Kryetari i shoqatës “Përkorë” për Persona të Zhdukur, në Besianë, Latif Mehmeti, ka reaguar ndaj deklaratës së patologut serb Zoran Stankoviq, i cili ka thënë se është i gatshëm që të dëshmojë kundër ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj. Mehmeti përmes një deklarate ka thënë se Zoran Stankoviq duhet ta thotë të vërtetën në lidhje me viktimat dhe kufomat e mijëra shqiptarëve civilë. Gjenerali apo mjeku serb, Stankoviq në vitin 2002, në Radio Beograd pati deklaruar se gjatë luftës së viti 1999 në Kosovë, nga shtabi suprem i Ushtrisë Jugosllave ka qenë i angazhuar për pastrimin e ternit dhe mbledhjen e kufomave në Kosovë. Duke pasur parasysh se mjeku serb paska qenë i angazhuar në mbledhjen e kufomave në Kosovë, ai do të duhej ta thotë krejt të vërtetën edhe sa i përket viktimave dhe kufomave të mijëra civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, thuhet në komunikatën e kryetarit, Mehmeti, i cili e ka cilësuar Stankoviqin si personin më përgjegjës për çështjen e të zhdukurve.
