leoni

Mehmet Hajrizi: Rreziku i ndarjes së Kosovës

Shtyrja e radhës e definimit të statusit politik të Kosovës, po bëhet me këmbënguljen e Serbisë dhe të avokates së saj, Rusisë, me qëllim të ndryshimit të përmbajtjes së zgjidhjes të propozuar nga ndërmjetësi i OKB, presidenti Ahtisari. Bashkësia ndërkombëtare e përgjëroi Rusinë që të mos pengonte aprovimin e rezolutës në mbështetje të planit të Ahtisaarit, duke bërë deri tashti disa koncesione jo pa pasoja për të ardhmen e Kosovës, por ajo vazhdon të refuzojë. Nuk dihet saktë, cilat kushte duhet përmbushur për ta pranuar një zgjidhje Serbia dhe Rusia. Rusia asnjëherë nuk i ka definuar publikisht dhe qartë kushtet e saj, përveç precedentit që kërkon ta zbatojë në disa vende të ish BRSS, në të cilat ajo ka pretendime territoriale. Në pamje të parë duket si parimor qëndrimi i saj për një zgjidhje të pranueshme dhe që i kënaq njëkohësisht Prishtinën dhe Beogradin, por në esencë ky qëndrim është absurd, sepse asnjë pushtues deri sot në histori, nuk është kënaqur duke u tërhequr nga kolonitë e veta të leverdishme, e aq më pak Serbia që nuk ndjehet fort e shtrënguar ta bëj këtë. 
Ndërkaq Serbia, në formë të një slogani “Më pak se pavarësi dhe më shumë se autonomi”e ka definuar gjoja konceptin e saj për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por gjithkush e di që kërkesa e saj për ta mbajtur Kosovën, jo vetëm nuk është reale, por as shpreh interesin e saj, prandaj është hipokrite. Serbia e ka dashur dhe e do Kosovën, por pa shqiptarët. Me qenë se ky projekt ka dështuar më 1999 dhe nuk mund të përsëritet më, Serbia duhet ta ndryshojë atë. Atëherë çfarë do Serbia, cilat janë kërkesat e saj dhe si e sheh ajo zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Për të kuptuar politikën aktuale serbe ndaj Kosovës, duhet referuar Dobrica Qosiqit, komunistit dhe nacionalistit më të mençur serb, të quajtur jo rastësisht “Babai i kombit serb”. Ai në veprën e vet ka sintetizuar dhe paraqitur në formë të përshtatura rrethanave aktuale historike, gjithë pikëpamjet, politikën dhe programet serbe ndaj Kosovës, që nga Garashanini, Çubrilloviqi e shkenca shfarosëse e klubeve të kulturës në Beograd dhe deri te Rankoviqi, Memorandumi i Akademisë serbe e Milosheviqi, me pogromet dhe gjenocidin mbi shqiptarët.
Qosiq qysh më 26 prill 1981, atëherë kur Kosova e kishte kaluar rubikonin e vet historik duke hyrë në fillimin e fundit të robërisë së saj, shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare. Ndryshe, do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët” Duke qenë i bindur gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar që duhej vënë sa më parë kufijtë me shqiptarët, Qosiq kënaqej me 1/3 e territorit të Kosovës, por Milosheviq e kishte refuzuar kategorikisht këtë ide, duke thënë se ajo duhet bërë në kushte më të volitshme për serbët dhe me Shqipërinë e jo me Rugovën. Aktualisht, Serbia nëpërmjet të Rusisë, ka kërkuar që të fillojë zbatimi i pjesëve të pakos së Ahtisaarit, që kanë të bëjnë me decentralizimin, si kusht për të vazhduar bisedimet për zgjidhjen definitive të statusit të Kosovës. Në sfond të kësaj kërkese është strategjia serbe e përpunuar nga Qosiq (ndonëse ende e pashpallur zyrtarisht) e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në dy etapa:

a) Definimi i statusit të enklavave serbe dhe kishave, manastireve, monumenteve historike e kulturore serbe që do të mbeteshin në Kosovën e pavarur, duke formuar shtete të vogla të pavarura, si San Marino, Andora, Vatikani, Lihtenshtajni dhe ngjashëm me bashkësitë e pavarura shtetërore-juridike në Evropë, çfarë është Alanda në Finlandë, duke siguruar garanci efikase ndërkombëtare për serbët dhe status special për objektet e tyre fetare e kulturore-historik dhe

b) Ndarja e Kosovës, duke ia bashkuar Serbisë territoret në veri të Ibrit, Veriun e Mitrovicës, Kolashinin e Ibrit, Zubin Potokun, Leposaviqin, Zveçanin, Kopaonikun dhe gjithë hapësirën me popullsi serbe në Anamoravë. Ajo pretendon gjithashtu edhe një ndarje të potencialit industrial e energjetik, pa marrë parasysh përbërjen etnike të rrethinës. Serbët dhe rusët nuk shohin ndonjë pengesë serioze në parimin e Grupit të Kontaktit për mos ndarjen e Kosovës, jo vetëm pse ai nuk është i shenjtë dhe mund të ndryshojë, por për më tepër që kanë filluar të dëgjohen zëra aprovimi për ndarjen edhe brenda këtij Grupi. Plani i Ahtisaarit u hyn në punë atyre për etapën e parë të zgjidhjes, kurse për të dytën kërkojnë kohë dhe bisedime e kompromise të reja, sepse shtyrja tek e fundit nuk po kërkohet për takime kurtuazie midis Beogradit dhe Prishtinës. 
Gjithnjë duke iu referuar Qosiqit, Serbia në bisedimet në vijim mund të kërkojë ( brenda alternativës “Ahtisaari Plus” konstituimin e bashkësisë serbe, duke krijuar një model federalizmi të Kosovës. Entiteti serb do të ishte faktor politik me institucionet e veta, nëpërmjet të cilave do të realizonte interesat e veta. Sistemi politik i Kosovës do të bazohej në “bashkëpunimin e entitetit shqiptar me atë serb, ashtu që secili entitet interesat e veta do t’i sendërtonte nëpërmjet të institucioneve të veta, kompatibile mesveti. Interesat e përbashkëta do të realizoheshin nëpërmjet të organeve të përbashkëta (ngjashëm me Federatën e Bosnjës e Hercegovinës). Në konceptin e ri duhet vënë të drejtën e Serbisë për marrëdhënie të rregullta me entitetin serb si dhe mekanizmat efikas të mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe fetare” (nga Strategjia e propozuar për Kosovën). Nga ana tjetër, shantazhi rus ka interesin strategjik pansllavist, atë të Serbisë, por mbi të gjitha interesin vetjak që dëshiron ta realizojë në kurriz të çështjes shqiptare. Kosova është si një investim rus i shekullit të kaluar, i cili tashti duhet shitur sa të jetë e mundur më shtrenjtë.

Serbia, pasi ka kaluar një periudhë paksa të rëndë në marrëdhëniet me Perëndimin, kur ajo nuk bashkëpunonte me Tribunalin e Hagës dhe kur bënte një presion të gjithanshëm për Kosovën, nga lart e nga poshtë, me ushtri e me paramilitarë, aktualisht po lavdërohet për bashkëpunimin me Hagën dhe kanë rifilluar proceset e Stabilizim-Asocimit. E inkurajuar me zhvillimet e reja, Serbia nëpërmjet të gojës së Tadiqit, presidentit të saj konsideron se është arritur mjaft, por ende nuk ka kaluar krejt rreziku i pavarësimit të Kosovës. Politika shqiptare në përgjithësi nuk ka ditur gjithmonë të dallojë prioritetet e saj strategjike dhe në zingjirin e problemeve të brendshme e të jashtme ta kapë hallkën kryesore. Në këto momente vendimtare e historike, politika dhe diplomacia shqiptare do të duhej, bashkë me miqtë ndërkombëtarë, por pa fetishizuar fuqinë dhe solidaritetin e tyre, të faktorizohet më shumë, duke ushtruar presion konstruktiv dhe me qëllim që proceset të kenë edhe vulën e saj.
Strategjia e lodhjes së shqiptarëve me status quonë, mbase më qëllim që ata një ditë t’i prishin figurat ose të pranojnë çfarëdo qoftë që t’i vihet kapak njëherë kësaj çështjeje të stërzgjatur, nuk duhet t’i dezorientojë në rrugën e ndërtuar me mundin e gjakun brezave të tërë atdhetarësh. Fati i Kosovës është para se gjithash çështje e vetë shqiptarëve, të cilët nuk mund të trajtohen si vëzhgues të anshëm të proceseve jetike për ta. Në të kundërtën, një gjendje inaktiviteti do të pamundësonte edhe vetë ndihmën e plotë të miqve tanë të vërtetë. Në vazhdimin eventual të bisedimeve, nuk duhet pritur asgjë të mirë për statusin e Kosovës, sepse aty do të tentohej që të ngushtohej edhe më shumë përmbajtja e tij. Askush nuk duhet të presë as të besojë se mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë për çështjen e Kosovës, veç në qoftës se realizohet plani i saj gllabërues ndaj territorit kosovar.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …