Me qëllim të ofrimit dhe këmbimit të këshillave e përvojave profesionale në fushat me interes të përbashkët, zgjerim të bashkëpunimit edhe në fusha tjera, krahas atyre që ushtrojnë të dyja subjektet, Oda e Afarizmit të Kosovës nënshkroi Memorandum të Bashkëpunimit me Kolegjin UBT.
Ky Memorandum i Bashkëpunimit parashihet të ketë si rrjedhojë shkëmbimin e përvojave dhe sigurimit të një qasje sistematike ndaj problemeve të identifikuara gjatë punës së përbashkët, aktivitete të përbashkëta për të bërë ndikim në politikë-bërje dhe vendimmarrje që ndërlidhet me qëllimet kryesore të të dyja palëve, e gjithashtu edhe ngritjen e nivelit të bashkëpunimit reciprok në mes tyre për promovim dhe përkrahje në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi me këtë rast theksoi se OAK është e fokusuar në shërbimet e bizneseve, rrjetëzimin, identifikimin e problemeve të bizneseve të cilat janë të shumta, deri te alternativat e zgjidhjes së tyre.
Ai shtoi që OAK është duke lobuar në vazhdimësi që të bëhet ndërlidhja e kuadrove të kualifikuar me nevojat e tregut të punës dhe rëndësinë e përfshirjes së sistemit të arsimit dual në shkollat profesionale.
Ndërsa Rektori Edmond Hajrizi, përgëzoi OAK-në për angazhimin e saj dhe vlerësoi këtë bashkëpunim me qëllim të krijimit të partneritetit në mes bizneseve, studentëve dhe teknologjisë.
Sipas Hazirit bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe institucioneve arsimore është mëse i nevojshëm, pasi që vetëm kështu mund të arrijmë deri tek ndërlidhja e studentëve me tregun e punës.