Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare II

Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare II

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e plota e të fuqishme si të stisura prej Poseidonit në çaste tërbimi e zemërimi, dallgë që lë mbrapa një shterje sipërfaqësore si për ta ngritur në shpatullat e veta kreshtën valore; hijeshi madhështie që lektis e drithëron edhe vetë perënditë…

Ky studim i thellë, realist, i maturar në një trajtesë të mirëfilltë akademike, i studiuesit ndër më lapidarët e letërsisë shqipe, Mihal  KALIA, meriton vëmendje të  veçantë, sepse në këtë kohën tonë, ku vlon kazani i anti-vlerave, ka pretendime  për manipulime, keqinterpretime, abuzime me të vërtetën, për qëllime të caktuara, apo thjesht me një noprani të lindur të disave, që duan me çdo kusht të tërheqin vëmendjen, jo me të vërtetat e njohura, reale dhe logjike, të njohura botërisht,  por me qasjen e tyre të përçudnuar, me çoroditjen e tyre të pashëruar…

Duke prezantuar studimin, autori i nderuar dhe i respektuar, Mihal  KALIA mes tjerash ka shkruar.  Më shqetëson abuzimi me të vërtetën dhe e quaj fyerje të inteligjencës  njerëzore, teksa pa asnjë ndjenjë përgjegjësie e interpretojnë veprën e Kadaresë si antiregjim. Në këtë rrafsh, pa mohuar aspak vlerat artistike të shkrimtarit, do të doja t’ju shprehja neverinë time për këta “mbrojtës” të Kadaresë, çka përbën dhe thelbin e shkrimit tim, për të  cilin ndiej nevojën e një mendimi që të shprehë të vërtetën, larg interesave e përfitimeve, me seriozitet dhe kompetencë, cilësi këto që juve nuk ju mungojnë dhe që jam i bindur se do të më shërbejë për të fashitur konfuzionin, për mua i rrejshëm dhe i padobishëm. Është fjala thjesht për objektin e shkrimit, ndërsa se si trajtohet, do ta thonë lezuesit e interesuar…

Është e vërtetë që librat e Kadaresë “shiteshin brenda ditës; ishin ngjarja më e madhe dhe më e bukur e kohës së diktaturës” (A. Demneri), por në këtë fjali pohohet bukur për regjimin ajo çka thënësi fuqishëm përpiqet të denoncojë e të kundërshtojë. Cilët janë ata që i përlajnë kaq shpejt librat? Duhet të kenë qenë UFO-t, se njerëzit tanë vetëm e sulmonin, sulme këto “që e kanë bërë më të fortë” (M. Shanaj) shkrimtarin sepse, siç thotë Kadareja, sipas thënësit, “letërsia e madhe kalon përmes ferrit”. Po të jetë kështu, atëhere ajo, (letërsia) mbetet brenda ferrit, sepse edhe në u shpëtoftë torturave e sfilitjeve në rrathët e njëpasnjëshëm, është rrethi i nëntë, ku mund të futesh, por që nuk del dot prej andej, se t’i pret gjunjët e këmbët pesha e rëndë e tradhtisë. Këtë lloj mbrojtjeje Kadareja nuk e do.

Shumë fjalë vendosen në gojën e Kadaresë, tashmë që ai nuk është më midis nesh, nga individë të ndryshëm gjatë bisedave shoqërore që kanë pasur me të. Dhe mirë bëjnë! Por ato janë në kuadrin shoqëror dhe patjetër që duhen kujtuar, por, gjithashtu ato nuk mund të shërbejnë për përcaktimin dhe vlerësimin e pikëpamjeve të tij ashtu si i kuptojnë dhe i dëshirojnë bashkëbiseduesit, sepse, ngaqë janë të shumtë, në publikimet e kujtimeve, për të njëjtin problem ndeshemi me konglumerat pikëpamjesh për letërsinë dhe kulturën, shpesh edhe larg njëra-tjetrës. Duke vlerësuar qëllimin e mirë të tyre dhe respektin që kanë për shkrimtarin e madh, megjithatë, pretendimi i tyre nuk duhet të arrijë në përkufizime specifike të përshtatshme për t’i servirur si opsione të konsoliduara, gjë që i përket vetë shkrimtarit nëpërmjet veprës së tij dhe institucioneve përkatëse që shumësinë e intimiteteve e zbrazin në unitetin e shumësisë.

Të krenohesh me Kadarenë nuk është kurrë dhe nga askush gabim, por, kur këtë nuk e mbështet në veprën e shkrimtarit, të himnizuar nga një regjim i kontestuar, po në fantazinë që kënaq qasjen e re politike që nuk puqet me të shkuarën, për ta mbajtur Kadarenë në anën e vet, ngaqë s’mund të mohojnë veprën, përpiqen ta deformojnë duke luajtur me figuracionin, si një tufë kalamajsh që lozin me një copë floriri që u ka rënë në dorë dhe, ngaqë s’e njohin (s’duan ta njohin në rastin tonë), e flakin tej si hedhurinë llamarine. “Vepra e Kadaresë ndriçoi në kushtet më të errëta të diktaturës” (B. Asllani). Po për kë ndriçoi? Sepse diktatura nuk u përpoq ta shuante këtë dritë, përkundrazi, i mbajti ndezur llambat e “Kronikë në gurë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, “Kështjella” etj., si një shkëlqim në majat e letërsisë sonë të realizmit socialist. Ky konstatim është i vërtetë, sepse gjendet në gjithë strukturën dhe infrastrukturën e letërsisë shqiptare të realizmit socialist.

Duke e bluar drithin te mullixhinj të tillë na duhet që miellin ta marrim të kokërrzuar, sepse herë pas here mulliri ngec e, megjithatë, kokrrat derdhen në thes. Regjimi diktatorial, i anatemuar për censurën më të egër, duket si diçka paradoksale ta cilësojë romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, si një dukuri të re në zhvillimin e letërsisë shqiptare “jo vetëm për problematikën që trajton, por edhe për risinë e formave të përgjithësimit artistik” (“Studime për letërsinë shqiptare”, 1988), ndërkohë që sot për këtë roman thuhet se “theu rregullat e realizmit socialist”, apo se dënon alegorikisht diktaturën komuniste. Po kështu  romanin “Kështjella” diktatura e cilëson “me nivel të ngritur artistik dhe me një përfytyrim të thjeshtë dhe të pasur…..tregon rrënjët e qëndresës dhe të trimërisë shqiptare duke pohuar se Shqipëria është një kështjellë e pamposhtur dhe se armiku do të dështojë me turp po të guxojë të prekë “muret” e kalasë sonë” (D. Shapllo “Dukuri dhe vepra letrare”).

Sot këtë roman e cilësojnë “si një shuplakë për regjimin” (B. Asllani). Por, po të ishin kështu shuplakat, regjimi do t’i puthte dhe s’do të kishte dert. Cilësimet që i bëhen aktualisht veprave të Kadaresë të shkruara në regjimin diktatorial, janë jashtë dhe larg logjikës, duke u rekur me asumpcione se regjimi nuk i kuptonte. Po për t’i ndjerë, nuk i ndiente shuplakat?! Këto kundërvënie janë arsyeja që kanë lindur dyshimet, me të cilat merren sot arrivistët dhe interesaxhinjtë. Ndërkohë që lëmi është i gjerë (për të shirë), ata nuk mundin dot të shijnë dhe e gatuajnë brumin  përzier me halat e drithit, të cilat vështirësojnë gëlltitjen. Dhe përsëri lind dyshimi: “Pse, kjo është egërsia e regjimit ndaj Kadaresë dhe veprës së tij?!”. Ky dyshim shtrin hijen e vet edhe në lëmin politik, qëllimi kryesor i këtyre lajkaxhinjve, aq më tepër për situatat që po kalojmë, që nuk të kujtojnë emblemën e asnjë lloj regjimi e jo më të demokracisë. Këtë shërbim nuk do ta donte shkrimtari I. Kadare.

Të përdorësh alegorinë do të thotë të shfrytëzosh paralelizmat midis dukurive që trajton, me qëllim që njëra të të kujtojë tjetrën dhe t’i shërbejë qëllimit për të cilin përdoret. Është përdorur alegoria nga rilindësit tanë, të cilët i kanë hequr paralelet, që në mendimin dhe përfytyrimin e tyre krijojnë asociacione të njëkuptimësisë, të një bashkimi ideor për të mbërritur në të njëjtin destinacion, pavarësisht mospuqjes teorike të tyre, por arti ndaj dhe është magjik, sepse mundëson dhe të pamundurën. Në veprat e Kadaresë të periudhës së diktaturës komuniste, nuk ravijëzohen paralele as në artin dhe as në realitetin jetësor të tij, por ka përputhje të plotë, gjë që nuk të çon aspak në paralelet e alegorisë, sepse, i prirë gjithmonë drejt së resë dhe modernes, shkrimtari ynë i shquar udhëton me trenat e shpejtësisë së madhe që rrëshqasin mbi një shinë. Në këtë kuptim, Kadareja nuk e ka ndier nevojën e alegorisë si mbulesë, si maskë fytyrës së të vërtetës, sepse ai kishte forcën e mendimit, të zërit e të artit të tij, që dëgjohej e kuptohej jo vetëm në hapësirat tona kombëtare, por edhe më gjerë dhe kjo arrihet jo nëpërmjet mbulimit, por zbulimit të vlerave të një populli dhe një kombi me histori dhe kulturë të hershme, me mitet dhe perënditë e veta, me kontribute kombëtare  e ndërkombëtare, që e vendosin atë në lartësinë e merituar, me krenarinë e fituar e të dëshmuar, pa qenë nevoja e lutjeve për t’u pranuar në bashkësi, pjesë e së cilës kemi qenë qysh kur ka lindur njerëzimi.

Lindin një sërë pyetjesh: A e ka mohuar regjimi I. Kadarenë si shkrimtar të madh? A është dënuar ndonjëherë Kadareja, qoftë edhe me një masë “riedukimi” në bazë, si shumë shkrimtarë të tjerë? A ka qenë më i lirë se të tjerët dhe më i privilegjuar? A është gjykuar dhe dënuar për vepër armiqësore, për akt kundër diktaturës së proletariatit, për atentat ndaj vijës ideologjike të Partisë, apo për poezi antikomuniste? Pse ishte i rrezikshëm Kadareja për regjimin? Cilat janë “kompromiset e vogla” (B. Islami) të Kadaresë me regjimin? Këtij shkrimtari të rrezikshëm a ia hoqi regjimi të drejtën e botimit? Ky regjim i egër a e dënoi me ndonjë ditë burg? Cilat janë gabimet e Kadaresë, nëse ka të tilla? A u përjashtua Kadareja nga anëtar i Partisë së Punës? A u shkarkua Kadareja nga nënkryetar i Frontit Demokratik? A ka qenë Kadareja ndër më të vlerësuarit shkrimtarë të regjimit dhe të letërsisë së realizmit socialist? Pse trajtohet dhe përqendrohet vëmendja në raportet Kadare – regjim  dhe jo Kadare dhe letërsia shqiptare? Gjithë kjo, thjesht për faktin se alibitë duhen përforcuar, sepse ashtu si arti i Kadaresë i shërben regjimit socialist, ashtu regjimi i sotëm, si i pangopur që është në të gjitha drejtimet, kërkon jo vetëm letërsinë pas viteve 90-të  që Kadareja ua ka dhuruar, por të bëjë të vetën, në ideologji dhe politikë, edhe atë të realizmit socialist, duke konkluduar në marrëzira, të cilat as që u afrohen pyetjeve të shtruara më sipër.

 E  gdhendi O. Paskali figurën e Enver Hoxhës dhe e derdhi në bronz. Por nuk tha askush se kanë qenë vepra kundër regjimit, sikurse nuk mbahen së deklaruari për  bustin e E. Hoxhës, gdhendur po madhërishëm me shkronja e fjalë të shqipes së bukur, se nëpërmjet alegorisë godet diktaturën komuniste. Shkroi Kadareja edhe pas diktaturës, por “çudi” që liria e të shkruarit nuk printoi vepra të mëdha. I realizon regjimi veprat, apo shkrimtari? Sigurisht shkrimtari, por regjimi, duke mos qenë indiferent, diskuton, debaton, sugjeron, qorton dhe veprat mbeten të famshme, si për Shqipërinë dhe letërsinë e saj, ashtu edhe për letërsinë botërore.

 Po  regjimi pas viteve 90-të?! Nuk ka regjim dhe nuk kuptohet se çfarë lloji shteti po ngremë, ku arti dhe letërsia nuk janë fare në fokus të qeverive, janë lënë jo në liri, por në rënie të lirë e ky fakt shton dyshimin në seriozitetin dhe sinqeritetin e vlerësimit të veprës së Kadaresë. Thjesht, në këtë brerore vezulluese fshihet një mospërfillje e madhe. E dukshme kjo dhe e papranueshme. Dhe debati vazhdon, sepse ashtu duhet vazhduar, duke ngritur tymnaja, ku spekulimi e mashtrimi janë bërë  promotorë të zhvillimeve dhe transformimeve “demokratike”. Çfarë i pengon këta “mbrojtës” që t’u referohen dokumenteve për qëndrimin e Partisë së Punës ndaj Kadaresë dhe veprës së tij? Pse flasin me hamendje e supozime mbi të cilat nxjerrin konkluzione e përfundime? Nëse nuk i dinë, pse nuk i referohen D. Kaloçit në librin ”Kadare dhe regjimi komunist”, ku flitet vetëm me dokumente dhe nuk janë pak, por 101 të tilla?! Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …