leoni

Memli Krasniqi në Zvicër: Politikanët dhe Qeveritë e papërgjegjshme janë të përkohshme, Kosova është e përjetshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me shumë zyrtarë tjerë të partisë, kanë marrë pjesë në shënimin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Aargau, që u organizua nga Dega e PDK-së në Zvicër.

Gjatë këtij manifestimi, Kryetari Krasniqi tha se mërgimtarët janë shtylla e kombit dhe e shtetit tonë, edhe pse të shpërndarë në mbarë globin.

“Edhe pse larg atdheut, ju keni sakrifikuar gjithçka për të mbajtur gjallë ëndrrën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.  Sot, unë qëndrojë me krenari përkrah emigrantëve tonë të suksesshëm në çdo cep të botës – individëve që i kanë sjellë nder dhe lavdi emrit të Kosovës dhe kombit shqiptar përmes punës se paepur dhe suksesit maksimal. Të gjithë, pa përjashtim, me mburrje thonë se janë nga Kosova: nga Granit e Taulant Xhaka, Xherdan Shaqiri e deri te Dua Lipa dhe Rita Ora. Kjo është krenari dhe këtë askush nuk mund të na e marrë”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Më tej, ai ka shtuar se mërgimtarët janë katalizatori i secilit zhvillim të rëndësishëm në historinë e vendit tonë. Dhe, si të tillë, ata janë pjesë përbërse, e pandashme dhe tejet e nevojshme edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Prandaj, përfshirja e juaj në jetën politike dhe kontributi juaj i drejtpërdrejtë është i domosdoshëm. Unë që sot dëshiroj të ju them se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që priten të mbahen këtë vit, PDK jo vetëm që do të kandidojë përfaqësues të degëve tona nga mërgata, duke filluar këtu nga Zvicrra, por jam i bindur se edhe do të kemi përfaqësuesit tuaj si deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

“Sepse Kosova ka nevojë për ju. Dhe ne jemi mirënjohës për punën tuaj të madhe”, tha ai.

Në këtë përvjetor të pavarësisë, Kryetari Krasniqi përmendi edhe mungesën e madhe të burrë shtetasve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe shokëve të tyre.

“Nuk është e plotë, sepse në festën tonë po mungojnë ata që do duhej të ishin në ballë të shënimit të kësaj dite – çlirimtarët e vendit tonë, më meritorët e shtetit tonë, shpallësi i pavarësisë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe shokët e tyre.  Po mungojnë, padrejtësisht, ata të cilët një jetë ia kushtuan luftës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim të Kosovës. Prandaj, nga këtu, nga ky tubim madhështor, edhe sot u dërgojmë përshëndetjet tona më të ndjera heronjve tanë në Hagë, të cilët me guxim dhe vendosmëri po zhvillojnë betejën e fundit për të dëshmuar pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së popullit tonë për liri”, tha Kryetari Krasniqi.

Lideri i PDK-së shtoi se së bashku duhet të festojmë jo vetëm triumfet e së kaluarës sonë, por edhe duhet përballemi me realitetet e zymta që e përcaktojnë të tashmen tonë.

“Kosova jonë e dashur, vendi ynë i shpresës dhe i lirisë, e gjen veten të zhytur në thellësitë e dëshpërimit, e prangosur nga zinxhirët e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së një Qeverie të korruptuar në shpirt dhe pa ideale kombëtare. Qeveria jonë, e ngarkuar me detyrën e shenjtë për t’i shërbyer interesave të popullit, ka dështuar mjerisht. Nëpërmjet veprimeve të saj, ajo ka vënë në rrezik edhe marrëdhëniet tona të fituara me vështirësi me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke na lënë të izoluar në skenën botërore”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Kryetari Krasniqi tha se pasojat e veprimeve të kësaj Qeverie shtrihen shumë përtej sferës së diplomacisë.

“Ata po u shkaktojnë vuajtje të panumërta qytetarëve tanë, duke rrënuar ekonominë, shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, kulturën, mjedisin dhe cilindo sektor tjetër. Më shumë se tri vite në pushtet, asnjë projekt serioz dhe i madh për vendin tonë nuk është realizuar nga kjo Qeveri. Fatkeqësisht, sot, Kosova dhe qytetarët e saj janë në dëshpërim”, tha Kryetari Krasniqi.

Megjithatë, ai shtoi se është detyrë e jona, si Parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, që ta nxjerrim vendin tonë nga kjo gjendje.

“Përballë këtij degradimi, ne nuk duhet të humbasim shpresën – ashtu siç nuk e kemi humbur as para luftës dhe as pas saj. Edhe në orën tonë më të errët, mbetet një fije besimi që premton një të nesërme më të mirë. Sepse, Kosovën e presin ditë më të mira – për këtë jam i sigurt.  Por, nuk mjafton thjesht të shpresojmë për ndryshim; ne duhet të punojmë në mënyrë aktive për ta realizuar atë.  Është detyrë e çdo qytetari, brenda dhe jashtë vendit, të kërkojë llogari, të përpiqet për prosperitet dhe të punojë pa u lodhur për të ardhmen e vendit tonë. Së bashku, nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që sakrificat e të parëve tanë të shkojnë dëm. Politikanët dhe Qeveritë e papërgjegjshme janë të përkohshme – por, Kosova jonë është e përjetshme”, përfundoi Kryetari Krasniqi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka.

Xhaka tregoi se prej që është organizuar shtrirja e PDK-së nëpër kantonet zvicerane, me mijëra bashkëatdhetarë i janë bashkuar vizionit të PDK-së.

Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër tha se puna drejt rritjes dhe fuqizimit të PDK-së do të vazhdojë me përkushtim gjatë gjithë kohës, andaj edhe i ftoi të gjithë mërgimtarët që të bëhen pjesë e rrugëtimit për të sjellë ndryshimin e kërkuar në Kosovë.

Në këtë aktivitet morën pjesë mbi një mijë mërgimtarë, nga të gjitha sferat, përfshirë edhe zyrtarë të të gjitha niveleve të Partisë Demokratike të Kosovës.

Të pranishmit i përshëndetën me një fjalë edhe deputeti Elmi Reçica, Kryetar i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, si dhe Arbnora Salhiu, Kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …