Koordinatori për Komunikim i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, në një artikull për Telegrafin, ka shkruar lidhur me funksionimin e Gjykatës, së cilës mediet e caktuara të vendit, me eufemizëm e quajnë “Dhomë të Kosovës, madje të specializuara”. Koordinatori Doyle mendon se qytetarët e Kosovës qenkan analfabetë dhe ende nuk e paskan të qartë funksionimin e Dhomave. Ai shkruan se gjykata i kryen gjykimet në Hagë dhe vepron në bazë të ligjit dhe rregullave të veta, edhe pse “dhomat” qenkan të Kosovës. Ato sipas tij kanë juridiksion të përcaktuar, i cili mbulon krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që janë kryer midis viteve 1998 dhe 2000 në Kosovë, ku viktima ose kryesi ishte nga Kosova ose ish-Republika Federale e Jugosllavisë. Sa i përket çështjes së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, Doyle bënë të ditur se Specialja nuk mund të gjykojë dhe nuk do të gjykojë asnjë grup etnik, organizatë ose komunitet, pa sqaruar me asnjë fjalë se cila ka qenë UÇK-ja, organizatë, OJQ, grup etnik, apo komunitet. Të akuzuarit, sipas tij paskan qenë vetëm anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mohuar faktin se ata kanë qenë kreu i luftës dhe pikërisht si të tillë ndodhen në Gjykatë, si “grup për ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Dojle nuk ka haber se në Tribunalin e Hagës për ish Jugosllavinë, janë shpallë fajtorë dhe janë dënuar krerë e shtetit të Serbisë disa të Bosnje-Hercegovinës dhe të Kroacisë apo ndoshta nuk ka dëgjuar fare për atë gjykatë, apo mendon se shqiptarët ende nuk e paskan kuptuar qëllimin e Gjykatës Speciale. Ky zyrtar, tregon naivitet të pafalshëm pasi dihet fare mirë, dihet botërisht se deri tani nuk ka dalë para gjyqit as ka të dhëna se është hetuar asnjë serb, rom apo malazez, por vetëm shqiptarë, madje vetëm nga radhët e UÇK-së, madje deri tani vetëm kreu i saj.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …