Miftar Shema i Krojmirit (1835-1895)

Miftari ishte  djali i Shemës i vëllazërisë së   Rexhë Jakut, nga Krojmiri dhe i Zelfijes, nga fshati Llashkobare, afër Ferizajt.  Nën ndikimin e Bekë Rexhë Jakut, gjyshit të tij, thuhet se qysh në moshë të re ka zotëruar përdorimin e armëve dhe kalërimin mjeshtëror të kalit. Ai kishte një vëlla Hajdarin si dhe dy motra, Zarën dhe Merën. Zara ishte e martuar në familjen Thaçi të Paterkut, në Drenicë, ndërsa Mera në familjen Daka të Vërshecit, në Podrime. Kishte edhe kushëririn Jakupin, vëllai i Shemës

Në moshë 16 vjeçe ka vrarë, për hakmarrje, vrasësin e dajës së vet, në fshatin Llashkobare. Gjaqet ishin pajtuar dhe pushteti turk nuk kishte hapur procedurë për ndjekje.

Rreth vitit 1866 rrëmbehet dhunshëm dhe dërgohet në shërbim ushtarak, në Prishtinë. Duke qenë se ishte treguar kryeneç dhe i papërfillshëm, disa herë ishte dënuar dhe më vonë e kishin dërguar nizam, në More të Junanit, (Greqi),  ku kishte shërbyer deri në vitin 1873. Për shkaqe të panjohura ka ikur nga shërbimi i nizamit dhe në vitin 1873 është kthyer në Krojmir. Asokohe është martuar me Kadrije (Kadishe) Krasniqin nga Karaçica.

Gjatë qëndrimit nizam në Greqi dhe në Bullgari kishte mësuar mirë gjuhën turke, bullgare dhe atë greke. Për shkak se i përshkruheshin shumë vepra trimërie, sidomos me faktin se kishte nxjerrë hakun e dajës në moshë 16-vjeçare, sipas normave vlerësuese të kohës, Miftar Shema ishte radhitur në mesin e burrave trima dhe të ditur, meqë zotëronte tri katër gjuhë.

( Rreth vitit 1874, në Grykën e Krojmirit, në kohën kur ndodhej në mullirin e tij,  ishte vrarë me moh një fqinj i Miftarit, Rrahman Demë Delia. Disa vjet më vonë ishte zbuluar se fqinjin e kishte vrarë miku i tij nga Javuri.  Thuhet se Miftari dhe vëllai i tij Hajdari kanë  ndihmuar, fqinjin e tyre Tahir Dema,  për të marrë hakun, duke marrë pjesë në vrasjen e dy burrave.  Gjaqet janë pajtuar shumë vjet më vonë.).

Në periudhën kohore prej vitit 1875 deri në vitin 1981, Miftar Shema ka marrë pjesë në sulmin dhe plaçkitjen e karavaneve të bejlerëve, në relacion Prishtinë-Komaran Pejë, së bashku me Januz Çupin e Vukocit, Shaban Sinanin e Risinovcit, Sali Miftarin e Nekocit e të tjerë.

Asokohe shoqërohet sidomos me Januz Çupin e Vukocit i cili po ashtu kishte bërë emër për trimëri. Në moshë 13-vjeçare kishte nxjerrë hakun për babanë e vrarë, nga një fshatar i Risinovcit, në pyjet e Blinajes.

Miftar Shema mbante lidhje me pushtetarët në Prishtinë, përmes mulla Salihut të “Parë” të familjes “Hoxha”, të Sedllarit, tani fshati Shalë i Drenicës jugore. Asaj familjeje të njohur të kohës i kishte kryer shërbime të caktuara, në mbrojtje dhe siguri të meshkujve dhe pasurisë.

Në ditët e para të prillit  të vitit 1881, në  përgatitje të një formacioni vullnetarësh nga Drenica, me qëllim për të shkuar në Fushë të Shtimes, ku ishte pozicionuar Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Ali Ibra, Smajl Hyseni,Hysen Smajli, Lah Garaqi dhe qindra luftëtarë, Miftar Shema  me shumë vullnetarë të tjerë është arrestuar në Lypjan,  nga forcat e Valiut të Selanikut, Danish beu i Prishtinës. Duke përshkruar këtë mobilizim të shqiptarëve, në një letër drejtuar konsullit të përgjithshëm anglez, Blunt, adresuar  më, 13 prill 1881, nga stacioni hekurudhor i Ferizajt, bëhet e ditur se “Dervish Pasha e kuptoi se shqiptarët po bëheshin gati ta rrethonin. 4000 veta ishin duke marshuar për në Kaçanik… 3000 të tjerë duhej ta kapërcenin hekurudhën te Lipjani për t’ iu bashkuar Korpusit. ( Skënder Rizaj “Disa dokumente angleze mbi veprimtarinë e autoriteteve ushtarake osmane kundër Lidhjes Shqiptare më 1881”. Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, 1982, f. 267.)  Miftar Shema me vëllanë Hajdarin, Shaban Sinanin, Azem Qylagën, Vesel Topallin, Shaban Ramën Adem Metën e të tjerë, arrestohen dhe lidhur me pranga dërgohen për në Prishtinë. Për pjesëmarrje në organizim, si dhe për veprat penale paraprake  ishte dënuar 101 vjet burg, ashtu sikur shumica e kryengritësve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

“Dervish Pasha arrestoi dhe dënoi rreth  7000 veta, udhëheqës e veprimtarë të Lidhjes, 3000 në Kosovë dhe 4000 në vilajetet e Shkodrës, të Manastirit e të Janinës.” (Historia e Popullit Shqiptar II, Toena, Tiranë, 2002, f. 225.).

Asokohe janë dënuar mijëra shqiptarë, për të cilët nuk gjenden shënime  përkatëse.  Në një dokument të interpretuar nga historiani serb, Dimitrije Bogdanoviq, thuhet se Porta kishte dënuar dhe internuar rreth 3.000 shqiptarë, për shkak të pjesëmarrjes në luftë dhe me qëllim për ta likuiduar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. (Do kraja 1882, internirano je u Malu Aziju oko 3000 Albanaca, s ciljem da se iskorene i shto temeljnije likvidiraju organizacije Lige. Otpora je bilo, ali bez çvrsçe povezanosti na shirem prostoru.) Dimitrije Bogdanovic’: „Knjiga o Kosovu”, Beograd….( Deri në vitin 1882 u internuan në Azi të Vogël rreth 3000 shqiptarë, me qëllim  për ta shpartalluar përfundimisht Lidhjen. Ka pasur rezistencë por pa lidhje të fortë në një rajon më të gjerë).

Miftar Shema burgun e ka vuajtur  fillimisht në Kurshumli Han të Shkupit, pastaj është depërtuar  në Edirne e prej andej është kthyer në Selanik, nga ku me dy shqiptar të burgosur, njëri nga Manastiri e tjetri nga Tepelena, si dhe disa bullgarë,  në vjeshtë të vitit 1885 kanë thyer burgun dhe kanë ikur. Një kohë ka qëndruar në mesin e një  çete bullgare, ku pas ikjes nga burgu iu kishte bashkuar komitëve, me të cilët për disa muaj kishte qëndruar në rrethin e Filibes, në Plovdiv.  Sipas rrëfimeve të djalit të tij, Halilit,

( 1878-1953)  babai Miftari  i kisht tradhtuar kryengritësit bullgarë, duke i qitur në pritë të forcave turke. Në çetën e bullgarëve kishte shërbyer edhe si përkthyes meqë dinte turqishten, greqishten  e bullgarishten. Ndërkohë turqit e amnistojnë dhe e lirojnë të kthehet në familje, duke ia falur të gjitha krimet dhe fajet e deriatëhershme. Nga Bullgaria ishte kthyer në Krojmir në dhjetor të vitit 1886.

Për shërbimet që iu kishte bërë forcave turke me rastin e denoncimit të çetës bullgare, autoritete e kohës, sapo kthehet me një letër dëshmi, në Prishtinë, i caktojnë detyrën e “allajbeut”.

Në një variant të  këngës së trimërisë, shënuar në vitin 1952 nga studiuesi i folklorit, Mehmet Rukiqi, bëhet fjalë për Miftar Shemën e Krojmirit. Nga përmbajtja e këngës del se Miftar Shema kishte propozuar për çaush një Brahim Ukën duke e lavdëruar për trimërinë dhe përkushtimin e tij. Brahim Uka, apo Brahim Çavota asokohe ishte truproje i Miftarit dhe duket se  ai  donte ta përdorte për një qëllim të caktuar, mbase edhe për ta komprometuar, për qëllime që nuk bëhen të ditura në këtë këngë.

Se n’ Stamboll po rrehka teli,

Ni çaush po e lypka mbreti,

Lypka mbreti çaush me vnue,

Miftar Shema, aty ka qillue,

-Për çaush tha lema mue,

-Brahim Ukën keni me shkrue

-Krejt Kosovën ka me rehatue,

-N’ Mitrovicë deri n gur shpue…

(Kënge popullore historike I, IAP, Prishtinë 2007,  f 460.). Këngën e ka shënuar folkloristi, Mehmet Rukiqi)

 Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Krojmir ishte kthyer edhe Mulla Azem Rama i lagjes Alluri, i cili ishte myderriz dhe burrë me shumë autoritet në popull, por edhe te qeveritarët e kohës.

Me insistimin e tij, pas lirimit nga burgu dhe amnistisë që kishte marrë nga Stambolli,  Miftari merr pjesë në pajtimin e gjaqeve, pajtim, të cilin e kishte organizuar, myderrizi, Azem Rama. Ai e kishte mbajtur afër Miftarin me qëllim për ushtruar ndikim në pajtimin e gjaqeve, po ashtu e kishte futur në lojë që ai vetë të pajtohej me ata, të cilëve u kishte shkaktuar plagë e varrë, duke i kompensuar sipas ligjit. Kishte dhënë disa hektarë tokë, ara e livadhe për të pajtuar të gjitha gjaqet.

Azem efendiu e mbante afër, duke qenë se Miftarit i frikësoheshin vrasësit, hajnat dhe keqbërësit.

I yshtur, e ndoshta edhe i paguar nga hoxhajt e Sedllarit, ka bërë përpjekje për ta vrarë tinëzisht, kryetrimin e Drenicës së asaj kohe, Januz Çupin e Vukocit, dikur shokun e tij të haraçit dhe zhvatjes. Nuk ka arritur ta vrasë Januzin, por, pasi është kthyer nga internimi, thuhet se ka organizuar likuidimin mizor të dy vëllezërve të tij, në vitin 1888, dy vjet pas vrasjes së Januzit nga rrogëtari NN Smakiqi, të cilin ai   e kishte mbajtur në bukë plot 30 vjet.  Në familje kishte mbetur vetëm djali i vogël i Januzit, Abdullahu, më vonë, në maj të vitit 1910, i njohur si kryetrimi i Grykës së Carralevës së bashku me Isë Boletinin e të tjerë. (Tafil Boletini : “Pranë Isa Boletinit, Kujtime I ( 1892-1916, Tetovë, 1996. f. 121.).

Emin Miftar Shema, ( 1888- 1980) djali i tij, hoxhë i nderuar dhe i përndjekur nga regjimi serb, ka mohuar kategorikisht pleksjen e Miftarit në vrasjen e Januz Çupit. Vrasja sipas tij ishte përgatitur nga hoxhajt e Shalës, me qëllim që të dyshohej edhe Miftari, për shkak të rivalitetit dhe për të humbur gjurmët meqë ishin shkaktuar katër vrasje. ( Në një ekspeditë kundër Januz Çupit në vitin 1879, çaushi dhe sejmenët e tij nga Prishtina i kishin vrarë mikun dhe gruan e Januzit. Më vonë Januzi për hakmarrje kishte vrarë Mulla Saliun e Parë dhe djalin e tij).

Miftar Shema ka qenë rival edhe i vëllezërve të njohur: Emin,  Brahim dhe Sadik Hallaqi, nga fshati Hallaq afër Lypjanit, të cilët kishin bërë përpjekje për ta likuiduar. “Ajanët’ e Hallaqit, kanë qenë të njohur edhe për marrjen në mbrojtje të përfaqësuesve të rajës serbe, nga të cilët thuhet se kanë nxjerrë fitime kolosale. Po ashtu edhe ata kanë marrë haraç dhe kanë zhvatur jo vetëm rajën serbe por edhe shqiptarët e turqit.

 Miftari, asokohe ishte në shërbim të  mulla Nurës së  Shalës, (ish Sedllar), i cili i tubonte të dhjetat e prodhimeve bujqësore nga fshatarët e kësaj pjese të Drenicës. Shumën e tubuar: grurë, misër, fasule etj, ua shisnin tregtarëve  të Selanikut, kompanisë tregtare  “Koti dhe Mita” të dy me origjinë  cincare, që tregtonin me drithëra. Sipas marrëveshjes paraprake, Sadik agë Hallaqi kishte kërkuar nga tregtarët, që të mos e bënin pagesën e drithit përnjëherë, por të caktohej dita pas një jave. Ndërkohë ditën e caktuar, sejmenët e Sadik agës i zënë pritë Miftarit dhe mulla Nurës, afër depos së drithit, te një pus, në mes të Lypianit. Në pritë, ata, në vend të Miftarit vrasin gabimisht mulla Nurën, ndërsa Miftari i jep revan kalit dhe shpëton.

Ndërkohë në shenj hakmarrjeje për përpjekjen që kishin bërë “hallaqët” për ta vrarë, Miftari me truprojat e tij i zë pritë truprojës së Sadik Hallaqit, Bajrë Kraishta, të cilin edhe e vret dhe i plagos një truproje tjetër. Asokohe, thuhet se  ka vrarë në Prishtinë një përfaqësues të rajës serbe, i cili ishte nën mbrojtjen dhe sigurinë e Brahim Hallaqit.

Në vitin 1889 kishte kontaktuar me Rrustë Kabashin, me të cilin ishte njohur qysh në kohën kur kishte qenë nizam në More.

Në vitin 1893, në Krojmir ndodh një e papritur  tjetër, e cila nxit më tej armiqësinë mes Miftar Shemës dhe vëllezërve, Emin, Sadik e Brahim Hallaqit, dy “ajana” të njohur të kohës.

Hata e Hysen Islamit nga Krojmiri, edhe pse ishte e fejuar për një fshatar të Varigocit, merr për burrë, një Zeqë Bujanin, nga fshati Bujan i Lypjanit, i cili në rrethana jo sa duhet të njohura, kishte  jetuar në Krojmir. Fshatari i Varigocit, i ankohet Miftar Shemës, lidhur me ikjen e së fejuarës. Duke qenë se konsideronte që Hata kishte prishur moralin partiarkal, Miftari  kërcënohet për ta vrarë.  Zeqë Bujanin,  me bashkëshorten e tij të rrëmbyer, Hatën, kërkon strehim te Hallaqët. Sadik Hallaqi i pranon në sarajin e vet, duke i trajtuar si shërbëtorë.

Miftari, në kohën kur ishte në detyrën e Allajbeut në Prishtinë organizon ndezjen e sarajit të Sadik dhe Emin Hallaqit në Prishtinë. Vëllezërit Hallaqi, në hakmarrje i japin zjarrin sarajit të Danish beut, i cili nuk dinte se Miftari pa urdhër të tij i kishte goditur Hallaqët.

Me qëllim për ta likuiduar Miftarin, nga hakmarrja tinëzare  e të cilit frikësoheshin, hallaqët ofrojnë 200 lira të kuqe, lira turke për personin që do ta likuidonte.

Në pranverë të vitit 1895, Miftari  vritet tradhtisht nga besnikët e Sadik dhe Emin Hallaqit në Hanin e Derrit,  në  Prishtinë në kohën kur ndodhej duke fjetur.

Gjashtë muaj më vonë, në nëntor të vitit 1895, pasi kishin marrë informatat paraprake nga simahorët e tyre, vëllai i Miftarit, Hajdari, kushëriri i Miftarit, Imer Jakupi, djali i madh i Miftarit, Brahimi dhe nipi, djali i Hajdarit, Salihu 17 vjeçar, të ndihmuar nga disa nipa dhe besnikë të tjerë të Miftar Shemës, zënë pritë përballë stacionit të trenit, në Lypjan. Në kohën kur Sadik Hallaqi me shpurën  e tij zbret nga treni, me të cilin po udhëtonte edhe Danish beu i Prishtinës, atentatorët marrin në shenj dhe  plagosin Sadik Hallaqin, ndërsa vrasin truprojën,  Ramë Hallaqin dhe një të afërm tjetër të Sadik e Brahim Hallaqit.

Hajdar Shema Imer Jakupi dhe Brahim Miftari largohen në drejtim të fshatit Gllogoc, ndërsa Salihu nga hutia dhe alarmi, ikë në drejtim të Blinajës, ish-Lypovicë.

Forcat e sigurisë dhe një tabor turk lëshohen në ndjekje të atentatorëve, por nuk arrijnë të kapin asnjë prej tyre.  Salihu, i cili ishte plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit,  arrin të strehohet në një shtëpi të mbetur shkret në fshatin Dobrajë, ku jetonte një grua plakë.

Meqë ishte rrethuar ai reziston, ndërkohë plagoset sërish  dhe kapet i gjallë. Dërgohet në burgun e Lypjanit, ku sejmenët e Brahim Hallaqit, futen  tinës gjatë natës, dhe  Salih Hajdarit të plagosur, ia presin kokën. Ditën e nesërme trupin e tij me kokë të prerë, të vendosur mbi gjoks, e ekspozojnë në qendër të Lypjanit, me qëllim për ta parë turma.

Ikja e Hatës së Hysenit me të dashurin e saj nga Bujani, nuk ka qenë shkaku kryesor i armiqësisë së Miftarit me Hallaqët, por ishte një ngjarje që kishte nxitur më tej armiqësitë dhe rivalitetin. Kënga për vajzën e 12 varreve, apo rrëfimi  për sherrin e një gruaje që kishte ikur nga burri dhe ishte martuar me një burrë tjetër është krejtësisht e shpifur dhe nuk ka të bëjë me realitetin faktik të kohës. Armiqësia e Miftar Shemës dhe Januz Çupit me vëllezërit” Emin, Brahim dhe Sadik Hallaqi, duhet të ketë qenë armiqësi rivalësh, plaçkitësish dhe zhvatësish, meqë të gjithë ishin të përfshirë në krime dhe që të gjithë ishin vrarë. Pas vrasjes së Miftar Shemës dhe kohë më parë edhe të januz Çupit, vëllezërit Hallaqi janë shpërngulur për në Turqi.

Fragment i këngës së  Salih Hajdarit

(Fragment i botuar në Epika historike II, Tiranë, 1981, kënga numër 432 faqe. 586)

-Çou Salih mos pritsh me u çue!

-N’ tana anët t’ paskan rrethue

-Ti oj nanë qysh po m thue,

-A me ikë a me luftue?

-Shuj, Salih, ti shka po thue,

-Për ni lugë gjak mos mu marrue!

-Treqin vjet kurrkush s’ ka rrnue!

Se n’ penxhere çaushi ka qillue,

-Mos lashtë Zoti, hallë, pa t’ marrue,

-Qysh Salihut ashtu po i thue!

N’ penxhere halla asht afrue,

Kish pasë halla ni allti,

Sa herë çet po vret zapti,

Veç çaushi paska pshtue,

Krejt katuni n kambë janë çue,

-Shka u ba shka asht marue,

-T madhe halla po bërtet,

-Tana rrugët ju mi zanë,

-At çaush të gjallë të zamë,

-Du’ me ngi thiun mejdan…

Fragmenti i kësaj kënge pasqyron momentin e dorëzimit të Salihut dhe rezistencës së “nënës” së tij, e cila nuk pranonte ta dorëzonte djalin, të cilin po e ndiqte Çaushi me sejmenë. Sipas rrëfimeve të Mulla Emin Miftarit, Salihu kishte arritur që në mbrëmje të futej në një shtëpi të fshatit, Dobrajë, afër Magurës, në dukje një shtëpi  e mbetur shkret. Mirëpo, aty ndodhej një grua plakë, që rronte e vetme. Salihu i rrëfen plakës ndodhinë dhe duke qenë se ishte natë, madje ishte plagosur dhe e nuk e dinte rrugën për në Krojmir, ai preferon të qëndrojë aty derisa të fillojë agu i parë. Ndërkohë sejmenët e Sadik Hallaqit, përmes denoncuesve kishin zbuluar vendin, ku ishte strehuar Salihu.

Halla plakë, ( mund të ketë qenë bijë e të afërmve të Shemajve e martuar në Dobrajë) sipas këngës, nëna e tij, nuk donte ta dorëzonte Salihun, për më tepër ajo e cyt të luftojë edhe pse ai ishte i plagosur. Ndërkohë, sipas rrëfimit të Mahmut Imerit, babai i të cilit kishte marrë pjesë në atentat në Lypjan,  Salihu nuk kishte rezistuar fare, meqë ishte i plagosur. Ai nuk e kishte nënë, gruan plakë, për të cilën bëhet fjalë në këtë këngë. Atë e zë çaushi me sejmenë dhe e mbyllin në burgun e Lypjanit. Natën vonë, sejmenët e Brahim dhe Sadik agë Hallaqit, korruptojnë rojën e burgut, futen në çeli  dhe ia shkurtojnë kokën Salihut 17-vjeçar.

Sipas një rrëfimi tjetër, të cilin e ka dëgjuar nga babai i tij, Mustafë Kadri Beba sejmenët kishin mashtruar rojtarin dhe ishin futur brenda në çeli nga tavani i burgut, me qëllim për t ia marrë kokën Salihut 17-vjeçar.

Varianti i kësaj kënge, pasqyron disa të dhëna që përputhen, në tërësi me rrëfimin e Emin Miftar Shemës nga Krojmiri. Plaka, sipas këtij varianti e cyt Salihun të luftojë edhe pse ai ishte i plagosur dhe nuk kishte mundësi të rezistonte. Ai, meqë ishte i ri dhe në shtëpi të huaj e pyet hallën ( në një variant nënën) se është më mirë të ikë apo të luftojë. Halla plakë e bind se më mirë është të luftojë, sepse s’ bën të koritet burri dhe ta dorëzojë armën. Aq më tepër s’ bën të koritet për një lugë gjak. Ky varg, po ashtu rrëfen një tipar shpërfillës të një gruaje plakë,  e cila duket sikur bisedon me një fëmijë  dhe mundohet ta bind se vetëm një lugë gjak derdhet, nëse plagoset apo edhe vritet njeriu. Kjo e dhënë deri diku përputhet me moralin ekzistues të kohës. Po të kishte qenë “halla” nënë e tij, sikur paraqitet në këngë, ajo në asnjë mënyrë nuk do ta cyste djalin për të rezistuar. Për më tepër ajo gjatë natës do ta strehonte në ndonjë vend tjetër, meqë e dinte se sejmenët po e gjurmonin Salihun. Është e mundshme që hartuesi anonim i këngës të ketë devijuar përmbajtjen, meqë ai tërë vëmendjen  ia kushton “hallës plakë”, e cila godet  me allti kundër çaushit me sejmenë, madje edhe e ndjekur për ta vrarë. Kënga ka analogji me këngën e Ndoc Mark Gegës dhe është ndërtuar po thuajse me të njëjtin diskurs narrativ, Atje kemi dialog mes djalit dhe babës, Ndocit e Markut, këtu kemi dialogun mes nënës e të birit, Salihut dhe plakës pa emër. Poashtu Mark Gega nuk pranon të dorëzohet dhe e fyen djalin i cili dëshiron të dorëzohet. Edhe në këngën e Sali Hajdarit, ai e pyet nënën, a me ikë a me luftue, ndërsa nana e qorton duke e trimëruar se nuk bahen nami me derdhë një lugë gjak.

Varianti i këngës për Salih Hajdarin nuk është i mirëfilltë, është fragmentar dhe nuk sjellë sa duhet të dhëna lidhur me mbarimin tragjik të të riut 17-vjeçar, të cilit ia kishin shkurtuar kokën dhe e kishin ekspozuar në qendër të Lipjanit në fund nëntorin e vitit 1895.

Kjo këngë nuk është përcjellë me asnjë shënim relevant.  Vetëm në fund të faqes 586 thuhet se është shënuar në Kosovë, në vitin 1978. (Epika historike II, Tiranë, 1981, kënga numër 432 f. 586). Fragmente të këngës së Salih Hajdarit dhe Miftar Shemës janë dëgjuar deri vonë, por tash për tash kemi vetëm dy këngë të botuara, një për Miftarin e tjetrën për Saliun.

Miftar Shema, 1835-1895, kishte  lënë trashëgimtarë, bijtë: Brahimin, Halilin dhe Eminin si dhe bijat: Zelfijen e Zejnepen, të martuara në lagjen Hysiqi,  në Shtime. Familjarë të Miftar Shemës jetojnë në Krojmir, Shtime, Ferizaj, Amerikë dhe në Austri.

Literatura:

  1. Shënime në dorëshkrim në gjuhën shqipe, me alfabetin turko arab të mulla Emin Miftar Shemës

( 1888-1980).

  1. Skënder Rizaj “Disa dokumente angleze mbi veprimtarinë e autoriteteve ushtarake osmane kundër Lidhjes Shqiptare më 1881”. Gjurmime Albanologjike, Prishtinë, 1982.)
  2. (Historia e Popullit Shqiptar II, Toena, Tiranë, 2002.).
  3. Dimitrije Bogdanoviq “Libri për Kosovën”, 1986.
  4. Këngë popullore historike I, Këngën e ka shënuar,  Mehmet Rukiqi në vitin 1952. IAP Prishtinë. 2007.).
  5. Epika historike, II, Tiranë, 1981, kënga numër 432 faqe. 586.
  6. Tafil Boletini : “Pranë Isa Boletinit, Kujtime I ( 1892-1916, Tetovë, 1996. f. 121.).
  7. A.Q. Krojmiri, Prishtinë 2007.

 Për të kompletuar rrëfimet për jetën e Miftar Shemës dhe kohën kur ai ka jetuar e vepruar, kam intervistuar në kohë të ndryshme këta informatorë:

 Emin Miftar Shema ( 1888-1980)

Mahmut Imer Jakupi, Krojmir 1914- 1987.

Ali Emin Miftari, Krojmir 1922- 2013.

Mehdi Emin Miftari 1935-2012.

Hamëz Sylë Abdullahu, Krojmir 1882- 1995.

Demë Hysen Krasniqi, nga Karaçica, 1915 … 1996

Osman Abdullah Çupi, Vukoc,  1908- 2005.

Vehbi Shamolli, Shalë, ish Sedllar. 1923 -1998.

Islam Sadik Dani, Risinoc 1914- 1999.

Adil Cena, Nekoc, 1920- 1999.

Mulla Azem Hafiri, Krojmir 1928 –

Sahit Nurë Dema, Krojmir-Fushë Kosovë, 1928-

Rizah Bajram Rizani , Krojmir 1920- 2007.

Islam Pajazit Islami, Krojmir 1917- 2006.

Ahmet Salih Rexha, Ribar i Madh, 1928- 2004.

Mustafë Kadri Beba, Ribar i Madh, 1928 – 2014.

Rasim Ali Gashi, Luzhnicë,  1920 –

Fetah Jashari,  Shalë-Prishtinë, 1908 – 1992.

Ramadan Bajram Ajeti, Pjetërshticë, 1917-

Shaip Tahir Plakiqi, Nekoc  1920… 1999.

Ahmet Qeriqi

Maj 2014

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …