Në një akademi përkujtimore, familjarë, kolegë, studentë dhe miq nderuan jetën dhe veprën e Prof. dr. Xhevat Domit, një prej figurave më të shquara të shkencës dhe arsimit në Kosovë, i cili ndërroi jetë më 19 prill 2025. Profesori Domi, i cili la pas një trashëgimi të pasur në fushën e veterinarisë dhe bujqësisë, ishte njeri i përkushtuar dhe një mentor i paharrueshëm për shumë breza studentësh. Ai ishte themelues i fakultetit ë veterinarisë. U propozua që biblioteka e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të mbajë emrin e Prof. dr. Xhevat Domit
Dekani Musliu: Prof. Xhevat Domi, themelues i dijes dhe frymëzues brezash në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë
Në një fjalë përplot respekt dhe mirënjohje, Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Arben Musliu, ka nderuar jetën dhe veprën e profesor Xhevat Domit.
Në emër të stafit të fakultetit, Musliu shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen Domi dhe theksoi se humbja e profesorit është e madhe për të gjithë Kosovën. “Prof. Xhevat Domi ishte një figurë e respektuar e komunitetit akademik, një intelektual i rrallë dhe profesor me shumë vlera,” u shpreh ai.
Musliu kujtoi me nderim kontributin e jashtëzakonshëm të profesorit në fushën e bujqësisë dhe veterinarisë, i cili ia kushtoi një jetë të tërë edukimit të brezave të rinj dhe përgatitjes profesionale të studentëve. Ai përmendi se profesor Domi ishte një ndër figurat që hodhi themelet e standardeve akademike në mjekësinë veterinare në Kosovë.
Veç dijes, ai u shqua edhe për përkushtimin e tij në çështje kombëtare dhe angazhimin në menaxhimin akademik, përfshirë mandatin si dekan i fakultetit gjatë viteve 1979–1981.
Një nga kontributet më të veçanta të tij, siç theksoi Musliu, ishte pjesëmarrja si bashkautor në hartimin e Monografisë së Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në 40-vjetorin e themelimit, një vepër që përmbledh historinë, sfidat dhe sukseset e këtij institucioni.
Profesor Domi ka lënë pas vetes një trashëgimi të pasur shkencore me mbi 40 punime të botuara në revista prestigjioze ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në dhjetëra konferenca shkencore, përmes të cilave përfaqësoi me dinjitet Universitetin e Prishtinës.
“Do ta kujtojmë si një njeri të urtë, punëtor të palodhur, të dashur për çdo student dhe si një mentor që frymëzoi breza të tërë,” përfundoi Dekani Musliu duke e vlerësuar profesorin si një figurë model që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Prof. Xhevat Domit. U prehtë në paqe shpirti i tij fisnik.
Muji Nderim për një dijetar dhe profesor të shquar
Në fjalën e tij, Skënder Muji, asistent i Prof. Domit, theksoi përkushtimin dhe personalitetin e jashtëzakonshëm të profesor Xhevatit. Ai e përshkroi atë si një njeri që i dha shumë shkencës dhe arsimit të lartë në Kosovë dhe si një figurë që nuk kërkonte kurrë admirim, por e fitonte atë me natyrshmërinë dhe integritetin e tij.
Prof. Domi, i lindur më 5 shkurt 1941 në Gjakovë, kontribuoi gjatë gjithë jetës së tij në avancimin e shkencës veterinare dhe blegtorale duke mbajtur pozita të rëndësishme akademike dhe duke udhëhequr projekte shkencore që ndikuan thelbësisht në zhvillimin e sektorit. Ai gjithashtu ishte një mentor dhe udhërrëfyes për shumë kolegë dhe studentë duke dhënë një kontribut të paçmuar për ngritjen e institucioneve shkencore dhe akademike.
Muji ndau gjithashtu përvojat e tij personale me Profesorin duke kujtuar se ai ishte më shumë se një profesor – ishte një prind akademik, një udhëheqës i përkushtuar dhe një njeri që me mençurinë e tij i ndihmonte të tjerët të qëndronin të qetë dhe të drejtë në kohë të vështira.
Rrustemi Kryeziu: Lamtumirë profesor Xhevat – Një jetë në shërbim të dijes dhe brezave të rinj
Alltane Rrustemi Kryeziu, ish-studente dhe kolege e profesorit Xhevat, ka ndarë një mesazh prekës ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të këtij personaliteti të shquar të arsimit dhe shkencës.
“Të nderuar kolegë, miq, studentë e të afërm të profesorit Xhevat,” fillon ajo duke theksuar se profesori ishte një model i vërtetë i profesionalizmit dhe përkushtimit pa kushte ndaj dijes, studentëve dhe përparimit shkencor.
Në fjalët e saj përkujtimore, Rrustemi Kryeziu nënvizon trashëgiminë e çmuar që ai la pas – breza të tërë studentësh që sot janë vetë pedagogë, kërkues shkencorë dhe profesionistë të shquar në fusha të ndryshme.
“Me përulësi i kujtoj orët e gjata të ligjëratave të tij, ku çdo fjalë përcillte thellësi, pasion dhe përkushtim,” shprehet ajo duke kujtuar durimin dhe kujdesin me të cilin profesori udhëhiqte punimet shkencore, si dhe thjeshtësinë që e bënte aq të dashur për të gjithë.
Ajo thekson se përmes kujtimeve, veprës dhe shembullit të tij, profesori Xhevat do të vazhdojë të jetojë mes nesh duke falënderuar me mirënjohje të thellë familjen e tij që “na dhuruan një njeri të tillë.”
“U prefsh në paqe, profesor i dashur! Mirënjohja për Ty është e përjetshme,” përfundon mesazhin e saj Alltane Rrustemi Kryeziu.
Fetahu: Xhevat Domi ishte themeli i arsimit veterinar dhe figurë e rrallë e dijes në Kosovë
Prof. dr. Shukri Fetahu e përshkroi profesor Domin si një ndër figurat më të ndritura të shkencës veterinare dhe arsimit të lartë në Kosovë.
Sipas profesor Fetahut, ndarja nga jeta e Xhevat Domit përbën një humbje të madhe jo vetëm për familjen e tij dhe komunitetin akademik, por për gjithë shoqërinë kosovare. “Ai ishte një njeri me virtyte të larta, një mendje e ndritur dhe një profesionist i përkushtuar, që gjithmonë diti të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të inspirojë me punën e tij,” tha ai.
Profesor Fetahu theksoi se Domi ishte një nga themeluesit e studimeve të veterinarisë në Kosovë duke krijuar bazat e Departamentit të Mjekësisë Veterinare dhe duke qenë pjesë kyçe në themelimin e institucioneve arsimore dhe akademike në kohë të vështira. Ai ishte jo vetëm profesor, por edhe mentor dhe udhërrëfyes për shumë breza studentësh dhe kolegësh të rinj duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Në fund të fjalës së tij, profesor Fetahu propozoi që biblioteka e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të mbajë emrin e Prof. dr. Xhevat Domit, si një nderim i denjë për kontributin e tij të pazëvendësueshëm. “Ky do të ishte një simbolikë që do ta ruante kujtimin e tij gjallë në zemrën e këtij institucioni dhe do t’i frymëzonte gjeneratat e ardhshme drejt dijes dhe përkushtimit,” tha ai.
“Profesor Domi ishte më shumë se një pedagog – ai ishte një njeri vizionar, që punoi me përkushtim të rrallë për ngritjen e cilësisë në arsim dhe për zhvillimin e shkencës veterinare. Ai do të mbetet përherë një simbol i dijes, urtësisë dhe përkushtimit profesional,” përfundoi Fetahu.
“Bëhuni zot të vetvetes” – fjalët e të birit për profesor Xhevat Domin në përkujtim të jetës dhe veprës së tij
Në një fjalim prekës dhe plot krenari, Ilir Domi, djali i profesorit të ndjerë Xhevat Domi, falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në ceremoninë përkujtimore kushtuar babait të tij, një prej figurave më të respektuara të arsimit universitar në vend.
“Zonja dhe zotërinj, kolegë të profesorit, staf universitar, dashamirës dhe familjar, ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj në përkujtimin që i bëni profesorit dhe kolegut shumëvjeçar të juaj,” u shpreh ai.
Iliri ndau me të pranishmit jo vetëm figurën publike të babait të tij si profesor i përkushtuar, por edhe atë personale si prind dhe këshilltar jetësor. “Për dallim nga ju, e njoh edhe si babë,” tha ai duke kujtuar këshillën më të përsëritur të tij: “Çka do që të bëni në jetë, kryeni shkollën! Aftësohuni profesionalisht e mbi të gjitha, bëhuni zot të vetvetes.”
Sipas tij, kjo ishte edhe ideja që profesori mundohej gjithmonë t’ua përçonte studentëve: që të bëhen të zotët e vetes, të shoqërisë dhe të vendit të tyre.
Me emocion, ai tregoi se babai i tij ndjente gëzim të thellë kur studentët ia kalonin provimet, kur përparonin profesionalisht, dhe veçanërisht kur ngriheshin në karrierën akademike për t’u bërë kolegë të tij.
“Do ta kujtoj gjithmonë si të sinqertë, principe të drejta e të çelikta, disiplinë të pashembullt, profesionalist të mirëfilltë, tipare të gërshetuara në modestinë dhe ndershmërinë e tij,” përfundoi Ilir Domi duke e përshkruar të atin si një figurë që do të mbetet frymëzim për shumë breza të ardhshëm.