Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar takime të ndara me Kryesinë e partisë, me deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga ana e Kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, me draft-statutin e Asociacionit, për të cilin nuk ka ndarë akoma asnjë detaj me deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe me qytetarët. Memli Krasniqi tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit tonë. Për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë.
