Partia Demokratike e Kosovës, ka ngatërruar qasjen e një subjekti politik opozitar, që ka obligim për të bërë opozitën, për të kritikuar argumentueshëm pozitën, për të kërkuar zgjedhje të reja, të parakohshme, të jashtëzakonshme, etj.
Ajo ka për obligim të kërkojë edhe rënien e Qeverisë e cila nuk përmbushë obligimet dhe përgjegjësitë para qytetarëve- cilado qoftë ajo, dhe në cilëndo kohë të saj qeverisëse. Ky është roli prioritar i opozitës.
PDK (me dashje), sikur ka rrëshqitur në trenin e lajkave duke u sjellë kështu si një adoleshente lozonjare, që ia ka enda të futet në valle, por që bënë naze për ta lutur e mikluar edhe më shumë- formë kjo që dëmton rëndë seriozitetin e qasjes të një subjekti politik, në veçanti rolin e saj opozitar, politik, elektoral, etik, etj. Me këtë qasje PDK, sikur meton të bëhet patericë e pozitës për t’i zgajtur jetën asaj. Ndryshe si shpjegohet fakti, kur nënkryetari i saj, z. Totaj deklaron se zgjedhjet janë opsioni i fundit të cilin e mendon PDK-ja.
Sipas z. Totaj, më mirë do të ishte të arrihej një konsensus për presidentin para se të shkonin në zgjedhje, nëse jo, atëherë zgjedhjet do të ishin të paevitueshme! PDK, është e gatshme për zgjedhje por ne i shohim zgjedhjet si opsion të fundit pasi të jenë konsumuar te gjitha mundësitë tjera- tha z. Totaj.
A ka njerëz në këtë vend, që flet rrjedhshëm, pa ekuivokë, që flet troç e shqip, që e sheh realitetin drejt e në sa, që nuk i trembët valëve të jetës, që thotë me bindje realiste se në këtë vend, nuk ka mbetur gjë pa u konsumuar, dhe zgjidhja e vetme e çështjes politike në Kosovë; janë zgjedhjet! Pavarësisht se ku do ta na vë vala, ku do të rangohemi, ku do të na vë kandari i sovranit. Në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet, dhe kjo është e domosdoshme, pavarësisht kalkulimeve politike, që mund të bëhen.
Zgjedhjet janë normale, dhe nevojë e domosdoshme që sovrani ta zgjedhë atë që do, atij që i beson. Një opozitë e mirëfilltë nuk frikohet nga zgjedhjet, me këtë ajo tregon para elektoratit të vet konsekuencën e të bërit opozitë, mbi të gjitha tregon se është e konsoliduar dhe e gatshme për sfidat e radhës.
Duhet të jemi të guximshëm dhe të qartë: vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja, për fuqizimin e institucioneve, për vendime të fuqishme politike dhe ekonomike, për përmirësimin e imazhit të Kosovës e shumë gjëra tjera imediate që nuk presin.
Vet kreu i LDK-së e kishte thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme, nuk e kuptojmë pse heziton apo pse frikësohet, PDK-ja!?….
A ka ndonjë burrë në këtë dhe, që e thotë të vërtetën:
Oooo, njerëz, elektorati ynë është lodhur, është traumatizuar, është stërngopur me premtimet dhe paraqitjet e politikanëve, për çdo ditë para ekranit dhe mediave, me demagogjitë e tyre, me sharjet e tyre të përditshme nga më të “larmishmet” , dhe pa fije turpi e kodi etik, me kërcënimet e tyre hapur ditën e natën, a ka shtet këtu?!
Me akuzat e ndyra dhe të lloj-llojshme, si: ti je pro-rus, pro- serb, pro UDB-ash, je tradhtar, je kriminel, je hajn, je vrasës, je plaçkitës, je pelë, je gomarë, je lopë, je rrenacak e dhjetëra sharje tjera, madje herë- herë kërcet dhe dajaku… Këto sharje e shpifje i ke për çdo natë për mes ekraneve televizive dhe mediave të shkruara, për mes ftesave në studio, përmes tryezave, ku një pjesë e tyre që shajnë dhe etiketojnë njëri-tjetrin, janë të tillë, dhe për habi: si ka mundësi që mediat i japin hapësirë publike një hajni, një vrasësi, një plaçkitësi e mashtruesi, një intriganti, një servili, dhe një sajuesi, madje ftesë në debat televiziv- fatkeqësisht, një pjesë e tyre, janë edhe autoritete qeveritare!!!
Këtë nuk e kuptoj, edhe një herë a ka kod etik, a ka ligj, a ka shtet këtu!
Kur hapi TV-në, dhe shoh se kush është i ftuar në studio, i mbylli fëmijët në dhomë deri sa të mbaron debati- më tha një mik imi! Na i çmenden edhe fëmijët mor burrë, ata kanë filluar dhe po i imitojnë të sharat e tyre, në shkolla, pauzë, duke lozur mes vete, dhe duke i ruajtur bagëtitë!…
Tani kush na qeverisë ne, këta që njeri- tjetrin shajnë dhe kërcënojnë publikisht- JO!
Kjo nuk guxon të vazhdojë më… a ka diçka më të tmerrshme për elektoratin dhe popullin mbarë se kur hapet emisioni dhe fillon prezantimi i të ftuarve: “sot kemi prezent; x-y, ish vrasë, x-y ish i dënuar për hajni, x- y ish plaçkitës, x-y, ish i akuzuar, x-y, ish i dënuar, madje ka pasur edhe përdhunues, servil e sajues, dhe populli dëgjon analiza se çfarë thonë këta xhevahir!”, O zoti i madh, deri kur kështu, çka i ka borxh populli shqiptar kësaj politike, këtyre mediave dhe kësaj qasje përdhunuese të trurit tonë! Pse e dhunoni popullin kështu dhe deri kur do të vazhdoni me këto marrëzi e çmenduri, pa pikë turpi e njerëzie?.
Edhe një herë, zgjedhje dhe vetëm zgjedhje. Ndryshe populli ka vetëm një pyetje: për çfarë politike e kodi moral po flisni ju lutem, a i shihni ju ndonjë herë këto storie, a nuk skuqeni kur i shihni ato, të paktën para familjeve tuaja, se në çfarë pozite keni rënë, a nuk mendoni ndonjë herë për të thënë: mjaft me se nuk shkon kështu, mjaft më se u bëmë nami i zi i botës. Tani në këtë stinë dimri, ku njerëzit e skamur e harruar, nuk kanë sa duhet ujë, drita, strehë, veshmbathje, ngrohje, medikamente, siguri, nuk kanë të ardhura, nuk kanë punë, ku po na i shpie mushka drutë. Për çdo ditë, vrasje, vjedhje, plaçkitje me dinamit në pikë të ditës , përdhunime, rrahje… edhe çka duhet të ndodhi në Kosovë që të shohim pozita dhe opozita, se këtij populli ia keni tepruar me të gjitha.
E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme!
Kthejani votën sovranit, që ai të vendos vet!
7-12-2020