Ismail Kadare

Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare I

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e plota e të fuqishme si të stisura prej Poseidonit në çaste tërbimi e zemërimi, dallgë që lë mbrapa një shterje sipërfaqësore si për ta ngritur në shpatullat e veta kreshtën valore; hijeshi madhështie që lektis e drithëron edhe vetë perënditë…

Ky studim i thellë, realist, i maturar në një trajtesë të mirëfilltë akademike, i studiuesit ndër më lapidarët e letërsisë shqipe, Mihal  KALIA, meriton vëmendje të  veçantë, sepse në këtë kohën tonë, ku vlon kazani i anti-vlerave, ka pretendime  për manipulime, keqinterpretime, abuzime me të vërtetën, për qëllime të caktuara, apo thjesht me një noprani të lindur të disave, që duan me çdo kusht të tërheqin vëmendjen, jo me të vërtetat e njohura, reale dhe logjike, të njohura botërisht,  por me qasjen e tyre të përçudnuar, me çoroditjen e tyre të pashëruar…

Duke prezantuar studimin, autori i nderuar dhe i respektuar, Mihal  KALIA mes tjerash ka shkruar.  Më shqetëson abuzimi me të vërtetën dhe e quaj fyerje të inteligjencës  njerëzore, teksa pa asnjë ndjenjë përgjegjësie e interpretojnë veprën e Kadaresë si anti-regjim. Në këtë rrafsh, pa mohuar aspak vlerat artistike të shkrimtarit, do të doja t’ju shprehja neverinë time për këta “mbrojtës” të Kadaresë, çka përbën dhe thelbin e shkrimit tim, për të  cilin ndiej nevojën e një mendimi që të shprehë të vërtetën, larg interesave e përfitimeve, me seriozitet dhe kompetencë, cilësi këto që juve nuk ju mungojnë dhe që jam i bindur se do të më shërbejë për të fashitur konfuzionin, për mua i rrejshëm dhe i padobishëm. Është fjala thjesht për objektin e shkrimit, ndërsa se si trajtohet, do ta thonë lexuesit e interesuar…

 

Me ndarjen nga jeta  të shkrimtarit tonë  të shquar, Ismail Kadare, nuk mënuan të shprehnin dhimbjen e madhe dhe vlerësimin e lartë në mediat vizive dhe të shkruara shumë intelektualë, një pjesë e mirë e të cilëve konsideratat për të i shihnin në qëndrueshmërine ndaj regjimit, përgjimeve, censurimeve, vlerësimeve të të huajve, për “shpëtimtarin” e tij E. Hoxha nga rreziku që i kanosej prej diktaturës, për veprën e tij kundër regjimit të Enver Hoxhës, opinione ku mbizotërojnë antinomitë jo vetëm nga njëri shkrim në tjetrin, por edhe brenda të njëjtit shkrim, apo diskutim televiziv. Po e shesin si gjetjen më të bukur, më shëlbyese për kundërshtinë e mendimit, duke “e shuar” kështu dyshimin, shprehjen “e famshme” që “Enveri e shpëtoi nga Enveri”. Kemi të bëjmë me një lloj “të veçantë” apofanze, ku pohimi i thënies determinohet nga të kundërtat e së njëjtës vlerë absolute (- +), duke e reduktuar gjykimin në zero, pa na dhënë mundësi të konkludojmë që parashtrimi është i gabuar, se i vërtetë jo që jo. Janë njerëz që interesat e veta të ngushta i shtrojnë e i paraqesin si të vlera e të një karakteri të përgjithshëm shoqëror. Janë pa vlera që nxitojnë të kapen pas një kindi të palltos së Kadaresë, duke mos menduar se kjo i shërben jo vetëm ormisjes së “pashmërisë” së tyre, por njëkohësisht edhe shformimit të profilit kadarean.

Në pafundësinë e thënieve për I. Kadarenë dhe veprën e tij, po u referohemi vetëm dy syresh, për të konkretizuar zbrazëtinë e mendimeve në pikëkontaktet me interpretimet e dukurive:

Të gjitha veprat cilësore janë kundër regjimit.

Gjithë vepra e Kadaresë është kundër tiranisë (regjimit).

Në të dyja thëniet, vepra e Kadaresë vlerësohet në raportin e shkrimtarit me regjimin dhe jo me artin e letërsinë. Nëpërmjet silogjizmit: a) “Të gjitha veprat cilësore janë kundër regjimit. b) Vepra e Kadaresë është cilësore. c) Vepra e Kadaresë është kundër regjimit”, kemi kalimin nga e përgjithshmja në te veçantë, me një përfundim deduktiv, gjithmonë duke presupozuar lidhjen logjike të premisave. Thënia e parë nuk nënkupton faktin që “Gjithë veprat kundër regjimit janë cilësore”. Thënia e dytë: “Gjithë vepra e Kadaresë ështe kundër tiranisë”, është e tillë që shërben si përfundim i silogjizmit të thënies së parë, ndërkohë që fakti se vepra është kundër regjimit nuk është i mjaftueshëm që vepra të jete cilësore, sikundër nuk është e mjaftueshme që vepra të jetë cilësore për të qenë kundër regjimit, e zbeh thënien se “Të gjitha veprat cilësore janë kundër regjimit”, duke mos mbështetur kështu konkluzionin se “Vepra e Kadaresë është kundër regjimit”. E gjitha kjo sepse konceptet anësore të premisave nuk lidhen logjikisht me njëra-tjetrën, për të arritur ne një përfundim të pranueshëm. Por kjo nuk ka rëndësi për interpretuesit. Ata i mëshojnë dhe vlerësojnë deklaratat politike, të cilat, ngaqë nuk rrjedhin nga profesionalizmi, por nga zelli dobiprurës personal, shpesh janë të kundërta me njëra tjetrën në trajtimin letrar, gjë që i bën të dyshimtë në thëniet dhe në mbrojtjen e shkrimtarit I. Kadare me sofizmat e tyre të pavlerë.

Ata që “e mbrojnë” Kadarenë prej atyre që e “sulmojnë” atë, nuk janë në gjendje dhe as kanë qenë ndonjëherë, sidomos në dekadat paskomuniste, kur nuk i pengonte ankthi i censurës që dikur i bënte të flisnin “me vete”, që të radhisin çështjet për të cilat ata s’pajtohen me “kritikat” dhe argumentet me të cilat ata bëjnë “mbrojtjen”, kjo për të vetmen arsye se në aspektin profesionalo – artistik zor se mund të gjesh të tilla në veprat e tij, por kjo nuk do të thotë se i pritet rruga dhënies së mendimeve ku u duket se do të ishte më tërheqëse fjala, fjalia, tabloja, rrethanat, marrëdhëniet, qëndrimet, parashtrimet dhe konkluzionet, sipas këndvështrimit të njërit apo tjetrit, përvijuar nga afeksionet të shkaktuara prej mbresave të marrëdhënieve reciproke. Kjo, edhe nëse nuk i bën mirë veprës, dëshirën e ka të tillë. Shtrohet pyetja: Këta “mbrojtës” të Kadaresë nga kush e mbrojnë atë?

Nga njerëzit e thjeshtë, që “ngacmimet” i marrin  prej veprës së shkrimtarit, apo këta “mbrojtës”, qofshin studiues, kritikë, akademikë, krijues etj, me bagazhin e tyre kulturor, me aftësitë shkencore, profesionale, pse jo dhe politike, në vend që të angazhohen e të kontribuojnë me erudicionin e tyre për fashitjen përfundimtare të kuptimeve e keqkuptimeve, më tepër me  Kadarenë sesa me veprën e tij, i kanë shërbyer krijimit të një fronti “përkrahës dhe kundërshtarë”të Kadaresë që, me mënyrën e mbrojtjes, më tepër “kanë dëmtuar” Kadarenë, duke i kërkuar dhe gjetur vlerat e tij pikërisht në ato hulli që nuk përbëjnë thelbësoren e fushëpamjes së tij, duke sajuar alibi që, me mediokritetin e dukshëm “intelektual”, i japin palës kundërshtare të drejtën  e vërtetësisë “së kritikës” dhe kjo nuk mund të gjejë tjetër abitat, veç atij të marrëdhënieve “Regjim – Kadare”, jashtë regjimit dhe larg Kadaresë, pozitë kjo që jo vetëm nuk e mbron, por e dëmton Kadarenë, sepse bëhet pre e zhvatjes se lavdisë së tij prej të paaftëve, duke mbajtur këshu të hapur “konfliktin”, i cili më tepër sesa me Kadarenë, është me të paskrupujt “mbrojtës” të tij, që kërkojnë të livadhisin dhe të përfitojnë në turbullirat, larg çdo kujdesi e interesi për t’i kthjelluar ato.

Kur dikush merr përsipër të mbrojë veprën e Kadaresë me thënie të tilla si: “Si intelektual e ndiej të nevojshme të shprehem, të mos hesht kur shoh se në ç’mënyrë sulmohen nga disa emri dhe vepra e shkrimtarit tonë të madh dhe, bashkë me të, letërsia më e mirë shqiptare dhe vetë kultura jonë kombëtare” (F. Tarifa), do ta këshilloja autorin që më mirë të heshtë, sesa të mos thotë gjë duke folur. Kur problemi është kaq madhor e i rëndësishëm sa tronditen themelet e kulturës sonë kombëtare, si mund të flitet pa treguar mënyrën si sulmohet apo nga cilët sulmohet, për të qenë i vërtetë dhe bindës në atë çka kumton?

Ndërgjegjja individuale intelektuale, profesionale, shkencore, kulturore e atdhetare, për tema të tilla delikate e sensitive e personaliteteve të mendimit shkencor, nuk mund të lejojë ezaurimin apriori të kundërshtisë së problemeve me përmasa kombëtare, sepse shton dyshimin në vërtetësinë e pohimit, pështjellon më tepër problemin dhe jo vetëm që nuk mbron çështjen, por e dëmton atë, siç pohon dhe vetë Kadareja: “Nganjëherë kemi dëshirën t’i bëjmë gjërat më të bukura, por humbim të vërtetën. Duke e humbur atë, nuk jemi më të besuar” (cituar nga B. Islami). Dhe kjo, kur e vërteta qëndron! Po kur nuk qëndron? Mbetet vetë zbukurimi, pra, gënjeshtra dhe mashtrimi.

Sa seriozitet ka në shkrimin e F. Tarifës me titull “Immortal” (Gazeta “Dita”, dt. 4.07.2024), kur thekson për romanin “Dimri i madh”: “Ajo që kujtoj më së miri nga ai roman (pra, është i sigurt në atë që pohon. M.K), ishte një fjali e vetme, “e fshehur”, por, sidoqoftë, e thënë në një prej disa qindra faqeve të “Dimrit”. Nëse memoria nuk më ka tradhtuar (pra, siguria fashitet. M. K), kjo fjali thoshte as më shumë, as më pak, se socializmi është një luftë e vazhdueshme mes të aftëve dhe të paaftëve, në të cilën, si rregull, fitojnë të paaftit”. Në qindra faqet e romanit, vetëm një gjysmë fjalie përbën mesazhin filozofik dhe sociologjik antisocialist të romanit, sepse gjysma tjetër është e pranueshme edhe për filozofinë socialiste. “E fshehur” kjo gjysmëfjalie dhe “sigurisht” kjo i jep veprës frymën alegorike! Po, nëse është kështu, atëhere çfarë ka të habitshme ky mesazh të mos pranohet nga regjimi socialist? Kjo gjysmë fjalie ia dha famën këtij romani, apo gjithë ato qindra fletë të librit dhe, parë në këtë vështrim, nuk kemi të bëjmë me një vepër artistike, por me gjysmëfjalie politike, e cila entuziazmon sociologun, ndërkohë që gjithë vepra (qindrat e faqeve) entuziazmojnë regjimin, i cili e vlerëson si një vepër “ku pasqyrohet besnikëria e PPSH-së ndaj marksizëm-leninizmit, ndaj çështjes së revolucionit proletar botëror dhe interesave të socializmit (Fjalori enciklpedik shqiptar). Ku e shikon sociologu sulmin ndaj veprës së Kadaresë, për vlerat e së cilës, siç thekson ai vetë, “nuk i përket të flasë”. Por për çfarë flet ai?! Për mesazhin politik të saj! Dhe pikërisht këtu nis “sulmi” mes dy palëve, siç shihet, i fryrë dhe mbajtur ndezur nga njerëz që nuk u përket, por që duan të ngrohin duart në këtë zjarr. Në të tilla rrethana lind një pyetje për sociologun: Të huajt, të cilët e kanë vlerësuar romanin, cilin variant të librit kanë lexuar të përkthyer në gjuhën e tyre, atë me mesazhin e madh filozofik e sociologjik të gjysmëfjalisë, apo atë “të censuruarin”?! Sepse, duke gjykuar për të njëjtin variant, vlerësimi i të huajve mbetet i çmuar, kurse ai i regjimit, sulm ndaj veprës së tij! Ky ështe thelbi i stisjes së një konflikti, i cili u intereson grupimeve të caktuara brenda dhe afër pushtetit, me idenë se janë të vetmit që, me qëndrimet politike, i shërbejnë vendit dhe demokracisë. Është shumë i saktë konstatimi i politologut Shaban Murati se “Lukunia e shkrimtarëve dhe poetëve të realizmit socialist iu ngjit pushtetit demokratik dhe partive kryesore politike dhe shitën letërsinë dhe shpirtin në shkëmbim të daravitjeve të regjimit demokratik dhe u bënë ministra, deputetë, ambasadorë, funksionarë të lartë të shtetit”. (Gazeta “Dita”, dt. 5.07.2024).

Është më se e vërtetë që I. Kadare ka ngritur perandorinë e vet letrare, por ajo është perandori morale- shpirtërore dhe, kur “mbrojtësit” e Kadaresë pyetjes më të natyrshme që mund të bëhet se si regjimi  komunist nuk e dënoi këtë kundërshtar të rreptë e të përhershëm, i përgjigjen me arsyetimin se kjo perandori e ka frenuar ta realizojë, duke harruar se diktatura, prandaj dhe është e tillë, nëse nuk shtyp dot perandorinë e krijuar, krijuesin e kësaj perandorie e izolonte, e asgjësonte, ndryshe, po këta “mbrojtës” nuk do të përdornin argumentin tjetër se shkrimtarit i duhej t’i bënte elozhe regjimit për t’i shpëtuar ndëshkimit të tij. Është mungesa e argumenteve që i shtyn këta “mbrojtës” në një psitacizëm apokatastazik, si të llokoçiten në një pellgaçe ku, siç hyjnë të përbaltur, dalin të lerosur. Pamundësia e argumentimit i çon në banalitete që nuk përtypen nga njerëzit, ndj dhe lind dyshimi, duke dëmtuar kështu edhe Kadarenë, për sa që konfliktin e delegojnë artificialisht mes shkrimtarit dhe trilleve të tyre.

Duke mos pasur vizionin, kurajën dhe, më kryesoren, aftësinë për të kuptuar raportet e Kadaresë me veprën e vet, me regjimet në të cilat jetoi dhe krijoi, me institucionet, me historinë e kombit tonë duke rrëmihur me majën e një pene mijëra tonelata dhera e gërmadha grumbulluar shekujve për të hapur shtigje komunikimi me lashtësinë, bashkëkohësinë e me të ardhmen, shkrimtari ynë i madh, duke ia nënshtruar temperamentin arsyes, kërkonte dhe këshillonte për besnikërinë ndaj së vërtetës. Tek e vërteta qëndron e bukura. Mirëpo të shkosh tek e vërteta është mundim i madh. I. Kadare e pranon faktin që, si të gjithë njerëzit, edhe ai gabon. Të konstatosh gabimin nuk do të thotë të sulmosh, ashtu sikundër, të mbulosh gabimin nuk do të thotë që mbron dhe, për më keq, gabimin ta konsiderosh vlerë, ky është absurdi i të marrëve qe për fatin e keq të tyre u ka mbetur aq mendje sa të jenë të hapur e të sinqertë në marrëzinë e vet. Më tepër sesa me Kadarenë, i cili “ka bërë shumë për Kosovën jo vetëm në kulmin e krizës së saj në vitin 1999, por edhe më parë e më vonë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush” (A.V), shkrimtari A. Vinca, kur thotë se “Autori i romanit “Darkë e gabuar”, shkrimtari ynë i madh I.Kadare, është bërë edhe vetë, me dashje a pa dashje, pjesë e një darke të gabuar njëzet vjet më parë, darkës me shkrimtarin austriak apologjet të Milosheviçit, Peter Handke (mbrojtës i krimeve serbe në Bosnjë e në Kosovë)”, e ka me “mbrojësit” e tij, të cilët, e shumta që mund të bënin do të ishte mospërmendja e këtij fakti, se për ta mbuluar nuk munden dot, por është e turpshme dhe fyese për publikun e gjerë që edhe këtë akt të gabuar “naivët përpiqen ta paraqesin si një veprim largpamës”. (A. Vinca. Gazeta “Dita”, dt. 17.01.2024). Kjo taktikë mbrojtjeje pa asnjë strategji, veçse në funksion të interesave të çastit, është një nga arsyet e dyshimeve për qëndrimin e autrit, e cila duhet mbajtur ndezur, sepse vetëm kështu mund të spekulohet, paçka se mund “të digjet”  Kadareja dhe vepra e tij.

Me këtë taktikë aspak të volitshme “mbrojtësit” e Kadaresë shtrydhin fort trurin dhe, për ngjarje që janë tronditëse, siç ishte arratisja e shkrimtarit duke kërkuar azil politik në Francë, shkelin dhe mbi erudicionin e tyre nëpërmjet pohimeve të tilla, si: “Ikja e Kadaresë do të përshpejtonte zhvillimet demokratike në vend”. Por këta strategë a e dinë se jemi në një kohë dhe në një regjim që populli shqiptar është mbrujtur me një botëkuptim që akte të tilla, aq më tepër prej personaliteteve, i dënon dhe ndihet i braktisur e i lënë në mëshirë të fatit? Pra, nëse ky ka qenë qëllimi i largimit, vendimi nuk mund të ishte personal, por i mirëmenduar, kolegjial në kohën kur ndodhi dhe më pas koha ka qenë e mjaftueshme për një transparencë institucionale që nuk u bë kurrë, duke u lënë fushë të lirë alibive, që më tepër shtojnë mjegullën sesa e davaritin atë. Po realiteti çfarë tregoi? A u përshpejtuan zhvillimet demokratike me ikjen e Kadaresë?

Sot, tridhjetë e pese vite mbas rënies së regjimit komunist, zhvillimet demokratike janë në nivelin e situatës kur Kadareja u largua, pra, në thirrje të fuqishme politike për rrëzimin e regjimit, pikërisht nga ai që pretendon se e rrëzoi njëherë regjimin diktatorial. Po tani çfarë do të rrëzojë?! Kjo është anomalia, kakofonia e fjalëve, mendimeve, veprimeve dhe zhvillimeve ku buluron mençuria e marrëzisë: Kadareja kërkoi azil politik në Francë se ndjehej i rrezikuar nga regjimi, apo u largua që të rrezikonte regjimin?! Që nuk i trembej regjimit, dukej në faktin që “ Sa herë pëshpëritej se ai nuk i ka punët mirë me shtetin, ai dilte shëtitje me bashkëshorten e tij” (Y. Demneri) dhe që e la vendin për përshpejtimet demokratike, gjithashtu e tregojnë “arritjet” dhe realizimet në jetën e përditshme të masave popullore, të cilave u bëhet thirrje të ngrihen në revolucion paqësor (?!) për përmbysjen për herë të dytë të regjimit diktatorial, pas afro katër dekadash të përmbysjes së parë. Çfarë përshpejtimi! Çfarë mbrojtje! Çfarë kaosi! Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …