Shote Galica

Mehmet Bislimi: Shotë Galica – Qerime Halili (1895 – 1927)

Femra shqiptare në vazhdimësi është përballur me vrazhdësitë dhe ashpërsitë e jetës, mbi të rëndoi pesha e shekujve të robërisë, varfëria, pesha e kanunit etj. Megjithatë, ajo për asnjë çast nuk u nënshtrua para sfidave të shumta gjatë rrugëtimit të saj. Gruaja dhe nëna shqiptare, në vend të parfumeve evropiane, përdori barotin, stolitë e saja ishin koburja dhe gjerdani me fishekë, ajo ishte dhe mbeti në shërbim të atdheut deri në përjetësi. Gruaja shqiptare si nënë, atdheut i fali nga shtatë ushtarë lirie, i fali nga shtatë zana mali, që pushtuesit i morën gjak në vetull si: Teuta, Donika, Nora, Tringa, Shota….. e deri tek Xheva e ditëve të sotme, pa dyshim nënëmadhja Zahide Jashari – nëna e Komandantit tonë Legjendar!

Nënat tona, gatuan bukën për çlirimtarët, thurën çorapet që të mos ngrijnë ata, i bekuan rrugët e tyre të përgjakshme, i puthen ata në ballë duke ua dhanë uratën në rrugët tona të vështira, por të lavdishme të lirisë. Ato i vizituan bijtë e tyre nëpër syrgjynet otomane e kazamatet serbe, duke u thënë: ”Mbahuni bijtë e mi, mos u ligështoni para dushmanit, mbahuni për hatër të vatanit!”… Ishin këto fjalët e nënave tona, që na dhanë forcë dhe bënë që populli ynë të triumfoj fuqishëm mbi tmerrin shekullor të robërisë, mbi planet asimiluese, mbi planet gjenocidiale që pushtuesit tanë i zbatuan egërsisht mbi popullin shqiptar. Nuset e reja i pritën trimat e tyre me vite të tëra, nga syrgjynet, nga internimet, nga burgimet… e kujë nuk vunë! Ato fëmijët nuk i lanë vetëm e shpinën nuk ua kthyen për një copë dashuri. Jo, ato këtë nuk e bënë kurrë, ato u gjakosen krah burrave për këtë tokë të zhuritur! Ato hynë në histori me qëndresën e tyre, ato hynë në këngë me bujarinë e tyre, ato u mitizuan për besnikërinë dhe sakrificat e tyre si Rozafa e kalasë prej guri, si Doruntina… E kur bijtë tanë u kthyen të gjakosur nga lufta, fjala e nënës ua mikloi plagët e tyre. Ato nuk lejuan që loti të iu shkoj në faqet e tyre të ndritura- jo as një herë!… O zot, po cilat nëna në botë, janë më të sprovuara, më të forta, më bujare se nënat tona? Ishte nëna dhe gruaja shqiptare ajo, që i rezistoi të gjitha këto dhe nuk u dorëzua. Asaj, dhe vetëm asaj i dedikohen të gjitha nderet, para së cilës populli ynë me respektin më të madh duhet të përkulet deri në gjunjëzim – para qëndresës dhe heroizmave të NËNËS Shqiptare!

I gjithë ky respekt për nënat tona, sot përcillet në emrin e nënës, në emrin e gruas dhe në emrin e heroinës sonë kombëtare – SHOTË GALICËS, ky emër kaq i madh që zuri vend po aq të madhërishëm në historinë tonë kombëtare. Emri Shotë Galica është emër nderi e krenarie, është emër mburrje dhe emër lirie për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Është dashuri për atdheun, pasion dhe inspirim i qindra Shotave të reja që ranë me pushkë në dorë rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato luftuan për çlirimin e atdheut – ashtu si Shotë Galica dikur, dhe ranë për atdhe sa herë që kërkoi domosdoshmëria e lufta çlirimtare, ato ranë me emrin e Shotë Galicës në gojë!

Qerime Shotë Galica e inspiruar në bëmat e trimëreshave shqiptare e bindur thellë në të drejtën e popullit tonë për liri, vuri pushkën krahut dhe për 12-të vite me radhë nuk u nda nga burri dhe bashkëluftëtari i saj Azem Galica.

Shota e Radishevës, ishte motër e gjashtë vëllezërve. Babai i saj Halili, ngase e kishte të vetmen vajzë, nuk e ndau nga djemtë e tij për asnjë çast. E merrte me vete nëpër kuvende e ndeja burrash, ku pati fatin të shohë me sytë e saj trimat e kohës si: Isa Boletinin, Shaqir Smakën, Kamer Loshin, Nak Berishën, Azem Bejtën, Mehmet Deliun, Shak e Ramadan Radishevën, Halit Bajramin, Xhemë Tërnavin, Fazli Baranin, Emin Latin – Mehën, Shaban Mikushnicën, Bajram Zenë Mehën e shumë trima tjerë. Nëpër ato kuvende e ndeja merreshin vendime që të kërciste pushka mbi pushtuesin serb. Aty edhe këndohej kënga e binte çiftelia për trimat tanë. Shota i binte mirë çiftelisë, po aq sa edhe çarkut të hutës. Këndonte si zanë mali, sa edhe tmerronte pushtuesin me zërin e kushtrimit: ”Ooo, Prite, prite Azem Galicën, o heeeej!”…

Nëpër ato ndeja e kuvende Shota njohu Azem Galicën, me të cilin u martua në vitin 1915. Ajo në vend të rrobave të nusërisë, veshi rrobat e burrave, në vend të pajës vuri armën krahut dhe u bë nuse malesh. Në dasmë të saj ishin 300 krushq me 300 pushkë krahut, binin tridhjetë lodra përnjëherësh, kërcenin 300 malësorë vallen e luftëtarëve të lirisë… Shota që nga ai çast nuk u nda më nga Azemi dhe nga bashkëluftëtarëve të tij. Dhoma e saj nusërisë u bë Çiçavica, stolitë e saj ishin gjerdani me fishekë rreth belit. Kjo pra ishte Shota – gruaja dhe nëna shqiptare, që nuk u lodh e nuk u hamend kurrë para jetës së vështirë të malit, as para flakës së barotit, as para rënies e plagosjes së luftëtarëve të lirisë, as para masakrave që bënin xhandarët serbë mbi popullatën shqiptare. Përkundrazi morali dhe forca e saj sa vinte e po shtohej e vetëdijshme se liria e vendit nuk arrihet pa u djegur në flakët e luftës! E tillë ishte Shota dhe si e tillë vazhdoi këto rrugëtim pa u luhatur, as edhe pas vdekjes së burrit e shokut të jetës së saj Azem Galicës.

Ajo merrte edhe vendime me vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës, e Komitetin e Maleve, si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigjin e të tjerë. Një hap të tillë Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Ajo së bashku me Mehmet Deliun- alias Mehmetin e Vogël, dhe me dy tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës!, dhe me dorë të vet e kishte vrarë atë epror gjakpirës, i cili kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për lirinë e vet. Ajo i tha Azemit më pas;

… “Azem, e vrava! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës!”… Azemi e shikoj me butësi e dashuri, duke i thënë: “ Mirë ke bërë moj burrnesha e maleve, dhe e kishte përqafuar butësisht, duke e uruar për aksionin, atë dhe shokët!”. Shota, gjatë jetës së saj prej luftëtarit te lirisë, ishte ndeshur dhjetëra herë me pushtuesin serb. Ishin dhjetëra beteja ku kishin luftuar me orë të tëra dhëmbë për dhëmbë. Gati në të gjitha rastet, luftëtarët e lirisë kishin dalë fitimtarë, megjithëse edhe kishin pësuar edhe goditje të rënda me humbjen e shokëve. Kjo përballje me pushtuesin serb nuk ishte e shkurtër, prandaj për Shotën, Azemin dhe bashkëluftëtarët e tyre ishin krijuar mite e legjenda: Ishin përhapur fjalë se Azem Bejta bashkë me gjokun e tij po fluturonte, ose se kur thërret Shota: “Oooo, prite, prite Azem Galicën o heeej!” dëgjohej për tej shtatë malesh e kodrash etj…

Pas vdekjes së Azemit, Shotë Galica u priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta për ballë armikut… Shota edhe u plagos në luftëra, por morali i saj nuk u thye asnjëherë, kështu duke u bërë shembull e krenari për ne. Shota në rolin e nënës nuk pati rastin që të gëzoj ledhatimet e djalit të saj i cili i vdiq shumë shpejt pas lindjes, për shkak të kushteve të malit. Mirëpo Shota nuk ndenji indiferent kundrejt kësaj ndjenje, ajo mori me vete ngado që shkoi fëmijët e shokëve të rënë për liri të Kosovës. Ajo për as një çast, ata nuk i la vetëm, duke u bërë nënë e dytë e tyre  deri në çastet e fundit të jetës së saj.

Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën së do të ktheheshin me pranverën e parë. Ajo u vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë për liri, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rritë dhe t’i edukojë me frymën atdhetare. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e mbretërisë së Ahmet Zogut, ajo u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se mbreti Zog ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë i cili Zogun e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hotel Bristoli i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë! Kështu duke e rrëzuar të parën Qeveri demokratike në Ballkan – Qeverinë Noli! Në këto rrethana Krajli i Serbisë, pasi që për 12 vjet me radhë, kishte dëmtuar rëndë luftën Çlirimtare të Kosovës së bashku me prijësit e saj, Azemin me shokë, Pashiq në vazhdim kishte bërë kërkesa shtesë pranë mbretërisë zogolliane që të asgjësoheshin edhe rrënjët e kësaj Lëvizjeje, që herë pas herë strehoheshin në Shqipëri, siç ishte edhe Shotë Galica me këtë rast!…

Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa dhe mjerimi, tmerrësisht nga inferioriteti i një regjimi arrogant mbretëror zogollian. Ajo u shtrëngua që t’i shkruaj edhe letër për t’i tërhequr vërejtjen mbretërisë në fjalë si:
… “ Unë jam Shotë Galica- gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës , kam dhe katër fëmijë jetim me vete. Janë fëmijët e luftëtarëve të vrarë për çlirimin e Kosovës. Jam e shtrënguar të ju vë në dijeni se jam duke vdekur nga uria së bashku me fëmijët jetim!”…

Shota, po ndeshej me vdekjen dhe vdekja e saj në atë moshë aq të re, më shumë pati për pasojë moskujdesin njerëzor ndaj saj, ky moskujdes i një regjimi mbretëror antikombëtar kurorëzoi kushtet e një vdekje të parakohshme dhe të pa natyrshme të një gruaje që quhej Shotë Galica e cila kishte vetëm 32 vite!…

Shotë Galicën, shteti shqiptar e shpalli Heroinë të Popullit, ia ngriti bustin e saj dhe ia rregulloi edhe varrin. Sot në kohën e “demokracisë” varri i saj është në gjendje të mjerueshme siç ishte edhe ajo vet në prag të vdekjes së saj në vitin 1927. Ndërkaq për bustin e saj në Kukës, nuk ka kurrfarë të dhënash se ku është tretur?! Qeveria e Kosovës, si ajo në nivel qendror, po ashtu edhe kjo në nivel lokal të Vushtrrisë, as kanë vrarë mendjen deri me sot që eshtrat e Shote Galicës t’i kthejnë në vendlindjen e saj, ku më në fund pas 80 vitesh, Ajo do të prehej e qetë pranë varrit të Azem Galicës- burrit dhe bashkëluftëtarit të saj!

A thua vallë edhe Qeveria e Kosovës, pandërgjegjshëm po shndërrohet në një Qeveri mospërfillëse e kaq inferiore, për të mos thënë zogolliane përballë Dëshmorëve dhe Heronjve tanë kombëtarë të cilët mbetën harruar e shkapërderdhur baltërave e moçaleve të hapësirave tona gjeografike gjithë shqiptare?!

Qerime Halil Radisheva – Shotë Galica vdiq më 20 korrik të vitit  1927. Kush vuajti më shumë se nënat tona, kush i dha lirisë dhe popullit tonë më shumë se ato? Kjo pra ishte Shote Galica – gruaja dhe nëna shqiptare të cilën me pietet do ta kujtojmë përjetë e mot!

CH- 10 nëntor 2016
me rastin e ditëlindjes së saj
Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Konferenca e Pezës

Më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, me qëllim organizimin e të gjitha forcave politike në luftë kundër Italisë fashiste

Më 16 shtator të vitit 1942, u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për …