Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është takuar me emisarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, si dhe të dërguarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai tha se në këto takime është diskutuar për zhvillimet rreth procesit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këto takime kam shprehë qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Në procesin e dialogut ne i kemi dhënë hapësirën e nevojshme kryeministrit dhe Qeverisë për të kryer detyrat e tyre në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike. Mirëpo është evidente mungesa e transparencës nga ana e kryeministrit dhe ajo është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës.
