Pas dështimit të seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar duke e cilësuar situatën si të paprecedent dhe të dëmshme për institucionin më të lartë legjislativ në vend. Krasniqi ka theksuar se koalicioni qeverisës, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, ka të drejtë ta propozojë kandidatin për kryetar, por nuk ka të drejtë ta imponojë atë, pasi nuk disponon votat e mjaftueshme për ta zgjedhur pa mbështetje të gjerë. Insistimi i VV-së për të nominuar për të katërtën herë Albulena Haxhiun, e cila ka dështuar vazhdimisht të marrë votat e nevojshme, paraqet një bllokadë të qëllimshme të procesit. Krasniqi ka përfunduar duke deklaruar se nuk ka asnjë formë bashkëpunimi të dakorduar mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
