Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se qëndrimet e partisë së tij ndaj procesit të konstituimit të Kuvendit mbeten të pandryshuara përderisa nuk ka ndryshime në rrethana apo vendime që e justifikojnë vazhdimin e seancës. Është seanca e njëjtë, por vazhdimi i saj ka kuptim vetëm nëse ndryshon ndonjë qëndrim apo vendim. Në mungesë të ndryshimeve, edhe qëndrimet mbesin të njëjta. Ata nuk kanë mandat – duhet thirrur komisioni verifikues, theksoi Krasniqi. Kjo deklaratë vjen në vazhdën e përplasjes politike për mënyrën dhe kushtet e vazhdimit të seancës konstituive, e cila u ndërpre dhe u shty për pas 48 orësh, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet subjekteve politike parlamentare.
