Mërgimtari i njohur, Fatmir Nuhiqi, ka dhuruar një kamion multifunksional që do të shërbejë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Vitisë. Ky donacion vjen në vazhdën e mbështetjes së dhënë nga mërgimtarët për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë komunë, si dhe është një kontribut i rëndësishëm për sigurinë dhe higjienën e qytetarëve.
Kamioni multifunksional, i cili ka kapacitet të lartë dhe është i pajisur me teknologji moderne, do të përdoret për pastrimin e rrugëve gjatë çdo stine, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe për qytetarët e Vitisë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, falënderoi mërgimtarin Fatmir Nuhiqi për këtë kontribut të vyer dhe theksoi rëndësinë e ndihmës së mërgimtarëve për zhvillimin e qytetit. “Shprehim falënderimin tonë në emër të Institucioneve por edhe qytetarëve të komunës së Vitisë, për mërgimtarin Fatmir Nuhiqi, por edhe gjithë ata të cilët e ndihmojnë komunitetin dhe janë të gatshëm të kontribuojnë për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët tanë. Ky donacion do të na ndihmojë shumë në mbajtjen e rrugëve të pastra dhe në përmirësimin e infrastrukturës së komunës”, u shpreh kryetari Haliti.