leoni

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 - 16.6.1998)

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 – 16.6.1998)

Dëshmori, Mentor Gashi, u lind më 1 maj të vitit 1978, në Plloçicë, komuna e Malishevës. Ai ishte djali i dytë i Xhemë Haxhi Bajraktarit dhe nipi i dëshmorit Tahir Topilla, bashkëluftëtarit dhe dhëndrit të Shaban Polluzhës, tani dëshmor i UÇK-së.
Mentori rininë e kaloi në Gllanasellë, te dajat e tij (dajë Enveri ishte i burgosur dy vite për Kosovën Republikë ndërsa daja tjetër, Sejdiu kishte dezertuar nga ushtria serbe dhe iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së).
Në shkurt të vitit 1998 ai fillimisht lajmërohet në fshatin e tij, në Plloqicë dhe merr përgjegjësi për të bërë roje në fshat, pastaj dërgohet në Likovc. Ai pa hezituar iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te eprori Mirush Daka, komandant “Korbi”, i cili edhe ia dhuron armën e tij personale, AAK 47 – kallashnikov. Ndërkohë e cakton në mbrojtjen e bregut të Kijevës. Duke qenë se nuk kishte uniforma të mjaftueshme, nëna e Mentorit, Ajshja, ia kishte qepur uniformën aq të dëshiruar të UÇK-së, të cilën e mbajti me dashuri e krenari të ligjshme deri në ditën e rënies.
Mentori ka marrë pjesë në aksionet si në Grykën e Dollacit, Kijevë, Plloçicë, Negroc, Cerovik. Ai ishte çdo herë dhe në çdo vend ku kriste pushka e lirisë. Së bashku me bashkëluftëtarët kishte sulmuar militarin serb, Millutinoviq, te Mulliri në Kijevë.
Pas shumë luftimesh kundër forcave serbe dhe një lufte të pabarabartë, Mentori bashkë me luftëtarët e tjerë, nisen për ta ngritur flamurin kuq e zi, në Kijevë, e cila asokohe ishte vënë nën rrethim të forcave të UÇK-së.
Më 16 qershor të vitit 1998, Mentor Gashi pasi që kishte arritur në shtëpinë ku donte ta vendoste flamurin kombëtar në shenj fitoreje, forcat serbe nga pozicioni i tyre kishin hapur zjarr mbi ushtarët e UÇK-së. Mentori, në ato çaste kishte mbetur i vetmuar në shtëpi, pasi nuk kishte arritur të larohej me shokët e tij.
Edhe pse kishte mb`etur i vetëm, nën rrethim, ai kishte luftuar me orë të tëra duke i shkaktuar armikut të vrarë e të plagosur.
Mentor Gashi më në fund, pasi iu kishte mbaruar municionin kishte rënë në altarin e Atdheut.
Forcat serbe e kishin marrë kufomën e tij dhe e hedhur në një pus të thellë sikur e siç ishte hedhur Shaban Polluzhën dhe djali i tij. Po ashtu në një push e kishin hedhur edhe Tahir Topillën i vrarë nga forcat serbe më 16 prill të vitit 1999.
Pas çlirimit dhe largimit të forcave serbe, nga bashkëluftëtarët dhe familjarët e tij trupi i Mentorit nxirret nga bunari dhe varroset në varrezat e dëshmorëve, në Malishevë.
Në Kijevë, te vendi i rënies është ngritur lapidari i dëshmorit, Mentor Gashi. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …