Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër është duke ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës lidhur me dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me 25 dhe 26 gusht të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.
Kjo Qeveri ka anashkaluar popullin, ka injoruar opozitën, shoqërinë civile dhe çdo institucion, duke u munduar t’ia imponojë Kosovës “Zajednicën’ dhe demarkacionin me Malin e Zi përmes diktaturës së numrave, shantazheve dhe kërcënimeve të deputetëve.
Thirrja e kryeparlamentarit për dialog mes pozitës dhe opozitës për t’i normalizuar këto marrëveshje të cilat cenojnë integritetin territorial dhe kushtetues të Kosovës, sovranitetin dhe vet qenien e Republikës është e papranueshme dhe si e tillë i kundërshtojmë fuqishëm. Qeveria duhet të reflektojë dhe të propozojë zgjidhje për të dalë nga kjo krizë. E, për këtë ka vetëm një zgjidhje, tërheqja e nënshkrimeve nga këto marrëveshje. Këto marrëveshje e shpien Kosovën drejt degradimit, ndarjes etnike dhe do të fuqizonin bandat kriminale, klanet e korruptuara me pasojë varfërimin më tej të popullit edhe ashtu të varfër.
Insistimi për mos tërheqjen e nënshkrimeve për “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi si dhe vasaliteti ndaj Serbisë, tregon qartë se si Qeveria e Kosovës është marrë peng nga politika serbe dhe se me sa devotshmëri po i shërbejnë Serbisë treshja: Isa Mustafa, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
Qeveria ka instaluar standarde të dyfishta sikur në kohën e aparteidit millosheviçian, ku aktivistët e opozitës burgosen, persekutohen dhe montohen prova kundër tyre si në kohën e Rankoviçit. Policia shtypi protestuesit shqiptar në Prishtinë, por jo edhe ata serbë në veri. Ministrin e Financave z. Hoti, përveç që e bllokuan dhe nuk e lanë të shkojë në pikën doganore, Policia e Kosovës as që tentoi t’i sigurojë atij rrugën për të kryer detyrën zyrtare, por edhe vetë Ministri u përkujdes që t’i arsyetonte bllokuesit e rrugës, sepse ishin serbë. Kjo Qeveri totalitare nuk po mund ta durojë vendosmërinë e opozitës së bashkuar për ta mbrojtur Republikën. Tendenca për të thirrur seanca të tjera parlamentare në këto kushte, vetëm sa do të tensionojë edhe më shumë situatën dhe do ta rrisin vendosmërinë e opozitës në rezistencën e saj kundër shtetit policor që është vënë plotësisht në funksion të mbrojtjes së “Zajednicës” dhe humbjes së mijëra hektarëve me Malin e Zi. Mërgata gjatë gjithë ekzistencës së organizimit të saj ishte faktor i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të atdheut. Edhe tani po vazhdon mobilizimin e saj për të kundërshtuar fuqishëm dhe pa kompromis “Zajednicën” dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Me 28 Nëntor, ora 14.00 na pret Sheshi “Zahir Pajaziti” për të shprehur përkrahjen tonë të fuqishme opozitës së bashkuar, në mbrojtje të Republikës.