leoni

Michael Weithmann: “Der ruhelose Balkan” (“Ballkani i trazuar”) Ballkani mes Lindjes dhe Perëndimit

“Ne në Ballkan kemi histori më shumë seç mund ta përballojmë”, theksonte në qershor 1991 i rezignuar Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Herzegovinës, Haris Silajdzic. Dhe, siç do të mund të plotësonim edhe ne nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës, duke shikuar të çorientuar dhe pa mundur të kuptojmë se ç’po ngjet me luftrat e skëterrshme civile në Jugosllavi: një histori që vështrië se njihet në Perëndim dhe vështirë se mund të klasifikohet diku në historinë evropiane.


 


Kjo fillon që nga përcaktimi i nocionit. A është “Ballkani” një nocion politik, gjeografik apo kulturor? A e përfshin ky nocion tërë Evropën Juglindore apo vetëm vendet në jug të Danubit? Vetë fjala rrjedh nga pushtuesit turq të mesjetës së vonë dhe do të thotë “bjeshkë” apo “malësi”. Me këtë ata i dhanë territorit që e pushtuan në mes shekujve XIV dhe XVI një emërtim adekuat.


Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria përshkohen kryq e tërthorë nga masivet malore dhe luginat – të ashprat për banim, “Grykat e Ballkanit” të Karl May-it, vetëm një pengesë në rrugën nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas. “Turqia evropiane” quhej tek ne ky regjion deri në fillim të shekullit XX. Nocioni “Ballkan” u shfaq në Perëndim tek në shekullin XIX. Gjeografët po e mënjanonin njollën e fundit të bardhë nga harta e Evropës dhe rripin malor përgjatë Bullgarisë e emërtuan “Ballkan” dhe, më vonë, si “Gadishulli Ballkanik” e emërtuan tërë territorin në mes Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi. Gjeopolitikisht s’ishte tjetër nga “Turqia evropiane”, territori i Perandorisë turke, i administruar nga sulltani në Stamboll dhe, në aspektin kulturor – historik, territori  Evropës Juglindore që mban vulën e Kishës Lindore ortodokse dhe në masë të kufizuar edhe të islamizmit që prej sundimit turk.


Në rrjedhën e shekullit XIX u krijuan shtetet ballkanike, së pari Serbia dhe Greqia, pastaj Mali i Zi dhe Bullgaria, së fundi Shqipëria. Nocioni “Ballkan” u zgjerua përtej Danubit. Rumania, një shtet gjithashtu i ri – deri më 1918 pjesë e Hungarisë, bile vetë Hungaria e Kroacia, numërohen shpesh si pjesë e Ballkanit. Në frëngjishten diplomatike bota e re e vendeve të vogla quhet në shumës “Les Balkans”, e në angilsht “The Balkans”.


Relievi bizar dhe i thyer nuk lejoi ndërtimin e njësive më të mëdha politike; pushteti politik u desh të ndahet dhe të copëzohet posi vetë relievi. Popujt, që jetojnë këtu, gjeografia i ka lënë të ndarë në hapësirat e mbyllura të vendbanimeve të tyre. Kontrastet territoriale i përgjigjen partikularizmit, diferencimit, copëzimit dhe veçimit të popullësisë së Ballkanit në grupe të kufizuara kulturore, religjioze dhe politike.


Të kllaposur mes qendrave pushtetore dhe kuturore të Evropës dhe të Orientit, Ballkanit i shtohet edhe një cilësim tjetër i nxjerrë nga përvoja historike: “Në kufirin mes Lindjes dhe Perëndimit, në kryqëzimin e kulturave, religjioneve dhe perandorive. Me një fjalë: të gjithëve në rrugë (Émile Cioran). Ballkani është fushë marshimi dhe betejash e interesave të huaja, territor permanent i kapërcimeve, ku fuqitë lindore dhe perëndimore  i shtrijnë sferat e tyre hegjemoniste, i orientojnë popujt dhe i fromësojnë ata kulturalisht sipas pikëpamjeve të tyre.  


 


“Divide et Impera” (“Përçaj dhe sundo”) – me këtë maksimë udhëhiqet politika  e fuqive të mëdha qe 2000 vjet në Ballkanin e shumësisë marramendëse të popujve, fiseve dhe konfesioneve. Për ta mbajtur nën kontroll këtë regjion, secila fuqi ka shfrytëzuar dallimet e vogla, por mëse të thella dhe të hidhura të popujve të tij.  Së pari Roma, pastaj pasuesi i Romës Lindore – Bizanti, tregtarët perëndimorë dhe kryqtarët e kryqëzatave, osmanët turq, habsburgët austriakë, Perandoria Ruse, dhe, në shekullin që lamë pas, fituesit e Luftës së Parë Botërore, pastaj fuqitë e boshtit në Luftën e Dytë Botërore dhe, së fundi, me shumë sukses, perandoria sovjetike.


 


Gjakmarrja, grabitja e gruas, dhuna drakonike patriarkale për shkak të nderit të klanit dhe të nderit të familjes, shoqëria e mbyllur anakronike: “Burri është një pushkë”. Kështu ishte deri në betejat partizane të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën nuk u luftua shumë armiku i jashtëm, por më shumë fqinji tjetërfare. Lufta është e tmerrshme, por në Ballkan gjithnjë për një nuancë më e tmerrshme, sepse është më arkaike. Hakmarrja ballkanike kapërceu kohë dhe gjenerata. Shtytja për veprime ataviste në Kroaci dhe Bosnjë mund të interpretohet edhe si një hakmarrje për të pabërat e ushtruara në Luftën e Dytë (për ekspertët perëndimorë është diskutabile se a është në pyetje ndonjë relikt i epokës parashtetërore apo ndonjë regres shoqëror si një reagim ndaj sundimit të huaj dhe ndaj intervenimit permanent të fuqive të huaja në mesjetën e vonë).        


Si me një goditje shpate në vitin 395 perandorët e Romës së vonë e ndanë perandorinë e tyre gjigante, gati të paqeverisshme më, në Pernadori të Lindjes dhe të Perëndimit. Që nga ajo kohë nga veriu në jug përgjatë Danubit dhe Drinës u krijua një vijë ndarëse kulturore, konfesionale dhe e mentalitetit në Evropën Juglindore.


Gjysma perëndimore latine – Hungaria, Kroacia, Dalmacia – misionohej nga Roma e Papës dhe ishte përfshirë në kuadrin e “Perëndimit katolik”. Pjesa lindore greke orientohej nga Konstatinopoja perandorake. Bullgaria, Serbia dhe Rumania e morën ortodoksizmin. Ato u bënë pjesë e “Lindjes” së komonveltit bizantin.


 


Konflikti Perëndim – Lindje është qe mëse dymijëepesëqind vjet një konstantë e historisë botërore. Me ngritjen  e krishtenizmit dhe me rritjen e divergjencave të orientimit religjioz ortodokso-greko-oriental dhe të orientimit latino-romako-katolik – të dyja si orientime universale, do me thënë “katolike”, si dhe ekstreme religjioze, do me thënë “ortodokse”, me pretendime të zotërimit të së vërtetës absolute, – eskaloi edhe konflikti Lindje – Perëndim në aspektin ideologjik, religjioz dhe përfundimisht edhe politik. Dhe atë në Ballkan, ku ndesheshin sferat e ndikimit romak të lindjes dhe romak të perëndimit. Perandoria Bizantine me Konstatinopojën si qendër nuk përjetoi transformim kulturor përmes zhvendosjes së popujve siç përjetoi pjesa perëndimore në “shekujt e errët” V – VIII; ajo vetëm e receptoi  civilizimin  antik me të cilin hyri triumfalisht deri në mesjetën e vonshme.


Por në nivelin më të lartë mbretönte ngricë: stagnimi dhe prapambetja u bënë karakteristikat e Lindjes ortodokse. Në luftën mes kishës dhe shtetit në Perëndim u mobilizuan të gjitha forcat intelektuale. Dinamika u bë shenja dalluese e Perëndimit- zhvillimi i Renesances, i Reformimit, i Iluminizmit mori hov. Bizanti nuk ia arriti t’i dalë me asgjë krahu këtij “përparimi”. Në vitin 1204 kryqtarët evropianë, të bekauar nga Papa, shkretëruan qytetin perandorak në Bosfor dhe e zhdukën Perandorinë e Lindjes. Pas këtij dekurajimi të thellë të ortodoksisë bota u nda përfundimisht në Lindje dhe Perëndim.


Kisha Lindore – e papërkushtuar ndaj botës dhe kontemplative (soditëse) – u tërhoq. Ajo u izolua nga zhvillimi shoqëror dhe intelektual i Perëndimit. Kufiri religjioz dhe kulturor në hapësirën ballkanike u përforcua, i bëri ballë periudhës së sundimit osman dhe rilindjes kombëtare për të arritur sot sërish virulencën (patologjinë etnike) e tij të lashtë.      


Pas rrëzimit të Bizantit, popujt ballkanikë u organizuan vetë. Bullgarët, serbët dhe natyrisht grekët e konsideronin veten si pasardhësit e vetëm legjitimë të Bizantit dhe luftonin për kurorën e mbretit (carit).  Në Konstatinopojë si mbret kurorëzohet më 1206 sërish një grek, Michael Palaiologos, por Perandoria Bizantine ishtë tashmë e parikthyeshme. Perandoria gjithnjë e më e zvogëluar dhe që shërbente si një top loje i fuqive të huaja,  mbeti greke deri më 1453, kur osmanët turq e futën nën sundim qytetin e gjysmëshkretëruar Konstatinopojën dhe e shndërruan sërish në qendër të botës. Bullgaria dhe Serbia ndërtuan për një kohë relativisht të gjatë perandoritë e tyre. Për nacionalizmat e tyre të sotshëm ato janë epokat e trimërisë, kuptimin dhe kufirin e të cilave e kujtojnë me mall dhe për të cilat edhe sot luftojnë me tërë seriozitetin.   


Por, partikularizmi i vjetër bëhet sërish dominues; perandoritë copëtzohen sërish në pjesë vendesh dhe në treva fisesh, një pre e lehtë kjo për një shtet të mbledhur, të motivuar fetarisht, për shtetin centralist- Pernadorinë Osmane, që e nënshtroi Ballkanin suksesivisht që nga shekulli XIV e deri në shekullin XVII, për ta sunduar përfundimisht në fillim të shekullit XX.


Ndihma nga Perëndimi i krishterë do të ndodhte poqëse do të njihej supremacia e Papës mbi ortodoksinë dhe po të ndodhte unioni i kishave. Por, për shkak të përvojave të vitit 1204, kjo ishte absolutisht e papranueshme për ortodoksinë.


“Më mirë çallmë e sulltanit se diademë e papës”, do të jetë brohoritur me rastin e rrethimit të Konstatinopojës. Me sulltanin mysliman do të mund të rregulloheshin disi në rastin më të keq, por me papën kurrë! Duke pasur parasysh këtë aspekt të brendshëm Lindje – Perëndim mund edhe të shpjegohet sundimi pesëqindvjeçar osman në Evropën Juglindore. Sulltani vërtet kërkonte një “tatim mbrojtjeje” nga të krishterët ballkanikë, por nuk i interesonte as për ritet e as për dogmat e robërve të tij. Një islamizim i detyrueshëm nuk u bë – përndryshe kjo do të çonte në pakësimin e të vjelurave tatimore. Koha e “errësirës turke” i takon perandorisë së legjendave historike. Ndjenja që kishin sllavët ballkanikë nga favorizimi i sulltanit për patriarkanën greko-ortodokse për tutori ndaj kishave të tyre, të cilave ajo synonte t’ ua ndalonte liturgjitë e tyre sllavokishtare, ishte për ta i njëjtë si detyrimi që kishin ndaj sulltanit për pagimin e haraçit.


Nën osmanët Ballkani u paqësua. Po trasohej një sintezë e frytshme ballkaniko – osmane. Nga kundërshtia e ashpër e krijuar ndaj Perëndimit militant katolik po kristalizohej bile një lloj i mirëkuptimit mes ortodoksisë dhe religjionit shtetëror islam.


Në anën tjetër, ishte pikërisht kleri i shtresës së ulët sllave ai që e mbajti të gjallë kujtimin e mesjetës së carëve dhe murgjve tek të nënshtruarit.


Në Bosnjë, Shqipëri dhe Bullgari një pjese e konsiderueshme e popullësisë kaloi në fenë e fituesve. Lëvizjet brendaballkanike të popullësisë në kohën turke janë edhe arsyeja e përzierjeve të sotme kaq të problematike të vendbanimeve të etnive të ndryshme brenda një hapësire të vogël.


Në veri të Gadishullit Ballkanik habsburgët me marrjen e kurorës hungareze të trashëgimisë më 1526 arritën ta shtrijnë sundimin e tyre jashtë peradorisë romako – gjermane. Shteti  decidiv katolik, kundërreformator dhr rregullativ i habsburgëve, që e mbante nën presion të vazhdueshëm Perandorinë ekspansioniste Osmane, u bë pas luftës fitimtare kundërturke në shekullin XVIII si fuqia dominuese në Evropën Juglindore. Si një kordon ndaj Perandorisë Osmane, në Kroaci, për tre shekuj me radhë, u krijua “kufiri ushtarak” habsburgian. Por, si rezultat i epokës turke, kufiri mes Perëndimit dhe Lindjes u shtye edhe më tej në drejtim të Evropës. Bile që në shekullin XX kufiri i “orientit” arrinte deri në Danub dhe Savë.


 


Që nga shekkulli XVIII zbehet shkëlqimi i gjysmëhënës në Evropë Juglindore, jo vetëm për shkak të shfaqjes së Rusisë si fuqi e madhe në skenën ballkanike. Sipas doktrinës së saj shtetërore Rusia ishte “Roma e tretë” – dhe një të katërt nuk do të kishte më! “Rusia e shenjtë”, mbrojtësi i vërtetë i ortodoksisë, shfaqet si pasuese e sundimtarëve botërorë bizantinë. Ajo e konsideronte veten si të thirrur nga historia që ta pushtonte Konstatinopojën dhe t’i bashkonte të gjithë “besimtarët e drejtë” në një peandori, pra edhe ta çlironte Ballkanin nga islami dhe t’i mbronte të krishterët ballkanikë nga “latinët”.


Rusët në Ballkan dhe në ngushticat detare mes Evropës dhe Azisë? Një perandori gjigante neobizantine, pansllave, autokratike në Evropën Juglindore? Fuqitë perëndimore do të përpiqeshin ta pengonin këtë me të gjitha mjetet. Edhe habsburgët e vërejtën shpejt se nuk do të jetë e vështirë për t’u mposhtur perandoria e dobësuar rëndë e sulltanit, por kundërshtari i vërtetë në Ballkan do të jetë Rusia imperialiste. Një ndarje e Perandorisë Osmane, ku Rusia do të përfitonte më së shumti, nuk guxonte të ndodhte! Kjo është “çështja orientale”, e cila do ta mbajë në ankth diplomacinë deri në Luftën e Parë Botërore.


Perëndimi që nga shekulli XIX do të mbështetet fuqimisht të “sëmurin e Bosforit” – natyrisht pë interesin e tij – pë t’u mbrojtur nga rreziku i madh rus nga veriu. Për popujt e sunduar ballkanikë kjo do të thoshte të jenë të gozhduar mes interesave të fuqisë së madhe të perandorisë cariste  dhe fuqive të perëndimit. Të gjitha kompromiset e fuqive të mëdha  synonin ruajtjen e status  kuosë. Vetëm me pajtimin e fuqive të mëdha mund të ndryshonte fati i popujve të Ballkanit.


Në tërheqje e sipër islami bëhej gjithnjë e më agresiv dhe fuqitë e mëdha përpiqeshin t’i shfrytëzonin pa skrupull për përfitime të tyre diferencat brenda Perandorisë Osmane.  Nocioni “zgjedha turke” fitoi kështu kuptim në fazën e fundit të sundimit.


 


Racionalizmi, iluminizmi, sekularizmi dhe shtresa e pavarur qytetare, si një shtresë transformuese, – kategori këto përgjithësisht “perëndimore”- janë parakushtet e domosdoshme, idetë dominuese të nacionalizmit të shtresave dhe të konfesioneve. Pak nga këto parakusht ekzistonin në Ballkan, kur kjo lëvizje nga perëndimi pëfshiu edhe Ballkanin pas Revolucionit Francez dhe epokës së Napoleonit (1789 – 1815). Në Perëndim nacionalizmi  u bë një forcë emancipuese dhe konstruktive, sepse në shekullin XIX vetëm në kuadrin e shteteve nacionale mund të ndërtohej sovraniteti i  popujve, kushtetushmëria, të drejtat e popujve dhe demokracia. Në juglindje (ashtu si edhe në tërë  Evopën Lindore) nacionalizmi vepronte si ideologji e importuar, sepse atje, nën ndikimin e kushteve parabashkëkohore, ai ishte ende i huaj. Si ideologji çlirimtare nacionale naconalizmi këtu kapërcente perandoritë shumëpopujshe të osmanëve dhe të habsburgëve, por degjeneronte pastaj në nacionalizëm përjashtues dhe armiqësor.


Parimi i ndërtimit të shteteve nacionale sipas shembullit perëndimor dështoi në Ballkan.


 


Krahas “rilindjes” së shteteve nacionale ballkanike, shkëputjes graduale të tyre nga lidhja perandorake osmane, gjatë shekullit XIX, në gjuhën e diplomacisë perëndimore dëgjohej sllogani “ballkanizim”… “copëtimi i njësive të mëdha politike dhe ekonomike si dhe, në të shpeshtën e rasteve,  i jostabilitetit politik si pasojë. .. Gjë kjo që nxitej dhe shfrytëzohej menjëherë nga fuqitë e mëdha për qëllime të tyre” (Brockhaus, 1987). (Përktheu: Nexhmedin Gërguri)


 


 


Michael Weithmann: “Der ruhelose Balkan” (“Ballkani i trazuar”)


Ballkani mes Lindjes dhe Perëndimit


 


PJESA II


 


Kur armata cariste më 1878 ishte vetëm 10 kilometra larg nga Stambolli dhe Bosfori dhe kur “çështja orientale” rrezikonte të zgjidhej sipas botëkuptimit pansllavist, përmes ndërhyrjes së fuqive perëndimore kanosej rreziku i një lufte të përmasave globale. “Ndërmjetësuesit të sinqertë”, Bizmarkut, “Ballkani nuk ia vlente as sa eshtrat e shëndosha të një genadieri pomeranez”. Për “gens-là-bas” (fiset atje poshtë) ai çante kokën poaq sa ” për kupën e tij të zbraztë”. Kongresi i Berlinit u përpoq ta   rregullonte hartën e Ballkanit. Shtetet e reja të Ballkanit Serbia, Rumania, Mali i Zi, diç më vonë edhe Bullgria, u njohën përfundimisht si vende të pavarura. 


Por për sovranitet të vërtetë nuk bëhej fjalë kurrsesi. U krijuan njëra pas tjetrës shtete tampone, shtete vasale, shtete kukulla dhe satelite, të cilat, si pasojë e armiqësive tradicionale,  kapërthyheshin thellë në njëra – tjetrën. Një fushë ideale për luftra në interes të fuqive të mëdha, një manovër për kompensime territoriale.


Maksima e politikës së jashtme të Bismark-ut: “Të mbahet hapur plaga orientale që të dështojë bashkimi i fuqive të tjera të mëdha”. “Plagët orientale” në Ballkan nuk u mbyllën që nga Kongresi i Berlinit: kontestet territoriale dhe problemet me pakicat në Maqedoni, në Kosovë, në Bosnjë, në Besarabi, në Transilvani, në Dobruxha, në Traki. Disa të tjera do të pasonin.


 


Kur u pa se hipoteka e rëndë e Kongresit të Berlinit mbi realizimin e politikës rusomadhe në Ballkan po mund të jetësohej, erdhi deri tek reagimi: “Rruga për në Konstatinopojë kalon nëpër portat e Brandenburg-ut”. Nga Berlini dhe Vjena filloi të dëgjohej thirrja “Besnikëri e përjetshme!”. Që nga kjo kohë filluan të formohen aleancat, që do të përballen në Luftën e Parë Botërore: “forca e mesme gjermano-austriake” dhe aleanca e trefishtë anglezo- francezo-ruse. Vetëm tri vjet pas Konferencës paqësore të Berlinit, Evropa – sërish duke pasur si pikënisje  Ballkanin – bie në “krizë para luftës”.


Në tri deceniet e ardhshme Ballkani veproi si një fushë e ngarkimit dhe e shkarkimit të kundërthënieve të interesave të të mëdhenjve. Në mes vetë shteteve të Ballkanit gjëmuan luftrat guerile, sulmet terroriste, luftrat ilegale. Irredenta serbe agjitonte në Bosnjë, që i ishte dhënë Austrisë si një kalë i Trojës. Sllavët e Jugut shpresuan kot në marrjen e autonomisë në kuadër të kurorës së habsburgëve (siç ia pati arritur Hungaria). Në Kroaci magnatët hugarezë qeverisnin në stil kolonialist dhe e çonin kështu popullësinë kroate në krahët e ideve serbomëdha. Në Transilvani kasta e fisnikëve hungarezë shtypte shumicën rumune si në mesjetën e thellë dhe i jepte kështu hovin e duhur idesë së bashkimit të rumunëve në shtetin e Rumanisë. Maqedonia,  zemra e Ballkanit, rrethohej nga Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Aleanca Ballkanike, e përbërë nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia në luftrat ballkanike 1912 – 1913 së pari do të dëbojnë Turqinë nga Evropa Juglindore, por në mesin e fituesve të luftës do të shpërthejnë luftimet për shkak të ndarjes së presë së luftës.


Prapa tërë kësaj qëndronin fuqitë e mëdha e në rend të parë ngarendja e Rusisë për në ngushticat detare dhe për në Adriatik. Për t’ia prerë rrugën e daljes në det Rusisë, Vjena dhe Roma favorizuan krijimin e shtetit të fundit të pavarur në Ballkan, Shqipërisë. Por, si kompromis, Petersburgu arriti ta fitojë për Beogradin Kosovën e banuar kryesisht me shqiptarë. Bismarku Perandorinë shumëpopujshe të habsburgëve, përmes luftës pruso-austriake të 1866-ës dhe përmes krijimit të Perandorisë së vogël gjermano-austriake më 1871, e shtyu përfundimisht nga Perandoria Gjermane në periferi të Evropës. Ajo mbeti kështu si fuqi e madhe vetëm në Ballkan. Bismarku ishte përgjegjës indirekt edhe për pavarësimin brendapolitik nga Vjena të gjysmës hungareze të Perandorisë më  1867 dhe përmes një politike rigoroze konfrontuese ndaj pakicës rumune dhe pakicave sllave i dha slloganit “burg i popujve” municionin e duhur. Krahas konkurrentëve të saj tradicionalë në Ballkan, Rusisë, dhe shteteve vasale të saj, Serbisë dhe Malit të Zi, perandoria e dyfishtë shihte edhe risorgjimenton (ringritjen) italiane të Perandorinë së Italisë, të krijuar pas luftërave bashkuese më 1859/60, si një pretendente gjithnjë e më të fuqishme ndaj Istrisë, Dalmacisë dhe Shqipërisë.


Që nga fillimi i shekullit fuqitë e mëdha inicuan në Ballkan një sërë luftrash testuese dhe krizash: krizën e Maqedonisë,, krizën aneksionuese të Bosnjës, krizën e Shqipërisë dhe, krizën e fundit, “krizën e korrikut 1914”, menjëherë pas atentatit të Sarajevës, – e cila më nuk ishte e mundur të mbahej nën kontroll. Lufta e Madhe kishte qëndruar pezull në Evropë për dhjetë vjet me radhë, por xixa e saj e fundit u ndez në Ballkan. U aktivizua menjëherë mekanizmi i aleancave ushtarake dhe i diplomacisë së fshehtë, që pëfshiu së pari Ballkanin e më pastaj edhe Evropën dhe në fund tërë botën. Ballkani, pikënisja e Luftës së Parë Botërore, u shndërrua në një çështje të dorës së dytë.


Rrëzime monarkish, thyerje perandorish, krijim shtetesh të reja nacionale. Pas vitit 1918 satelitët e fituesve dhe bashkëhumbësit e të mundurve qëndronin papajtueshëm përballë njëri – tjetrit. Fituesit – antanta francezo-angleze – i caktuan kufijtë e rinj, por asesi jo sipas parimit nacional të propozuar naivisht nga presidentit i SHBA-ve, Wodorow Wilson, në “14-pikëshin” e tij, por sipas interesave të diktuara nga fuqitë e mëdha. Fituese ishte Serbia, e cila u bashkua me territoret sllave të ish – Perandorisë Austrohungareze, si dhe Rumania, e cila mori tërë Transilvaninë dhe i shkëputi Rusisë së zhytur në revolucion Besarabinë. Humbës ishin Hungaria dhe Bullgaria. Hungaria do te mbetet shtet i vogël, Bullgaria humb bregdetin Egje. Turqia mbajti pjesën evropiane të Trakisë, Greqia shtyu kufijtë e saj në verilindje, por iu desh të tërhiqej sërish nga Shqipëria Jugore. Si në tërë Evropën Lindore dhe atë të Mesme, sistemi i Versajës i çoi kundërshtitë nacionale në ekstrem. Traktati i Versajës si shkaktarë të nxitjes së luftës i shpalli Gjermaninë dhe aleaten esaj në Evropën Juglindore Austro-Hungarinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Për pasojë pati shkëputje territoresh dhe pagesa reparacionesh. Më 1919 Traktati i Versajes u ratifikua pa kushte nga Gjermania. Pastaj aleatët ua prezentuan humbësve diktatin e tyre paqësor: Gjermani – Austrisë në St. Germain (afër Parisit), Bullgarisë  në Neuilly, Turqisë në Sèvres dhe, më 1920, Hungarisë në paralagjen e Parisit Trianon.


“Marrëveshjet” dekurajuese “të paralegjeve të Parisit” të fitueseve ndaj të mundurve  krijuan një klimë kundërshtish dhe pakënaqësish: prirjes së shteteve revizioniste për t’i reviduar kufijtë e vendosur vitit 1919/1920 iu qëndronin të papajtueshëm përballë antirevizionistët. Austria u zhduk si superfuqi, Perandoria Osmane u shndërrua në shtet nacional turk, që që nga atëherë gjendet në konflikt të përhershëm me Greqinë për Egjeun. Të shkyqura si superfuqi – zatën vetëm përkohësisht- mbetën Perandoria Gjermane dhe Rusia, e cila nga Perandoria Ruse  ishte shndërruar në Perandori Sovjetike. Londra dhe Uashingtoni u tërhoqën nga kontinenti. Franca si e vetme përpiqej ta mbushte vakumin në Ballkan. Ajo e krijoi më 1920 të ashtuquajturen “Antantën e Vogël” – Praga, Beogradi, Bukureshti- e emërtuar me lajkë si “Cordon sanitaire” i Evropës Juglindore, do të duhej ta mbronte Evropën Juglindore si nga Perandoria Gjermane, ashtu edhe nga Rusia bolshevike.


Në vitin 1918 u rrëzuan elitat e vjetra të shteteve të Evropës. Një valë e madhe  e modernizimit social dhe ekonomik e kishte përfshirë kontinentin. Por në Evropën Juglindore, si te revizionistët, ashtu edhe te antirevizionistët, nuk vërehej asnjë shenjë e kësaj fryme. Zënkat ndërnacioanle dhe problemet e reja të pakicave pamundësonin çdo ndryshim politik dhe social. Çdo gjë mbeti me të vjetrën; çështja agrare mbeti e pazgjidhur, parlamentarizmi perëndimor u dëshmua si jopraktik dhe çoi direkt në krijimin e strukturave autoritare dhe në diktatura. Ballkai mbeti edhe më tej oborri  pasmë i Evropës.


Rrezik në rritje sistemit francez të sigurisë po i vinte nga Italia fashiste. Roma synonte Dalmacinë dhe për këtë arsye përpiqej ta destabilizonte shtetitin e ri të sllavëve të jugut. Në këtë shtet të ri – së pari të quajtur “Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene” dhe prej 1929 zyrtarisht “Jugosllavi”- Serbisë iu bashkangjit pa dëshirë, nën presionin rigoroz ekspanziv të Italisë,   Kroacia. Që nga kjo kohë qëndronin papajtueshëm përballë dy sisteme të ndërtimit shtetëror – ai federativ “jugosllav” kroat dhe ai shtetëror centralist integrativ serb. Epërsia serbe çoi dy herë në shkatërrimin e shtetit: më 1941 dhe më 1991.


Politika imponuese e Musolinit në Ballkan megjithatë dështoi. Parisi përmes “Paktit Ballkanik” të vitit 1934 ia arriti t’i përforcojë pozitat e tij antirevizioniste në Evropën Juglindore.


Me rifutjen e Gjermanisë në rrethin e fuqive të mëdha – tash si “Perandori e tretë” nacionalsocialiste – gjendja në Juglindje ndryshon dramatikisht. Me boshtin Berlin – Romë që nga viti 1936 revizionizmi merr hov të theksuar.Vendimtare megjithatë ishte varshmëria e vendeve të prapambetura agrare të Evropës Juglindore na Gjermania dhe atë që nga paraqitja e krizës ekonomike botërore në vitin 1929 . Deri në fund të vitit 1936 kjo çoi në varshmëri të plotë të tërë hapësirës nga Gjermania. Kështu po fillonte gërryerja e Antantës. Orientimi ekonomik çvendosi edhe orientimin politik nga fuqitë e Perëndimit drejt Gjermanisë. Shpërbërja e dhunshme e Çekosllovakisë pas Marrëveshjes së Mynihut më 1938 shënon edhe fundin e Antantës së Vogël. Hungaria, si partner vullnetar i boshtit, pëfiton nga kjo dhe nga amputimi i Rumanisë më 1940. Edhe Bukureshti dhe Sofja bien shpejt dhe fuqishëm në duart e Boshtit. Me këtë”revidohet” sistemi  i Versajës.


Në dy vitet e para Ballkani mbeteti kursyer nga Lufta e Dytë Botërore. Për Gjermaninë luftëprirëse, Evropa Juglindore kishte vetëm një domethënie dytësore. Ajo në kuptimin ekonomiko-ushtarak do të duhej të shërbente vetëm si një hapësirë agrare furnizuese. Për këtë arsye hapësira u la nën kontrollin e Musolinit. Për qëllimin kryesor luftarak gjerman – depërtimin në Lindje – ishte e rëndësishme “Qetësia në Juglindje”.


Në fund të viteve të tridhjeta si supremaci e Ballkanit del në skenë sërish Rusia – tash si perandori sovjetike.


Me Paktin Hitler – Stalin të vitit 1939 Moskës iu njoh Besarabia si “trampolinë tradicionale” për në Evropën Juglindore, të cilën një vit më vonë do ta marrë Armata e Kuqe nga Rumania e paralizuar. Me këtë Lufta e Dytë Botërore e përfshiu edhe Evropën Juglindore. Për shkak të dësshtimit të depërtimit të Musolinit në Greqi, në vitin 1941 do të niset edhe makineria luftarake gjermane në drejtim të Ballkanit. Pasi që Begradi nuk lejonte të vehej nën presionin e forcave të Boshtit duhej të nënshtrohej ushtarakisht dhe të pushtohej, njësoj si Greqia, ku britanikët donin ta ngrisnin një front juglindor.


Marshimi gjerman në Ballkan i vitit 1941/1942 nuk ishte i planifikuar në strategjinë e gjithmbarshme. ” Rirregullimi gjerman i Juglindjes Evropiane” kishte për këtë arsye të gjitha karakteristikat e një përkohshmërie. Hungaria dhe Rumania ishin satelite të forcave të Boshtit dhe, bile,  merrnin pjesë me kontigjente të mëdha në “kryqëzatat antibolshevike” kundër Bahkimit Sovjetik. Të dyja ishin thell të armiqësuara për shkak të Transilvanisë. Hitleri i mbante të dy të lidhura për vete përmes premtimeve të fshehta për dhënien e Transilvanisë. Që nga viti 1940 kjo pjesë në masë të madhe i takon Hungarisë. Greqia pushtohet pjesërisht edhe nga Italia dhe nga simpatizuesi i Fuqive të Boshtit Bullgaria. Shqipëria u bë protektorat i Italisë. Jugosllavia u nda e u copëtua shumëfish – deri në kapitulimin e Romës më 1943 – në sferë italiane dhe gjermane të ndikimit. Në Serbi sundonin gjermanët, në Dalmaci, Mal të Zi dhe Kosovë italianët. Në Kroaci – së pari nën “mëshirën” e Musolinit e pastaj të Htlerit- u ngrit shteti horror klerikal-fashist, të cilit do t’i bashkangjitej edhe territori i Bosnjës


Nga 1941 deri më 1945 në shtetin vasal kroat sundonte pushteti fashist i “partisë ustashe” (ustash = kryengritës), i cili ndiqte një politikë tepër brutale  dhe të gjenocidit ndaj serbëve në Kroaci dhe në Bosnjë.


Për Rajhun e Tretë priamre për vendet e Ballkanit ishe shfrytëzimi ekonomik i endeve të Ballkanit pa stacionim të forcave të mëdha ushtarake. Fillimi i shpejtë dhe nga gjermanët i paparashikuar i luftës partizane e pengonte në mënyrë permanente arritjen e këtij qëllimi. Në Greqi, Jugosllavi dhe Shqipëri paralelisht me pushtimin gjerman zhvillohej pjesërisht edhe një luftë qytetare mes grupeve nacionale dhe qytetare pjesërisht kolaboruese edhe komunistëve. “Armatat nacionalçlirimtare” komuniste fituan atëherë epërsinë për shkak të qëndrimit të tyre të pakompromis dhe të konceptit të qartë që kishin ato atëherë për të ardhmen. Më 1943 Tito njhet aleat nga Londra dhe Uashingtoni e më vonë edhe nga Moska.


Që nga fundi i vitit 1943 Bashkimi Sovjetik ishte në pe¨rparim në të gjitha frontet e luftës. Në mesin evitit 1944 ata hynë në Rumani, Bullgari dhe Hungari dhe bile depërtuan deri në Beograd dhe Vjenë. Stalin-i përmes një veprimi energjik deshi të pengonte një invazim të aleatëve nga Mesheu në Evropën Juglindore. Ballkani do të duhej t’i takonte atij vetëm. Rooswelt-i dhe Churchill-i nuk llogaritur asesi me një sukses kaq të shpejtë të Stalin-it që të mund ta fuste Evropën Juglindore nën kontroll vetëm brenda një viti. Në fund të vitit 1944 Londra dhe Uashingtioni ishin tashmë të shtangur para faktit të kryer.


 


Në Konferencën e Luftës së “Tre të mëdhenjve” – Anglisë, SHBA-së, Bashkimit Sovjetik- në Kasablanka më 1944 në Jalta u shtruan qëllimet e koalicionit antihitlerian. Ballkani mbeti sërish çështje e dorës së dytë. Aleatët evroperëndimorë tërë Evropën Juglindore e lanë si zonë ndikimi të Bashkimit Sovjetik. Sipas të dhënave një shërbyesi të Kriemlit tre burrështetasit u morën vershë për këtë ndarje në përqindje të teritoreve: Rumania: 10% aleatëve perëndimorë, 90% Bashkimit Sovjetik; Greqia 10% Bashkimit Sovjetik, 90% aletëve perëndimorë; Bullgaria 25% aleatëve perëndimorë, 75% Bahkimit Sovjetik; Hungria dhe Jugosllavia “fifti – fifti”. Por një sovjetizimi qindpërqindtë i Hungarisë, Rumanisë, Bulgarisë dhe Shqipërisë ishte i pandalshëm. Greqia, edhe përkundër luftës së ashpër qytetare deri më 1949 mbeti në hemisferën perëndimore. Jugosllavia u shndërrua në një rast të ve4antë.


 


Sistemi botëror i Jaltës e ndau tërë botën sërish – tash në mënyrë signifikante përmes një perde të hekurt – në një gjysmë lindore dhe një gjysmë perëndimore. Sie sisteme vlerash do të konkurronin tash e tutje Perëndimi demokratik, i vetëquajtur si “bota e lirë”, i dominuar së pari nga Londra dhe Uashingtoni, e më vonë vetëm nga SHBA-të, me komunizmin e ndërtuar sipas Moskës. Evropa Juglindore do të bëhej pjesë e fortë përbërëse e bllokut lindor komunist.    ( Përktheu: Nexhmedin Gerguri)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …