Mentor Ismet Ratkoceri (9.2.1978 – 26.5.1999)

Mentor Ismet Ratkoceri (9.2.1978 – 26.5.1999)

Dëshmori i kombit, Mentor Ismet Retkoceri, u lind më 9 shkurt të vitit 1978, në fshatin Lupç i Poshtëm, komuna e Besianës (ish-Podujevë). Deri në moshën 8-vjeçare jetoi në fshatin e tij të lindjes, ku edhe kreu klasën e parë. Klasën e dytë dhe shkollimin fillor e vazhdoi në shkollën “Dardania” të Prishtinës.
Në shkollimin e mesëm, ai u orientua në drejtimet teknike, ku dy vitet e para i kreu në drejtimin e gjeodezisë dhe dy vitet e tjera në drejtimin e komunikacionit rrugor, në SHMT “28 Nëntori” të Prishtinës.
Në në vitin akademik 1996/ 1997 u regjistrua në Fakultetin Filozofik, në degën Filozofi – Sociologji, të Universitetit të Prishtinës. Në protestat studentore të 1 tetorit 1997, Mentori ishte pjesëmarrës aktiv, sikurse edhe në protestat e mëvonshme popullore kundër shtypjes serbe. Kishte vënë kontakte edhe me organizimet e fshehta kombëtare, përmes kushëririt të vet, Baton Retkoceri, pjesëtar i LKÇK-ës, grupi i të cilit u arrestua gjatë vitit 1997.
Kontaktet e para me UÇK-në, Mentori i mori në mars të vitit 1998. Mentori furnizoi UÇK-në me armatim nga Kavaja për në Koshare, e nga Kosova Lindore për në ZOLL.
Në vitin 1998 filloi stërvitjet ushtarake për dy muaj rresht, së pari në Qerret të Kavajës e më pas në kazermat ushtarake të Kalimashit, duke vazhduar më pas më stërvitjen e disa ushtarëve të tjerë në Zonën Operative të Llapit. Mentori gjatë ushtrimeve në Shqipëri ishte edhe pjesëtar i Gardës Kombëtare “Skënderbeu”. Në ZOLL ishte skuadërkomandant i Njësitit për Ndërhyrje të Shpejtë “Komando 106”.
Si pjesëtar i UÇK-së, mori pjesë dhe u shqua në shumë beteja, si në kufirin Shqiptar – Shqiptar, pastaj në Konufeshc, Gegaj (ish – Dobratin), Bradash, në kufirin verior të kufizimit me Serbinë, në Llapashticës, Katunishtë, Buricë etj. Kah fundi i janarit 1999, Mentori me njësitin e tij u vendos në Majac ku uu zhvilluan luftime të ashpra me forcat serbe.
Në fillim të muajit prill të vitit 1999, u kërkuan përforcime nga pika e Kaçanollit, e cila ishte shumë pikë strategjike. Një pjesë e njësitit “Komando 106” vazhdoi të qëndrojë së bashku me komandën e Zonës, ndërsa pjesa tjetër shkoi në Kaqanoll. Mentori së bashku me shokët e njësitit të tij, luftoi pandërprerë në Kaqanoll, kundër forcave serbe, të cilat përdorën edhe helmet kimike.
Më pas Mentori, shkoi për Pollatë, ku ishte strehuar popullata civile prej rreth 15 mijë vetash. Më 24 maj 1999, Mentori me disa shokë të tjerë u urdhëruan të shkojnë në drejtim të fshatit Marincë, për mbrojtjen e kufirit. Më 26 maj 1999, Mentori me shokë u nis drejt fshatit kufitar, Fierishtë (ish-Sylevicë), ku u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet forcash të parabarta, me ç’rast Mentor Ratkoceri ra dëshmor i atdheut. Trupi i tij u tërhoq nga bashkëluftëtarët dhe më 27 maj, u varros pranë një qershie, aty ku ra..
Pas përfundimit të luftës, më 23 korrik 1999, u bë rivarrimi i trupit të Mentorit, në fshatin e tij të lindjes, Lupç i Poshtëm.
Mentori rrjedh nga një familje me traditë atdhetare, e cila ia ka dhënë UÇK-së 17 luftëtarë, duke përfshirë babain e tij, Ismetin, djalin e axhës, Artanin, i plagosur në Betejën e Llapashticës më 24 dhjetor 1998, Naim Retkocerin kushërir, i plagosur në betejën e Koshares e të tjerë.
Familjarët e dëshmorit Mentor Ratkoceri ia kanë ngritur përmendorenja në vendin e rënies, në Fierishtë.
Në fshatin e lindjes, në Lupç të Poshtëm, ku prehet trupi i dëshmorit, nga familjarët po ashtu është ngritur përmendorja e Mentorit. Figura e tij është skalitur në vepra të ndryshme skulpturore. Ai edhe vetë kishte pasur afinitet për skulpturë dhe për gdhendje në dru. Ka mbajtur edhe ditar gjatë luftës. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …