Ahmet Qeriqi

Mendësia njëdimensionale dhe autoritarizmi totalitar

Konstatimi parashikues dhe filozofik i iluministit francez, Mishel Montenji, ( 1533-1592) se “sundimtarët mendojnë se bota e njerëzimi është krijuar vetëm që ata ta qeverisin”, i ka përballuar kohës si rrallë ndonjë konstatim tjetër.

Etja e njerëzve për pushtet, sundim, për realizim të synimeve e qëllimeve të tyre, pa marrë parasysh pasojat, historisë së njerëzimit i ka kushtuar me shumë se çdo tragjedi, që ka shkaktuar natyra.

Kokat me mendësi njëdimensionale, autarkike, totalitare kanë besim të fuqishëm në vetvete, mendojnë për vetët e tyre se janë më të dijshmit, më të fortët, më vizionarët, më të pagabueshmit dhe duke menduar në këtë mënyrë, duke përjashtuar çdo alternativë tjetër, ata kundërshtojnë me çdo mjet, çdo veprim që iu bëhet pengesë në realizimin e synimeve të tyre, ata bëhen vetjakë të padurueshëm, fanatikë të rryer dhe nuk arrijnë kurrë të lirohen nga njëmendësia e tyre, e cila i përthith si në rrathët e “Ferrit” të Dantes.

Filozofi i madh gjerman,  Herbert Marcuse në librin e tij “Njeriu njëdimensional” shkruan:  Masmedia dhe kultura, reklamat, menaxhimi industrial, mënyrat bashkëkohore të të menduarit, që të gjitha e riprodhojnë sistemin ekzistues dhe përpiqen që të eliminojnë mohimin, kritikën dhe opozitën e këtij sistemi. Rezultati është një univers “njëdimensional” i të menduarit dhe i sjelljes, në të cilin pikërisht zotësia dhe aftësia për mendim kritik dhe sjellje kundërshtuese është duke u venitur. Marcuse e quan shoqërinë e përparuar industriale dhe njeriun që jeton në të si “njëdimensional”, sepse ai shikon një lidhje të plotë me manipulimin dhe me konformizmin, lidhje që stabilizon sistemin kapitalist, i cili është në vetvete kontradiktor dhe që i korrupton njerëzit nëpërmjet konsumit e përthith çdo kritikë.

(Gaço Karakashi: Njeriu njëdimensional i  filozofit, Herbert Marcuse)

 

Politikani ynë njëdimensional në radhë të parë e bind veten se është më i afti dhe më i zgjedhuri. Të dëgjueshmit i nxjerrë nga radha e servilëve, “plastofilëve” dhe gjysmakëve, jo nga të aftit e të diturit, që mund të  bien në sy  se dinë më shumë se shefi i tyre.

Po kështu, politikanët dhe qeveritarët  tanë kanë grupin e atyre që i quajnë këshilltarë dhe që marrin paga të majme nga Buxheti i Shtetit , por nuk gjendet as edhe  një këshilltar nga dhjetëra syresh, që merr guximin për t ia kthyer fjalën shefit, apo për ta bindur se ka gabuar me një veprim të caktuar. Përkundrazi edhe kur gabon kryetari, këshilltari e mbështet edhe më tepër, për t’ i arsyetuar veprimet apo mosveprimet e shefit, kryetarit, etj.

Pikënisja e politikanit apo qeveritarit tonë njëdimensianal është besimi fanatik në vetvete, besimi se është më i dituri, më i afti, më trimi dhe më i veçanti ndër të gjithë të tjerët. E keqja vjen duke u trashur atëherë kur gjen bashkëmendimtarë, përkrahës, mbështetës, qofshin edhe lajkatarë e servilë, qofshin edhe gjysmakë e syleshë, që u besojnë premtimeve të shefave të tyre dhe të tillë që kanë aftësi të lindur për të depërtuar, për të kurdisur kurthe, për të propaganduar, gjithnjë me qëllim përfitimi.

Ata ndikojnë në ndërtimin e “kultit të individit”, duke e paraqitur prijësin e tyre si vizionar, të pagabueshëm, si të vetmin ndër të gjithë të tjerët, si më të përzgjedhurin e më trimin, më të diturin e më të aftin dhe krejt kjo bën që kryepari i një partie apo i një Qeverie, të mendojë për vetën se ka arritur kulmin, se i di të gjitha se është “njëshi” i pagabueshëm, i pazëvendësueshëm, se është vetë “Zoti” në tokë dhe atij i përket edhe populli, në emër të të cilit thirret çdoherë, sepse beson fortë se  atij i përket Shteti, qeverisja, e ardhmja e “ndritur” e kombit.

Ka pak politikanë në trojet shqiptare që nuk mendojnë për veten e tyre se janë të pazëvendësueshëm. Përgjithësisht, të gjithë mendojnë në mënyrën më sipërore për vetët  e tyre, andaj edhe lufta politike bëhet e rreptë, e vrazhdë, mujshare, e pa cipë,  e pa karakter, e pa njerëzi. Andaj kemi luftën e të gjithëve kundër të gjithëve, sepse mendjet njëdimensionale nuk mund të pranojnë konkurrencë, nuk mund të pranojnë të qeveris ai tjetri, nuk pranojnë dot alternativë, sepse me mendjet e tyre dominon bindja se janë më të aftit, dhe duke qenë të tillë  atyre u takon shteti, kombi e më shumë se kaq. Shpeshherë, të tillët shprehen me naivitet fëmijëror si “populli im”, populli im më ka votuar, populli ma ka dhënë besimin. Nga kjo del se populli është i tyre dhe jo ata të popullit.

Mendjet e tilla njëdimensionale pretendojnë të paraqiten si sundimtarë të drejtë dhe thirren në verdiktin, që u ka dhënë qoftë vetëm një votë më shumë, për të manipuluar pastaj dhe për ta grabitur gjithë pushtetin, mbi të drejtën e një vote më tepër, apo të një deputeti më shumë.

Këtë uzurpim ata nuk e quajnë hipokrizi, por drejtësi, demokraci, e cila manifestohet pastaj me pushtetin dhe logjikën e Njëshit, gjithnjë të pagabuar, edhe kur gabon rëndë madje edhe kur gabimet i kthehen bumerang kundër vetvetes. E quan veten të pagabueshëm edhe kur i shkel ligjet, edhe kur e shkel Kushtetutën, të cilës ia gjen të metat, pavarësisht sesa e njeh lëmine e caktuar, sepse në kokën e njeriut njëdimensional është instaluar logjika e njeriut të pagabueshëm, duke arsyetuar sipas mendësisë se  “të gjithë gabojnë por unë jo”.

Nga kjo logjikë u unit totalitar  krijohen diktatorë të vegjël e të mëdhenj, mujsharë të rrezikshëm, që dëmtojnë ardhmërinë e njerëzve, që imponojnë sundimin  e tyre.

Këtë kastë politikanësh e qeveritarësh e kemi me bollëk, jo vetëm në Kosovë po kudo ndër shqiptarë dhe shumë herë ua kemi parë sherrin.

Pikërisht sepse populli shumicë nuk iu beson të tillëve, nuk merr pjesë as në zgjedhje. Vetëm 40 për qind e këtij “popullit” merr pjesë dhe voton prijësit e vetë, të cilët pastaj e sundojnë, e zhvatin  dhe e varfërojnë  edhe 60 përqindëshin, me të drejtën, që sipas tyre u ofron rendi demokratik, jo i shumicës mbi pakicën, por i pakicës mbi shumicën.

Duke qenë një popull fatkeq, i cili me shekuj  të tërë ka jetuar nga një robëri në tjetrën,  kemi po kështu edhe periudhën më të gjatë të jetës në kushte dhe rrethana të sundimit feudal, i cili në shumë segmente organizative sundon dhe sot. Mentaliteti i dikurshëm i kryeparit i bajraktarit, i kryekuvendarit, i të  parit të  krahinës,  tani është shndërruar në të  parin e  partisë, të cilin e zgjedh fisi, oxhaku, bajraku, krahina, rajoni… Ky realitet regresiv e reaksionar ka prodhuar klasën e mendjeve njëdimensionale, unitare, bajraktare.

Andaj sot një ministër në detyrë, shkel ligjin, shkel të drejtat e  të gjithë qytetarëve për lëvizje të lirë, të drejta  të garantuara me Kushtetutë, shkel dhe shpërfillë rregullat mbi të cilat është ndërtuar Kushtetuta, e cila ka paraparë edhe masat e jashtëzakonshme, në kuadrin e vet,  si dhe mënyrën ligjore si interpretohen dhe  realizohen ato në rrethana të jashtëzakonshme, por ato nuk i zbaton askush. Madje qeveritarët mujsharë shkojnë deri atje se vënë në dyshim edhe Kushtetutën,  e cila u duket se  nuk është formuluar sipas mendjes dhe mendësisë së tyre njëdimensionale, unitare e totalitare.

Ahmet Qeriqi

  1. 4. 2020

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …