Me mëdyshje: nga t’ia filloj më parë në mënyrë që të mos i futem në hak zotit Pllana si krijues, si luftëtar i devotshëm i atdheut, por edhe si zë i parë i lirisë së shumëpritur!? Të filloj nga të “tre”. Pa dyshim me barrën e frikës mbi supe, nëse do t’ia dal apo jo, që të ngërthej në këtë letër gjithë atë që është për t’u thënë, gjithë atë që duhet për t’u thënë dhe gjithë atë që nuk është thënë me guxim deri më tani. Pra kjo është për t’u thënë: Ta themi apo ta vrasim të vërtetën e madhe për njerëzit dhe veprimtarët e mëdhenj!? Mendoj se është borxh yni ta themi – në këtë mënyrë sikur kryejmë një obligim kombëtar e moral, sikur çlirojmë shpirtin tonë nga Satani, kur e themi të vërtetën. Mos e bëni këtë të dytën, mos e vrisni të vërtetën, mosni – se bëni mëkat të madh!
Nuk do zgjasja shumë, ngase përkushtimi i secilit, sa do modest që të jetë, fletë vetë, flet me gjuhën e vet, flet me gjuhën e fakteve, flet arsyeshëm dhe gjërave iu thotë me emër të vet… Dua ta kap vetëm një segment të jetës së tij. 2000 vjet rrugëtim të shqiptarëve, nën Bizant, Otoman e krajli, 100 vjet nën Serbi! Me përkushtimin më sublim të bijve më të mirë të Atdheut – luftëtarëve të lirisë të cilët vdekjes i thanë – plaç!, në mesin e tyre edhe shumë dëshmorë të lirisë (përkulemi përjetësisht para tyre), një grup intelektualësh, atdhedashës e liridashës, para së gjithash në krye me atdhetarët: z.Qeriqi, z. Myrtaj, z. Çuni, z. Pllana, z. Elshani, z. Bajraktaraj e dhjetëra të tjerë – për të mos u hy në hak se bëj mëkat para sakrificës së tyre sublime, nga zemra e tokës shqiptare, nga malet e Berishës, së bashku me pushkët e para, kumboi edhe zëri i parë i lirisë:
“Këtu ju flet Kosova e lirë!”…, dhe kaq, nuk kishte nevojë për më shumë, për shqiptarët e zhuritur për liri, për më se një shekull nën pushtimin e egër serb të kuptojnë se bijtë e tyre triumfuan mbi robërinë e zezë!
Ky zë, kaq i fuqishëm, kumboi maleve, fushave, luginave dhe kreshtave të Kosovës, kumboi fort, duke pushtuar zemrat e të gjithë liridashëseve që nëpër istikame kishin vënë shpatullat e tyre të njoma për të mbrojtur atdheun e etur për liri. Ky zë kumboi fort, kumboi fuqishëm sa dridhi themelet e Beogradit zyrtar. Ky zë prishi përgjithmonë gjumin e Satrapit të Ballkanit, duke e përcjellë atë deri në Hagë. Ky zë kumboi fuqishëm në veshët e tij, derisa ai u qërua nga kjo botë: Këtu ju flet Kosova e lirë!
Po kush ishte ky zë me këtë vokal kaq të ëmbël, kaq të fuqishëm, kaq burimor, me kaq ngjyra të bukura lirie, ky zë me këtë timbër të padëgjuar ndonjëherë më parë?! Po, ky ishte zëri i papërsëritshëm i zotit Pllana, i cili nga zemra e maleve të Berishës çau këmishën e zezë të robërisë shekullore, fuqia e të cilit kishte burimin te pushkët e lirisë, te zemrat djaloshare të luftëtarëve, te zemrat e krisura të nënave, të motrave, të nuseve dhe të fëmijëve tanë që u rriten me këtë zë në mbamendjen e tyre. Ata sa herë që duan të kujtojnë shëmbëlltyrën e prindërve, të bijve dhe të vëllezërve të tyre, të rënë dëshmorë – po prapë dëgjojnë, për kushedi të satën herë, këtë zë: Këtu ju flet Kosova e lirë!…
Nusret Pllana, si luftëtar, dha aq sa ishte në mundësinë e tij, si qindra luftëtarë të tjerë të lirisë atdheut ia ofroi jetën e vet, duke u betuar: Për ty Atdhe, jemi të gatshëm të vdesim si me le!… Dhe për të dëshmuar këtë, luftëtarët e lirisë ofruan jetën e tyre në logun e burrave të motit – atje ku gjakun i derdhur për liri rimoi tokat shqiptare!
E nuk ka njeriu ç’t’i falë më shumë lirisë së atdheut veç jetës së vet! Këtë e bënë bijtë tanë, bijtë e lirisë, bijtë e shqiptarisë – si pakkush. Ata u buzëqeshin rrezeve të lirisë së këtyre tokave, që u shtrinë deri rrëzë maleve të Karadakut, ku Presheva, Medvegja e Bujanoci me rrethinë, po presin diellin e lirisë. Pa më të voglin dyshim, jemi shumë të vetëdijshëm se aspiratat tona shekullore nuk janë realizuar në tërësinë e tyre – mbetet shumë punë e punë për t’u bërë, dhe për t’u realizuar ato. Nga ky këndvështrim, zoti Pllana vari mauzerin e lirisë mbi syrin e frëngjisë së kullës prej guri, por nuk e braktisi atë, mori në dorë një pushkë tjetër, mori penën e artë, dhe me të filloi luftën e re për të gjurmuar krimet makabre që pushtuesi gjakatar serb kishte bërë mbi shqiptarët duarthatë!
Profesor Pllana, i vetëdijshëm se borxhi ndaj atdheut nuk është kryer, ai me zell të madh prej intelektuali e atdhetari iu rrek një misioni tjetër po aq të vështirë, duke ia parashtruar vetes detyrë: të zbardhen e të denoncohen publikisht krimet që i bëri Serbia pushtuese mbi shqiptarët dhe të nxirren enigmat e përgjakura shekullore nga atje ku i kishte futur pushtuesi serb, me qëllim që t’i fshehë gjurmët e krimit para opinionit ndërkombëtar.
Duke u kthyer në fillim të shkrimit, që ishte edhe motivi i qasjes sime – për të bërë një shkrim modest me rastin e prezantimit të librit të prof. dr. Pllanës, që bëri para dy-tri ditësh në Singen të Gjermanisë, ku ishte organizuar nën nikoqirllëkun e klubit “Kosova” të Singenit. Me këtë rast kryesia e Klubit bëri një organizim të shkëlqyer në të gjitha rrafshet. Salla ku po mbahej ky prezantim ishte e mbushur përplot me bashkatdhetarë, por nuk munguan as përfaqësuesit gjermanë të cilët me plot durim e mirësi qëndruan deri në fund të takimit
Ishte një takim i këndshëm, i pasur me pika kulturore, me prani dinjitoze të të gjithëve, me dashuri e përmallim për të ndier aromën e atdheut të cilën për mërgimtarët tanë zoti Pllana e kishte sjellë me vete.
Po them prezantim të librit për të mos u hequr modest, ngase libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i zotit Pllana, tani më është promovuar që sa kohë, ai tani ka marrë dhënë, që nga Gjermania, Franca, Italia, Austria, Anglia e deri në Amerikë. Me këtë rast u dha edhe dokumentari: ”Pas 2000 vjetësh rrugëtim”.
Mendoj, për atë që mund dhe dua të them për librin, me gjithë dëshirën për të thënë më shumë, i vetëdijshëm se nuk do t’ia arrij dot, por nuk do të më linte vendi rehat pa shkoqitur diçka, diçka fare të vogël, diçka të bukur, diçka domethënëse.
Nuk ka qenë e lehtë për autorin që t’i futej një pune kaq të madhe si kjo, një pune kaq të rëndë e të mundimshme si kjo, pa dyshim një pune kaq të dobishme e krenare si kjo, të cilën zoti Pllana e ka bërë në shërbim të popullit shqiptar, i vetëdijshëm për pengesat dhe rreziqet e mundshme që do t’i haste gjatë rrugëtimit të tij, i vetëm fillikat, pa mbështetje të duhur, as logjistike, as materiale dhe as “artileri-ke”… I vetmi, siç e tha edhe vetë autori, ishte bacë Adem Demaçi, i cili zotin Pllana e kishte trimëruar, dhe kaq! Ç’është e vërteta ky libër kishte thartuar hundët e UNMIK-ut, i cili librin e zotit Pllana e shihte si nxitje të urrejtjes nga njëra anë, por si për habi; UNMIK- nga ana tjetër krimin serb, që ishte ushtruar mbi shqiptarët nuk e shihte si nxitje të urrejtjes!
Ky libër nuk është thjesht sa për t’i thënë libër, sa për të shkruar dhe sa për të numëruar një libër më shumë – jo! Libri i zotit Pllana: “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, është mbi të gjitha një dokument me vlerë të pallogaritshme për kombin tonë, është një akuzë publike para opinionit ndërkombëtar për krimet që shteti serb i ka bërë përgjatë më shumë se një shekulli e gjysmë kundër shqiptarëve liridashës e duarthatë, është dëshmi e kohës për krimet makabre të një gjenocidi të paparë, të ushtruara me një egërsi të papërshkrueshme, madje as në kohërat biblike, që pushtetet e Serbisë, në kohë të ndryshme, por në vazhdimësi, me metodat më të egra i kanë ushtruar mbi shqiptarët duarthatë.
Këto krime Serbia i kishte fshehur e mbyllur prapa dyerve të rënda çeliku, të kyçura nën shtatë dryna, në bodrumet e arkivave të veta, ku pretendonte ta fshihte të vërtetë e tmerrshme, që po priste një dorë të fortë, si ajo e zotit Pllana, për t’i shqyer ato dyer e për të dalë realiteti në shesh të drejtësisë.
Pa dyshim, madhështia e një vepre qëndron për faktin e thjeshtë, se ajo pasqyron realitetin, prandaj për zotin Pllana ka qenë sa e lehtë për ta bërë këtë vepër, aq edhe e vështirë!?
E lehtë, ngase zoti Pllana nuk ka pasur kokëçarje për t’i gjetur muzat frymëzuese, për të trokitur në portën e imagjinatës (e cila nuk vjen kur të duash ti) për të krijuar gjëra të paqena, gjëra të improvizuara, personazhe të imagjinuara, prurje të rrejshme, argumente të falsifikuara, fakte të zbehura prandaj…
E rëndë, po e rëndë për zotin Pllana ka qenë nxjerrja në dritë e kësaj vepre… E rëndë ngase autori është dashur të përballej me një realitet të tmerrshëm, me trupat e masakruar të fëmijëve, të grave, të pleqve, me plagët e pashërueshme mbi 200-vjeçare të popullit tonë të cilat ende po kullojnë gjak!… Është shumë e rëndë të përballesh me ato pamje makabre… Po aq e rëndë është t’i thyesh ato dyer të hekurta prapa të cilave fshihej krimi… Po aq e vështirë është t’i nxjerrësh nga nëntoka serbe e krimit e t’u japësh atyre shpirtrave engjëllorë nga një copë qiell të kaltër e të lirë, ku ata do të fluturonin pavarësisht se me shumë plagë në shtat. Ky libër së bashku me ato fotografi që flasin në të gjitha gjuhët e popujve liri e paqedashëse të botës, fotografi këto që do të trokasin derë me derë të botës së civilizuar, derë më derë të diplomacive të mëdha, duke kërkuar drejtësi dhe vetëm drejtësi – që të dënohet krimi dhe bërësi i krimit një ditë!
Më bërjen e këtij libri zoti Pllana sikur ka lehtësuar shpirtin e tij, dhe kurdo që të ikim në botën e përtejme, zoti Pllana do ta ketë shpirtin më të lehtësuar për punën që ka bërë në shërbim të drejtësisë, do të prehet i qetë ngase denoncoi krimin, krimin e paparë që Serbia gjakatare në vazhdimësi e kishte bërë mbi shqiptarët liridashës! Një punë e madhe është bërë edhe për faktin se libri tani më është i përkthyer në disa gjuhë të botës, në veçanti janë fotografitë ato që flasin dhe kuptohen nga të gjitha popujt liridashës e të civilizuar të cilët duan ta denoncojnë dhe dënojnë krimin. Ky libër me sa zë që ka kërkon drejtësi, ky libër është dëshmi e një kohe të pakohë, e një çmendurie njerëzore e shtetërore që mban vulën e krimit të shëmtuar serb. Ky libër është një akuzë publike që i bëhet krimit, i cili për të vërtetën e hidhur flet me zërin e vet. Libër të tillë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me zemër të madhe, siç është edhe vetë atdhetari e intelektuali z. Nusret Pllana.
Nga ana optike dhe përmbajtjesore libri është shumë cilësor – i plotëson të gjitha standardet evropiane. Ai duhet të shpërndahet kudo në shtetet e botës, duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët e botës, duhet të trokasë në të gjitha dyert e botës, duhet të vrasë ndërgjegjen e fjetur e të gjithë atyre që nuk ngritën zërin e arsyes kundër krimit!
Krimi duhet të denoncohet, krimi duhet të dënohet kudo dhe kurdo që ka ndodhur!
Zvicër, janar 2012
Mehmet BISLIMI