Miftar Kurti

Miftar KURTI: AGU PARA GJYQIT 1

Po e akuzonin

“sepse të shenjtin kalë e kish dhunuar

me një shigjetë, për shkak se njërën brinjë

ia kishte goditur me atë heshtë mizore…”

E goditi. E goditën. Nuk mund të mos e godisnin. Edhe durimit i kishte humbur durimi.

Edhe atij i kishte ardhur dekiku.

Edhe atij i erdhi dita.

E zezëdita.

Moti u prish. Nisi të frynte dhe të binte. Të frynte erë. Të binte shi. Erë e madhe. Shi i rrëmbyeshëm. Bubullima e vetëtima s’kishin të ndalur. Vetëtinin e mërmërisnin ditët e netët natë e ditë.

O(e)rë e m(barë)adhe erdhi.

O(e)rë e ligë.

Kështu fillonte tregimi i radhës që Lumi nisi ta lexonte. Mirëpo, para se të vazhdonte më tutje, vendosi t’i shkruante Ulpianës në facebook (fb). T’i shkruante, ta falënderonte për USB, por edhe ta pyeste për Nënën dhe për Agun.

– Nëna si të gjitha nënat. Krenare edhe me dhimbjen e vet. Agu ashtu si ka qenë çdo herë. Çfarë të them tjetër përveç asaj që e kam thënë në atë dorëshkrim. Pres komentet tua.

– Komentet një herë tjetër. Kësaj radhe dëshiroj të di diçka më shumë për Agun.

  g

– Pa të rrëfimi do mbetej përgjysmë! – shtoi ai me të njëjtën dozë buzëqeshjeje.

– Mirë, veç aty do të dukesh edhe ti. Në ndonjë fjalë a në ndonjë shkronjë.

– Si, unë aty?! Çfarë ka të bëjë kjo me mua?

Biseda mes tyre do të vazhdonte sikur të mos binte rrjeti. Atëherë, Lumi, iu kthye leximit.

Nëna i lexonte (dorë)shkrimet e të birit vetëm atëherë kur ai nuk ishte në shtëpi. Atë pasdite kur ai u nis për gërmime arkeologjike në Ulpianë, ku do të qëndronte dy javë, ajo shkoi e hyri në dhomën e tij të punës. Ta krahonte pak, siç thoshte shpesh. Pasi rregulloi çfarë kishte për të rregulluar, mori në dorë njërën nga fletoret, të cilën ai e kishte lënë mbi tavolinë. Tri fletët e para të fletores me kopertina të forta, ngjyrë kafe, i kaloi shpejt. Në fletën e parë kishte të dhëna personale (emri dhe mbiemri, data dhe vendi i lindjes, adresa e banimit dhe nënshkrimi), në të dytën kishte një kalendar, ku ishin rrumbullakosur disa nga datat, kurse në të tretën ishin disa numra të telefonave. Fleta e katërt ishte e zbrazët. Në të pestën fillonte (dorë)shkrimi. Shkrimi i tij ishte i lehtë për t’u lexuar. Jo vetëm se ajo ia kishte mësuar shkrim-leximin, porse ai shkruante edhe bukur, edhe qartë. Në krye të faqes titulli: Në veri(g)un e dhimbjes së verigtë.

Kisha ngelur vetëm. I vetmuar. Në vetmi. Edhe Vetvetja më kishte harruar, ma kishte kthyer shpinën. Pa të nuk po funksionoja dot. Ajo shëtitja së bashku në natyrë duket se na bëri mirë, duket se na afroi shumë. Kishim nevojë për njëri-tjetrin, kishim nevojë për një fjalë të mirë. Për një fjalë që ngushëllon, për një fjalë që shëron. Fjala nxori fjalën. Kështu më lindi edhe ideja. Ideja për të evokuar një kujtim.

– Vetvete e çmuar!

As më thua:

Ç’ke me mua?

Pse të dua paskam faj?!…

– Tekanjozi im i paçmuar!

Do të vdisja me shumë gas,

Të paskësha pak shpresë,

Se do të thuash ti më pas:

Vdiq për mua, pastë ndjesë!

– Kam një ide.

– Ma thuaj.

– Dua, dëshiroj, kam shumë dëshirë t’i evokojmë disa kujtime!

– Vetëm në to po gjen ngushëllim?

– Dhe në ty…

– Për çfarë kujtimesh e ke fjalën: të luftës apo të jetës?!

– Për kujtime të paharruara.

– Prej nga kjo ide?

Dikur, në fshatin tim të lindjes, në lagjen time pa dritë(a), ku(r) edhe rrugët e rrugicat kërkonin diell, kishte shumë njerëz, kishte shumë familje, kishte shumë dashuri. Dashuri që nuk e zinte as lagjja, as fshati. Ajo dinte edhe të tepronte. Siç tepronte errësira, siç tepronte urrejtja; siç tepronin dhuna e varfëria, plagët e dhimbjet, gjëmat e vajet, ëndrrat e mallkimet, kukuvajkat e lakuriqët e natës; kakarisjet e pulave e këndesave, blegërimat e deleve, palljet e lopëve, byrykatjet (bërlyket) e qeve (kieve), mjaullimat e maceve, të lehurat e qenve, ulërimat e ujqërve… Në takimin e fundit me të, të gjithë e të gjitha i mungonin. Edhe rrugët e rrugicat e kishin braktisur. Krejt ia kishin kthyer shpinën. Vetëm varret mbaheshin mirë. Ato ishin shtuar shumë në lagjen time të shurdhuar e të verbuar, në lagjen time shurdhmemece. Dhe pa kulm mbi kokë. Edhe dashuria kishte mërguar diku, kurse urrejtja e kishte hëngër edhe kokën e vet.

Kur unë ia ktheva shpinën, edhe dielli perëndoi.

Perëndoi mbi lagjen që tashmë kishte perënduar.

Dhe mbi fshatin që veç sa nuk kishte perënduar.

Mbi fshatin që kishin nisur të bënin roje varret.

Dhe errësira.

– Çfarë kishte ndodhur me shtëpinë?

Vetëm muret kishin ngelur pa luajtur vendi. Vetëm muret e shtëpisë sime të shkretë, shtrirë gjerë e gjatë, fund e krye ishin mbuluar me hithra, ishin mbuluar me handrak. Mbetur qyqe vetëm, fillikat, ishin mbështetur për oxhaku si murgj të ngratë. S’kishte mbetur asgjë tjetër në këmbë vetëm atij oxhakut kryeneç.

– E kishin djegur?

Atë ditë, me sytë e mi e pashë tek digjej, e pashë tek digjem, tek digje(shi)n: dyer e dritare, dysheme e divan, strehë e qerpiçë, kulmi me tavan; çatia me gjithë vesë, me qoshe e çdo skaj, mbërthyer në atë mal zjarri sall për një fjalë;

Digjej, digjesha, digjeshin: ninananat me djepa e çapat me belbëzime, tregimet e moçme me fjalë e kuvendime; ditë e net, javë e muaj, stinë e mote, fjalë e këngë pleqërishte sa mosha e kësaj bote;

Digjej, digjesha, digjeshin: oxhaku, shija e bukës mbrume, çerepi; hiret shtruar në sofër me bukë, kripë e zemër pëlcisnin si kokrrat e kripës në zjarr; kusia me ujë të valë, varur në verigun e verigtë për një varg, për një fjalë;

Digjej, digjesha, digjeshin: Homeri, Dante, Shekspiri, Kafka, rafte librash, shkronja një mal varur në veri(g)un e verigtë për një varg, për një fjalë; bashkë me lotin dhe krahnezi i saj;

Gjithçka u dogj, gjithçka u shemb e zjarri e përpiu, zjarri edhe veten dogji, tymi edhe veten e nxiu, drejt kupës së qiellit zjarri villte zjarr e tymi tym të zi, tym e zjarr sa një mal pollën sall një grusht hi.

-Pastaj?

Sytë e mi e sytë e saj

salltanete zjarr(i)esh

va(j).

– Po me anasit çfarë kishte ndodhur?

Ishte syni i pranverës…

– Syni a syri?

– Hajde, toskja ime, hajde.

“Geg’ e Toskë, Malci, jallia

Jan nji komb, m’u nda s’duron:

Fund e maja nji a Shqypnija,

E nji gjuh t’gjith na bashkon!”

Ngase dikush kishte guxuar ta godiste Kalin e Semaizi Semortjes me të cilin kalëronte brigjeve të lumit pa u lagur, atëherë e zezëdita ndodhi me ne. Sojzinjtë na rrethuan. As në dekë, as në drekë nuk na linin të dilnim as në prag të shtëpisë derisa të tregonim se kush qe ai guximtar që kishte guxuar ta godiste. Keq kur heshtnim, edhe më keq kur flisnim. Keq kur erreshim, edhe më keq kur gdhiheshim. Keq kur qëndronim në shtëpi, edhe më keq kur dilnim përjashta. Kur dilnim, na arrestonin dhe burgosnin. Burgjet i mbushën përplot. Kur, më në fund u bindën se masat e veprimet e tilla nuk po e arrinin efektin që ata dëshironin dhe synimin që kishin, atëherë ndërmorën masa të tjera. U futën në shtëpitë tona, duke na nxjerrë si leckat. Pastaj shtëpive ua vunë zjarrin. Me tym e zjarr na nxorën në rrugën tym e zjarr. E me zjarr na grahnin. Tymi e zjarri përpinin para syve tanë shtëpi e katandi, oborre me avllia, rrugë e rrugica, shikimet tona… Dhe horizontin. Gjithçka po digjej bashkë me stinën, bashkë me motin, bashkë me motet. Edhe lojës i doli tymi…

– Lojës a plojës?

– Loja u shndërrua në plojë, ploja u shndërrua në lojë!

Veç dëshirat dhe ëndrrat nuk po na i digjnin dot. As fjalën e dhënë tek e cila mbaheshim, tek e cila gjenim ngushëllim. As këngët. Këngët tona me dallgë shpirti e jete, brumi i ëndrrave dhe dëshirave neve na jepnin krah, na mbanin gjallë, kurse atyre u prishnin punë.

– Sa herë kam dëgjuar e lexuar kujtime të tilla. Ç’janë këto kujtime?

– Çdo ngjashmëri me ngjarje reale dhe me persona (nuk) është e rastit, e dashur.

– Përsëritjet më bezdisin.

– Përsëritjet janë nëna e diturisë.

– E diturisë apo e monotonisë?

Me Studentin, për herë të parë, qesh takuar në oborrin e shkollës në fshatin B., në një ditë tetori, një ditë vjeshte, një ditë me shi. Atë ditë qenë ftuar në një takim pothuajse të gjithë ushtarët e të gjitha njësiteve që t’u kumtoheshin disa lajme dhe t’u lexoheshin disa vendime. Rreshtimi u bë në oborrin e shkollës. Aty, deri në muajin qershor ’98 të shekullit të kaluar, vlonte nga nxënësit e mësimdhënësit. Pastaj ndryshoi çdo gjë. Shkollat u mbyllën, shtëpitë u shndërruan në shkolla, pragjet në istikame, kurse oborret po mbusheshin me varrë e varre. Ndaj, nuk na kishte mbetur zgjidhje tjetër vetëm ta merrnim rrugën e malit para se të na i digjnin të gjitha rrugët. Dhe dheun nën këmbë. Numri i vullnetarëve shtohej përditë. Kreshbardha kishte mjaft vajza e djem, burra e gra të gatshëm t’i përgjigjeshin kushtrimit. Studenti ishte njëri prej tyre. Prandaj, njëri nga vendimet që kishte marrë komanda e Brigadës, që u lexua atë ditë, ishte formimi i një njësiti të ri.

– Studenti e kishte goditur Kalin?

– Ai ishte njëri prej tyre.

Ai ishte ndër të parët që zgjodhi të jetë pjesë e atij njësiti, e stërvitjeve të mundimshme dhe betejave të saj. Stërvitjet, të cilat zgjatën disa javë, i përfundoi me sukses. Ato ishin sfiduese. Natën duhej çarë terrin me zjarr e ëndrra, kurse ditën ta plakje në gojën e ujkut me shpirt ndër dhëmbë. Shpesh vihej në ballë të Njësitit.

– Kurse ti i fundit.

– Mjaftonte që isha në një rresht me djem të tillë. Por, aman, mos më ndërprit kaq shpesh, sepse po ma humb fillin e rrëfimit.

– Ruaju se po e humb fillin e jetës.

– Ai vihej në ballë të Njësitit. Hapat e tij ritmikë…

– Kurse, ti merrje n’thua në hapat tu.

– Dikur edhe unë mësova të ec.

– Shtigjeve të malit?

– Mos deshe shtigjeve të lakmisë, tekanjozja ime?!

– Jo, shtigjeve drejt Vetvetes.

– Andej jam nisur.

Hapat e tij ritmikë si të një valltari a balerini, lëvizjet e trupit nëpër pengesa gjatë stërvitjeve e nëpër istikame gjatë betejave, i ngjanin një melodie që mund ta krijonte vetëm një gjarpër kur lëvizë gjetheve të thara të një pylli ose atkosave nëpër livadhe. Atë ditë që u dha urdhri se një skuadër duhet të dërgohej në mbrojtje të pozicioneve luftarake nga pritej të kalonte kalëruar Semaiziu, ai u bë pjesë e saj.

Ditën që po bëheshim gati për t’u nisur, e këshilluam të mos dilte fare në pozicione ngase kishte nevojë për pushim, por as fishekë të mjaftueshëm nuk kishte. Nuk e ndaluam dot. Bile ai ia mori këngës. Kur u nisëm livadhit përpjetë që të çonte maje asaj kodre-istikam, shoku që ishte me ne, nisi me avazin e tij të zakonshëm, me humorin e tij të hollë, dihet, pa të keq që ta kalonim sa më shpejt rrugën.

– Ke thënë se je student i ekonomisë?

– Po, pse?

– Ekonomist po, por duket se nuk i paske bërë hesapet mirë.

– Pse?

– Sepse nuk mund të nisesh për në front me një grusht fishekë.

– Me një… niset e çahet përpara, se me dy e me pesë b… nuk mund të nisesh askund! – iu përgjigj atij duke qeshur.

– Qeshu, ti qeshu, mirëpo sipas vëzhguesve, vetëm brenda njëzet e katër orëve, drejt Malit të Istikameve, janë nisur dhjetëra kamionë, traktorë, transportierë, praga e tanke përplot ushtarë e pajisje të tjera. Atje kanë kurdisur bateri minahedhësish, artileri të rëndë! – shtoi shoku.

– Aq më mirë. Edhe ne nuk do të tregohemi dorështrënguar. Plumbat nuk do t’i kursejmë për ta. Ata meritojnë edhe më shumë! – shtoi ai.

Mëngjes qe kur u nisëm. Mëngjes i hershëm. Mëngjes i vranët. Mëngjes me shi. Shiu nuk kishte pushuar gjithë natën. Binte ende. Dhe binte goxha shumë. Kjo po na shkaktonte probleme gjatë ecjes sonë drejt istikameve. Moti s’kishim parë diell me sy. Edhe dielli duket sikur kishte mërguar diku përtej reve. Duket se edhe atij i kishte humbur rruga e nuk po kthehej dot aty ku e kishte folenë. Na mungonte dielli, na mungonte edhe pranvera. Pranvera, megjithatë, erdhi, ani se ia kishin zënë rrugët, ani se ia kishin mbyllur të gjitha shtigjet. Erdhi e molisur, erdhi e përlotur. Erdhi me një mal dhimbje, me një mal plagë. Lehonë.

Në mëngjesin e ditës së njëzetepestë të muajit prill të pranverës ‘99, ai po ecte para nesh me hapa të shpejtë drejt istikameve. Hapin e tij nuk po e ndalonin as shiu e mjegulla, as përpjetëza, as mali me lisa shumë dhe me shkurre. As pritat. Edhe pse përpjetën e madhe e kaluam me shumë mundime, te istikamet arritëm shëndosh. Atje, hipur në një degë lisi, na priti një zog mali, një zog stine. Si stina vet. Ashtu. I bërë qull. I lënurur si leshi. Çartaqejf. Qe Studenti ai që iu afrua vishkullit në degën e të cilit qëndronte zogu. Ai as nuk po largohej, as nuk po qëndronte dot në një vend. Nuk po rehatohej dot, më sa rehatohej moti a stina. Cicërimat e tij të shpeshta, lëvizjet e tij të pandërprera në formë trekëndëshi afër lisit ku qemë pozicionuar ne, ma tërhoqën vëmendjen. Studentit i bëri përshtypje vendosmëria e zogut për të mos u larguar nga strofullogu (foleja), pavarësisht që ia lëkundi degën në mënyrë që zogu të largohej nga rreziku i goditjes së ndonjë plumbi. Zogu me profil shiu nuk u largua, vetëm i shkundi pendlat e qullura. Prej flatrave të tij ranë ca pikla në ballin e tij. Ai, me shuplakën e dorës së djathtë, fshiu ballin e stërpikur. Kur e hapi shuplakën, e pa se nuk ishin vetëm pika shiu, por ishin edhe pika gjaku. Pika gjaku të zogut me profil moti e stine. Ai zog qe plagosur në njërin krah, prandaj nuk po fluturonte dot…

Nuk fluturohej pa krah.

Atje nuk po plagoseshin e vriteshin vetëm zogjtë, por edhe këngët dhe cicërimat e tyre. Edhe cicërimat e cicërimave të tyre. Atje nuk po kurseheshin as shqiponjat, as sorrat e larme. As fluturimi i tyre. Nuk po kurseheshin as ujqërit dhe ulërimat e tyre; as ulërimat e ulërimave të tyre; as lepujt e as luanët, as drerët e as drenushat, as derrat e derrkucët, as dhelprat dhe dhelpëritë e tyre. Nuk kurseheshin as fijet e barit, as fijet e fijeve të barit. Nuk kurseheshin as blerimi e mugullimi, as malet me lisa e gjethe shumë. As lisat e mëdhenj, as shkurret. As fushat e mbjella me grurë e misër e korrur me zjarr. Nuk kurseheshin as kullosat, as delet e blegërimat e tyre, as blegërimat e blegërimave të tyre; as qentë dhe të lehurat bashkë me kafshimet e tyre qençe; as barinjtë dhe hoj-hojet e tyre. Nuk kurseheshin as udhët. Ato po shpërfytyroheshin përditë. Po na i digjnin nën këmbë. Me buzë të ngrira në gaz fluturimin s’e ndalonin: as njerëzit, as ëndrrat, as dëshirat dhe dashuritë e lidhura varg, të lidhura verig.

Pasi arritëm te istikamet, Studenti hipi mbi stomin afër një shkurreje. Po shikonte mundësinë që të vazhdonte edhe disa hapa përpara derisa të ngjitej në majën e Kodrës prej nga shihej gjithë Kreshbardha. Ishte era e fortë ajo që e prapësoi. Dielli, pasi iu shmang një reje të murrme, nuk vonoi e doli maje kodre nga e cila lëshoi një krah rreze. Rrezet shkuan e i ranë në lule të ballit si një reflektor në pikë të natës. Me një lëvizje të vogël të kokës, diellin e vendosi në vetull, kurse rrezeve të tij u hapi rrugë.

Era e shiu, vetëtima e mërmërima, kori i armëve të dalldisura nga salltanete zjarresh e krismash sikur po çanin qiellin mes për mes, sikur po bënin bashkë tokë e qiell, por fronin nuk po e lëshonin. Atyre iu bashkua troku i kalit, troku i kuajve prej hekuri. Trokëllimat e tyre prej hekuri trokëllinin e hingëllinin deri në kupë të qiellit.

– Ç’janë këta kuaj prej hekuri?

– Kuaj të mbathur me zinxhir, të veshur me hekur që hanin gjyle topi (predha) e villnin zjarr.

– Tanket?

Nga troku i tyre gjëmonte e ushtonte toka. Tingujt bastardë të zinxhirëve të tyre nisën të na i torturonin aq fort  nervat dhe telat e zemrës, sa ishte e vështirë t’i mbaje nën kontroll dallgët e dallgëve të dalldisur të shpirtit. Gjëmonte e ulërinte shpirti. Gjëmonte e ulërinin rrugë e rrugica, mali e fusha, toka e qielli. Ulërinte ulërima e ulërimës. Stina. Simfonia e stinës. Simfonia e azdisur e stinës. Simfonia e istikameve. Simfonia e tingujve të luftës.

– Ç’është kjo simfoni istikamesh, ç’është kjo simfoni e tingujve të luftës?

Është simfonia e kompozuar me krismat e krismave të rafalëve të automatikëve, mitralozave, granatahedhësve, topave, pragave dhe tankeve; simfonia e kompozuar me gjëmat e gjëmta të gjëmave të nënave e të etërve; me klithmat e klithmave të fëmijëve; me dhimbjet e dhimbjeve të tyre…

– Ç’simfoni?!

Para një simfonie të tillë të padëgjuar më parë, të gjithë shtangëm për një çast. U hutuam. Nga hutimi mbyllëm gojën. Çdo gjë e mbulojë heshtja. Dhe trishtimi. Askush nuk po nxirrte zë, nuk pipëtinte. As mali, as fusha. Duket se edhe mali u shurdhua, edhe fusha u verbua. As dëgjonin, as shihnin, as flisnin. Edhe heshtja i kishte futur veshët n’lesh.

Qenë bërë shurdhmemecë.

Sekush përpiqej ta ruante lëkurën e vet.

Nga rrebeshi i shiut istikamet ishin mbushur me ujë deri në brez. Studenti sikur kishte mbirë në istikam. Me karikatorët e mbushur me fishekë, me syrin e picërruar në shënjestër e gishtin e drapëruar në këmbëzën e armës, Studenti priste i gatshëm për të qëlluar. Por, atë ditë, ndryshe nga herët tjera,  nuk po qëllonte dot. Një mjegull e dendur pushtoi malin, zuri çdo shteg. Ajo t’i verbonte edhe shënjestrat, t’i verbonte edhe sytë. Ai nisi ta humbte durimin, nuk po e zinte vendi-vend. Nuk po e zinte më as istikami. Ngase nuk i pritej të ballafaqohej me Semaiziun që aq të zeza u kishte bërë anasve, atëherë lëvizi përpara. Njerëz të vrarë e të masakruar, me sytë nxjerrë, me vesh, me duar e këmbë e gjymtyrë të tjera të prera që ai kishte parë ato ditë, iu rishfaqën në fajllet e kujtesës. Në kujtesë iu rishfaq ai imazh i vërtetë i mizorisë me të cilën dëshironte t’i qëronte hesapet një herë e përgjithmonë. Kur Semaizi Semortja e hoqi plafin e mjegullës, Studenti hapi zjarr. Dy karikatorë i zbrazi në trupin e tij. Të tretin nuk e arriti dot. Rafalët e breshërisë së mitralozave të shpurës së tij, pasi e mbajtën një copë herë pezull në ajër trupin e Studentit, e përplasën përtokë.

Ata ishin shumë më shumë se ne. Dhe të pajisur shumë më mirë se ne. Kishin zënë çdo rrugë e rrugicë, kishin zënë çdo shteg. Kodrën dhe malin i kishin futur në grusht. Në grusht dëshironin t’i fusnin edhe dëshirat dhe ëndrrat tona. Dhe jetën tonë. Kësisoj, ata ishin bërë gati që edhe kësaj radhe të na vinin përpara e të na grahnin me tanke, topa, raketahedhës, praga, rafalë mitralozash, granata të dorës dhe me bajoneta derisa të na hidhnin përtej detit gjer në theqafje.

Ata e kishin vërejtur se ne ishim pak.

Se ishim me zorrë nëpër këmbë.

Mirëpo, ato zorrë na kishin lidhur fort njërin me tjetrin. Dhe plaga sa një mal e shokut u shndërrua në istikam për ne. Rrjedha e gjakut nëpër gjoksoren e tij na tregonte drejtimin. Derisa Fatmiri po e tërhiqte zhagas Studentin e plagosur, unë po numëroja 10-15 fishekët e fundit të automatikut. Me shpirt ndër dhëmbë po përpiqesha t’i mbroja nga zjarri me zjarr shokët që rrezikoheshin të binin të gjallë në zjarrin e zjarrit të tyre. Dhe të digjeshin nga zjarri me gjithë zjarr. Me një grusht fishekë dhe me një bombë dore në gjoksore… po përpiqesha të mbahesha ende, ani se po na vinte laku i zjarrit në fyt, vdekjen po e shihnim sheshazi. Ajo vinte tallaze-tallaze e në trajta të ndryshme. Kur erdhi, as nuk po na merrte shpejt me vete, as na kursente nga gjithë ai ankth, nga gjithë ai trishtim. Laku i trishtimit ishte më trishtues se trishtimi, Nga një gjendje nokdauni më nxori kori i rafalëve të mitralozave dhe mortajave të shokëve që gjendeshin në istikame të tjera jo fort larg nesh. Vetëm atëherë m’u kujtua të kërkoja ndihmë nga ta. Dhe thirra me sa zë që pata. Nga rafalët e plumbave të mitralozave, zëri ende pa dalë mirë nga goja po bëhej copë-copë në ajër. Nga plaga sa një mal e shokut, as malin nuk po e shihja dot më, e jo më të gjeja rrugë(dalje) a rrugica shpëtimi. Pothuajse të gjitha rrugëdaljet i kishte përpirë moti i keq, koha e keqe, zjarri e prita. Ne ishim mes dy rrugëve. Ne ishim mes jetës dhe vdekjes. Cilën prej tyre ta zgjidhnim unë dhe Fatmiri? Studenti nuk e zgjodhi asnjërën prej tyre. Mes jetës dhe vdekjes ai zgjodhi rrugën e pavdekësisë…

– E vranë?!

– Ata e qëlluan, por vdekja nuk e mori!

– Çfarë ndodhi pastaj?

Derisa po mendoja daljen nga ajo situatë, një granatë dore shpërtheu jo fort larg istikamit të mbytur në ujë. Edhe pse shpërthimi në atë baltak të mbytur në ujë dhe në atë mal me shkurre nuk e pati efektin e nevojshëm, mua ma humbi pak ca busullën e orientimit. Më dezorientoj. Këmbët nisën të më dridheshin, nuk po më mbanin dot. Sytë po më digjnin nga ai tym si hi, nga ajo mjegull gri. Shikimi po më mjegullohej. Para syve më dolën do drita të mjegullta, si drita qirinjsh. Dikur asgjë nuk po shikoja përveç verbërisë sime…

– Mirë që shpëtove kokën.

– Ëndërroja ta shpëtoja tokën e botën, por nuk po e shpëtoja as kokën…

Nuk e kisha menduar një fund të tillë të pafund. Kisha harruar se kisha folur ndonjëherë. Se kisha shikuar a dëgjuar. As se dikush kishte dëgjuar a mund ta dëgjonte zërin tim. I bërë dhe mbi dhe, me armën përpara tek numëronte grahmat e fundit, më ballin e mbështetur për shuplake, kurse shpinën e dorës në tokë duke qëndruar në istikam, më gjetën shokët (E. I., B. F.). Zëri, i bërë copë-copë nga mitralierët, megjithatë e kishte gjetur rrugën e vetë.

Pasi shokët e vunë situatën nën kontroll dhe pasi e mora pak vetën, iu afrova të plagosurit që po ia jepnin ndihmën e parë. Plagët i kishte të mëdha. Një mal me plagë. Ato skurronin gjak. Njëra nga plagët te fytëza e fytit po ia vështirësonte gjithnjë e më shumë frymëmarrjen. Plumbi ia kishte prerë si me bajonetë një pjesë të zgavrës së fytit. Ai më nuk po merrte frymë si më parë nga hundët e goja, por nga plaga si një istikam. Gjatë përpjekjeve për të marrë frymë, të krijohej përshtypja se bashkë me frymëmarrjen po përpinte fundin e stomakut, mushkëritë e gjoksin bashkë, dhimbjet, istikamet, krismat; tymin, flakën e barotin e përgjakur. Gjithë atë mal, gjithë atë kodër. Rrugë e rrugica. Dhe retë në qiell. Shpirti i tij veç murmuronte, gjaku i tij veç gurgullonte, kurse fytyra e tij vetëtinte. Ç’bubullimë e vetëtimë që panë sytë e mi në atë trup e shpirt të tij, s’ka parë as njeri… Nëpër ato gjëma, vetëtima e bubullima ai ende merrte frymë. Frymonte. Gjatë frymëmarrjes ndihej një kërrhamëzë që nuk e kam dëgjuar as te ata që kanë vuajtur shkallën më të lartë të astmës. Kur e nxirrte frymën përjashta, të përgjakur e nxirrte. Ashtu edhe zërin. Edhe fjalët duket se pikonin gjak. Edhe tingujt…

Pranvera sikur po e hante edhe vetën me dhëmbë. Edhe prillin. Dhe prilli prillin.

Deri te Bunkeri shokët e tërhoqën shagas me shumë mundime. Pasi ia dhanë ndihmën e parë, nuk vonoi erdhi edhe Komandanti me pjesën tjetër të Njësitit. Duhej t’i kthenim dhe t’i ruanim me çdo çmim pozicionet ku kishim qëndruar më herët me Studentin. Në të kundërtën, nga ai shteg i hapur ne mund të pësonim edhe më keq. Nuk kishim zgjidhje tjetër, nuk kishte kohë as për tërheqje. Fare afër krahëve e shpatullave tona qenë strehuar dhe nga ne kërkonin shpëtim  mijëra fëmijë, gra, pleq… që ishin detyruar ta linin qytetin pas masakrës së 13 marsit në Tregun e Qytetit M. Komandanti i Njësitit ndërmori shpejt masat për t’i kthyer pozicionet. Kërkoi dhe forca shtesë nga Komandanti i Brigadës. Në krye me Komandantin u nisëm prapë përpjetë Kodrës… Luftimet vazhduan deri në ora 22 e natës. Mezi u kthyem në pozicionet e mëparshme, por pasi na u plagos rëndë në kokë edhe Komandanti (R. S.).

Te istikamet e rikthyera gjetëm thembrat e atyre që më herët kishin zënë çdo shteg dhe që mbanin kodrën në grusht, mirëpo tash nuk po e mbanin më as vetën, se edhe vetja u kishte dalë nga dora. Disa prej tyre ishin nisur rrugës të cilën më parë e kishin zgjedhur vetëm për ne. Aty gjetëm gjurmë gjaku; gjetëm grumbuj gëzhojash, shprica droge, top xhoi dhe mbështjellës çokollatash. Gjetëm edhe pagurë: disa të mbushura me ujë e disa me raki. Gjetëm edhe dhimbjen, edhe krenarinë tonë. Kështu, mes dhimbjes e krenarisë, mes jetës dhe vdekjes, luftimet atje vazhduan edhe ditëve në vijim. Për këtë do t’iu flas një herë tjetër.

– Ç’u bë me Studentin?

Tri ditë më vonë, diku dyqind-treqind metra më tutje, qesh plagosur dhe unë. Aq ditë bëmë rrugës derisa arritëm në spital me vëllanë dhe me dy bashkëluftëtarë (H. K., L. M. dhe R. U.), të cilët herë më bartnin me qerre kuajsh, herë me batanije e herë në shpinë. Terreni ishte me shumë përpjeta e tatëpjeta siç është vetë jeta, siç janë vetë shkrepat e jetës. Vetëm ditën e tretë, buzë mbrëmjes, arritëm në një fshat grykë mali, mes dy kodrash, mes për mes të cilit kalonte një lumë. Ishte hera e parë që po shihja një lumë, i cili jo vetëm që kalonte mes për mes fshatit duke zbritur shpatit, por kalonte edhe mes për mes oborrit të dy shtëpive përballë njëra-tjetrës. Sa interesante, në atë kohë të keqe për lirikën, sa idilike m’u duk një shtëpi me oborr breg lumi. Strehëve të shtëpive rrëzë malit, kalonte njëri skaj i rrugës që zbriste nga gjoksi i maleve. Sa u mërzita kur stomit të rrugës pashë aq shumë traktorë mbuluar me tenda e të mbushur me harxh e me njerëz, të cilët prisnin me vesh në krah të gatshëm për t’ia mbathur… Ata ishin vendosur afër shtëpisë-spital të improvizuar ku trajtoheshin të plagosurit. Aty trajtohej edhe Studenti. Kishin kaluar ditë që nuk ishim parë. Kur më pa, sytë iu mbushën me lot. Duke gulçuar m’i uroi plagët. U gëzova shumë kur mjeku më tha se gjendja e tij ishte stabile, por u trishtova kur më tha se gjendja e tij ende ishte e rëndë. Vizitat nuk kishin të ndalur. Nëna i erdhi për vizitë të nesërmen. Kur e pa në atë gjendje, nëna kot përpiqej të mbahej përballë vullkanit të dhimbjes.

Edhe pse krevatet i kishim shumë pranë njëri-tjetrit, nuk arrija ta kuptoja se si po bisedonin veç me pëshpërima, me duar e gjestikulacione, por pa zë dhe të merreshin vesh aq mirë. Duket se e njihnin mirë gjuhën e dhimbjes, gjuhën e shpirtit, gjuhën e dashurisë. Krejt çfarë kuptova nga ai takim dhe biseda e tyre, ishte momenti kur Nënës së tij ia dha një copë letër me porosinë që t’ia dërgonte nënës së shokut që ishte vrarë. E luti, iu përgjërua që të mos e hapte letrën. Pastaj, përqafuan njëri-tjetrin, siç përqafohen dallgët e detit me brigjet në kohë dallgësh.

Nëna u përpoq t’i ndalte lotët, por nuk ia doli. Edhe përqafimi i tyre u përlot.

Edhe lotët u përlotën.

Që të mos e shihte duke i rrjedhur lotët nëpër faqe, Nëna ktheu kokën dhe u përkul gjoja po e rregullonte cepin e shtratit ortopedik. Letrën e futi në gji.

Derisa muzgu po afrohej, nëna e bërë muzg u nis për rrugë. Ajo, pas një ore arriti në fshatin fqinj. Në sokakun e parë, shtruar me kalldrëm, në të dy anët me avllia, ishte shtëpia e saj me mure guri. Nuk pati nevojë të trokiste në derën e oborrit. Ajo ishte e hapur, siç ishte e hapur zemra e saj. Ajo nuk kishte prag. As në derën e hyrjes së shtëpisë nuk trokiti se atë e gjeti ulur në pragun e saj me duar në tëmth. Me lot për faqe e me përqafime të valë e të përlotur hynë brenda. Hynë brenda mureve të dhimbjeve të shpirtit. Nën dritën e një llambe me vajguri, mezi i ndërruan dy-tre fjalë. Ndërkohë që po uleshin, nëna e nxori letrën nga gjiri.

– Po kjo?

– E ke nga djali jem.

Ajo e mori letrën në dorë. Ngase po i dridheshin duart, letrën e shpalosi me kujdes që të mos dëmtohej. Pastaj nisi ta lexojë.

E dashur Nënë!

Pranoni ngushëllimet për djalin Tuaj e sivëllain tonë!

…Nënë, mbahu për hatër të asaj dite kur erdhi në jetë dhe për atë përqafim që ia dhurove së fundi; për mundin që e linde dhe e rrite; për prehrin që e qite, për djepin që e përkunde, për qumështin e gjirit që ia dhe e për dashurinë dhe mallin e pashuar! Për ato mëngjese që u zgjove me të, për netët pa gjumë që i kalove për të! Për…(Këtu mungonin ca rreshta-shënim i autorit)… për indeksin e librat që la, për dëshirat e ëndrrat që pati, për nina-nanat që ia këndove, për të mirat që ia deshe e ia urove! Ai për ne ishte istikam, kurse ti për të ishe istikami dhe djepi i lirisë, prandaj ai e ka lënë këtë amanet…

Letra kishte edhe dy-tre fjali në fund, por ato nuk lexoheshin dot. Letra e mbajtur në gjirin e nënës që e solli, ishte lagur nga djersët. Në atë copë letre rreshtat e fundit ishin shndërruar në ngjyrë. Ngjyra në një pjesë të letrës kishte marrë formën e një hartëze. Si hartëz lotësh. Aty diku ishin strukur rreshtat, fjalët, tingujt, amaneti. Ju mbeti pikë në zemër ta dinin çfarë amaneti kishte lënë. Në përpjekje që ta merrte veten pak, iu drejtua shoqes duke e pyetur se kur do të shkonte për vizitë te djali i saj.

– Nesër! – iu përgjigj.

– Mund të vij me ty? – pyeti dhe ia plasi vajit.

– I ke premtuar gjë djalit?

– Po. Se do ta mërgoj mërzinë çfarëdo që të ndodhë. Oh, mjera unë, po ku ta hedh, ku ta çoj, ku ta përplas këtë zjarr, këtë dhimbje!… Çdo dhimbje e paska një derë nga mund të hyj dhe të dalë përjashta, vetëm dhimbja për humbjen e fëmijës paska derë për të hyrë, por nuk paska derë për të dalë!

Këta ishin rreshtat e fundit të faqes së radhës që Nëna arriti të lexonte në fletoren e të birit para se ta dëgjonte një zë nga oborri. Kishte harruar se kishte dalë në ballkon. Vetëm atëherë kur e dëgjoi zërin e fqinjës së saj, u ndie.

– Ku ishe? – pyeti shoqja.

– Në ballkon.

– Të pashë se ishe në ballkon, por kot që të thirra dy-tre herë. Çfarë bën përjashta në këtë të ftohtë, në këtë erë mbrëmjeje?!

– Nuk po më duket edhe aq ftohtë. Bile mua po më duket shumë vapë. Po ju hyni brenda në sallon se për dy minuta po zbres.

Të nesërmen që të dyja erdhën për vizitë. Askush nuk e kishte pritur vizitën e tyre. Kur po bëheshin gati të na transferonin edhe ne të plagosurve shkaku i ofensivës së fundit, nga dritarja i pashë kur po hynin në sokakun afër spitalit mbushur me plagë e me dhimbje që ckurronin gjak. Ckurronin gjak dhimbjet, oborri me gjithë sokak. Dera e oborrit ishte hapur. Pak para se ato t’i afroheshin portës së sokakut, katër ushtarë e morën arkëmortin me trupin e tij dhe u nisën drejt portës së oborrit që të shpinte në sokak. Atje i priste një qerre me kuaj me të cilën do ta nisnin sa më shpejt në banesën e përjetësisë. Te ajo portë u takuan së fundi. Kur po bëheshin gati t’ia jepnin lamtumirën e fundit, mbërriti Semaiziu. Ai nuk iu la kohë as për lot, as për vaj. As lot për mort. Nuk kishin kohë as të vdisnin e jo të flisnin. Lumin me njerëz që kishin mbushur sokakun dhe brigjet e lumit, Semaiziu i vuri përpara dhe nisi t’u grahte me mitraloza, granatahedhës, autoblinda, praga e tanke.

Ç’lojë që u luajt nga Semaizi Semortja!

Ç’plojë!

Këta ishin rreshtat, këto ishin fjalët e fundit me të cilat Agu kishte mbyllur këtë pjesë rrëfimi në fletoren e tij. Dhe këto ishin fjalët e fundit që Nëna lexoi derisa gratë kishin hapur portën e oborrit dhe kishin hyrë në dhomën e pritjes. Lumi, derisa po përpiqej ta merrte veten nga ajo që kishte lexuar, pranoi një mesazh në celular. Ulpiana po i kërkonte të hynte në facebook ngase ishte rregulluar rrjeti.

– Çfarë kishte ndodhur me Agun? – pyeti Ulpianën Lumi.

– Ani se e kishin qëlluar për vdekje, kot e kërkojnë në listat e të rënëve.

– I takon grupit të të pagjeturve?

– Edhe në ato lista kot e kërkojnë.

– Pra, vetëm ishte plagosur?

– Disa herë.

– Pastaj, ç’u bë me të, ku e çuan, ku mbeti?

– Herën e fundit, menjëherë pas luftës, e kam takuar në spital. Kur shkova ta vizitoj prapë, më thanë se ishte larguar nga spitali. Në fakt ishte detyruar të largohej nga spitali, sepse me një vendim të Un Mikut, kuadri i Semaiziut, po zinin prapë vendet kryesore, pozitat menaxhuese. Njëri prej tyre ishte Ud Bashi, të cilin Un Miku e emëroi drejtor të spitalit. Agut, nuk i kishte mbetur tjetër veçse ta linte/ë spitalin. Nuk kishte kohë të merrej me plagët e veta, me vetveten. Pasi kishte dalë nga spitali, dikush e kishte parë te muret e rrënuara të shtëpisë së djegur. Se ku kishte vajtur më pas, askush nuk di ta thotë. Ende nuk e kanë gjetur, ende e kërkojnë. Kot e kërkojnë. Ku ta kërkojnë, ku ta gjejnë?

– Pse?

– Sepse ai nuk po e gjen as vetveten.

– Si?

– Edhe vetveten po e kërkon.

– Nuk po kuptoj.

– Ku ta gjejë veten i ziu, ku ta kërkojë?

– Pse, çfarë ka ndodhur?!

Ulpiana, duke e parë hutimin e Lumit, nuk deshi të vazhdojë bisedën më tutje lidhur me këtë temë, por vetëm i rekomandoi leximin e një lajmi në Portalin: Liria.com. Titulli i lajmit: AGU PARA GJYQIT.

– Agu dhe Liria, thuaj.

P. s.

Po e akuzonin

“sepse të shenjtin kalë e kish dhunuar

me një shigjetë, për shkak se njërën brinjë

ia kishte goditur me atë heshtë mizore!”

1 Pjesë nga proza “USB E ULPIANËS”

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …