Profesor, doktor, Rexhep Qosja është personalitet i përmasave intelektuale, kombëtare e botërore dhe mendimet, sugjerimet, perceptimet e parashikimet e tij janë të një niveli që duhet të merren në konsideratë nga të gjithë shqiptarët, të cilët kanë synim zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes shqiptare, në radhë të parë në interes të kombit e Atdheut. Çështja e shkëmbimit të territoreve, në rrethanat aspak të favorshme, është një çështje që duhet studiuar, në radhë të parë nga krerët e politikës dhe institucioneve tona në Prishtinë, Shkup dhe në Tiranë dhe jo nga pozitat e analistëve të quajtur e të vetëquajtur, të cilët çoroditjen e tyre të mjerë, në raste polemikash e shfrytëzojnë për të dalë nga anonimiteti, duke u shërbyer me teza ndër më të ndryshmet. Analizat dhe opinionet e tilla nëpër medie nuk janë pasqyrë e cila reflekton realitet apo mendim të shumicës, ato, vetvetiu janë pasqyra konkave dhe konvekse, të cilat i referohen vetë brendisë shpirtërore dhe perceptimeve të tyre për veten dhe klanet e tyre.
Vlerësimi realist, që profesor Qosja i bën situatës aktuale të pavolitshme, në të cilën ndodhemi përgjithësisht si komb, është vlerësim i matur i peshuar, në raport me forcat reale të disponojmë si komb i ndarë e i përçarë; dhe jo me rrahje gjoksesh sharlatanësh, të cilët flasin e përflasin pa u mbështetur në fakte, por në mendjet e tyre të terratisura. Qosja ka vlerësuar drejt se shkëmbimi i territoreve sipas parimit etnik, na dëmton më pas sesa ruajtja e status-quosë, ku Serbia dominon në Veri, pavarësisht se nuk u lejua të qarkullojë treni me porosi luftënxitëse, nacionaliste e fashiste. Ndalimi i përkohshëm i trenit të Beogradit, që ishte nisur drejt Mitrovicës në kufi me Kosovën, nga forcat ROSU, nuk do të thotë se ato forca kanë kapacitete të ruajnë kufijtë e Kosovës, kur dihet fare mirë raporti ekzistues i tyre.
Dihet po ashtu se forcat paqeruajtëse të KFOR-it në territorin e Kosovës, nuk janë për të vendosur kufijtë e vendit tonë, por për ta realizuar rezolutën 1244 të KS të OKB-së e cila ia njeh Serbisë sovranitetin mbi vendin tonë, pavarësisht shpalljes së Pavarësisë dhe pranimit të Shtetit të Kosovës nga 108 vende të botës. KS i OKB-së ende nuk ka nxjerrë rezolutë të re, e cila do ta modifikonte apo do ta zhvlerësonte rezolutën ekzistuese, 1244. Dihet po ashtu se forcat e KFOR-it në bashkërendim me ato të UNMIK-ut në veri kanë lejuara dhe lejojnë funksionimin e strukturave paralele.
Pavarësisht sa është parimor propozimi i profesor Qoses, mendoj se Serbia nuk do ta përfillë fare një propozim të tillë, sepse ajo është më se e sigurt se veriun dhe enklavat serbe në Kosovës i ka të fituar përmes Asociacionit dhe nuk lejon asnjë shkëmbim me tri komunat shqiptare të mbetura nën Serbi. Para marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit të vitit 2013, mundësinë për një shkëmbin të territoreve e ka paraqitur edhe pionieri i Milosheviqit, Ivica Daçiq, por ai kërkonte ndarjen e Kosovës, mes Serbisë e Shqipërisë, duke përcaktuar vijën ndarëse me vijën hekurudhore, Mitrovicë-Hani i Elezit, veriu i saj sipas tij t’i takonte Serbisë dhe jugu Shqipërisë. Serbia nuk pranon tjetër ndarje, të paktën jo tani kur ka humbur në luftë dhe ka fituar në kohë paqeje, mbi kurriz të politikanëve të dështuar të Kosovës dhe Shqipërisë bashkë.
Nuk besoj se Serbia ka fare gatishmëri për shkëmbim territoresh të tri komunave shqiptare, Medvegjë, Bujanoc, Preshevë me tri komunat serbe: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, përderisa Serbia kërkon të rikthehet në Kosovë. Për atë qëllim, ajo edhe me Kushtetutën e saj, Kosovën e trajton si pjesë të vetën dhe nuk heq dorë nga qëndrimi i tillë. Nuk ishin dhe nuk janë politikanët tanë ata që në bisedimet e Brukselit do t’i kushtëzonin bisedimet me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë. Ata madje kanë pranuar edhe fusnotën 1244 për “hir” të Serbisë. Ata kanë pranuar çdo propozim të Serbisë, që ka dëmtuar dhe dëmton interesin e shtetit të Kosovës. Në një nivel dhe situatë të tillë, krerët e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, sërish do t’i nënshtrohen presionit të Serbisë, meqë kryeparja e BE-së, zonja Mogherini, ashtu sikur ishte zonja Ashton, nuk i bën presion Serbisë, sepse ajo nuk e pranon presionin, dhe sikur ndodh zakonisht në bisedime, pala e dobët është ajo që duhet të lëshojë pe. Vetëm në këtë mënyrë kanë funksionuar dhe funksionojnë bisedimet në Bruksel.
Serbia, në çdo marrëveshje të deritanishme ka dalë e fituar dhe do të kthejë edhe trenin në Kosovë, pasi të ketë pranuar t’ i heq mbishkrimet nacionaliste nga sipërfaqja e jashtme e trenit. Delegacioni i Kosovës arritjen e trenit të Serbisë në Kosovës pa mbishkrime nacionaliste, do ta trajtonte si fitore, pavarësisht se ikonografia e brendshme do të mbetej, bashkë me arritjen e qëllimit të kurdisur, mbase edhe në marrëveshje të fshehtë me krerët e Kosovës.
Analiza historike që profesor Qosja u ka bërë marrëdhënieve të kaluara dhe të tashme shqiptare- serbe, është analizë historike, e faktuar dhe e dokumentuar. Por këtë nuk do ta marrë kurrë seriozisht Hashim Thaçi e aq më pak Isa Mustafa, sepse ata nuk pranojnë të sakrifikojnë postet e tyre, duke dalë jashtë kornizave që i ka përcaktuar Brukseli, para se të fillonin bisedimet. Është opozita në Kosovë ajo që do të duhej të merrej seriozisht me propozimet e profesor Qoses, janë vetë qytetarët liridashës të vendit e më gjerë, meqë të gjithë e dinë kontributin e tij të jashtëzakonshëm jo vetëm në letërsi e krijimtari por edhe qëndrimin konsekuent politik në periudhat më të rëndësishme, nëpër të cilat kemi kaluar prej vitit 1968 e deri tani. Profesor Qosja, Adem Demaçi, Ukshin Hoti kanë dëshmuar me vepër se dinë çka duan dhe kurrë nuk janë sprapsur nga qëllimet e qëndrimet e tyre, në dobi të kombit e Atdheut.
Ahmet Qeriqi
Prishtinë
- 1 2017