Mehmet Hajrizi: Mehmet Malaj (1914 - 1998) simbol i qëndresës dhe burrërisë shqiptare

Mehmet Hajrizi: Mehmet Malaj (1914 – 1998) simbol i qëndresës dhe burrërisë shqiptare

( Fjalë e mbajtur në Gjilan, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Mehmet Malajt, më 19 maj 2018)

Hogoshti i lashtë i Dardanës ka dhënë shumë luftëtarë të shquar për liri, si Bislim Hogoshti, Muharrem Fejza, Haki Sermaxhaj, Isa Kastrati, Avdi Xhaçku etj.1 Rreth 300 burra të Hogoshtit dhe rrethinës, të prirë nga Ali Gjyrisheci, në gusht të vitit 1912 u nisën në luftime për ta çliruar Shkupin.

Ndër familjet e njohura të Hogoshtit për nder, trimëri dhe sakrificë, është edhe ajo e malajve, pinjoll i së cilës qe Mehmet Malaj, i biri i Rexhepit, i lindur në vitin 1914. E ëma e kishte rritur Mehmetin në gji të saj deri në moshën shtatë vjeç, sepse ishte vëlla i vetëm i tri motrave. Bashkë me qumështin, Mehmeti i vogël e merrte nga prindërit dhe familja dashurinë për atdheun dhe urrejtjen për armikun. Gjyshi i Mehmetit, Salihu i shpjegonte nipit për dhunën e regjimit pushtues serb që ushtronte mbi shqiptarët, për reformën agrare, me të cilën u grabitej toka banorëve të Hogoshtit, për ndalimin e shkollimit shqip etj. Kur u rrit Mehmeti,  evokonte kujtimet e të parëve të familjes për vuajtjet që kishin hequr nga  pushtuesit.

Mehmeti qysh në moshë të re bashkëvepronte me patriotët e Anamoravës për ta çliruar vendin nga të huajt. Gjatë LDB, Hogoshti mbeti në sferën e pushtimit italian. Shumë shpejt kjo zonë u shpall e bashkuar me Shqipërinë. Më 1941 kryetar i Komunës së Hogoshtit u emërua Mumin Jakupi, intelektual i shquar nga Gjilani. Përcjellës i tij ishte Mehmet Malaj, kurse kryeplak i  fshatit Idriz Malaj. 2). Duke qenë afër Muminit, Mehmet Malaj mësoi shumë prej tij.

Në këtë kohë, në trevën e Dardanës Serbia e shtyu kufirin, duke hyrë në territorin e Kosovës  deri në malet e Kikës dhe në Velegllavë. Vullnetarët e Hogoshtit dhe të Anamoravës, u mobilizuan për luftë në mbrojtje të kufirit me Serbinë. Në këto përpjekje me forcat serbe morën pjesë pothuajse të gjithë burrat e aftë për pushkë.3) Gjatë viteve 1942-1943 në Hogosht vepronin pesë kompani luftëtarësh vullnetarë të bashkuar në një batalion, i cili nën komandën e Sylë Ademit (Kopernica) e mbronte popullsinë nga sulmet serbe e malazeze. Mehmeti ishte përkrah kushëririt të tij, Idriz Malaj, (baba i veprimtarit të mëvonshëm, Halil Malaj), i cili e komandonte një nga kompanitë e batalionit. Ata morën pjesë në Luftën e Velegllavës në qershor, të Kikës, në korrik dhe të Bujanocit, në shtator të vitit 1944. 4)

Mehmet Malaj luftoi edhe në Kryengritjen e Gjilanit, të udhëhequr nga Mulla Idrizi, një strateg i shquar e figurë poliedrike, i cili e kishte drejtuar suksesshëm edhe betejën e Kikës. Mehmeti u njoh me këtë hoxhë dhe luftëtar të lirisë, kur ai shërbeu në Hogosht. Më vonë, Mulla Idrizi ndiqej nga regjimi pushtues, prandaj gjeti strehim në fshatrat përreth Hogoshtit, duke kaluar shumë kohë bashkë me Mehmetin. Në këtë Kryengritje u shquan si drejtues edhe Muharrem Fejza, Sylë Zarbinca, Shefki Desivojca, etj.5) Pas masakrës së Gjilanit, Mehmeti mbante lidhje me personalitete të shquara të rezistencës në Anamoravë, si Sadri Misini etj. 6).

Pas LDB, si në tërë Kosovën edhe në Hogosht regjimi kishte organizuar një fushatë të grabitjes (Otkup) së pasurisë dhe ushqimit të fshatarëve për t’ua dhënë kolonëve, por mbi të gjitha për të bërë presion mbi shqiptarët që të shpërnguleshin nga trojet e veta. Më vonë, sipas një marrëveshje të fshehtë me Turqinë, Jugosllavia e Titos, dëboi atje qindra mijë shqiptarë. Në dimrin e acartë të viteve 1955/1956, në emër të mbledhjes së armëve, regjimi kishte torturuar egërsisht, pothuaj gjithë burrat e Kosovës, duke lënë edhe të vdekur, por më shumë të paaftë për jetë. Në këtë aksion u torturua barbarisht edhe Mehmet Malaj, i cili u detyrua të strehohej thellë në malësi për ta shpëtuar jetën.

Mehmeti merrte pjesë  në debatet patriotike që zhvilloheshin në dyqanin e Fehmi Qerimit (Saraçi), në qendër të Gjilanit, ku takoheshin patriotët e njohur të Kohës, si Ramiz Cërnica, Metush Krasniqi, Lam Breznica etj. Në atë dyqan shkëmbeheshin, jo vetëm mendimet e pikëpamjet, por edhe literatura e ndaluar. Mehmetit i besonin të gjithë, për sigurinë që kishin te ai dhe për ndikimin që kishte me personalitetin e tij. Ai kishte intuitë dhe aftësi të jashtëzakonshme për t’i njohur dhe vlerësuar shumë shpejt njerëzit.

Në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, Mehmeti në mënyrën e vet kontribuoi, jo vetëm me frymëzimin, përgatitjen dhe inkurajimin e  të tjerëve për rezistencë, por edhe me pjesëmarrjen e vet aktive. Ai mbante lidhje me shokët e djemve dhe ndjehej bashkëluftëtar me ta. Në një video-intervistë të vitit 1992, tek e pyesin Mehmetin çfarë kërkonin ata të rinj në demonstratat e vitit 1968, ai përgjigjet shkurt: “Vetëvendosje”. Shumë pleq, prindër të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dinin për veprimtarinë ilegale të bijve e bijave të tyre, por Mehmet Malaj ishte nga ata që edhe vetë bashkëvepronte me ta dhe me mijëra të rinj e të reja, në shërbim të lirisë së atdheut. Në një takim, natën vonë, Mehmet Malaj i moshuar i dërgoi disa materiale ilegale një bashkëveprimtari të Rexhepit. Kur ky e pyeti “a ti i solle Axha Mehmet a?”, ai, siç dinte të përgjigjej i tha: “Biri im, Kosova është edhe e imja”.

Patriotët e vjetër dhe pa arsimim, ishin të vetëdijshëm për paaftësinë e tyre teorike, prandaj mezi prisnin të fillonte lufta dhe aty të shpalosnin vlerat dhe aftësitë luftarake. Kur dëgjoi Mehmeti për qëndresën dhe rënien me armë në dorë të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, tha: “Po pse Rexha nuk e dhezke këtu në shpi, më mirë do të ishte”. Atij i kishte mbetur peng që s’ishte edhe vetë në atë përpjekje me armë.

Shtëpia e Mehmet Malajt ishte bastisur nga policia 14 herë. Në një rast një prej të pranishmëve në bastisje e qorton Mehmetin pse po lejonte si familje me traditë të ndershme që sot të bëhej kaq problematike. Mehmeti ia ktheu, se po të ishte vetëm familja ime problem i juaji, lehtë do të bëhej, por siç po e shihni kjo “problematikë” e ka përfshirë gjithë Kosovën.7

Duke folur për figurën morale të Mehmetit, të hapen shumë tema të traditës dhe të vlerave më sublime të popullit tonë trim, fisnik e punëtor, sepse dhe vetë ai të gjitha këto virtyte e vlera, i mishëronte në personalitetin e tij. Duke vuajtur dhe duke u përpjekur shumë në jetën e tij, Mehmet Malaj e kishte kalitur vullnetin e hekurt, e kishte ngritur lart moralin prej burri të paepur dhe qëndresën kundër presionit e persekutimit. Ai ishte burrë i besës e nderit, i mikpritjes shqiptare e trimërisë, i fjalëve të zgjedhura e të mençura, i punës dhe i sakrificës. Ashtu siç e kishte fizikun dhe fuqinë e dalluar të burrit malësor, ai shquhej edhe për karakterin e fortë, vendosmërinë dhe bindjen në fitoren mbi armikun.

Mehmet Malaj në natyrën e tij, ishte përparimtar dhe me shpirt demokrati. Ai diskutonte me ide të menduara mirë, si një intelektual, respektonte mendimin e tjetrit dhe nuk imponohej me qëndrimet e tij. Mehmeti e vlerësonte lart rolin e gruas në shoqëri dhe e çmonte personalitetin e saj. Pothuajse tërë familja e tij persekutohej dhe arrestohej, por kur ia dërguan në burg nusen e birit të tij, Rexhinë, e përjetoi rëndë, për më tepër që i shoqi i saj, Hasani ishte në mërgim për shkak të ndjekjes policore. Ndodhte që shumica e anëtarëve të familjes së Mehmetit të ishin në burg, madje edhe fëmijët. Nipçen e Mehmetit, Muminin (të cilin e kishte pagëzuar vetë me këtë emër, në nderim të Mumin Jakupit) e morën nga ora e mësimit dy udbashë, kur ai ishte vetëm 12 vjeç, në klasën e pestë të fillores.  E dërguan në organet e hetuesisë, duke e mbajtur deri në orët e vona të mbrëmjes. Kur  u kthye Mumini i vogël në shtëpi dhe i tregoi gjyshit arsyen e vonesës, ky qetësisht i dha kurajë: “Hajt babës se edhe ti ke hy në renin e burrave.” Kur zullumi rëndohej mbi Malajt, kur Rexhep Malaj ra dëshmor i lirisë, por edhe kur i vdiq e bija, Imrija, Mehmeti për të mbajtur lart moralin e familjarëve, u tregonte historinë e Demë Ahmetit dhe familjes së tij, e cila mbështetej në tri shtylla; rezistencën deri në vdekje kundër kriminelëve serbë të bijës së Demës, Ajetes, nderin e nuseve të familjes dhe gajretin e vetë Demës që u hakmor kundër grabitësve serbë.

Kur kishte ardhur në familjen Malaj lajmi për rënien e Rexhepit, babë Mehmeti nuk ishte ligështuar, por e kishte thirrur pranë nusen e dëshmorit për t’i thënë: “Hanife, bija jem, kjo punë u ba me vetëdije dhe u kanë e ditme, se na ka tregue Rexha me kohë. Neve na mbetet të bahemi të fortë e të mbahemi ashtu siç na ka hije.” Ndërkaq birit tjetër në mërgim, Hasanit, nëpërmjet të një bashkatdhetari i dërgonte  porosinë dhe moralin e tij të lartë: “Bani të fala Hasanit edhe i thuej se baba asht gjallë edhe i fortë, se për lirinë e Kosovës jemi në gjendje ta japim jetën, prej meje e deri te Fitorja.”8)

Sikur shumë familje atdhetare, edhe familja e Mehmetit ishte diferencuar (lëçitur) nga shumë bashkëvendës dhe fqinj, por Mehmet Malaj u dërgonte fjalë se i mirëkuptonte dhe nuk u hidhërohej, pasi e dinte se kanë qenë të detyruar nga regjimi. Ky ishte shpirti i madh i Mehmet Malajt!

Ndonëse vetë nuk kishte pasur mundësi të shkollohej, sepse për shqiptarët ishte i ndaluar arsimimi në kohë robërie, Mehmet Malaj ishte arsimdashës i flakët. Vendlindjen e kishte braktisur më 1965, me motivin kryesor që ta shkollonte Rexhepin në Gjilan. Ai i kërkonte Fitores së vogël t’i lexonte me zë libra të ndryshëm, prej të cilëve ai mësonte, madje në moshë të shtyrë.9) Mehmeti i ndiqte rregullisht Radio-Tiranën dhe Radio-Kukësin, sepse prej tyre merrte informacionin e duhur, por edhe racionin ditor të ushqimit shpirtëror. Veçanërisht i pëlqente emisioni për shqiptarët jashtë atdheut. Ndiqte radiodramat, por edhe këngë patriotike, e sidomos ato për heronjtë dhe trimëritë shqiptare. Këngë e preferuar e tij ishte ajo për Isa Boletinin („Ministrit t’Londrës shkunë e i thanë“). Mysafirëve të tij, kur këndohej kjo këngë,  u thoshte me shaka se “për me ndëgjue këtë kangë duhet pague, e këtu e ke pa pare”. Ndërkaq, nipave dhe mbesave të tij u kërkonte të qëndronin në  këmbë kur transmetohej kjo këngë.10) Ai komunikonte krejt natyrshëm, jo vetëm me moshatarët e vet, por edhe me të rinjtë, e sidomos me fëmijët që i donte shumë. Fitore Malaj, e bija e vetme e Rexhepit, e cila nuk e gëzoi prehrin dhe përqafimin e  babait të saj, gjyshin Mehmet e quante baba, sepse gjente tek ai kujdesin, dashurinë dhe ngrohtësinë shpirtërore të babait. Ajo edhe sot thotë: “E kisha mësues të jetës, babën Mehmet”.

Mehmeti e kishte edukuar familjen me bujarinë shqiptare, por  bujaria më e çmuar e tij, ishin dashuria, respekti, zemërmirësia dhe mbi të gjitha këshillat e mençura që u jepte luftëtarëve të lirisë dhe dashamirëve të shumtë që e vizitonin. Në një vizitë Mehmet Malajt, më 18 janar 1992, ku ishin dhjetëra të pranishëm, 11), shumë nga të cilët kishin folur, kur iu kërkua të fliste edhe i zoti i shtëpisë, Mehmet Malaj, pasi u mendua pak tha: “S’di çka me ju thanë. Sa të mujmë me qinru, përfundimi ka me ardhë ma i mirë. Punë, punë, punë, nej mos të bahet, punë le të bahet! Secili punën e vet, çka të takon, çka munesh, ashiqare me i pasë punët tua… Kur asht nisë për qishtu asht nisë…As s’asht adet krejt me ra. Veç t’ia mrrijmë qëllimit e mundi mos të shkojë kot, se boll kemi nej nën kamë të huaja. Secili që asht çue ka ni t’shtyme na ka dhanë… Jemi shkepë si zojtë e fëllanzës…Sikur t’ishim kanë bashkë qishti sikur që jemi, tjetër kund ishim… Kjo punë lavd nuk don, veç punë. Lavdi kurkun s’asht i mirë, po këto punët e atdheut, lavd s’donë hiç. Veç përpara!” Këto fjalë të Mehmetit ruhen në një video-regjistrim.

Mehmet Malaj i donte bijtë e vet, por jo më pak edhe bashkëluftëtarët e tyre. Ai kishte 14 vjet pa e parë të birin, Hasanin dhe kur ky hyri papritur në shtëpi me një bashkëveprimtar, Mehmeti të parin e përqafoi shokun e tij, pastaj të birin e vet. Kur vdiq Mehmeti kishte lënë një amanet unikat, duke kërkuar që ta varrosnin, jo pranë të birit, Rexhepit, por qindra metra më larg, afër Nuhi Berishës, bashkëluftëtarit të pandarë të Rexhepit deri në rënie. Plaku u bashkua me një simbolikë antologjike me të gjithë dëshmorët e kombit, nga të cilët as vdekja nuk e ndau.

Pas vdekjes, si sot njëzet vjet më herët, Mehmeti la pas një familje në krye me veprimtarin e shquar, Hasan Malaj. Mehmeti dhe bashkëshortja e tij, Fahrija i kishin lindur dhe rritur pesë fëmijë: Hyrën, Hasanin, Imrijen, Myrveten dhe Rexhepin.  Ishte kjo një familje e mesme fshatare që jetonte nga bujqësia dhe blegtoria.  Të dy prindërit i edukonin fëmijët e tyre me dashurinë për atdheun, u kultivonin virtytet e larta, kulturën e vullnetin për punë, guximin dhe trimërinë, respektin e mirësjelljen,  dijet e dinjitetin njerëzor. Mehmeti arriti ta edukonte një familje emblematike me rrezatim patriotik, jo vetëm në Anamoravë, por në gjithë Kosovën e përtej saj. Edhe sikur vetëm Rexhepin ta kishte lindur e rritur, familja Malaj do të meritonte admirimin dhe respektin e përjetshëm për kontributin që i dha lirisë së Kosovës. Por, kjo familje ishte vënë e tëra në shërbim të lirisë. Ajo i trashëgoi besnikërisht vlerat dhe virtytet, duke u bërë shembull qëndrese dhe sakrifice. Shtëpia e Mehmet Malajt kishte qenë dhe mbeti një institucion moral i pelegrinazhit atdhetar, ku vijnë mijëra qytetarë për t’i shprehur respektin dhe nderimin deri në pietet.

Është e dhembshme që atdhetari Mehmet Malaj, me zemër të përvëluar për Kosovën, nuk jetoi sa ta shihte atë të lirë, por ai e kishte parë lirinë shumë më herët para se ajo të vinte, ashtu siç i kapin të parat bjeshkët e larta rrezet e diellit.

Mehmet Malaj meriton  respektin, nderimin dhe përkujdesjen institucionale të Kosovës, duke përjetësuar  kujtimin e tij ndër breza.

Referencat:

 

1 Basri Musmurati, Qëndrestarët, Prishtinë, 2011, f 21

2 Basri Musmurati, Qëndrestarët, Prishtinë, 2011

3 Ismail Kastrati, Në anën e kundërt, Shtëpia Botuese Libri Shkollor, Prishtinë 2010, f. 53

4 Basri Musmurati, Qëndrestarët, Prishtinë, 2011, f 29

5 Ismail Kastrati, Në anën e kundërt, Libri Shkollor, Prishtinë, 2010, f.64

6 Agim Sylejmani, Rexhep Malaj, zjarr lufte që nuk shuhet, SHBPK, Prishtinë, janar 2014 f.21

7 Nga kujtimet e Hasan Malajt, Gjilan, 2018.

8 Nga kujtimet e Hanife Malajt, Gjilan, 2018.

9 Kujtime të Fitore Malajt, prill 2018

10 Nga kujtimet e Mumin Malajt, Prishtinë 2018.

11 Midis të cilëve, Sejdi Keryeziu, Shukrije Gashi, Adil Pireva, Selatin Novosella, Ismail Kastrati, Hydajet Hyseni, Agim Vinca, Vezir Uka, Idriz Blakaj, Mehmet Hajrizi etj.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …