemi më, as në afërsi të këtyre gurëve!…
Disa absurditete në kohë, që i hanë populli ynë sot me bukë- vështirë se do t’i hanin të tjerët, siç janë: Në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë u pat thënë: “Objektet e vetme që nuk kanë leje ndërtimi janë; “Kisha Ortodokse dhe shtatorja e Lirisë!?”


E tha publikisht atë botë ish Kryeparlamentari Daci! Pra, ai nuk i dha as dy metra truall për Komandantit Legjendar në Prishtinë!
Ata që vranë shtatoren e lirisë dhe Komandantin e saj dje, sot krejt solemnisht shkojnë e përkulen para Komandanti, dhe deklarohen në emër të atdheut! A nuk është kjo më shumë se ironi?… Dhe si për ironi të fatit, populli duartroket këtë absurditet! Me qindra objekte të ndërtuara pa leje në Prishtinë, për bosët nuk ka nevojë për leje, se “lejet” ata i kanë në xhepat e “thellë”. E shtatoret e Lirisë nuk mund të ndërtohet pa leje, nga se ato nuk kanë xhepa! Atje përkulen shumë,madje edhe bosët e dikurshëm- sot të mbështjellë me petkat presidenti; allah, allah- do thoshin turqit!, që ka ndenjur këmbëkryq me Jelcinin në Moskë!, hë pra të gjitha këto në emër të atdhetarisë!…


Mund të jetë fare lehtë, që kështu dikush dikur moti, ta ketë vrarë edhe gurin e Millesh Kopiliqit, të Jaku ferrit, Kadri Zekës, Isa buletinit, Shaban Polluzhes, të Fazli Grajqevcit e të dhjetëra trimave të rënë për liri!
Në Prizren për disa vite me radhë, është refuzua një metër katror truall për Komandat Kumanovën!? Është vrarë edhe një gurë tjetër i historisë për komandant Kumanovën, e nga ana tjetër nuk ka guxuar të mungoi një gur për Car Dushan- Dushanoven?!
Është një fascinonim i shëmtuar kur i shikon se si shkojnë në radhë e solemn, besa edhe hije rëndë, për ndonjë përvjetorë atje, dhe duke u përkulur para legjendave, sikur përpëlitën për të shpëlarë blozën e tyre të pistë, pikërisht ata që gurët e historisë së Legjendave janë munduar t’i vrasin fshehurazi ndër vite me dorën e tyre! Mileti iu duartroket vrasësve të historisë së djeshme, të sotme dhe të nesërme, a nuk është ky më shumë se absurditet!


 Një gur, një krua, një urë, një mur, një lis… Një gur ku ka vënë kokën, një krua ku ka pirë ujë, një urë ku ka kaluar lumin, një mur ku është fortifikuar, një lis ku ka bërë një sy gjumë Komandanti ynë Legjendar- nderon Kosovën dhe historinë e saj. Në as një mënyrë, në as një rast, në as një rrethanë, në as një kohë mohuesit e historisë së vendit të tyre, nuk mund t’i sjellin atdheut as liri, as paqe, as demokraci, as zhvillim, as prosperim. Ata vendit i sjellin vetëm ngecje e huti dhe mbrapa ecje.
Para ca dite, në një nga gazetat të përditshme lexova se: “ Iks delegacioni, në krye me iks liderin, shkuan të varri i Komandantit e më pas në qendër të qytetit të Skenderajt, ku vunë kurora lulesh dhe nderuan Komandantin me prezencën e tyre!
Gazetar i nderuar, kjo fjala: Ata “nderuan“ Komandantin- më thartoi turinjtë: Tek varri, ose shtatorja e Komandantit, njerëzit shkojnë për t’u ndier të nderuar pranë tij, e po tani sikur të kishim mundësi e ta pyesnim Komandantin; se a do të na pranonte ai, që ne të përkulemi para tij? Ehuuuu, ku do ta ndalnin vrapin disa… Ky është absurditeti i kohës së sotme që po jetojmë, ku na janë mbështjellë demagog, dilenxhi, hajna, llaskuçë, matrapaz, zagarë, kusarë, dredharak e plaçkatarë, të pa sinqertë dhe gënjeshtarë- dalloj po munde o populli im!


 Sa herë që vjen marsi, gurët rrokullisen, ata gumëzhinë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen secili në vendin e vet, ku peshojnë më mirë. Nuk kanë thënë së koti që moti:” Guri rënd peshon në vend të vet!” Kush kërkon që të shtyhet me gurët e historisë, kush dëshiron rivalitet me gurët e atdheut, kush mendon që të matet me gurët e legjendës- ai i bënë gropën veti, dhe një gurë të koka do t’i mungojë atij – varrin do ta ketë pa epitaf!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …