Historia e poezisë është e gjatë sikur edhe vetë njeriu… Njeriu e filloi kohën e shkrimit me numrat e mandej shkrimet e tjera me germa në formë të pykave (shkrimi kuneiform). Nga artet, poezia gjendet e shkruar e para, pikërisht mbi monolite. Këto shkrime datojnë prej para 3000-5000 vjetësh. Sot dihet me siguri se poezia më e lashtë e zbuluar është poema epike, që flet për historinë e mbretit Gilgamesh (Epopeja e Gilgameshit), e shkruar mbi rrasa argjili. Në Kinën e lashtë, kemi Shi jing-un (Kanuni i poemave), libër ky i shenjtë i poezisë. Praktikisht janë pesë Jing-ë, të cilët lidhen drejtpërsëdrejti me Konfuçin. Në Poetikën e vet, Aristoteli e ndan poezinë në tri lloje: epikë, tragjedi dhe komedi.
LETËRSIA E BEJTEXHINJVE – BEJTEXHINJTË SHQIPTARË
Në fillim të shekullit XVIII-t në trojet shqiptare lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare me tipare tepër origjinale për vendin tonë, rryma e bejtexhinjve. Letërsia e bejtexhinjve u bë dukuri e rëndësishme dhe pati përhapje shumë të gjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Kosovë, por edhe në qendra më të vogla fetare e më pak në fshat. Natyrisht, krijimtaria poetike e bejtexhinjve ruan ndikimin e poezisë e të kulturës orientale, por ajo është pjesë e pandarë e kulturës së popullit tonë. Ajo është shprehje e talentit, e shpirtit krijues të tij, që, në kushte të caktuara, fitoi edhe tipare në përputhje me to.
Bejtexhinjtë shqiptarë shkruan shqipen me alfabet arab dhe kanë përdorur edhe fjalë osmane, turke, persiane e arabe.
Bejtexhinjtë shqiptarë janë të parët që shkruan letërsi laike në trojet shqiptare në Ballkan, madje ndonjëherë edhe satira sociale, çka nuk është pak, po të kihet parasysh se deriatëherë shkrimet letrare tek katolikët shqiptarë kufizoheshin brenda komunikimit fetar, ndërsa ortodoksët shqiptarë nuk lejoheshin fare të kishin letërsi të tyren në gjuhën shqipe…!
Në krijimet poetike me tema laike mjaft poetë bejtexhinj, në frymën e poezive orientale, i kënduan dashurisë, bukurisë së natyrës e të gruas, lartësuan virtytin, punën, diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë për pasurinë e fisin, goditën ambicjen, hipokrizinë etj. Të tillë ishin Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku, Tahir Efendi Gjakova, Hasan Zuko Kamberi, Zenel Bastari, Shejh, Mulla Mala, por më i hershmi prej tyre deri më tani po na del Yvejs Efendija nga Gjakova. Në vazhdim një poezi e tij.
Uratë për Adem Kurtpashën
Do t’i lutem unë Allahut
Adem Kurtpashës t’i falë shëndet,
E t’ia ruej Murat begin
Që t’a pshtojë kët milet.
Do t’i lutem që Adem pashës
T’i falë Allahu aq vjetë e jetë,
Gjithë sa ka yje qielli
Gjithë sa ka n’botë dushk e fletë.
Allah, t’lus unë gjynahqari,
Falnai m’katet për jetë e mot,
Gjithë ku shkel këmbë shqiptari
Ti, bekoje, i Madhi Zot.
Adem pashë po t’kënnoj uratën
Oxhak i parë n’kët Shqipni,
Nuk u lodhe për arkëthatën
Veç ky popull t’marrë dijeni.
Murat beg, Uvill Sabahi
Si fener ti Dritë na jep
Me emër t’vet t’ruejt Allahu
Që nxorre pop’llin n’selamet…
Burimet osmane dëshmojnë mbi njëzet pasardhës të Kurt Pashës, nga Gjakova, kanë arritur gradën pasha. Disa prej tyre u dalluan si mbështetës të zhvillimeve kulturore e arsimore në Gjakovë. Mahmud Pasha, i biri i Hasan Pashës ka ndërtuar Xhaminë e Mahmud Pashës me dy mejetepe. Murad Pasha, i biri i Adem Pashës, ka ndërtuar dhe ka vakëfuar Medresenë e Madhe dhe Teqenë e Madhe , ku shejhu i parë ka qenë Axhizi Baba. Murat Pasha ishte donator më i rëndësishëm dhe personi më meritor në zhvillimin e jetës kulturore, arsimore dhe fetare në Gjakovë në fillim të shekullit të XVIII-të . Puna e këtij burri të madh të artit e të kultures u nderua nga gjakovarët brez pa brezi. Madje Yvejs Efendija në shenjë mirënjohjeje, ia kushtoi një vjershë Adem Kurtpashës dhe djalit të tij Muratit. Me sa kemi mundur të hulumtojmë, kjo është e para poezi në gjuhën shqipe me alfabet osman që njihet deri më sot. Ne po ua japim për herë të parë studiuesve të kësaj fushe dhe lexuesve tanë.
Shënim i transliteruesit:
Yvejs Efendia ishte drejtori i parë i Medresesë së Madhe të Gjakovës. Me sa dimë deri më sot, kjo është poezia e parë e shkruar në gjuhën shqipe prej ndonjë gjakovari me alfabetin osman të kohës. Merita e ruajtjes i takon Haxhi Efendi Zekës së Byberajve, që nuk kurseu florinjtë për t’i mbledhur kah do që të gjendeshin shkrimet shqipe, ndërsa kthimi në alfabetin latin më takon mua, shkronjësit të përvuajtur të tij, Ismail Haxhi Tahirit. Në dorëshkrimin e tij me titull ”Shënime të shkurta e kujtime për Haxhi Zekën”, atdhetari Ismail Haxhitahiri – Ibrani, Yvejs Efendinë e cilëson si “të parin e dijetarëve dhe të poetëve të Gjakovës, që shkroi poemën “Ylli i Bardhë .”