Në anën e djathtë të lumit Valbona, pranë rrugës që të çon nga qyteti Bajram Curr, për në Hidrocentralin e Fierzës, rreth 5 km. larg këtij qyteti, në fshatin Bujan, ngihet madhërishëm kulla trekatëshe e Heroit të Popullit, Mic Sokoli. E ndërtuar nga fundi i shek. XVIII, kjo kullë guri, që për nga tipologjia i përket banesës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës, sjell deri në ditët tona, jo vetëm vlerat kulturore të këtij tipi banesash, por edhe imazhin e shumë ngjarjeve historike. Kulla, muret e të cilës janë goditur shumë herë nga predhat e pushtuesve të huaj, është një dëshmi e qëndresës dhe pathyeshmërisë së malësorëve trima të Malësisë së Gjakovës. Këtu lindën dhe u rritën breza luftëtarësh e prijës popullorë të kryengritjeve për bërjen e Shqipërisë. Këtu u lind dhe u rrit Mic Sokoli, i cili ra trimërisht e heroikisht, më 20 prill të vitit 1881, në gjatë betejës së përgjakshme: Koshare-Slivovë-Shtime, që zhvilluan forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ushtrisë osmane të komanduar nga gjenerali, Dervish Pasha. (Vikipedia)
Emri i Mic Sokolit ka hyrë dhe ka mbetur ndër legjendat e trimërisë, duke qenë mishërim i idealeve kombëtare çlirimtare të shqiptarëve. Akti i tij heroik, në përpjekje për t’i marrë topat e artilerisë së Dervish Pashës, më 20 prill të vitit 1881, në një vend mes Slivovës dhe Koshares, dhe plasja e gjyles së topit në trupin e tij, bënë që ai të mbijetojë në mbamendjen e popullit së bashku me Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, pastaj Binak Alinë dhe shumë trima të Koshares, Shtimes, Therandës, Drenicës e Rrafshit të Kosovës.
Të dhënat përgjithësisht të munguara për këtë trim të historisë shqiptare na bëjnë me dije se Mici ishte djali i madh i malësorit, Sokol Rama i Krasniqes. Ai u lind në vitin 1839, në Fang të Bujanit, në Malësinë e Gjakovës. Sokol Rama dhe Binak Alia asokohe ishin dy ndër prijësit më të njohur të kësaj treve malore të Shqipërisë ku krejt rrallë kishte shkelur këmba e armikut.
Babai i Micit, Sokoli ishte djali i vëllait të madh të Binakut, i njohur me emrin Ramë Alia. Pas vrasjes së Sokol Ramës, Binaku ishte kujdesur shumë për Micin. Beteja e parë, në të cilën Mic Sokoli mori pjesë, ishte ajo e vitit 1855, kur bandat malazeze ishin lëshuar në plaçke e pre, në bjeshkët e Malësisë. Megjithëse, atë kohë Mici ishte i ri dhe vetëm në moshën 16-vjeçar, ai do t’i nxirrte malësorët nga rrethimi dhe ua kishte grabitur edhe flamurin. Ky akt trimërie e guximi do ta shndërronte atë në prijës të kryengritësve, pasi që edhe sipas traditës, luftën mund ta udhëhiqte ai, i cili arrinte jo vetëm ta mundte armikun, por edhe t’ia rrëmbente atij flamurin në fushëbetejë.
Gjatë luftimeve sipas disa të dhënave nga monografia historike, “Mic Sokoli” e shkrimtarit, Sylejman Krasniqi, del se Mici i ri ishte rrethuar nga një grup sulmuesish malazezë. Me atë rast, i gjendur aty afër në çastet më kritike, si luftëtar me përvojë që ishte, Micit me të shpejtë, do t’i vinte në ndihmë prijësi i Gashit, Ali Ibra. Pas këtij akti, Mici do t`ia falte gjakun e të atit, Ali Ibrës, vendim me të cilin nuk do të pajtohej edhe fisi i vet, paria e të cilit do ta detyronte heroin të largohej nga Malësia. (Sylejman Krasniqi).
Të dhëna të ndryshme flasin se prej asaj kohe, Mic Sokoli kishte vepruar në Prizren, Gjakovë e Pejë por edhe nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Pas një kohe ai do të vendosej në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, te atdhetari i Kombit, Ymer Prizreni, derisa një ditë, do ta vriste një tregtar të pasur dhe largohej nga aty, për të kaluar te Haxhi Zeka, në Pejë.
Burime gojore të përcjella nga brezi në brez na bëjnë me dije se ai në moshën e pjekurisë, në rrethana jo sa duhet të sqaruara nga dokumentet e kohës, kishte takuar Sefë Mahmutin e Koshares, fshat mes Shtimes e Ferizajt, i njohur si veteran i luftës së Plevnes të vitit 1877. Se kur ishte takuar dhe në çfarë rrethana nuk dihet, por duke u bazuar në të dhënat gojore të stërnipërve të Sefë Koshares dhe në episodet letrare të shkrimtarit, Sylejman Krasniqi, në romanin e tij të njohur: Mic Sokoli, del se Mici e Sefa njiheshin dhe kishin bashkëvepruar një kohë të gjatë. Stërnipi i Sefë Koshares nga Shtimja, Haki Emrush Hysiqi, kishte dëgjuar nga babai se në kohën kur autoritetet turke kishin bërë përpjekje ta dërgojnë në Stamboll, Mic Sokolin, të cilin e kishin mbajtur në burgun e Pejës, Sefa së bashku me disa luftëtarë të çetës së tij, në dalje të qytetit kishin ndaluar togun e përcjellësve dhe e kishin liruar. Prej asaj kohe ata duket se kanë bashkëvepruar. ( Haki Hysiqi ( 1928-2005) intervistë gusht 2015-Shtime)
Kronikat, kujtimet e rrëfimet e ndryshme na bëjnë me dije Mic Sokoli i Sokol Ramës ka marrë pjesë në shumë beteja të kohës dhe sidomos ato që u zhvilluan gjatë kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në fillim të shtatorit të vitit 1878, Dega e Lidhjes për Gjakovën e kishte dërguar Micin me bashkëluftëtarë, kundër mareshalit osman, Mehmet Ali pashë Magjari, i cili kishte zbarkuar aty në emër të vendimeve të Kongresit të Berlinit me detyrën e dorëzimit të Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi. I ndjekur nga forcat e Lidhjes, Mehmet Pashë Magjari kishte gjetur strehim në Kullën e Avdullah pashë Drenit, mikut të tij nga Gjakova, i cili ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Prizrenit që nga formimi i saj, për shkak të besës e kanunit të vendit nuk mund ta dorëzonte njeriun që i kishte kërkuar besën, për t ia shpëtuar kokën. Ai e dinte se do të vritej, por krejt këtë e kishte arsyetuar se nuk mund ta thyente besën e konakut. Ai ankohet se:
Memleqeti më ka rrethue,
Për qet mik qi s deshta me lshue,
S’ mund e lshova une ket mik,
Po m’ ja zanë djalit sytë,
po i thonë baba t’ u ka koritë,
s kam shka të baj veç me dhanë ket shpirt!
Kështu, pas tri ditë e net beteje të përgjakshme, në kullën e Abdullah Pashë Drenit vritet mareshali, Mehmet Ali Pashë Maxhari, i Zoti i Konakut, si dhe qindra luftëtarë, nga të dyja palët. Mendohet se kanë rënë me shumë se 400 luftëtarë të Lidhjes dhe rreth 100 forca mbrojtëse turke. (Skënder Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze, 1877-1885”, Prishtinë 1978).
Mic Sokoli kishte marrë pjesë edhe në luftimet e Nokshiqit, për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tuzit e vendeve të tjera të Shqipërisë Etnike. Qysh me fillimin e sulmeve në Nokshiq, për ta thyer mbrojtjen shqiptare në atë pjesë dhe për të hyrë në Plavë e Guci, në luftimet e 4 dhjetorit 1879, Mic Sokolin do ta shohim në radhët e para të asaj beteje, e cila do të shtrihej nga Nokshiqi deri në Velikë, me ç’rast mbrojtësit shqiptarë do t’i shkatërronin plotësisht forcat pushtuese malazeze.
Ushtarët e Lidhjes, me shtabin e kryesuar nga Jakup Ferri, pas kalimit të forcave malazeze mbi Lumin Lim, në tokat tona kombëtare, të cilat udhëhiqeshin nga Mark Milani, do ta shkatërronin urën e vetme mbi lum dhe dëmtonin të gjitha barkat për kalimin e tij. Ata arritën që t’i rrethonin dhe asgjësonin, gati tërësisht, forcat e Mark Milanit,të cilin thuhet se vetëm kali do ta shpëtonte, për qafën e të cilit ishte lidhur, duke e tërhequr nëpër ujin e ftohtë të lumit, gjatë ikjes së tij të turpshme, i ndjekur nga luftëtarët shqiptarë.
Të dëshpëruar me humbjen e betejës së parë, nga 7 gjerë më 9 janar të vitit 1880, forcat pushtuese malazeze do ta përsëritnin sërish sulmin për marrjen e Plavës dhe Gucisë. Nga pala shqiptare, luftimet do t’i udhëhiqte Ali Pashë Gucia. Ndërsa, për guxim të pashoq, edhe kësaj radhe do të dalloheshin trimat nga Malësia, si Mic Sokoli e Ali Ibra. Kurse luftëtarët shqiptarë, të udhëhequr nga trima të tillë, më 8 janar të atij viti, do t’i shkatërronin tërësisht forcat pushtuese malazeze. (
Po ashtu, edhe më 22 prill të vitit 1880, Mic Sokoli me bashkëluftëtarë merr pjesë në luftën e Hotit dhe të Grudës, kundër ofensivave malazeze. Sipas dr. Aleks Budës, mbrojtjen e tyre e udhëhoqi Hodo Sokoli, i cili mbante gradën e kolonelit në xhandarmërinë perandorake. Me atë rast, luftëtarët shqiptarë korrën edhe një fitore të madhe në mbrojtjen e tokave të tyre, duke i mundur forcat malazeze dhe detyruar ato që të tërhiqeshin, deri në Podgoricë. (Aleks Buda, „Shkrime Historike-2”,Tiranë 1986, faqe 184).
Zbardhjes së betejave, në Koshare, Slivovë e Shtime më 20 1 21 prill të vitit 1881 i ka kontribuar jashtëzakonisht zbulimi disa vjet më parë i një dokumenti të konsullatës së Austrohungarisë në Shkup. Dokumentin ku flitet për betejat dhe për Sefë Kosharen e ka zbuluar familja e tij, përshkruhet krejtësisht beteja, por përveç emrit të Sefë Koshares dhe pashallarëve shqiptarë e turq nuk përmendet asnjë emër tjetër i kryengritësve.
Një dokument historik i 23 prillit të vitit 1881 që hedh dritë mbi zhvillimet luftarake në Koshare-Slivovë e Shtime
…Në Divizionin e Parë të kalorësisë e të këmbësorisë, në qendër, përballë Koshares e Slivovës, ishte pozicionuar gjeneral, Ibrahim Pashai me shtatë batalionet e arritura nga Stambolli e Rumelia. Nga ana e sipërme, rreth pyjeve të Perëndimes ishte pozicionuar gjeneral, Osman Pashai, me gjashtë batalione, ndërsa në anën e djathtë, në drejtim të Kosharës ishin pozicionuar forcat e gjeneral Mustafa Pashës. Përveç tre gjeneralëve të njohur të Perandorisë Osmane, në ballin e forcave turke ndodhej vetë, Dervish Pashai, kreu i luftës, i caktuar për ekspeditë, drejtpërdrejt nga Sulltani. Ai kishte pozicionuar dy batalione elite dhe dy bateri topash. Si gjeneral i sprovuar dhe njohës i artit ushtarak, ishte i vetëdijshëm se luftëtarët e lidhjes nuk kishin topa, andaj kishte ndërmend që të sulmonte pikën e madhe të përqendrimit të forcave kryengritëse, me qëllim që të shkaktonte panik te arnautët, trimërinë dhe ashpërsinë e të cilëve e njihte më mirë se çdo komandant tjetër. Po ashtu e dinte se ishin përhapur fjalë se ushtria kryengritëse kishte tubuar 50 mijë luftëtarë. Edhe pse nuk kishte të dhëna të besueshme, për një lëvizje të tillë të trupave, lajmi kishte marrë dhenë dhe ishte përhapur edhe ndër ushtarët turq. Nuk harronte dot se kishte marrë një urdhër të prerë nga Sulltani: “Të shpartallohej lidhja Shqiptare me çdo kusht dhe me çdo çmim”. Ishte vënë në shërbim të urdhrit dhe kishte bërë të gjitha përgatitjet e duhura. Në orët e mesnatës kishte lutur Allahun, që arnautët të mos sulmonin natën, derisa ushtarët pushonin në një vend të huaj, të panjohur…
Në orët e mbrëmjes, në Kampin e kryengritësve në Koshare e në Slivovë, ku tashmë kishin zënë pozicione Mic Sokoli, Sefë Kosharja Smajl Hyseni kishte arritur edhe kryekomandanti i Lidhjes, Sylejman Vokshi me Ali Ibrën e trima të tjerë të njohur të Lidhjes së Prizrenit. Paraprakisht, shërbimi sekret i Lidhjes kishte përhapur fjalë se Sylejman Vokshi kishte mobilizuar një ushtri prej rreth 50 mijë vullnetarësh, ndërkohë që në dy pozicionet kah perëndimi dhe kah veriu nuk kishte më shumë se 5 mijë luftëtarë, shumë prej tyre edhe të pa sprovuar në luftëra. Shtabi ushtarak i Lidhjes Shqiptare disa ditë para betejës kishte caktuar pozicionet sulmuese dhe mbrojtëse rreth pyjeve të Perëndimes në relacion: Zaskok, Ferizaj, Jezerë, Neredime, Dremjak, Slivovë, Shtime, nga ana perëndimore. Pozicionet e tjera, po ashtu sulmuese dhe mbrojtëse ishin pozicionuar edhe nga ana veriore, në relacion Shtime, Rashan, Muzeqe, Topliçan, Lypjan, ku ishin vendosur shumë luftëtarë nga Drenica dhe nga fshatrat rreth Lypjanit e Blinajës.
Krerët e luftës: Sylejman Vokshi, Mic Sokoli, Sefë Kosharja Ali Ibra, Smajl Hyseni, Ali Hoxha e të tjerë nuk kishin bërë përforcime të veçanta në Shtime, duke qenë se dy pikat e mbrojtjes dhe sulmit takoheshin aty. Popullata e Shtimes dhe e fshatrave përreth ishte dyndur drejt maleve të Topillës, Ranzës, Graiçecit e Jezerës, me qëllim për të mos u shtypur nga forcat ndërluftuese.
Kampi i ushtarëve të Lidhjes ishte kamp i vullnetarëve, i shqiptarëve që kishin vendosur të luftonin për atdhe, për ta bërë Shqipërinë e katër vilajeteve një shtet të vetëm, autonom. Shumë prej tyre kishin shërbyer në ushtrinë e Sulltanit dhe e dinin se përballja do të ishte e përgjakshme dhe e paparashikueshme. Edhe ata, nga ana e tyre, kishin vënë në zbatim strategjinë e kundërvënies. Epërsinë e tyre e mbështetshin te fakti se ishin në trojet e veta dhe e njihnin terrenin, qoftë për sulm, qoftë për tërheqje.
Me të aguar 2o prilli i vitit 1881, buritë në kampin turk kishin lëshuar alarmin e fillimit të luftimeve. Kishte filluar lutja me zë e dervishëve dhe më pas kishin jehuar lodrat e curlet me qëllim për të mobilizuar dhe për t’ i trimëruar ushtarët, që ishin radhitur secili në togun e vet dhe çdo tog e bateri në batalionin e vet. Muzika ritmike luftarake po i mobilizonte edhe luftëtarët e Lidhjes, meqë shumë prej tyre po me atë muzikë kishin luftuar gjithandej nëpër viset e Perandorisë.
Përleshja e përgjakshme
Në kohën kur bateria e topave ishte drejtuar drejt katapultave, Mic Sokoli, Smajl Hyseni, Zeqir Osmani, Sefë Mahmut Kosharja, Jani Çupi, Ramë Kozmaqi, Din Rosha, Dak Mulaku, Ali Muleta e shumë luftëtarë të tjerë ishin sulur mbi topat e artilerisë turke Luftëtarët e Lidhjes, në krye me Mic Sokolin po bënin përpjekje të merrnin topat, apo të godisnin me ta, kur pas disa çastesh kishin shpërthyer mbi kokat e tyre disa predha, që vinin nga Bateria e Dytë e topave.
Në çast, shumica prej tyre ishin larguar dhe ishin futur në istikame. Vetëm dy topa i kishin tërhequr disa luftëtarë, ndërkohë që një predhë kishte hedhur në erë disa prej tyre. Pas pak, kishin pushuar predhat. Ushtria turke kishte filluar të taktizonte duke gjuajtur me topa të kalibrit të madh në disa drejtime, ku mendohej se ishin pozicionuar luftëtarët e Lidhjes. Predhat e topave po goditnin edhe Slivovën e Kosharën. Në kohën kur kishin pushuar predhat, luftëtarët e Mic Sokolit sërish ishin turrur drejt topave, me qëllim për të marrë disa prej tyre. Shumë nga ata kishin arritur, që gjatë tërheqjes të merrnin predha dhe barot. Në përpjekje për të marrë topat, ishin vrarë dhjetëra luftëtarë dhe shumë të tjerë ishin plagosur. Mic Sokolit iu kishte fiksuar ideja e rrëmbimit të paktën të dy apo tre topave. Në përpjekjen e tij të fundit për ta tërhequr topin e madh, ishte marrë në shënjestër nga një topxhi, nga radhët e forcave turke. Gjylja e topit kishte goditur trupin e bëshëm të malësorit, ndërkohë që nga furia e gjyles, gjymtyrët iu kishin shpërndarë disa hapa më larg. Nga shpërthimi i predhave ishin plagosur edhe dhjetëra luftëtarë cilët në atë çaste ndodheshin afër tij. Bashkëluftëtarët e Mic Sokolit, Smajl Hyseni bëjnë përpjekje ta marrin trupin e komandantit. Pas pak çastesh pikërisht në vendin ku kishte rënë Mic Sokoli kishin rënë edhe Smajl Hyseni, dy luftëtarë të tjerë nga Llapusha e disa të tjerë nga fshatrat e rrafshit. Trupat e tyre ishin shkapërderdhur nëpër fushën e betejës nga goditjet e gjyleve të topave.
Mic Sokoli në fragmentet e këngëve të trimërisë të Betejës së Koshares e Slivovës
Kujtesa e popullit për ngjarjet e së kaluarës, vazhdimisht ka qenë e shprehur në akord me nevojat e kohës, me qëllim për të mos e harruar atë, për ta ruajtur dhe për ta rrëfyer brez pas brezi, për ta ruajtur në këngë meqë në këngë kanë hyrë, hyjnë dhe mbesin vetëm më trimat, ata që me veprat dhe heroizmin e tyre dallohen nga të tjerët dhe kurdoherë mbesin shembuj që rrezatojnë amanetin nëpër breza. Në këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një vend me rëndësi zënë edhe këngët e kënduara në disa variante për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, Ali Ibrën, Sylejman Vokshin, Abdyl Frashërin e shumë të tjerë.
Figura e Mic Sokolit në këngët popullore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit paraqitet me dimensionin historik, realist në raport me kohën dhe synimet e shqiptarëve për çlirim nga Perandoria Osmane. Ai paraqitet me pamjen dhe fuqinë fizike të trimave të moçëm të Arbrit, të cilët populli i kujtonte si Trima të motit, si kreshnikët e dikurshëm. Duke bir besnik i Atdheut ai merr bekimin e nënës, e cila ka lindur një trim me fletë, të cilit po qe nevoja do t’ i ndihmonte edhe në fushën e betejës. Ja si e ka përjetësuar heroizmin tradicional shqiptar këngëtari anonim popullor:
Mic Sokoli n’dy tagana
-Udha e mbare! – m’i ka thane nana-
-Lufto, bir, ti per Shqipni
-mos i le turqit me hy
-n’kofte nevoja, vij me ty, –
Mic Sokoli nji fjale po e flet
po i thote nanes: – Te mire mbeç!
-Pa u farue malsia krejt
-ktu nuk hyn as krajl, as mbret!…
Betejat në Koshare, Slivovë e Shtime, më 20 dhe 21 prill të vitit 1881, kishte për qëllim për t’ i ruajtur territoret që i kishte shpallur të lira Lidhja Shqiptare e Prizrenit qysh në vitin 1878, ishin beteja të përgjakshme, në të cilat kanë rënë qindra shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa krerë të Lidhjes si: Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Smajl Hyseni e të tjerë. Këngëtari popullor nuk tregon numër të të rënëve, por rrëfen se në ato beteja kanë rënë shumë luftëtarë, duke veçuar në mesin e tyre, më trimat, ata që u futen dhe mbeten në këngë, për të mos u harruar kurrë.
Në fushë të Shtimes asht mbledhë jezeri
Haj medet ka mbetë shumë njeri,
Mic Sokoli Smajl Hyseni.
Rënia e Mic Sokolit në fushën e nderit, në altarin e Atdheut, në Fushë të Shtimes, në përpjekje për t’i rrëmbyer topat e rëndë të artilerisë si Dervish Pashait dhe për t’ i luftuar pastaj turqit me armët e tyre, për shfaqë pikën kulmuese të heroizmit, heroizëm të cilin këngëtari popullor e ka përshkruar me elemente hiperbolizuese, për ta veçuar trimërinë e tij përballë topave të ushtrisë së Dervish Pashait.
Mic Sokolin e vrau reja,
E vrau reja, e vrau moti,
E vrau Dervishi me gjyle topi.
(Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit)
Duke zgjeruar rrëfimin për rënien heroike, këngëtari anonim popullor i ka thurë vargje trimërie heroit, i cili në momentet e fundit të jetës, kujton edhe heroizmin e shokëve, që kanë rënë po për atë ideal. Ata kishin mundësi të shpëtonin, të iknin, por nuk kishin pranuar ta linin bashkëluftëtarin e tyre, vetëm. Ky shembull tipik i luftëtarëve shqiptarë nëpër shekuj, manifeston besimin në fitore, rënien dhe varrimin e përbashkët, meqë kishin rënë për një qëllim, për një ideal.
Mic Sokoli ban me dorë,
-More shokë s’ po muj me folë
-se m ka ra do gjak në gojë,
-gjak në gojë e gjak në bark
-shtatë martina i kam n’ shtat.
-Qonja nanës një selam,
– Nanë pashë Zotin nuk më kanë,
-Qaje Smajlin ma shumë se mue,
-Qaje Smajlin qaje Zeqën,
-Se s’ kanë ikë e me m lanë vetëm.
-Se s’ kanë ikë e vetë s’ m’ kanë lanë,
-Ma mbaroni një vorr t gjanë,
-Bashkë me shokët me na zanë.
-Vorr të gjanë e me pengjere.
-T’i shoh lulet prej pranvere
-Ti shoh lulet dremiçare,
-Ti shoh shoktë neper livadhe.
(Epika historike II, Tiranë 1981).
Në këngët epike-heroike për Mic Sokolin, Sefë Kosharen, Smajl Hysenin, Hysen Smajlin katër krerë dhe luftëtarë të dalluar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, këngëtari popullor shpreh dhembje për humbjen e trimave, por në vargje tipike popullore i këndon heroizmit të tyre dhe jo dorëzimit e pendimit. Ata kishin rënë trimërisht dhe populli i kishte thurë edhe vargje të dhembshme, meqë kishin qenë trima të zgjedhur dhe kishin rënë në luftë për ta bërë Shqipërisë e Katër Vilajeteve, të cilin nuk po e bëjmë dot as tani pas 135 viteve.
Mic Sokoli vesh jelekun,
Hip në tel, kuvend me mbretin:
Do ta djegë ty, mbret, asqerin,
Se na e prishi Pasha vendin!…
A mi patë Smajlin e Micin
Fyt e më fyt, than me Dervishin
Na ka pre ai Smajl Mehmetin,
Hup’ e tretë Smajl Hysenin;
Fort po e lyp’ atë baba i vet,
I shploi vorret, por nuk e gjet!…
Hysen Smajli i hipi atit,
Fort po i thërret Bajraktarit:
Mblidhi burrat e shkepi Malit!…
Man Avdia, bajraktar i atëhershëm i Krasniqes, do t’u drejtohej pjesëtarëve të fisit, që luftonin krah për krah me heronjtë e asaj beteje të madhe, për gjetjen e Mic Sokolit dhe Smajl Hysenit, të cilët që me kohë, e dinin se ata ishin nisur, të flijoheshin në dyluftim me Dervish Pashën:
Man Avdia e pyet fisin:
Mos m’i patë Smajlin dhe Micin?
Fyt e më fyt, thanë, me Dervishin!…
Njëri prej tyre, mendohet se ishte Smajl Hyseni, nga ata që e përcollën heroin, deri te bateria e artilerisë osmane. Të gjithë këta luftëtarë trima u vranë bashkë me komandantin e tyre, Mic Sokolin. (Kristo Frashëri, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Tiranë, 2012).
Mic Sokoli, n’dy tagana,
Rruga e mbar’, i ka thanë nana,
Lufto bir, ti, për Shqipni,
Mos le turqit këtu me hi!
Mic Sokoli ni fjalë p’e e flet,
Po i thotë’ nanës, ti, mirë mbeç,
Se pa u farue Malësia krejt,
Këtu nuk hynë, krajl as mbret!…
Gjokë Beci: Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra!
Përveç këngëve popullore për Mic Sokolin, me këtë rast do t i referohemi edhe këngës së krijuar nga Gjokë Beci, poetit të mirënjohur epik e heroik, që kishte veriu i Shqipërisë. Kjo këngë e kënduar nga këngëtarja Mrika Trumshit, u përhap anë e këndë trojeve shqiptare, si jehonë topash gjëmimtarë, për të dhënë kushtrimin kuptimplotë orëve jo sa duhet të mësuara të historisë, sepse nuk duhej harruar porosia e të parëve: “Zemra jonë ka gjak sa gurra, mbi armikun bini burra”.
Xhamadani i trimërisë
Kërcet topi dhe gjëmon trolli
Xhamadanin hapë Mic Sokoli
Për mes fushës kalldrem me gëzhoja
bash si fletët kur hapë shqiponja!..
Si dy krahë që i ka vatani
Tash po vjen topi Sulltanit
Zemra jonë ka gjak sa gurra,
mbi armikun bini burra…
Kaluan vitet kaloi një shekull,
Koha gërrye ka gur e hekur
Erdh ndër koha e iu vesh trollit
Xhamadani i Mic Sokolit.
E pat veshë dhe Selam labi
kur për gryke topin e kapi
Prapë në botë sot ka sulltana
Që na mbajnë ne ndër nishana
Por se gjumë jo s’ ka shqiptaria
Sytë me dritë na i mbushë Partia.
Shkëlqen djersa e s´njifet loti
në kët´truall me palcë baroti,
Shkrin çeliku e lulëzoi molla,
Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.
Mic Sokoli, ka qenë ndër luftëtarët më të shquar të kombit, një luftëtar popullor që krahasohet me Zenel Gjolekën, Oso Kukën, Rrapo Hekalin, Sylejman Vokshin, Sefë Kosharen, Ali Ibrën, e trima të tjerë të Shqipërisë së kohës së katër vilajeteve. Figura e tij, sidomos rënia heroike me të drejtë ishte ekzagjeruar në kohën e konsolidimit të idesë së sakrificës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Rënia e tij heroike më 20 prill të vitit 1881, kishte qenë burim frymëzimi për brezat. Ai u godit nga gjylja e topit në afërsi dhe trupi i tij u shpërnda në shumë pjesë…
Literatura:
Dy dokumente të konsullatës së Austrohungarisë të evidentuara, në Shkup, më 23 prill 1881.
Historia e Popullit Shqiptar-II, Tiranë, 2002, faqe 175.
Kristo Frashëri, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Tiranë, 2012.
Aleks Buda, „Shkrime Historike-2”,Tiranë 1986, faqe 184).
Skënder Rizaj, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze, 1877-1885”, Prishtinë 1978.
Epika historike II, Tiranë 1981.
Këngët historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Tiranë, 1978.
Këngë popullore historike II, Prishtinë 2007.
Gëzim Rredhi: Epika historike kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ahmet Qeriqi: Sefë Kosharja, www.radiokosovaelire.com
Ahmet Qeriqi: Varri i nizamit, vepër në dorëshkrim.
Arif Vladi: Mal me gjak asht ba Kosova, po lufton Sefë Kosharja.
Gjokë Beci: Xhamadani i trimërisë kënduar nga Mirka Trumshi në Festivalin e Gjirokastrës në vitit 1978.
Historia e popullit shqiptar II, Tiranë 1968.
Sylejman Krasniqi,” Mic Sokoli”, Tiranë 1979.
Kënga e Sefë Koshares, kënduar nga Arif Vladi.
Haki Emrush Hysiqi, Shtime.
TV-Dielli, film dokumentar për Sefë Kosharen.
Këngë historike kënduar nga rapsodët: Dervish Shaqa, Arif Vladi, Mrika Trumshi, Vëllezërit Dugolli, Shkëlzen Morina, etj