MF diskuton me Komunat Projekt-Ligjin e ri të Tatimit në Pronë dhe për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal

Ministria e Financave është duke ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të siguruar vendosjen e tatimit në të gjitha llojet e pronës së paluajtshme (tokë), por edhe duke kërkuar gjithashtu, përmirësimin e qëndrueshëm të sistemit të tatimit në pronë” bëri të ditur ministri i Financave Avdullah Hoti, në takimin e përbashkët të Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës, të organizuar nga Ministria e Financave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Në këtë takim të Këshillit të Kryetarëve të Komunave, në të cilin morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Naim Ismajli, kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës, zyrtarë tjerë të lartë të institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal,  u diskutua lidhur me ndryshimet e ligjit të kaluar me Projekt-Ligjin e ri të Tatimit në Pronë dhe gjithashtu u diskutua për nevojat për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Ministri Hoti me këtë rast falënderoj të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës për sugjerimet dhe rekomandimet e tyre për projektligjin e tatimit në pronë gjatë fazës së konsultimeve, ku sipas tij ndryshimet e pasqyruara në projektligjin e tatimit në pronë synojnë ndërtimin e një baze solide ligjore për të garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe efektiv të tatimit në pronë, përmes Përshtatjes së legjislacionit me qëllim vendosjen e tatimit në tokë; Thjeshtëzimit dhe përmirësimit të procesit të vlerësimit të pronave të paluajtshme; Rritjes së efikasitetit gjatë funksionimit dhe monitorimit të procesit; Pajisjes së autoriteteve kompetente publike, me të gjitha atributet e nevojshme ligjore dhe institucionale për administrimin e procesit në mënyre efektive; Mbrojtjes së mëtejshme të të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve, si dhe Eliminimit të kundërshtive dhe dykuptimësive që ekzistojnë në kuadrin ligjor në fuqi.

“Realizimi i këtyre objektivave madhore kërkon pikë së pari, themele të shëndetshme ligjore, të harmonizuara dhe në pajtim me gjithë kuadrin ligjor në fuqi në Kosovë, si dhe në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Në këtë kuadër, Ministria e Financave ka ndërmarrë një nismë tejet të rëndësishme për përmirësimin dhe përshtatjen e të gjithë infrastrukturës ligjore e cila rregullon dhe e normon procesin e tatimit në pronë, duke iniciuar procesin legjislativ për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit përkatës, duke pasur si qëllim, implementimin e suksesshëm të tatimit në tokë, përmes krijimit të një sistemi modern dhe efikas për mbledhjen e të hyrave nga tatimit në pronë”.

“Pasi është bërë një analizë e kujdesshme e gjithëpërfshirëse e legjislacionit aktual, e pengesave të hasura gjatë zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor në fuqi, si dhe sugjerimeve të dhëna në vijimësi nga Komunat, grupi i punës së MF-së ka përgatitur versionin fillestar të projektligjit të tatimit në pronë, i cili do të ndjekë procedurën normale ligjore, do ti dërgohet komunave, e do ti vihet gjithashtu në dispozicion publikut dhe grupeve të tjera të interesit për ti dhenë mundësinë të komentojnë në lidhje me të, para miratimit të draftit final nga Qeveria dhe dërgimit të këtij të fundit në Parlament”, shtoi Ministri Hoti.

Ministri Hoti gjithashtu theksoi se Projekt ligji për Tatimin në Pronë përbën një bazë rregullative të parashikueshme dhe të qartë, e cila është mjaftueshmërisht e detajuar, për ti dhënë qartësinë e nevojshme elementeve kyç dhe risive të reformës e për t’ju përshtatur rrethanave dhe kërkesave të reja specifike që do lindin për realizimin e një reforme të tillë, për të qenë kështu, sa më e pranueshme nga qytetarët.

Ndërsa, sa i përket çështjes së nevojës për ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se ka një kohë që departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave ka përgatitur Kornizën e përgjithshme për ndryshimin e këtij ligji.

“Para një viti është përgatitur Strategjia zhvillimore kombëtare, të cilën e kemi reduktuar tani në Koncept dokument për ndryshimin e ligjit për financat e pushtetit lokal. Jemi në fazat e hershme dhe kemi mundësi të marrim impute që tani  për ndryshimin e këtij Ligji të rëndësishëm për Komunat para muajit prill me qëllim që Komisioni i Granteve të aprovojë Grantet për Komunat për vitin 2018. “Qeveria është e interesuar për të dialoguar me Komunat për zhvillimin e sistemit të financave lokale, për një ndërlidhje më të mirë në mes Planit zhvillimor komunal dhe Strategjisë zhvillimore kombëtare, për reflektim më të mirë të prioriteteve komunale në Kornizën afatmesme buxhetore komunale, për një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore/financiare me rastin e centralizimit të kompetencave nga niveli lokal në atë qendror, për zgjidhje të qëndrueshme për financimin e shërbimeve sociale, për reflektimin e ndryshimeve demografike në formulën për grantet e hapura, si dhe për freskimin e të dhënave lidhur me formulën e financimit”, shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, Kryetari i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës Naim Ismajli, duke falënderuar Ministrinë e Financave dhe në veçanti ministrin Avdullah Hoti për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur me Asociacionin e Komunave të Kosovës posaçërisht në sferën e legjislacionit që ka të bëjë me financat e pushtetit lokal, dhe çështjet që lidhen me pushtetin lokal, tha se “ Ne konsiderojmë që ky bashkëpunim sigurisht ka kontribuuar që edhe Ligji për Tatimin në Pronë  të jetë një Ligj edhe më i mirë, sepse ka impaktin dhe këndvështrimin nga pushteti lokal. Ne kemi pas përfaqësuesit tanë në ekipin i cili ka punuar edhe në draftimin e këtij dokumenti, por njëkohësisht ne si Asociacion i Komunave të Kosovës kemi mbledhë edhe rekomandimet që kanë ardhur nga Komunat, duke krijuar kështu një mundësi të një banke të informacionit që Ligji të jetë sa më  kualitativ.

“Ky Ligj është shumë i rëndësishëm për pushtetin lokal duke pasur parasysh që edhe sot e bën një bazë të konsiderueshme të financave lokale të pjesës së të hyrave vetanake. Dhe për këtë ne jemi të interesuar bashkërisht, ashtu si Ministria e Financave, që ky tatim në pronë të rritet në kuptimin e vlerës në pushtetin lokal, duke pasur parasysh se është një bazë e mirë e të hyrave vetanake”, shtoi z. Ismajli.

Gjatë takimit me Kryetarët e komunave drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë Shkelzen Morina bëri prezantimin e Draftit të parë të Projektligjit të Tatimit në Pronë. Ndërsa,  drejtori i Departamentit të Buxhetit Salvador Elmazi bëri prezantimin e nismës për ndryshimin e Ligjit të Financave të pushtetit lokal.

Të pranishmit vlerësuan lartë gatishmërinë e Ministrisë së Financave për trajtimin dhe diskutimin e këtyre çështjeve me rëndësi për zhvillimin e komunave të Republikës së Kosovës, e në veçanti për qytetarët .

 

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …