Ramadan Pllana: HALIT ZEQIRI një veprimtar i orëve të para për çlirim e bashkim kombëtar (24. 04. 1954 – 02. 10. 2021)

HALIT ZEQIRI një veprimtar i orëve të para për çlirim e bashkim kombëtar (24. 04. 1954 – 02. 10. 2021) Lozanë, Zvicër, më 25 shkurt 2024: – Në Akademinë përkujtimore të Veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës çlirimtare, Halit Zeqiri.

E nderuara Asije Zeqiri, të nderuar familjarë të Halit Zeqirit, bashkveprimtarë, miq e dashamirë të Familjes Zeqiri, Ju përshëndes të gjithëve me ndjenjat e mia më të përzemërta ! Haliti ishte një aktivist i lirisë kombëtare, i cili u dëshmua me veprimtarinë e vet qysh nga mosha e re, deri në vdekje, si një meteor prej luftëtari të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar. Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kushtuan lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale e historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më me vërtetësi ngjarjet reale, në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike e të përjetshme. Dëshmorët nuk vdesin kurrë, sepse me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë, duke ndjekur porositë e tyre do t’i kujtojmë si të gjallë në ndërgjegjen kombëtare e njerëzore duke ua përcjellë brezave të ardhshëm. Emri, vepra dhe shembulli i veprimtarëve e të dëshmorëve të kombit kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë yje udhërrëfyese të përhershme për çlirim e ribashkim kombëtar. Kush i nderon dëshmorët e nderon popullin, e nderon veten, e respekton historinë e lavdishme kombëtare, e siguron të tashmen dhe të ardhmen e atdheut. Me rastin e shpalosjes se pllakës përkujtimore për LPK-në në Kollare të Kërçovës në Shtëpinë e Halit Zeqirit, më 24 prill të vitit 2017, ai do të thotë: “Prej sot e tutje shtëpia jonë ka hyrë në rrjedhat e historisë së të gjithë shqiptarëve dhe ju përgëzoj të gjithëve që ta gëzojmë lirinë dhe pllakën e vendosur në këtë vend”. Pra në këtë shtëpi u mbajt Mbledhja Konsultative e LPKR-së në prill të vitit 1993. Në këtë Mbledhje kisha nderin të isha edhe unë pjesëmarrës. Mbledhja konsultative e LPRK – së në Kollare (Kërçovë) ishte e një rëndësie të veçantë për Luftën e armatosur Çlirimtare, për themelimin e UÇK – së dhe çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Halit Zeqiri, si në atdhe, ashtu edhe në mërgatë do të jetë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë ilegale e legale, në mbledhje e në tubime, në protesta për të drejtat e shqiptarëve në ish -Jugosllavi. Si anëtar i devotshëm i LPRK-së, më vonë LPK, me besnikërinë më të madhe i ka kryer të gjitha obligimet e detyrat që shtroheshin nga Kryesia e LPK-së. Haliti e Asija – bashkëshortja e tij, bashkë me fëmijët e tyre na kanë pritur gjithmonë bujarisht me gjithë zemër, madje edhe me sofër të shtruar me të gjitha mirat. Familja ima, shoqja me 5 fëmijë, nuk ia harron kurrë të mirën e Xha-Litit kur ai, bashkë me mua, shkuam në Aeroportin e Cyrihit, me makinën e vet për ti merrë kur ata erdhën në Zvicër, pasi unë e kisha të drejtën e bashkimit familjar, në fillim të vitit 1998. Halit Zeqiri, si një veprimtar i paepur i çështjes së atdheut ka ndihmuar, pa kursim, gjatë dhe pas luftës, fondet çlirimtare; Fondin e Republikës së Kosovës “Vendlindja Thërret”, fondin “Zëri i Atdheut” dhe fondin “Liria kombëtare“. Do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë veprimtarinë e tij patriotike! Emri dhe vepra atdhetare e Halit Zeqirit për çlirim e bashkim kombëtar, do të jetë gjithmonë në kujtesën tonë! LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË HALIT ZEQIRIT!

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Qeveria ende po fsheh faktet kyçe dhe përgjegjësit për tragjedinë më të madhe që ka përjetuar Koçana

Më 16 mars humbëm 60 jetë të reja. Sot, 21 ditë më vonë, ende jemi …