Memli Krasniqi feston 15 vjetorin e Pavarësisë me mërgatën në Zvicër: Të bëhemi bashkë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi po qëndron në Zvicër, ku ka marrë pjesë në manifestimin e shënimit të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Dega e PDK-së në Zvicër. Duke falënderuar mërgatën për mikpritjen, lideri i PDK-së, z. Krasniqi tha se është kënaqësi e veçantë të festojë në mesin e tyre, sepse PDK-në dhe bashkatdhetarët para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët për liri. “Ju falënderoj përzemërsisht për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që s’dallon aspak nga tradita jonë e shenjtë, e cila të huajin e pret si mik, e mikun si familjar, dhe mund t’iu them me plot zemër, se edhe sot, si gjithherë, po ndjehemi si në shtëpinë tonë, mes vëllezërish e motrash. E kam thënë edhe më parë, e më duhet ta përsëris edhe sot, se diasporën tonë dhe Partinë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e rrugëtimi i përbashkët. Kjo është manifestuar pikërisht këtu në Zvicër, prej ku liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju, kanë punuar për ta ngritur UÇK-në, e përmes saj, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Krasniqi ftoi bashkatdhetarët që përmes PDK-së të kontribuojnë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit.

“Prandaj, në këtë përvjetor të 15-të të Pavarësisë, ju ftoj që të bëhemi bashkë, si bashkëkombës e bashkë partiakë, që të lidhemi edhe më fort dhe që së bashku e të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, të punojmë pa u ndalë për ta rikthyer Kosovën në binarët e sigurt të zhvillimit. Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur, për juve e për gjithsecilin”, tha Krasniqi.

“Situata ditore politike dhe pushteti, shpesh di të na e errësojë edhe arsyen dhe gjëra të tilla ndodhin e po ndodhin edhe sot te pushtetarët tanë, por, unë dhe ju të gjithë e dimë, se të vërtetën e historisë sonë, nuk mund ta errësojë kurrfarë lakmie, e as kurrfarë pushteti. Dhe kjo e vërtetë është se as 17 shkurti i 2008-tës si datë, e as shpallja e pavarësisë si ngjarje, nuk kanë kuptim pa nderuar përpjekjen titanike të Presidentit, ish-kryetarit tonë, e ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçit. Ai është fytyra e Kosovës moderne, të lirë, të pavarur e sovrane, dhe këtë gjë e ka shënuar historia e s’mund ta ndryshojë askush, kurrë dhe me asgjë. Edhe sot, përderisa pushtetarët në Kosovë hezitojnë t’i përmendin edhe kur kemi festë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, po e vazhdojnë betejën për nderin e Kosovës, për të vërtetën tonë kombëtare dhe për nderin e luftës sonë të drejtë për liri e pavarësi”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi përmendi edhe largimin e të rinjve për një jetë më të mirë jashtë Kosovës, si pasojë e keqqeverisjes së Qeverisë Kurti, ku tha se detyra e përbashkët e gjithë spektrit politik është krijimi i një të ardhmeje prosperuese në vend.

“Unë jam kundërshtar politik i Albin Kurtit, por Kosovën e kemi të përbashkët, dhe unë e dua një Kosovë të mirë e prosperuese, pavarësisht pozicioneve politike që kemi sot a nesër. Realiteti i brishtë i periudhës aktuale në Kosovë, që edhe ju e dini dhe po e shihni, nuk lidhet me betejat tona politike ditore, lidhet me gjendjen e rëndë që e ka përfshirë Kosovën, e që fatkeqësisht, është krijuar nga një pushtet totalisht i paaftë për ta ndalë degradimin e mëtutjeshëm. Prandaj, detyra e përgjegjësia jonë e përbashkët, është ta ndalim degradimin e Kosovës dhe ta nisim një rrugë të re, krejt ndryshe prej kësaj aktuales. Ky është obligim për njerëzit tanë e veçmas për fëmijët tanë dhe për të rinjtë e të rejat e Kosovës. Sepse në Kosovë, të rinjtë e të rejat kanë potencial, por ju duhet edhe një adresë që i sheh e i nxjerr në dritë. Ata meritojnë t’i kenë Kosovë mundësitë që i kanë fëmijët e juaj këtu dhe kjo është arsyeja pse unë personalisht qëndroj në politikë. Që Kosovën mos ta lëmë të zbrazet, por ta bëjmë të qëndrojë në këmbë të veta, e t’ia mundësojë rinisë një jetë me dinjitet e perspektivë. Për ta bërë këtë gjë, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne, mbi Partinë Demokratike të Kosovës, sepse ju e dini se nuk ka punë, as projekt, as zhvillim që është bërë në Kosovë, e që nuk e ka vulën e PDK-së”, shtoi ai.

Krasniqi tha se PDK nuk ndalet, sepse misioni i saj është transformimi i Kosovës drejt një rruge të zhvillimit e mirëqenies dhe të bashkimit e qeverisjes së mirë.

“Në këtë 15 vjetor të shtetit tonë sovran, duhet të reflektojmë thellë, të gjejmë fuqi e besim dhe të bëhemi bashkë. Sepse, përderisa po ecin vitet e shtetit tonë të lirë, ne nuk mund të ndalemi, e as nuk guxojmë të ndalemi. Sepse është një e vërtetë e madhe, ajo çfarë ka thënë ish-Kryetari Kadri Veseli, se kur ndalet PDK-ja, ndalet krejt Kosova, e Kosova s’ka as kohë e as mundësi që të ndalet. Ne duhet të shohim nga e ardhmja dhe unë besoj se në Kosovë ende ka shpresë e ajo shpresë duhet të shërbejë si forcë për ndryshim pozitiv. E kemi borxh ndaj të gjithë të rënëve për liri, por edhe ndaj të gjallëve që kanë kontribuar për shtetin tonë, që të punojmë për ta nxjerrë Kosovën në një tjetër nivel. Për ta nxjerrë Kosovën nga rruga e mjerimit e depresionit, drejt një rruge të zhvillimit e mirëqenies. Për ta nxjerrë nga rruga e përçarjes e abuzimit, drejt një rruge të bashkimit e qeverisjes së mirë. E kemi mision dhe qëllim politik që të bëhemi bashkë, sepse qëllimin e kemi të pastër e misionin e drejtë, dhe misioni ynë është transformimi i Kosovës”, tha lideri i PDK-së.

Kryetari i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, deputeti Elmi Reçica tha se PDK gjithmonë ka pasur dhe e ka prioritet shtetin.

“Falë mbështetjes së qytetarëve anekënd diasporës dhe Kosovës, PDK po fuqizohet dhe do të vazhdojmë punën e madhe që na pret për të ardhmen e vendit tonë. Para një viti kur kemi filluar punën në mërgatë, ka qenë një mikpritje e jashtëzakonshme dhe sot në këtë festë të shtetit tonë, i jam falënderues secilit prej jush për punën dhe angazhimin”, tha Reçica.

Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, i ka falënderuar të gjithë shqiptarët e Zvicrës për mbështetjen e Partisë Demokratike dhe vizionin e ri për të ardhmen e vendit.

Ndërsa drejtori për Siguri, Mjedis dhe Energji nga shteti zviceran, Reto Nause, tha se Zvicra është krenare me miqësinë që ka me Kosovën dhe popullin e saj.

Ai shtoi se falë talenteve të shkëlqyeshme të të rinjve shqiptarë në futboll, Zvicra krenohet dhe ka suksese.

Kontrolloni gjithashtu

Nuredin Ibishi

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, kërkoi që Bashkësia ndërkombëtare të marrë hapa të duhur në veri

Njohësi i çështjeve të sigurisë,  Nuredin Ibishi,  ka deklaruar se veprimet e fundit në pikën …