Është muaj i egër i stinës së dimrit, bora dhe acari nuk e rëndojnë aq zemrën e shqiptarit aq sa që e rëndojnë ngjarjet kronologjike të renditura në këtë muaj. Ky muaj na i kapërdiu djemtë më të shtrenjtë e më të zotët e atdheut, ideolog të çështjes shqiptare, ushtarak e gjeneral, me 17 janar na e mori Jusufin, Kadriun e Bardhoshin. Me 11 janar në mes të Prishtinës e përbiu Rexhepin e Nuhiun, me 28 janar na e mori Prenin dhe Memen, ndërsa sot me 31 janar para 20 viteve Hakifi, Zahiri dhe Edmond Hoxha ranë për te lindur përsëri…. Pra, është muaj i rilindjeve kombëtare!!!
Kuvendi i Junikut dhe kullat e tij nuk do të kishin kuptim pa emrin e Xhavit dhe Edmond Hoxhës, Dukagjini do të thirrej ndryshe pa këta dy emra, Shqipëria natyrale dhe historia e përgjakshme e saj do të ishte e gjymtë pa emrat, aktet dhe veprat, mundin, sakrificat dhe gjakun e këtyre dy viganëve.
Në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi, nënë e babë, Hyni e Nurije Hoxha patën shumë goca dhe dy djem, nuk mund të përmbahej gëzimi për këta dy djem, jo për t’i rritur në frymën e nënshtrimit ndaj okupatorit, shka dhe shërbëtorëve të tij, për t’i dërguar në akademinë ushtarake të gjeneralëve famëkeq Libiqiq, Mamulla e Kadijqviq e për t’i martuar me shkina për ta thelluar (bratsvo- sfinsfon); por për t’i rritë, edukuar e kalitë që të hakmerreshin një ditë kundër atyre hordhive serbo- çetnike- malazeze ku pas Luftës së Dytë Botërore, me ndihmën e kolonës së pestë nuk lanë shtëpi shqiptare pa ia quar gjëmën te dera.
Dhe u frymëzuan dhe edukuan që nga ninullat e nënë Nurijes në djep: rritu biro e falja jetën atdheut. Dhe babë Hysniu që ishte rritë jetim, ngase çetnikët i kishin marrë babanë e gjyshin, ku sot e atë ditë nuk ua di kush varrin ku e kanë, e ai kërkonte nga të bijtë të hakmerreshin për babë e gjysh dhe për dheun e shqiptarisë…
Duke u nisur nga ky parim dhe, për t’ia plotësuar dëshirën prindërve njëri më herët e tjetri më vonë radhitën përkrah shokëve te idealit aty ku e kishin vendin dhe kërkonte nderi i arbrit; për t’i dhënë begati, forcë, kurajo dhe energji forcave revolucionare, nacionaliste e irredentiste të trojeve të robëruara. Ata zgjodhën dhe preferuan vetëm një rrugë për realizimin e aspiratave shekullore; jo për ta pritur momentin duke bërë sehire duarkryq, por u shndërruan në vetë Ora e Shqypnisë duke e bartë në supe, kohën me mund, djersë, sakrifica e së fundi me gjak!
Kur këta vepronin e luftonin në fushën e nderit, një pjesë goxha e mirë e jona që nga Juniku, Deçani e deri në Prishtinë rrinim duke i skuqur duart së rrahuri Vllaznim -bashkim, vllaznim bashkim, dhe duke thënë vetë me vete, “Kush janë këta kokëkrisur” që i kanë shpallë luftë ” vëllazërim – bashkimit ” dhe fryteve të revolucionit socialist.
Pikërisht nga vitet e 75-ta në momentin e duhur dhe kohën e sakt Xhavit Hoxha, radhitet në istikam në grupin e intelektualëve të Dukagjinit që ishin të prirë nga rrapi shekullor, baca Ismail Haradini.
Në verën që shkoi, isha për një vizitë, me vajzat e mia Shqiponjën, Shqiptaren dhe Jetlirën te nëna e madhe e kombit tonë, Nurie Hoxha dhe vajzat u mahnitën kur dëgjuan nga kjo nënë kreshnike duke thënë se dy djem i pata e ja fala atdheut po, që t’i kisha edhe 20 djem prapë do ja kisha falë atdheut, se në këtë vend qe thirret Shqipni një grusht dheu është më i shtrenjtë se jeta…
Nuk kishte rrugë tjetër përpos që Edmond Hoxha pa i mbushur 17 pranvera të jetë instruktor dhe themelues i ushtrisë së atdheut të robëruar së bashku me Adem Jasharin, Hakif Zejnullahun, Sali Çekun e Zahir Pajazitin.
Po vinte 31 janari i vitit 1997, korbat e zi në janarin e zi ishin në prita ashtu siç ishin në Utergrupenbach, me 17 janar, ashtu siç ishin në zemër të Prishtinës me 11 janar, ashtu siç ishin në Bishtazhin me 28 janar, kësaj radhe në Pestovë bien për të lindur përsëri heronjtë e Vigut: Edmond Hoxha, Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu.
Rroftë për jetë e mot kujtimi për luftën, trimërinë dhe gjakun e derdhur i të gjithë dëshmorëve të kombit!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Edmond Hoxhës, Zahir Pajazitit dhe Hakif Zejnullahut.
Lavdi, lavdi, lavdi
31 janar 2017