Lufta për çlirimin e Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës, paraqet faqet më të ndritshmë të historisë së popullit shqiptar. Në këtë luftë, me gjakun e bijve të tij të devotshëm, ai shkruajti epopetë e lavdishme të trimërisë. Shumë familje shqiptare, shumë prindër dhe shumë nëna e baballarë, i dhanë UÇK-së ushtarë, të gjithë bijtë që patën, por edhe lirisë i dhanë dëshmorë, të gjithë bijtë që patën. Dikush lirisë ia fali birin e vetëm, dikush tjetër ia fali dy, tre e më shumë bij. Familja Rexhaj nga Jabllanica e Madhe e komunës së Pejës, përkatësisht, prindërit Cenë e Hylë Rexhaj, ia falën lirisë së Kosovës tre bijtë e tyre: Mehametin, Ajetin dhe Hetemin. Emrat e këtyre tre dëshmorëve, që sot ndrijnë në lapidarin e ngritur në qendrën e fshatit të lindjes, janë emblema e çmimit të lirisë së Kosovës.
Dëshmori Mehmet Rexhaj ka lindur më 26 gusht të vitit 1964. Në fshatin e afërt, Jabllaicë e Vogël, e kryen shkollën fillore, kurse të mesmen në Pejë. Kushtet ekonomike të familjes nuk i mundësojnë që ai të vazhdojë studimet, por ia imponojnë nevojën që, si fëmija i madh në familje, të bëhet krah i të atit në punët fizike, kryesisht në fushën e ndërtimtarisë, për të siguruar mjetet e jetesës për familjen.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Mehmeti kryen shërbimin ushtarak në Armatën Jugosllave, në vitet ’80. Ai detyrohet t’i përgjigjet ftesës për këtë shërbim, megjithëse në atë kohë, të rinjtë shqiptarë, në armatën jugosllave u nënshtroheshin presionit dhe pasigurisë fizike. Shumë prej tyre u vranë në mënyrë misterioze dhe iu kthyen familjeve në arkivole.
Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kolonializmi serb e thelloi edhe më tepër shtypjen ndaj popullit shqiptar të Kosovës, si pasojë e së cilës edhe kuptimi i fjalës liri u bë më i fuqishëm. Jashtë këtyre rrjedhave nuk mund të qëndronte as Mehmeti. Prandaj, sikurse çdo shqiptar me ndjenja të kulluara kombëtare, edhe ai nuk qëndroi duarkryq, për shkak të parandjenjës se po afrohej koha e një stuhie të furishme, kur do të përballeshin për jetë a vdekje, kuçedra serbe me dragoin shqiptar. Kjo përballje do të legjitimojë pronarin e vërtetë të tokës së Kosovës dhe do të dëshmojë se kjo tokë nuk mund ta durojë edhe më tutje peshën e çizmes së pushtuesit serb. Për këtë ditë të madhe përgatitjej edhe Mehmeti. Që në vitin 1991, ai kishte siguruar ca armatim për veten dhe për vëllezërit. Mirëpo, këto përgatitje i kishte nuhatur pushtuesi serb, prandaj, më 1994, policia serbe e bastisi shtëpinë e Mehmetit, në kërkim të armëve. Gjatë bastisjes ajo kontrollon çdo skutë dhe cep shtëpie, demolon orenditë dhe pajisjet shtëpiake, si dhe perdhos çdo fugurë e shenjë kombëtare. Në atë rast, ajo hoqi nga muri edhe fotografinë e Skënderbeut. Arroganca dhe vandalizmi, por sidomos shovenizmi i shprehur antishqiptar, shtojnë te dëshmori Mehmet Rexhaj bindjen se, jeta nën robërinë serbe nuk është jetë dhe se lufta për çlirim nga robëria nuk kishte alternativë.
Me fillimin e luftës çlirimtare nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në pranverë të vitit 1998, dëshmori Mehmet Rexhaj merr forcë e kurajo për t’i dalur zot Kosovës, e për t’i dhënë një herë e përgjithmonë fund përçmimit dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar, duke i matur forcat me pushtuesin shekullor serb, e duke triumfuar mbi të. Dita kur ai do të kyçej konkretisht në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kur do të ngarkohej me detyra të caktuara ushtarake, arrin me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e cila në kuadrin e Zonës Operative të Dukagjinit, mori përsipër organizimin dhe udhëheqjen e luftës në pjesën veriore të trevës së Dukagjinit. Me kohë bjen në kontakt me eprorë dhe ushtarë të kësaj brigade, si, Naim Gjuraj, Azem Veseli, Mehmet Demaj, Binak Muçaj, Agim Elshani e të tjerë dhe merr përsipër përgjegjësi të caktuara ushtarake në shërbim të çlirimit të atdheut. Krah të UÇK-së bëhen edhe dy vëllezërit e tij, Ajeti dhe Hetemi, djali i axhës, Arbeni, e çlirimtarë të tjerë.
Fillimisht, Mehmeti, por edhe vëllezërit e tij, Ajeti e Hetemi, ngarkohet me detyrat logjistike, për sigurimin dhe bartjen e armatimit për pjesëtarët e Brigadës 133, sidomos të armatimit që vinte nga vija e furnizimit nga Rozhaja. Përveç që merret me detyrat logjistike, ai vepron edhe në pikat ushtarake të formuara në fshatin Jabllanicë e Madhe, si te “Lugu i Gatë”, te “Vneshtat” e të tjera, ku bashkë me vëllezërit, e me bashkëluftëtarë të tjerë, pret i gatshëm ballafaqimin me forcat e armikut dhe shkëmbimin e zjarrit me to.
Me fillimin e sulmeve të NATO-s mbi forcat serbe, në mars të vitit 1999, këto forca ndërmorën sulme dëshpëruese edhe në pjesën e ZOD-it ku vepronte Brigada 133. Për t’i shpëtuar barbarisë serbe, popullata e kësaj treve detyrohet të shpërngulet nga shtëpitë e të strehohet në male e në bjeshkë. Kështu detyrohet të veprojë edhe familja e dëshmorit Mehmet Rexhaj. Si edhe shumë familje të tjera, në fund të muajit mars e në fillim të prillit, ajo strehohet në Bjeshkën e Sejnovës, në vendin e quajtur “Fusha e Madhe”. Mehmeti dhe vëllezërit e tij, Ajeti e Hetemi, përveç angazhimeve ushtarake, kishin edhe një obligim më tepër: përkujdesjen dhe furnizimin e familjes me miell e me gjëra te tjera të nevojshme ushqimore, për aq kohë të qëndrimit të saj në atë vend. Me këto ushqime dhe me bukën e gatuar nga kjo familje, ushqehej edhe pjesa tjetër e popullatës së bashkëstrehuar.
Ndërkohë, nevojat e pjesëtarëve të Brigadës 133 të UÇK-së për armatim, sa vinin e shtoheshin. Vija furnizuese e Rozhajës, përkatësisht e fshatit Bullatiq të komunës së Rozhajës, funksiononte me mjaft vështirësi. Mehmeti, me bashkëluftëtarë nuk e pushonte për asnjë çast aktivitetin në kuadër të kësaj vije. Ai, së bashku me vëllezërit, Ajetin e Hetemin dhe me djalin e xhaxhait, Arbenin, në këtë aktivitet ishte nisur edhe më 21 maj të vitit 1999. Në rrugë për në territorin e Rozhajës, në kufirin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, te vendi i quajtur “Maja e Zezë”, ata bien në pritë të forcave militare serbe, të cilat tashmë ishin vendosur në prapashpinë të bjeshkëve që nga “Maja e Madhe” dhe “Mokna”, deri te “Kulla”, ndërsa një pikë tjetër e tyre ishte ajo ne rrugën Pejë-Kullë, te vendi i quajtur “Sanino Vodë”, mbi Fshatin Jabllanicë e Madhe. Në këtë pritë bie dëshmori Mehmet Rexhaj, së bashku me vëllezërit, Ajetin dhe Hetemin. Sulmit të kësaj prite arrin t’i shpëtojë vetëm djali i axhës, Arbeni.
Pas përfundimit të luftës, në qershor të vitit 1999, trupat e këtyre tre dëshmorëve u rivarrosën në varrezat e fshatit të lindjes, në Jabllanicë të Madhe.
Flijimi i tre bijve të Cenë e Hylë Rexhaj, në luftën çlirimtare të Kosovës, paraqet një shembull tipik të sakrificës sublime për idealin e lirisë kombëtare. Në shenjë nderimi të kësaj sakrifice, familjes së dëshmorëve i janë dhënë mirënjohje nga shoqatat e dala nga lufta që tubojnë bashkëluftëtarët e tyre, siç janë Shoqata e Veteranëve dhe ajo e Familjeve të Dëshmorëve.
Dëshmori Mehmet Rexhaj dhe dy vëllezërit e tij, Ajeti e Hetemi, kanë flijuar jetën që Kosova të jetë e lirë përjetësisht dhe që në të të mos rëndojë kurrë më pesha e robërisë serbe. Ata kanë flijuar jetën që lirinë ta gëzojnë prindërit, vëllai, Emrushi, motra, Hidajetja, bashkëshortet e lëna dhe pasardhësit e tyre. Dëshmori Mehmet Rexhaj ka lënë bashkëshorten, Dritën dhe fëmijët: Musën, Albertin dhe Albertinën. (N. M.)