Në mesazhin e Krishtlindjes, të pastorit, Driton Krasniqi thuhet: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij Të dashur vëllezër e motra Të nderuar qytetarë të Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, Jam i lumtur që bashkë me të gjithë ju edhe këtë vit mund ta festojmë Krishtlindjen. Është nder që në këtë kohë Krishtlindje t’u bashkohem qytetarëve të vendit tonë në festimin e rikthimit të shpresës e ngushëllimit dhe të forcimit të paqes, që Krishtlindja sjell. Kishat tona gjithandej Kosovës i kanë bërë përgatitjet e tyre për të mirëpritur qindra besimtarë e mysafirë në mesin tonë. Familjet në nevojë po shërbehen dhe fëmijëve po u kthehet buzëqeshja me anë të projektit të Dhuratës së Krishtlindjes që besimtarët po e bëjnë me shumë zell e dashuri. Krishtlindja padyshim paraqet ngjarjen me madhështore në historinë e civilizimeve – PERËNDIA MORI TRAJTË NJERËZORE. Mesazhi im në këtë Krishtlindje është jehona e lavdisë së turmave të engjëjve derisa botës ia kumtonin lajmin e mirë për lindjen e Shpëtimtarit të njerëzimit.
Kështu, në kohën e Krishtlindjes kujtojmë dhuratën e çmuar të Perëndisë për njerëzimin Birin e Tij Jezus Krisht i cili erdhi në kohën kur bota ishte e kapluar nga frika e dëshpërimi. Ardhja e Jezusit në tokë si njeri nga ne është shprehja e dhembshurisë së Krijuesit ndaj krijesës së vet njeriut duke e ndryshuar kështu një herë e përgjithmonë kursin e historisë së njerëzimit. Me Krishtlindjen shpresa e mposht dëshpërimin e dashuria fiton mbi urrejtjen dhe jeta e gjen kuptimin e vet e njeriu qëllimin e ekzistencës. Viti 2015 për shumëkënd mund të ketë qenë vit i suksesit e i begatisë. Për shumë të tjerë ka qenë vit i vuajtjeve. Shkalla e lartë e papunësisë e niveli i lartë i varfërisë ekstreme ka bërë që mijëra kosovarë, shpresën e humbur ta kërkojnë në botën Perëndimore.
U jam mirënjohës të gjithë të rinjve studentorë të kishave tona që kanë takuar gjithë këta njerëz duke i ngushëlluar dhe inkurajuar që të mos ikin se Kosova ka shpresë. Ndihma e kishave tona ka qenë dhe mbetet e pakursyer. Në këtë kohë të Krishtlindjes sjellim para Perëndinë në lutje edhe drejtuesit politikë e fetarë të këtij vendi. Lutemi që njerëzit të zgjedhin rrugën e drejtë e ta braktisin errësirën duke u bërë drejtues të përgjegjshëm në nivel të thirrjes. Lindjen e Krishtit besimtarët e përjetojnë në zemrat e tyre sepse ngjarja paraqet shumë më tepër se një aktivitet festiv – është gjendje e mendjes dhe mënyrë e jetesës. Me ardhjen e Zotit Jezus Krisht në botë i mishëruar si njëri, është hapur rruga për pajtim të njeriut me Krijuesin e vet. Ngjarja më e madhe që ka përshkuar ndonjëherë historinë njerëzore është kur Perëndia u mishërua. Në Fjalën e Perëndisë Biblën e shohim se lindja e Krishtit nuk ishte një ngjarje e zakonshme. Lindja e Jezusit ishte e mbinatyrshme. Qindra vite më parë profetë të ndryshëm kishin paralajmëruar ardhjen e Mesisë. Mesazhi i engjëjve për njerëzimin në natën e lindjes së Jezus Krishtit ishte një lajm i mirë për lindjen e Shpëtimtarit të botës. Turmat e engjëjve lëvdonin Perëndinë duke thënë: “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij” (Lluka 2:14). Vëllezër e motra, qytetarë të nderuar, Mesazhi i turmave të engjëjve derisa e kumtonin lajmin e mirë për lindjen e Shpëtimtarit të botës, ishte porosi e dyfishtë: Lavdimi i Perëndisë dhe paqe në tokë për njerëzit. Është vullnet i Perëndisë që të gjithë njerëzit të shpëtohen. Ai ia ka shtrirë dorën e pajtimit njeriut dhe në Jezusin është përmbushur gjithçka që nevojitet për pajtim. Pajtimi i njeriut me Perëndinë jo vetëm që ka efekt shpengues por ka edhe efekt paqësor në relacionin njeriu me njeriun. Mesazhi i Krishtlindjes është mesazh i paqes, pajtimit shpresës e shpëtimit.