Mexhid Yvejsi: Krimet nuk vjetërohen, në kujtim të zhvillimeve, qershor-korrik 1981, në Gjakovë

Të gjitha ngjarjet e Pranverës Shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars, prill dhe maj 1981 u zhvilluan në errësirë të plotë mediatike. Media të huaja nuk u lejuan të vizitonin Kosovën dhe qëndrimet zyrtare të Beogradit e të Prishtinës zvogëlonin në minimum shkallën e vërtetësisë mbi ngjarjet dhe pasojat e shkaktuara nga demonstratat.  Demonstratat e vitit 1981 u pasqyruan me vështirësi si gjatë zhvillimit të tyre, po ashtu edhe më vonë, nga shtypi ilegal në Kosovë dhe shtypi zyrtar i Tiranës, i Prishtinës në kontekst negativ…Në Gjakovë, ngjarjet e Pranverës Shqiptare, nuk u kufizuan në muajt mars, prill dhe maj 1981, por ato vazhduan edhe gjatë muajve qershor-korrik 1981. Me rastin e 30 vjetorit të këtyre ngjarje, 1981-2011, këtu në vazhdim po sjellim disa kujtime, dëshmi, shënime, të cilat  duhet duhet të përkujtohen, sepse krimet nuk vjetrohen…


Në këto kujtime, dëshmi, shënime të Prof. Ruzhdi SEFA, dr.sci. përmenden shumë armiqë me emra, por, siç ka thënë, ish-Kryetari i SHBA, Xhon Kenedi, siç ka lënë porosi të madhe, kur tha:
“Armiqtë duhet t’i falni, por kurrë të mos ua harroni emrat…!”
  Qershor 1981, në Gjakovë sikurse edhe në shumë vende të Kosovës , erdhën përforcime ushtarake  e policore nga qendrat tjera të Jugosllave,si përforcime me qëllim të shtimit të masave represive të popullatës në Kosovë. Në Gjakovë u vendosën në objekte ushtarake por edhe  me tenda në Shkugëz.  Qëllimi dihej e format ishin nga ato të projektit të Qubrilloviçit dhe Andriçit, të Akademisë së Shkencave të Serbisë. Filluan  me provokimet dhe bezdisjet e popullit,  duke patur për shënjestër  sidomon vend-takimet e të rinjëve, nëpër lokale të ndryshme, ambëltore, shetitore etj.


 Njeri nga protagonistët e ngjarjeve të asaj kohe është edhe Esat Ahma- Cati (1954). Sa herë udhtonim në relacionin Gjakovë-Prishtinë e anasjelltas  gjatë kohës kur unë isha në detyrën e Sekretarit Permanent e ai vozitës i kujtonim ditët e kaluara në burgjet e Jugosllavisë. Ai, edhepse kishin  kaluar vite, i kujtonte dhe edhe tashti i kujton  si sot ngjarjet e para 30- viteve. Ai  do të na  përshkruajë  një ngjarje të vërtetë që ka  përjetuar para se  edhe vet ta pësonte me burgosje. 


“Më 2 Korrik 1981 si shumë të rinj kisha dalë në mbrëmje. Unë isha në hotelin “Pashtrik”, duke shfrytëzuar telefonin në  recepcionin e hotelit  , kur një person civil serb më rrëmbeu kufjen e telefonit nga dora dhe më  zë të prerë me urdhërojë : “Lëshoje telefonin !”. Unë e shtyva me forcë dhe i shkëmbyem disa fjalë jo të këndshme. Shpresova se u krye me kaq por jo ! Të nesërmen erdhi policia në shtëpi dhe më morrën në Sekretariatinë e Punëve të Brendshme. Kur shkova atje më përplasen akuzen se  jam  fjalosur me kapitenin  e Armatës Popullore të Jugosllavisë! Unë reagova duke deklaruar  se kam këmbyer disa fjalë por jo me ushtarak por  me një civil (!?). Në  ndërkohë erdhi një ushtarak  që u prezentuar si kapiten i klasit  të parë, Lates Mirko! Ai hudhi akuza kundër meje duke mos u kursye  por pa asnjë argument dhe  pa kurrfarë arsye. Më dërguan në Gjykatën për Kundërvajtje, më procedurë të shpejtë me dënuan me 15 ditë burg. Këtë e bëri  gjykatësja Drita Bunjaku. Në Burgun e Qarkut në Pejë u takova  me shumë qytetarë të Gjakovë por edhe me professorin Shefqet Canhasin.


Më 26 Korrik 1981 ditën kur  u mbajtën Garat tradicionale të kërcimeve  nga Ura e Fshejt në Dri, ku si zakonisht  morrën pjesë garues nga e gjithë Kosova dhe më gjerë. Ishte ditë e diel, të rinjët kishin përfunduar shkollën e studentët ishin këthyer nëpër shtëpi  dhe si zakonisht në mbrëmje, u bë një  shetitje masive në Korzo të Qytetit . Ishte gjallëri , ishte atmosferë e këndshme  dhe plotë jetë  Vazhdojë kështu  deri në orën 20.15, kur  u vërejten provokimet dhe ngacmimet   e qëllimshme të   pjesëtarëve të Ushtrisë Jugosllave në vëllezërit dhe motrat tona. Unë  edhe atë natë isha para Hotelit,  së bashku me shokët në mesin e tyre  edhe Fuat Lyta dhe Ahmet Babalia. I vërejtem se numër i ushtarëve, si me e zbatuar ndonjë urdhër,  dilnin nga Hoteli në grupe- grupe. I përcollem me shiqime dhe u pa se ushtarët nga  këto grupacione filluan   të provokonin e të shpeshtohën  ekceset, të cilat zhvilloheshin në mënyrë të organizuar. Ushtarët  ishin të armatosur me armë të llojeve të gjata.


Ndaj këtyre  provokimeve reagoi rinia gjakovare, në mbrojtje të nderit të motrave tona . Në  ndërkohë   dy ushtarë erdhën nga drejtimi i semaforëve  në Qendër të Korzos dhe po i raportonin  “mikut” tim tashmë të njohur : kapitenit Mirko Lates me të cilin  kisha pasur atë konfliktin në recepcionin e Hotelit “Pashtrik”, e për të cilin konflikt edhe e kisha vuajtur dënimin me burg. Ai edhe atë natë  ishte me rroba civile, të cilin unë e njihja  edhe me rroba civile edhe ato ushtarake . Unë atë e përcillja : Pas raportimit të këtyre dy ushtarëve, hyri në oborrin e hotelit, nxorri revolen dhe e mbushi me plumba, dhe u nis  menjëherë në drejtim të masës së qytetarëve dhe filloi të shtinte me armen. Me këtë rast u plagosën dy të rinjë : Nesemi Zenel Dana dhe Malush Abrashi. Pasi u derdh gjaku i këtyre dy të rinjëve masa e njerëzve e  revoltuar  duarëthatë fillojë  të përleshej me ushtarët !


Të nesërmen shkova në SPB për të dëshmuar realitetin si qytetar i lirë. Kur e përshkrova se si e çka kishte ndodhur ,  nga  zyrtarët udhëheqës të SPB-së u falemnderova për dëshminë e saktë që dhashë. E ndieva vetin të lehtësuar ngase kreva një obligim qytetar ! Me këtë  deklaratë u tregua e vërteta si e kisha pa unë dhe shumë nga qytetarët e Gjakovës që atë natë ishin në shetitore.  Deklarata  ishte  argument që dëshmoi për pafajsinë e popullatës gjakovare. Dhe si e tillë nga ana e zyrtarëve  dhe udhëheqsve të atëhershëm të qytetit  në SPB,  në Komitin Komunal  të LKJ , në Kuvendin Komunal, të cilët u përballën  me Shtabin e Armatës Jugosllave .


Këtu Cati ndaloi, ofshani  dhe mbi bisedë ra një heshtja e mortit. Pastaj vazhdojë me rrëfimin e  ngjarjës së asaj kohe.


I NDJERI NESIMI DANA, NGA BEOGRADI NË GJAKOVË I NDËRROI KATËR MAKINA, DERI NË SHTËPINË E VET.


“Pas tre ditëve u  hapë lajmi se shëndeti i të plagosurve po përkeqësohej ; Nesimiut ju keqësua  së tepërmi  gjendja shëndetësore. Prandaj edhe e dërguan,  dhe atë me helikopter, në Beograd. Por, ai fatkeqësisht vdiq! Udhëheqja  komunale kishte vëndosur që Hajdar Haxhikadria, Dr.Xhafer Xhiha, si dhe babai i të ndjerit, Zenel Dervishdana të udhëtonin për në Beograd për të  marr kufomën  . Unë  u urdhërova personalishtë  nga drejtori im, Fatmir Rexha, që me makinën e Industrisë së Pambukut “E. Duraku” të shkonim për në Beograd për kufomën. Kur arritëm në Beograd, makina  për bartjen e kufomës nga Gjakova  e Ndërmarrjës Publike “Çabrati “ tashma kishte arrijtur para Spitalit Ushtarak Në kthim, kur i kishim kaluar vetëm 70 km. nga Beogradi,   makina e “Çabrati”-t u defektua …. Mua m’u desh të kthehem përsëri në Spitalin Ushtarak që të kërkoja një makinë tjetër për bartjen e kufomës. Kërkuam ndihmë dhe nuk vonoi, erdhi një makinë ushtarake. E sistemuam kufomën në makinën ushtarake dhe vazhduam drejtë Kosovës dhe e vazhduam rrugën për në Gjakovë. Në afërsi të hotelit në Merdare (kufiri Serbi-Kosovë), na ndaluan dy patrolla të pjesëtarëve    Milicisë së  Kosovës me dy makina “Mercedes” , me targa  të policisë jugosllave.


 Kur na  ndaluan më thanë se kanë urdhër nga kryeshefi i policisë, Mehmet Maliqi, që patjetër të shkojmë deri në Prishtinë në zyrën e shefit, dhe na urdhëruan t’i ndjekim makinat e tyre. Dy makinat policore na përcillnin. Njëra qëndronte përpara, kurse tjetra prapa, deri në Prishtinë, ku arritëm diku në orët e mesnatës. Makinat i lam në oborrin e policisë. Neve na përcollen  në katin  e tretë të ndërtesës së policisë, ku ndodhej shefi – Mehmet Maliqi , atëbotë i pari i SPB të Kosovës. Kërkohej  për të biseduar rreth çështjes së varrimit të të ndjerit Nesimi Dervishdana.


Ishim unë, Zenel Dana, dr. Xhafer Xhiha dhe Hajdar Haxhikadria në zyrën e Mehmet Maliqit. Na dhanë nga një kafe dhe për afro dy orë u munduan ta bindnin Babën Zenel që ta varroste kufomën e djalit të tij, Nesemisë, natën dhe pa prezencën e qytetarëve.


Kurse Baba Zenel nuk pranoi në asnjë mënyrë që kjo të bëhet ashtu siç i thuhej. Baba Zenel tha: ”Edhe me dashtë unë ta boj këtë punë, nuk më lëjojnë njerëzit dhe antarët e Teqesë, që të mos i respektoj traditat dhe zakonet shqiptare”. Mehmet Maliqi vazhdimisht komunikonte me bazën në Beograd, ku raportonte për mosbindjen e Babës Zenel, që varrimi të kryhej sipas porosive të zyrtarëve jugosllavë.  Në fund, Mehmet Maliqi dhe bashkëpunëtorët e tij, prej të cilëve dy ishin serbë dhe tre shqiptarë, filluan ta merrnin Babën Zenel me fjalë të buta dhe me dredhi, por kur e panë që nuk po pranonte kurrsesi ta varroste djalin e tij pa prezencën e qytetarëve, e ndryshoi kërkesën, duke e lutur Babën Zenel të ndikonte te antarët e Teqesë dhe në popullin e Gjakovës që të mos ndodhte ndonjë gjë tragjike.


Baba Zenel ju përgjigj: “Unë do të mundohem ta qetësojë më së pari familjes time. Myhybët e edhe dashamirët e mi do të angazhohen poashtu për të mos ndodhur ndonjë gjë   e keqe” – u përgjigj Baba Zenel.


Para se të niseshim mga Prishtina për në Gjakovë,  makina me kufomën prapë u ndërrua : nga makina e Ushtrisë Jugosllave në makinën e Milicisë së Kosovës . Kështu udhëtuam deri në Gjakovë .Nga Prishtina, në hyrje të Gjakovës, arritëm në orën 3 të mëngjesit, ku te Bodrumi i verës së KBI “Ereniku” u ndaluam nga Milicia e Gjakovës, me komandant Mustafë Pulanin në krye. Na urdhëruan të vendosnim arkivolin në makinën e zjarrfikësve që të mos vërehej nga popullata e qytetit  dhe kufoma është bartur me makinën e zjarrëfikësve deri në shtëpinë e të ndjerit.


 


Të nesërmen, me 29.07.1981,  kortezhi funeral  u nis nga shtëpia e të ndjerit, Nesimi Dervishdana për në varrezat familjare në Tyrben e Dervishdanës, në fshatin Duzhnje, ku sikurse e dinë të gjithë në varrim morrën pjesë mijëra qytetarë jo vetëm nga Gjakova por edhe nga e gjithë Kosova. Edhe varrimi i tij u bë me shumë nderime e respekt. U mbajt edhe një fjalim rasti nga Prof.Bardhyl Qaushi.”


Pas varrimit, strukturat politiko-shoqërore të qytetit, të prirë nga anëtarët e  Komitetit Komunal  të LKJ të Gjakovës, me në  krye Arsim Blytën, filloi propaganda nëpër mese të punës e tjera, si në  fabrika dhe tubime të partisë  me porosinë se  Ushtria Jugosllave qenka e pafajshme dhe këtu fajsohej populli se ishte sjellur me arrogancë ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Jugosllave. Shigjeta helmatisëse e kritikat vinin edhe  drejtpërdrejtë nga Beogradi, nga antarët e Lidhjës Komuniste Jugosllave.


Esati përsëri u ba i heshtur. Sikur e dinte se pyetja tjeter do ta kthente në kalvarin e ngjarjeve e viteve në vazhdimin e  “jetës” së tij të mëtejme.


Me 10 Gusht 1981, në Gjakovë  erdhën përfaqësues të Gjykatës Ushtarake të U.J. që të fajësojnë popullin e Gjakovës për atë që kishte ndodhur, dhe gjithësesi se  e kishin lexuar deklaratën time dhënë në SPB me  27. Korrik . Në “bisedë informative” (pyetje) më morri   një kapiten i klasit të parë. Aty ishin prezent edhe dy civilë, njëri serb e tjetri shqiptar nga KOS-i, të cilëve u kishte bërë përshtypje deklarata ime sepse aty ishte i cekur vrasësi i Nesimiut, pra, Lates Mirko. Ata nuk mund të pranonin realitetin, ta “gëlltitnin “ këtë dhe filluan të ma hedhnin poshtë dëshminë time, duke e gjykuar atë të pabazë dhe m’u kërcënuan me fjalët: ”Nuk ishin asgjë ato 15 ditë burgu që i ke mbajtur, në krahasim me burgimin që do të pësosh tani”. Mirëpo, unë u përgjigja se edhe ato ditë të burgosjes sime ishin pa fajin tim.


Ai më akuzoi se unë gjoja e paskam sulmuar sërish  atë mbrëmje Lates Mirkon dhe unë e hodha poshtë akuzën e tij, duke dëshmuar se ai nuk më kishte parë fare natën 26 Korrikut 1981. Përndryshe, po të më kishte parë, ai do të më denonconte menjëherë, e jo pas një muaji, ngase na atëbotë “njiheshim” mirë !


Më 20 Gusht 1981 MË ERDHI TELEGRAMI NGA Gjykata Ushtarake e Nishit, me kërkesë që më 24 Gusht 1981 të shkoja në Gjykatë në orën 09.00. Në thirrje shënonte se ftohesha  si dëshmitar. Telegramin ia tregova drejtorit tim, Fatmir Rexhës, meqë isha vozitësi i tij. Ai më udhëzoi të shkoja me makinën zyrtare të fabrikës që të kryeja edhe disa angazhime për  fabrikën dhe më pas të paraqitesha në Gjykatë. Me mua zyrtarisht ishin edhe Dr.Ali Iljazi dhe Ismet Kusari. Më 24 Gusht 1981 u paraqita në Gjykatën Ushtarake të Nishit, në dhomën nr.3, ku të pranishëm ishin Prokurori dhe po ai Kapiteni Mirko Lates , i cili porsa hyri në zyrën e Prokurorisë, më akuzoi që e kam sulmuar edhe në natën e 26 Korrikut 1981.(!?)


Unë kategorikisht e mohova akuzën, sepse kjo ishte kurdisje dhe shpifje. Gjithashtu shtova se unë kam qenë dëshmitar i tërë ngjarjes së 26 Korrikut 1981, duke përfshirë edhe veprimet që i bëri vet Lates Mirko. Pas pak ditësh, gjykatësi lëshojë një vendim  për para burgosjen time me qëllim që të zhvillohen   hetimet e mëtejme. Pas paraburgimit tim tremujor, filloi edhe gjykimi ndaj meje dhe dy bashkëqytetarët :  Selim Zhubit dhe Afrim Qerimit.


 Gjatë gjykimit, shihej qartas se ky gjykim ishte krejtësisht politik dhe I montuar. Avokat mbrojtës iSelim Zhubit ishte Adem Bajri, për mbrojtjen e  Afrim Qerimin ishte angazhuar  avokati Teki Bokshi, ndërsa për mua familja kishte angazhuar Gajo Vuloviçin, avokat malazez nga Peja.


Avokatët kërkuan që të thirreshin  dëshmitarët nga Gjakova, të cilët ishin të shumtë, por, me vendim të Gjykatës, u lejuan vetëm pesë dëshmitar: Dr.Riza Binishi, i cili dëshmoi për llojin e plagosjes dhe operimin e të plagosurit-Malush Abrashit. Për këtë deklaratë, doktorit iu kërcënuan me burgosje, kurse dëshmitarët tjerë ishin: Gazmend Stavileci, Ahmet Babalia, Fuat Lyta, të cilët edhepse dëshmuan të vërtetën, dëshmitë e tyre nuk u morrën për bazë.


Avokati im Gajo Vuloviç u mundua të më bindte ta ndryshoja deklaratën time parësore , pasi që sipas tij   mbi bazë të kësaj deklarate më priste një dënim prej 5-20 vjet burgim I rëndë, sipas   LPJ neni 123-pika 1 dhe pika 2. Por isha këmbëngulës në mospranimin  e këtij kompromisi për mua  të turpshëm dhe të papranueshëm.


Gjykata vendosi sipas direktivave të Beogradit dhe na dënoi me denime drakonike. Që të gjithë u shpallëm fajtorë nga kjo Gjykate dhe u dënuam : 7 vite burgim të rëndë për Selim Zhubin, 6.5 vite burgim për mua dhe 5.5 vite burgim të rëndë për Afrim Qerimin, si dhe u dënua në mungesë edhe Malush Abrashi dhe i ndjeri Nesimi Dervishdana.  


Avokatët tanë i parashtruan ankesa Gjykatës Supreme në Beograd për padrejtësitë e bëra gjatë gjykimit në Nish dhe si përgjigje morrëm vëndimin e ri ashtu  që të tre u denuam me nga 5 vite burgim. Pra, kjo ishte drejtësia jugosllave, ndërkohë që kriminelët dhe vrasësit u dekoruan dhe u avancuan.


Mua më transferuan nga Burgu Ushtarak në në burgun civil të Nishit, ku edhe takova me shumë të burgosur të ndërgjegjës nga Kosova.Në mesin e tyre aty vuajta dënimin edhe me  Murteza Nurën, Mr.Muhamet Rugovën, Berat Luzhën e shumë të tjerë. Pas tre vjet burgimi, edukatori i burgut  më “udhëzoi” që të bëja një kërkesë për zbutjen e dënimit, por unë nuk pranova, sepse me këtë do të pranoja fajin, gjë që binte në kundërshtim me bindjet e mia politike dhe morale.


Edhe vet edukatori më mirëkuptonte ngase e dinte të vërtetën, por ishte i detyruar të zbatonte urdhërat e eprorëve të vet. Kështu edhe u shpreh! Kështu I kalova ditët në burg nga 24.08.1981- e deri me 24.08.1986.


 


                                                                               


KËSHILLIT PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË NJERIUT


                                                                                                                                                                PRISHTINË


Në lidhje me apelin e titullit për kompletimin e dokumentacionit dhe fakteve për krimet kundër popullit shqiptar (duke mos mundur pa thënë se ate ka qenë dashur me e berë para se gjithash Shoqata e Juristëve dhe Avokatëve të Kosovës, ngase profesionalisht janë të thirrur për këtë) po iu dërgoj një material që pandehë se është me interes për Këshillin.


Në lidhje me krimin e planifikuar, të realizuar dhe të mfshehur, të kryer kundër qytetarëve të Gjakovës më 26.07.81, nga ana e pjesëtarëve të Armatës  Popullore të Jugoslavisë ( APJ) të bëhet fletëparaqitje kundër:


1.       HINKO  ROT  komandant I njësitit në kazermën ushtarake “E.Duraku”


2.      MIERKO LATES – kapiten  I ardhur si përforcim në kazermën e përmendur;


3.      NEVEN VIDAS – udhëheqës I patrullës ushtarake të armatosur;


4.      MILOJKO  JELINA – udhëheqës I patrullës ushtarake të armatosur;


5.                         VOJVODIQ – kapiten


6.      ZHIVOJIN NIKOLIQ – nga Prishtina, rr.”Durmitori”, nr.30;


7.      GORAN FURUNXHIQ – toger


8.      SASHA LAZOVIQ – pjesëtar I patrullës ushtarake të armatosur;


9.      DIMITAR CVETANOVIQ –               -“-


10.   RATKO SOLAR –                               -“-


11.   MIOGRAD MARIQ –                        -“-


12.   DRAGAN KRISTIQ –                         -“-


13.   PREDRAG RADAK –                          -“-


14.   STANKO PETROVIQ –                      -“-


15.   PREDRAG PETKOVIQ – toger në PU 4445/53


 


Të përmendurit, kush më shumë e kush më pak, kanë kryer përgaditjet dhe kanë marrë të gjitha masat (varësisht nga funksioni dhe detyrat që I kanë pasur) për inskenimin e zënkave në mes të qytetarëve në një anë dhe pjesëtarëve të armatës në anën tjetër, ashtu që në shëtitoren e qytetit, ku zakonisht tuboheshin të rinjtë në masë të madhe, për disa netë rradhazi i kanë provokuar me fjalë e me gjeste të rinjtë, e veçmas femrat kanë parapërgatitur patrulla të posaçme të ushtarëve të armatosur, dhe atë me armë që nuk bien në grupin e armëve për mbrojtje personale, por janë armë lufte (pushkë automatike, automatikë) dhe u kanë dhënë instruksione për veprim dhe lëvizje nëpër pjesët e qytetit ku ka më shumë njerëz dhe lëvizje – të gjitha këto të kurorëzuara me sulmin me armë, në mesin e shetitësve (mbi 1000 veta), në natën e 26.07.81, në orën 20:30, në qendër të qytetit (në “Korzo të Gjakovës”) me c’rast vrahet nga plumbat NESIMI ZENEL DANA nga Gjakova dhe plagosë rëndë MALUSH SAHIT ABRASHI nga Gjakova, e me lëndime të lehta “kalojnë” shumë qytetarë tjerë. Nga plumbat e armëve ushtarake esemiu vdes menjëherë, kurse Malushi gjat kohë  shërohet, por megjithatë mbetet invalid (qalon me këmbën e majtë) dhe ndiqet penalisht, andaj shtrëngohet ta braktisë vendin dhe tani ndodhet në Zvicër si azilant politik.


Në Gjakovë, gjegjësisht në kazermën e këtushme, nuk ka patur organe të policisë ushtarake dhe me qëllime të caktuara formohen më shumë patrulla të armatosura. Prezenca e disa qindra njerëzve – shëtitës , të cilët në aktakuzë dhe në aktgjykim identifikohen si “masë nacionaliste” shfrytëzohet për inskenimin e kinse sulmit mbi ushtarët dhe masa sulmohet me armë zjarri. Falë gjakftoftësisë dhe të  përmbajturit e masës, sulmi përfundon “vetëm” me këto pasoja, përndryshe ato kanë mundur të jenë shumë më tragjike.


Ushtarakët dhe personat tjerë të përmendur janë bashkëpjesëmarrës edhe në fshehjen e veprimeve inkriminuese, duke montuar procesin politik kundër tre qytetarëve të pafajshëm të Gjakovës, të cilët akuzohen për kinse veprime kundër ushtarëve dhe oficerëve, dhe atë për dhunë nga motive armiqësore kundër RSFJ nga neni 123 par.1 I LPJ.


Me aktvendimin e Gjykatës Ushtarake të Nishit IK nr.139/81 të 18.12.81, këta (SELIM ZHUBI, AFRIM QERIMI, ESAT AHMA) edhepse persona jashtë APJ-së (e në gjendje paqeje) dënohen me nga shtatë (7), pesë (5) dhe gjashtë vite e gjysëm (6.5) burgim, ndërsa nga Gjykata Supreme Ushtarake në Beograd, me aktgjykimin IIK nr.45/82 të 06.04.82, dënohen me nga pesë (5) vite dënimi  këto që I vuajnë deri në fund.


Në bazë të deklaratave të dëshmitarëve të ngjarjes, të dhëna gojarisht (Gazmend Stavileci, inxh. i diplomuar; Luan Vokshi, jur. i diplomuar; Fatmir Rudi, jur. i diplomuar; Fuat Lyta, vozitës; Ahmet Babalia, etj. dhe të dënuarve  Esat Ahma e Afrim Qerimi), ushtarët, të cilët kanë shkaktuar zënka, kanë qenë në grupe dhe në gjendje të dehur. Natën kritike, ata, nga Hotel “Pashtriku”, që gjendet në afërsi të shetitores, ku janë dehur me alkool dhe me muzikë serbe nga një shoqëri muzikore serbe, kanë dalur në grupe dhe në tri drejtime, ashtu që janë infiltruar drejtpërdrejtë në masën e atyre që shëtiteshin. Kur njëri prej grupeve ia arrinë qëllimit të provokojë grupin e të rinjëve, një ushtar I grupit kthehet në hotel, prej nga dalin patrullat ushtarake të armatosura dhe drejtohen në masë. Atyre iu prinë kap. kl.I, Lates Mirko (në rroba civile), toger Goran Furunxhiç dhe dhjetari Milojko Jelina. Pasi pjesëtarët e Armatës shtijnë me armë në popull, masa shpërndahet, mirëpo kur shohin se nga rafali bien përdhe dy të rinjë, kthehen dhe drejtohen nga ushtarët. Në këtë moment ndërhynë milicia lokale dhe masa shpërndahet. Ushtarët dhe eprorët e tyre rreshtohen dhe duke kënduar e marshuar me hapin ushtarak drejtohen kah kazermat e qytetit.


Shënimet për të dhënat në këtë fletëparaqitje janë marrë nga aktgjykimet e shënuara; nga shënimet në dorëshkrim të avokatit Gavrilo (Gaja)  Vuleviç (mbrojtës i të dënuarit Esat Ahma) dhe nga vendimi i Gjykatës Komunale për kundërvajtje në Gjakovë, nr. I-365/81.


 


30.10.92      Mr.sci.Ruzhdi Sefa,  Rr.”Tefik Çanga”-8Gjakovë


 Ad.-Vendimi nr. I-365/81


Aktgjykimet IK nr.139/81 dhe IIK nr.45/82   


 Përgatiti:


Mexhid Yvejsi, Gjakovë

Kontrolloni gjithashtu

Limaj

Fatmir Limaj: Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, institucionet duhet të formohen përmes marrëveshjeve politike

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për formimin …