Mehmet Hajrizi

Mehmet Hajrizi: PROPAGANDA ZYRTARE DHE E VËRTETA PËR LËVIZJEN KOMBËTARE SHQIPTARE NË ISH-JUGOSLLAVI

Fjala e Mehmet Hajrizit në promovim të librit “ILEGALJA SHQIPTARE-PARARENDËSE E RRËNIMIT TË JUGOSLLAVISË”,  vëllimi I-II, Shkup, 2023
Prishtinë, më 3 prill 2023
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me seli në Shkup ka bërë punë të vlefshme duke mbledhur dokumente dhe materiale arkivore që kanë të bëjnë me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (LKSH), një pjesë të së cilave, të përmbledhura në dy vëllime i prezantohen sot publikut në këtë veprimtari promovuese.
Në Parathënien e botimit të dy vëllimeve të para, prof. dr. Skender Asani, kryetar i Institutit shkruan: “Drejtoria e Informatikës e Sekratariatit të Punëve të Brendshme, duke e cilësuar si ‘Top sekret’ këtë material, kishte vendosur (në vitin 1986) të bëjë një shqyrtim analitik të veprimtarisë ilegale nga viti 1980-1986, e cila atëherë kualifikohej si “armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar…veprimtaria  e organizuar ilegale shqiptare ka qenë intensive në vitet 1974/75 dhe sidomos në vitet 1979/80. Në këtë periudhë janë zbuluar tetë  grupe ilegale dhe janë identifikuar 633 persona të cilët kanë aderuar në ato grupe.”
 Dokumentet në dy vëllimet e para,  të botuara së voni dhe që sot po promovohen, me gjithë rëndësinë që kanë sidomos për studiuesit, janë më shumë propagandë politike, se sa shkencë. Mbi bazën e vetëm këtyre dokumenteve nuk mund të shkruhet historia objektive e LKSH, sepse: a.) Nuk paraqitet tërë veprimtaria, mbasi nuk i dinte të gjitha UDB-ja. Ata kishin në dorë informata fragmentare, shpeshherë edhe të shtrembëruara me qëllim, por që bënin vetëm Aisbergun e organizatave çlirimtare. Pothuajse në asnjë prej organizatave nuk janë identifikuar nga policia të gjithë anëtarët e tyre. b.) Ka shtrembërime dhe pasaktësi deformuse të së vërtetës në dokumente, mbase edhe nga neglizhenca e hartuesve. c.) Ka shpifje dhe gënjeshtra inkriminuese që s’kanë të bëjnë me realitetin, por hetuesit ua veshin sidomos atyre, për të cilët nuk kishin fakte. Si të tilla këto dokumente dhe analiza e tyre, janë më shumë aktakuzë e rëndomtë e gjyqeve jugosllave kundër shqiptarëve se sa një shqyrtim analitik.
Do të evidentoj me komentet përkatëse vetëm disa nga “rezultatet” dhe përfundimet e shqyrtimit “analitik” të dokumenteve udbeske që kanë të bëjnë me LKSH e periudhës së viteve 1980-1986, trajtuar në dy vëllimet e para të publikimeve.
1. Kundërrevolucioni
E para dhe më e rënda nga masat kundër kryengritjes së vitit 1981, kundër Kosovës dhe Lëvizjes së saj Kombëtare, ishte shpallja e saj “Kundërrevolucion”. Qëllimi i këtij kualifikimi ishte jo vetëm dënimet drakonike dhe deri te tendenca e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, por edhe hapja e frontit të gjerë antishqiptar në përgjithësi.
Zyrtarët shqiptarë të regjimit pushtues, më 5 maj 1981, në mbledhjen XVII të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, u dorëzuan pa kushte para presionit të Beogradit shovinist, duke pranuar këtë kualifikim, i cili bashkë me Platformën e mëvonshme të KQ të LKJ, përcaktuan përmasat e veprimit antishqiptar në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.
2. Shtypja me armë e demonstratave
Në demonstratat shqiptare që nga viti 1968 dhe në vitet vijuese forcat serbe dhe jugosllave kanë intervenuar me armë, duke plagosur e vrarë demonstruesit. Këto vrasje ose nuk i kanë pranuar fare, ose i kanë reduktuar shifrat e të vrarëve. Në kryengritjen e vitit 1981, 42 – vjetorin e së cilës po e shënon Kosova këto ditë, më 2 prill në Prishtinë janë vrarë katër demonstrues (Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi dhe  Salih Abazi). Si sot, më 3 prill 1981 soldateska serbe e jugosllave vrau me armë zjarri edhe  dy demonstrues të tjerë në Ferizaj (Rizah Matoshi e Sherif Frangu) dhe dy në Vushtrri (Salih Mulaku-Zeka e Ruzhdi Hyseni). Dy demonstrues të burgosur (Ibrahim Krasniqi dhe Afrim Abazi) u mbytën nën torturën e hetuesve. Vrasjet kanë vazhduar në Prekaz të Drenicës  (Tahir e Nebih Meha) më 13 maj 1981 dhe në Gjakovë (Nesimi Dervishdana) më 26 korrik 1981. Sipas mediave të huaja janë raportuar rreth një mijë demonstrues të plagosur me armë zjarri.
3. “Vetëvrasja” e veprimtarëve
Në shqyrtimin analitik thuhet se veprimtarët Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha janë vetëvrarë. Por dihet që ata ishin të rrethuar nga forcat speciale policore,  të cilat i vranë veprimtarët në natën midis 11 dhe 12 Janarit të vitit 1984.  “Vetëvrasje” janë quajtur edhe mbytjet në torturë të veprimtarëve shqiptarë. “Vetëvrasje” janë raportuar edhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave. “Vetëvrasje”,”vetëvrasje” ky refren dhe çelës për të mbuluar krimin shtetëror antishqiptar. E siç dihet shqiptarët, aq më pak veprimtarët janë të prirur për vetëvrasje. Por e besoj kush ose jo, regjimi i shpallte vetëvrasje të gjitha krimet që bënte mbi shqiptarët e pambrojtur.
Për veprimtarët Kadri Zeka dhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, të vrarë nga UDB në atentatin e 17 Janarit të vitit 1982, në këto materiale thuhet se gjoja u vranë “në përballje mes emigrantëve”. Por drejtues të Shërbimit Sekret jugosllav kanë dëshmuar për atentatet kundër veprimtarëve antiregjim jashtë vendit dhe shumë pista çojnë te Veljko Razhnjatoviq-Arkani, si ekzekutues i këtyre tre veprimtarëve të shquar shqiptarë. Pas atentatit revista prestigjioze gjermane “Der spiegel”, në një artikull orientonte pistat e zbulimit të atentatorëve drejt UDB-së jugosllave.
4. Organizimi nga jashtë
Sikur edhe në shumë raste të tjera të zyrtarëve të regjimit jugosllav dhe mediave në shërbim të tij, kryengritja shqiptare edhe në këto dokumente thuhet të jetë ndikuar, madje edhe organizuar nga qarqe të jashtme, si në Perëndimin “reaksionar”,  në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në mërgatën shqiptare, nga shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme, deri edhe të BRSS, Bullgarisë etj. Me të drejtë, Gazeta gjermano-perëndimore “Frankfurter Algemaine” e datës 9 prill 1981, ndër të tjera shkruante: “Kur u vjen uji deri në fyt diktaturat fashiste të Amerikës Latine dhe vetadministrimi jugosllav reagojnë siç duket në mënyrë  bukur të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi i armikut të jashtëm”. Kaloi gati gjysmë shekulli, por këto pretendime nuk u konfirmuan kurrë.
5. Ringjallja nga hiri i vet
Në materialet e përmbledhjes shqyrtuesit theksojnë pamundësinë e shkatërrimit dhe shuarjes së LKSH, pavarësisht masave ndjekëse e represive të një shteti njëzetë e sa milionësh, policor me shërbimin e sofistikuar të zbulimit. Gjatë viteve në shqyrtim 1981-1986 u dënuan 1257 veprimtarë shqiptarë, thuhet aty, kurse në periudhën midis viteve  1948-1982, u zbuluan dhe dolën para gjyqit 162 organizata. Në një distancë kohore pesë vjeçare (1981-1985) 344 ushtarë “ilegalistë” shqiptarë na APJ u arrestuan dhe u dënuan në gjuetinë e shtrigave, kurse pas LDB u dënuan 200 organizata çlirimtare shqiptare. Mbi 600 shekuj burg vuajtën anëtarët e organizatave çlirimtare shqiptare në periudhën e pas LDB në Jugosllavi. Organizatat ndiqeshin e dënoheshin, por lindnin të reja, si Feniksi nga hiri i vet, jo pse masat qenkëshin të buta, por pse populli i robëruar shqiptar kishte vendosur të jetonte i lirë në atdheun e vet.
6. Pasaktësi
Në dokumentet shqyrtuese ka shumë pasaktësi, kualifikime stereotipe të politikës ditore,  mungesë informatash të plota dhe shpifje. Organizatat nuk janë evidentuar në plotësi, madje as emërtimet nuk janë gjithmonë të sakta.
7. Të burgosurit “hakmarrës” dhe “intolerantë”
Të burgosurit politikë shqiptarë ishin “hakmarrës” në burg dhe “intolerantë” ndaj të burgosurve serbë, akuzojnë  shqyrtuesit udbeskë. Ky konstatim nuk bëhet nga mungesa e informacionit, por me qëllim që të mbillet urrejtja shoviniste te serbët dhe jugosllavët tjerë kundër shqiptarëve në përgjithësi, si njerëz të egër e agresivë, të cilët edhe në burg bëhen të rrezikshëm. Kjo ishte pjesë përbërëse e propagandës së përgjithshme antishqiptare të regjimit pushtues. Ndonëse materiali “tepër sekret”, mediat serbe në shërbim të politikës dhe vasalë të saj, kishin qasje në dokumentet e tilla, në mbështetje të të cilave bënin artikuj komentues e hulumtues kundër çdo vlere shqiptare. Nuk ia vlen të trajtohet më shumë kjo gënjeshtër e ulët denigruese, mbasi dihet që të burgosurit shqiptarë nuk kishin asnjë mundësi të bënin veprime të tilla. Në fakt ndodhte e kundërta: organet e burgjeve porositnin kriminelë ordinerë, birbo e banditë t’i rrihnin deri në gjymtim veprimtarët shqiptarë, duke ua bërë jetën skëterrë më shumë se vetë burgu.
8. Politika e butë ndëshkuese
Autorët e shqyrtimit analitik të UDB-së ankohen se të burgosurit politikë shqiptarë, edhe pse dënoheshin me burgim të gjatë nuk i ndërronin bindjet, nuk riedukoheshin. Sipas tyre të burgosurit politikë shqiptarë në përgjithësi nuk hiqnin dorë nga bindjet e veta, jo pse ishin të vendosur në idealin e tyre, në luftën e tyre për liri, por gjoja për shkak të politikave dhe masave të buta të riedukimit! Cilat ishin ato masa të buta nuk thuhet. Por thuhet megjithatë që të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës, (e cila në strukturën e popullsisë së gjithmbarshme në Jugosllavi bënte pjesë me vetëm 7 për qind), përbënin dy të tretat e të gjithë të burgosurve politikë jugosllavë.
E vërteta është që shumë jetë shqiptarësh u shkatërruan në burgjet jugosllave, por jo edhe ideali i veprimtarëve të vërtetë të çështjes së Kosovës.
Nën tortura mizore të OZNA, UDB dhe MUP-it jugosllav janë mbytur në burgje, intelektuali llapjan, Shaban Shala më 1963 në Prishtinë, poeti dhe veprimtari, Fazli Greiçevci më 1964 në Prishtinë,  Afrim Abazi më 1982 në Ferizaj, Ibrahim Krasniqi, Zija Shemsiu më 1985 në Beograd, Xhemail Blakaj, Xhemaili Berisha në Prizren, Besnik Restelica më 1996 në Prishtinë, ushtari i UÇK-së, Rexhep Bislimi më 1998 në Ferizaj etj.
Jugosllavia ishte nënshkruese e shumë instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si Karta e Kombeve të Bashkuara (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Konventa Evropiane e Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut me protokollet e saj (1950), Marrëveshja Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Politike me protokollet e saj (1966), Konventa kundër Torturës, keqtrajtimit çnjerëzor, poshtërimit, degradimit dhe ndëshkimit (1984) Kodi i sjelljes për përgjegjësit e zbatimit të ligjeve i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (1979) etj., por autoritetet e saj gjatë trajtimit  të burgosurve politikë shqiptarë i shkelnin ato duke e bërë burgun për ta tmerr mesjetar të trajtimit. Ata janë torturuar sistematikisht që nga qëndrimi në këmbë lakuriq në maje të gishtërinjve me orë të tëra dhe deri në torturën me ujë në gojë, varjen për këmbësh në litar, nxirjen e gjithë trupit si në tatuazh nga goditjet me kërbaç e shkopinj, trajtimin me elektroshok, mbylljen në qeli të ftohta betoni, duke shkatërruar shëndetin dhe deri në mbytjen nën torturë në ambientet e hetuesisë etj. Këto janë masat e “buta” që nuk ua kanë ndërruar bindjet politike të burgosurve shqiptarë!
9. Rinia e çuditshme
Autorët pyesin pse ishte aq aktive inteligjencia e rinisë shqiptare. Aktive në kuptimin e organizimit të rezistencës. Pa dashur të jem ironik, ndoshta kanë besuar në pohimet e shpeshta të Titos, se rininë dhe ushtrinë në Jugosllavi i kishte mbështetjen më të sigurt. Por rinia shqiptare  kishte një detyrë dhe mision që ia ngarkonte historia: ta çlironte Kosovën nga sundimi i huaj dhe ta zhvillonte e përparonte sikur vendet tjera të lira e të pavarura. Nuk do të duhej të çuditeshin, sepse revolucionin nacionalçlirimtar e bëjnë të rinjtë dhe jo pleqtë.
10.  Ndikimi i mërgatës
Në dokumente shkruan se nuk kishte të dhëna se mërgata ka ndikuar në kryengritjen e vitit 1981. Diku tjetër pohohet e kundërta, duke rënë në kontradiktë, brenda njësisë. E vërteta është së mërgata shqiptare ka pasur rol shumë të rëndësishëm në organizimin klandestin dhe në luftën çlirimtare.
11. Fajtorët e brendshëm
Në shqyrtim autorët fajësojnë për zgjimin shqiptar në Kosovë inteligjencien, sistemin arsimor, sidomos Universitetin, institucionet kulturore dhe shkencore etj. Prapa këtyre akuzave fshihen qëllimet shoviniste serbe për të shkatërruar sistemin emancipues të shqiptarëve në të gjitha fushat, fshihen qëllimet e doktrinës antishqiptare të traditës serbe politike, shtetërore, fetare dhe shkencore.
12. Emisarët nga Shqipëria
Autorët kanë identifikuar edhe emigrantët nga Shqipëria si kontribuues në rezistencën shqiptare, prandaj organet e ndjekjes që nga mbarimi i LDB deri më 1981 kishin dënuar 27 persona të emigruar.
Emigrantët nga Shqipëria që ndjeheshin të rrezikuar për arsye të ndryshme, ose në kërkim të një jete më të mirë, kalonin në rrugë klandestine në Jugosllavi, të cilën kryesisht e shfrytëzonin si transit për të kaluar në vende të tjera. Pati edhe të tillë që mbetën familjarisht në Kosovën e tyre, për t’u integruar plotësisht, duke marrë pjesë në rezistencën kundër pushtuesit dhe për bashkimin kombëtar.
13. Hapja ndaj Shqipërisë
Autorët në emër të politikës aktuale serbe e jugosllave shprehin pendimin për hapjen ndaj Shqipërisë, e cila e paskësh keqpërdorur këtë zemërgjerësi jugosllave! O tempora, o mores! Po vetë Titua kishte deklaruar se Shqipëria përbën faktor shumë të rëndësishëm sigurie për Jugosllavinë, pikërisht kur kjo ndjehej e rrezikuar nga intervenimi ushtarak i Bashkimit Sovjetik. Duhej pranuar sinqerisht, se hapja e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë kishte edhe qëllime të padeklaruara, për të ndikuar atje me politikë, me kulturë, me ekonomi dhe për të bërë katrahurën, por nuk i ndezi, siç pritej. Profesorët, shqiptarë, literatura, artistët, shkencëtarët, shkrimtarët, nuk e sollën në Kosovë revoltën kundër pushtuesit, por e gjetën këtu midis popullit e rinisë së tij luftarake.
14. Diplomacia e Shqipërisë
Dokumentet e paraqesin diplomacinë shqiptare shumë të angazhuar dhe agresive kundër Jugosllavisë, duke shprehur shqetësimin për rreshtimin eventual të Shqipërisë së pas Enver Hoxhës me demokracitë perëndimore. Autorët pohojnë se ideja për Republikën e Kosovës është paraqitur për herë të parë më 1964 te gazeta shqiptare “Zëri i Popullit”. Është e vërtetë që jo vetëm diplomatët, por edhe gjithë shteti shqiptar ka mbrojtur të drejtat demokratike dhe kombëtare të shqiptarëve të përtej kufirit, ndryshe këta do të përjetonin golgotë akoma më të rëndë në historinë e tyre.
15. Burimi i rezistencës shqiptare kundër pushtuesit
Shkaktarë të LKSH në rritje autorët shohin “Mbetjet e vetëdijes konservatore (prapambeturia)”. Njëherë  shkaktar e panë përparimin dhe të drejtat e tepërta, kurse tani prapambetjen dhe konservatorizmin; njëherë dritën, tani errësirën.

E vërteta është që shqiptarët e Kosovës dhe të trevave tjera etnike në Jugosllavi, po e përjetonin Rilindjen e dytë shqiptare. Ata  e kishin kuptuar se lufta për liri, drejtësi dhe pavarësi, jo vetëm ishte e pashmangshme, por edhe e afërt. Një popull, sado i vogël të jetë, kur vendos të çlirohet nga robëria, do të triumfojë në kauzën e tij të shenjtë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …