Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Skenderaj, ku ka thënë se PDK ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e kësaj komune në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet asnjëherë as nga brenda e as nga jashtë.
Krasniqi theksoi se votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177 dhe kandidatin Fadil Nura, i cili do ta qeverisë këtë komunë në katër vitet e ardhshme, bashkë me qytetarët e Skenderajt.
“Ne e dimë që Skenderaj asnjëherë nuk është ndalur. Por e dimë po ashtu se jo të gjitha mundësitë që i ka ky qytet, janë realizuar plotësisht. Dhe ne në Skenderaj, bashkë me të gjithë qytetarët pa dallim, do t’i japim jetë këtyre mundësive. Sepse qytetarët e dinë që këto mundësi, hapen për ta vetëm nga PDK-ja, nga partia e tyre, me të cilën kanë rrugëtuar që në ditët e para, përplot 21 vite me radhë. PDK-ja është e lidhur me Skenderajn, punon për zhvillimin e Skenderajt, dhe do të qeverisë me Skenderajn në katër vitet e ardhshme. Dhe PDK-ja në Skenderaj e ka vetëm një kandidat, e ai është Fadil Nura. Votuesit e PDK-së në Skenderaj, e kanë vetëm një adresë, numrin 177. Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë dhe është e lidhur me qytetarët e Skenderajt, në një bosht identitar e politik që s’mund të thyhet e as nuk mund ta thejnë. Kjo lidhje nuk është shkëputur kurrë. Prandaj, të nderuar kandidatë, është detyrë e juaja që këtë lidhje, ta bëni edhe më të pranishme, duke qenë afër dhe në shërbim të qytetarëve, për të ardhmen e fëmijëve, për perspektivën e të rinjve dhe me respekt ndaj lavdisë e historisë sonë, që në Skenderaj merr përmasa kombëtare e të përjetshme”, tha Krasniqi.
Kandidati i PDK-së, për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, tha se bashkë me të gjithë qytetarët pa dallim do të rikthejnë Skenderajn në rrugën e zhvillimit.
“PDK-ja në këtë proces ka hyrë më e organizuar dhe më e bashkuar se kurrë. Shihet se elektorati i PDK-së ka një vetëdije të jashtëzakonshme dhe të pjekur politike, dhe elektorati i PDK-së çdo ditë po dëshmon se nuk ja kthen shpinën PDK-së. Nuk e harron Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Prandaj me 18 tetor ne bashkërisht do t’ja dërgojmë edhe një mesazh të fuqishëm udhëheqësve tanë, liderëve të lirisë, paqes dhe shtetndërtimit se PDK-ja në Skenderaj është më e fortë dhe se nuk iu ka harruar asnjëherë”, tha Nura.
Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, tha se Albin Kurti dhe Vetëvendosje po punojnë për ta thyer PDK-në në Drenicë por sërish do të dalin humbës.
“T’ja çojmë një mesazh atyre burrave që sot nuk janë këtu, nuk po duam t’i keqpërdorim ata, por me të vërtetë kënaqësia më e madhe është, kur qytetarët e tu, bërthama e partisë, zemra e partisë është në Drenicë. Dhe ku po tentohet nga Albin Kurti dhe VV-ja që është i gatshëm me i humbë edhe 4-5 komuna të tjera veç me thy PDK-në në Drenicë. E na po i çojmë selam prej Drenicës këtu, që Albin Kurti dhe VV-ja në Drenicë as nuk kanë mundësi me fitu dhe nuk kanë mundësi me thy PDK-në”, tha Lushtaku.
VIDEO Linku i pamjeve dhe deklaratave nga Skenderaj: https://we.tl/t-TrjLb550gL?src=dnl