Mexhid Yvejsi

Mexhid YVEJSI: Jeta, Ramazani dhe Kur’ani

“Të jesh i informuar në mënyrë adekuate,

do të thotë të jetosh në mënyrë efikase.”

Norbert Wiener, Babai i informatikës moderne.

A jeni të informuar në mënyrë adekuate? A jetoni në mënyrë efikase? Si duhet duhet të jetojmë? Këto janë pyetje filozofike. Filozofia bën pyetje të tilla.

    Filozofia merret me idetë për botën, idetë për njerëzit dhe idetë se si duhet jetuar. Qëllimi i filozofisë është të konceptojë pyetjet e duhura dhe jo të gjejë përgjigjet e sakta.

     Filozofia e vetme, e pranueshme, e cila i drejtohet “shpirtit” në hemisferën     perendimore është pragmatizmi. Pragmatizmi paraqet besimin se e vërteta është relative, ndryshon sipas llogarisë së fitimit ose humbjes. E vërteta matet me atë se sa kryen punë në praktikë. Çdo individ, thonë pragmatistët, të vërtetën e ndërton me veprat e tij duke pasur parasysh gjithmonë fitimin sa më të madh. Por, fitimi sa më i madh, jo rrallë, ju krijon probleme edhe më të mëdha…Fitimi sa më i madh ju sjellë shpesh humbje edhe më të mëdha…Absurdi i jetës…!

      Për individin, në këtë shoqëri, ka vetëm vetmi, mungesë, zbrazësi, mungesë vlerash, mungesë identiteti dhe dëshprim, që janë pjellë e kushteve njerëzore të shoqërisë materialiste perendimore. Një numër në rritje autorësh shpirtërorë e kritikojnë shoqërinë perëndimore për cektësi në përpjekjet për të shmangur problemet, vuajtjet dhe dhimbjet. Një prej tyre, Matew Fox-i (1983) komenton:

      “Sot në Amerikë…do të gëlltiten shtatëdhjetë e pesë milionë valiume…. Veç kësaj, rreth tridhjetë milionë njerëz do të nguliten përpara telenovelave; duket se kultura jonë nuk di të reagojë ndaj dhimbjes. Dhimbja ndeshet kudo- e thellë, e patregueshme, e pafundme, kozmike…”

       Kjo dhimbje e dhimbshme ndeshet kudo nëpër trojet shqiptare; vrasje, plaçkitje, krime, mashtrime, përdhunime, droga, prostitucioni, korrupcioni, ngujimi përpara telenovelave që përhapin pleh, bërllog, lufta për pushtet, pa shtet,…aman o Zot…! Absurdi jetës! Njeriu për ta rregulluar jetën e vet, të shoqërisë, dhe për të arritur lumturinë ka nevojë për besim në Krijuesin, All-llahun e Madhnueshëm, i Cili i drejtohet shpirtit të tij, e udhëzon atë kah mirësia e largon nga e ligësia dhe e frymëzon kah devotshmëria…. Njeriu për të shpëtuar duhet udhëzuar jo sipas mençurisë njerëzore, por në pajtim me këshillat Hyjnore. Meqë jemi në muajin e bekuar të Ramazanit, le të fillojmë me agjërimin. Ç’është agjërimi?

      All-llahu i Madhnueshëm iu drejtohet besimtarëve:

“O ju që keni besuar, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”

(Kur’an-i, 2:183)

     Po të kthehemi në histori do të gjejmë plotë dëshmi për agjërimin. Dëshmitë kryesore janë në Shkrimet e Shenjta Hyjnore.

      Në Besëlidhjen e Vjetër, në Librin e Levitikut, është ky urdhër:

”Ky ligj le të jetë për ju i pandryshueshëm: agjëroni e mos bëni asnjë punë…” (Besëlidhja e Vjetër, Levitiku, 16:29-31)

       Kurse në Besëlidhjen e Re, në Ungjillin sipas Mateut, shënohet Mësimi mbi Agjërimin, ku, ndër të tjera, shkruan,: “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët…” (Besëlidhja e Re, Mateu, 6:16)

      Për besimtarët myslimanë, agjërimi është bërë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, ose me 623, sipas kalendarit Gregorian, që të bëhemi të devotshëm.   Të devotshëm ka kuptimin: të kemi dashuri, nderim të thellë, të jemi të bindur dhe besnik deri në fund…

       Me devotshmëri rritet vetëdishmëria, shtohet ndjeshmëria. Këte e kuptojnë vetëm besimtarët dhe besimtaret, e kuptojnë të gjithë që n’emër të All-llahut agjërojnë. Besimtarët e devotshëm agjërojnë me gëzim, me kënaqësi, sepse e kuptojnë se agjërimi u ndihmon shumë jo vetëm në sferën shpirtërore, por edhe në anën fizike, trupore, dhe atë mendore.

      Ka nga ata ose ato që agjërojnë sa për të agjëruar, ka nga ata që agjërojnë për ta përjetuar. Agjërimi sa për të agjëruar nuk sjellë dobi, përveç se etje dhe uri. Agjërimi i përjetuar është vërtet i bekuar. I bekuar siç është edhe vet muaji i Ramazanit, muaj aq i madhëruar…Po, përse ky muaj është i bekuar, muaj aq i madhëruar? Po, përse ky muaj është caktuar për të agjëruar? Krijuesi i Gjithësisë e zgjodhi këtë muaj për të mirën e njerëzisë, sepse:

     “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të shpallet) Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe shqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga rrena, mashtrimi.) (Kur’an-i, 2:185)

      Kur’an-i është Fjala e All-llahut që i është shpallur, zbuluar, frymëzuar, Muhammedit (a.s.), nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Ruhul Kudus. Kjo shpallje, pra, ka filluar në këtë muaj të bekuar. Ky muaj’i bekuar, i madhëruar, i shenjtëruar, është caktuar si muaj’i agjërimit sepse është muaj’i shpërblimit.        Ramazani është muaj’i zbulesës, i qëndresës, i shpresës. Është muaj’i mirësive, i begative i fshehtësive. Ramazani është muaji’i barazisë, i afërsisë, i pjekurisë, i gjallërisë. Është muaj’i vështirësive, i lehtësive, i befasive. Ramazani është muaj’i vlerave superiore, muaj’ që sjellë fitore, muaj’i Mëshirës Hyjnore, muaji kur bleron pranvera shpirtërore, muaji’i Zbulesës Hyjnore…

     Zbulesa Hyjnore-Kur’ani i Madhëruar është Libri i Librave, Libër i Shenjtëruar; është Libri më i lexuari, më i kërkuari, më i nderuari.

     Kur’an-i është Libër përkujtues, shqarues, udhëzues, dallues, shërues, bekues, është Libër mëshirues. Kur’an-i është Libër plotë dituri, është Libër plotë urtësi. Dituria dhe urtësia e Tij s’ka të sosur, sepse Kur’ani është Libër i përsosur.

      Kur’an-i është Dritë nga Drita e cila është përmbi çdo Dritë… Ramazani është hapi i parë për sigurimin e nevojave shpirtërore, ndërsa Kur’an- i është kushtetuta më thelbësore për t’u informuar në mënyrë adekuate, për të jetuar në mënyrë efikase… Kur e pyetën Albert Ajnshtajnin (1879-1955), shkenctarin më të madh të shekullit të kaluar, se cili është kuptimi i jetës njerëzore..? Ai tha: “ Përgjigjja e kësaj pyetje kërkon një fe…”

     Shumica e kombit shqiptar, rreth nëntëdhjetë përqind, e zgjodhën një fe, fenë Islame. Shekuj më parë, kur shqiptarët u Islamizuan-atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan…

     Sot, nga të gjitha anët, mbrenda e jashtë trojeve shqiptare, feja Islame, e cila na shpëtojë, e cila është mburojë, akuzohet me shpifje, fyhet, pengohet, sulmohet nga armiqë të lloj-llojshëm. Por, me gjithë këtë, fakti se ka armiqë tregon mjaft qartë se ka merita. Besimtarët me shembullin e tyre i bindin edhe të tjerët në vërtetësinë e besimit të pastër, të vërtetë, me qëndrueshmëri, besnikëri, me devotshmëri… Këte më së miri e dëshmon jeta, e dëshmon Ramazani, e dëshmon Kur’ani…Lavdi Zotit!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …