Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare III

Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare III

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e plota e të fuqishme si të stisura prej Poseidonit në çaste tërbimi e zemërimi, dallgë që lë mbrapa një shterje sipërfaqësore si për ta ngritur në shpatullat e veta kreshtën valore; hijeshi madhështie që lektis e drithëron edhe vetë perënditë…

Ky studim i thellë, realist, i maturar në një trajtesë të mirëfilltë akademike, i studiuesit ndër më lapidarët e letërsisë shqipe, Mihal  KALIA, meriton vëmendje të  veçantë, sepse në këtë kohën tonë, ku vlon kazani i anti-vlerave, ka pretendime  për manipulime, keqinterpretime, abuzime me të vërtetën, për qëllime të caktuara, apo thjesht me një noprani të lindur të disave, që duan me çdo kusht të tërheqin vëmendjen, jo me të vërtetat e njohura, reale dhe logjike, të njohura botërisht,  por me qasjen e tyre të përçudnuar, me çoroditjen e tyre të pashëruar…

Duke prezantuar studimin, autori i nderuar dhe i respektuar, Mihal  KALIA mes tjerash ka shkruar.  Më shqetëson abuzimi me të vërtetën dhe e quaj fyerje të inteligjencës  njerëzore, teksa pa asnjë ndjenjë përgjegjësie e interpretojnë veprën e Kadaresë si antiregjim. Në këtë rrafsh, pa mohuar aspak vlerat artistike të shkrimtarit, do të doja t’ju shprehja neverinë time për këta “mbrojtës” të Kadaresë, çka përbën dhe thelbin e shkrimit tim, për të  cilin ndiej nevojën e një mendimi që të shprehë të vërtetën, larg interesave e përfitimeve, me seriozitet dhe kompetencë, cilësi këto që juve nuk ju mungojnë dhe që jam i bindur se do të më shërbejë për të fashitur konfuzionin, për mua i rrejshëm dhe i padobishëm. Është fjala thjesht për objektin e shkrimit, ndërsa se si trajtohet, do ta thonë lezuesit e interesuar…

            Librat e Kadaresë nuk janë të tillë që u shërbejnë njësoj vizionarëve dhe zbehtakëve, liberalëve e konservatorëve, të mençurve e të marrëve, komunistëve dhe antikomunistëve, moralit dhe degjenerimit, guximit dhe frikës, turpit dhe paturpësisë, kur këto të kundërta ruajnë dhe mbrojnë me fanatizëm parimet e veta të ekzistencës dhe formësimit të tyre, gjë kjo që, ndryshe, do të nënkuptonte faktin e infektimit të letërsisë me mikrobin e aktualitetit politik në vendin tonë, ku krahas vjedhjes dhe çoroditjes së vlerave materiale, kërkojnë të përvetësojnë dhe ato kulturore, shoqërore e shpirtërore. Sepse I. Kadare ka vlera, ndaj kërkojnë ta kenë të vetin edhe ata të pavlerët, që po i mbytin emisionet televizive me hosanara banale të fantazive të ndryshkura, kur ato faktike e reale janë të shumta, konkrete, të qarta e të kuptueshme, si dhe tejet të rëndësishme.

Ceremonia e homazheve në nderim të këtij njeriu të madh të letrave i dha evenimentit një frymë mistike fetare me Ave Verum Corpo, si të ishte përcjellja e një metropoliti a kardinali, nën një përkujdesje të veçantë organizimi prej kardinalëve të një shteti papnor, të cilët ngrenë Kryqin, por Krishtin s’e shohin, sikundër ne pamë “Krishtin”, por jo Kryqin, veçse në mendjen e trazuar të atyre që në këtë teptisje garantojnë ekzistencën e vet. Në sfond, vargje nga poezitë e Kadaresë. Vargje shumë të bukura! Të zgjedhura  për atmosferën e menduar të ceremonisë mortore! Vargjet e poemave madhore, pa dyshim që nuk janë përdëllimtare, janë kumbuese e si të tilla trandin urtësinë mistike të ritit hyjnor.

A e dinë “mbrojtësit” e Kadaresë që “ky poet novator ka dhënë një kontribut të çmuar në pasurimin dhe zhvillimin e mbarë poezisë shqiptare të realizmit socialist” (K.Bihiku)? A është e vërtetë? Duket se në krijimtarinë poetike të Kadaresë simboli, alegoria, metafora, të përdorura mjeshtërisht thuajse në çdo varg të poemave të tij madhore, nuk e paskan “magjinë” ta kthejnë përmbys atmosferën, entuziazmin, krenarinë, atdhetarinë e patriotizmin në një antiregjim e antisocializëm. Është interesant fakti që thuhet se “…nëse diskutohet për Kadarenë, menjëherë të përmendin se ka shkruar “Përse mendohen këto male”, se ishte anëtar i Partisë së Punës dhe, së fundi  ai u zgjodh nënkryetar i Frontit Demokratik” (B. Islami. Gazeta “Dita”, dt. 24.07.2024). Po, a janë të vërteta dhe pse të mos i kujtojnë, ndërkohë që “mbrojtësit” kanë të drejtë të kujtojnë (sajojnë) të pavërtetat? Janë të vërteta, thotë “mbrojtësi”, por nuk përbëjnë thelbin e veprës së tij, por, se kush dhe çfarë përbën thelbin e veprës, nuk na e thotë.

Është më thelbësore të qenit antiregjim, sesa himnizimi i atdheut, kombit, popullit shqiptar, historisë së tij të lavdishme, trimërisë dhe dashurisë së pakufishme për lirinë dhe përparimin e vendit, të trajtuara këto si rrallë kush në poemën “Përse mendohen këto male”. Nëse pranojmë se “mbrojtësi” e ka lexuar poemën, na duhet të pranojmë edhe se nuk e ka të qartë thelbin e veprës së Kadaresë. Vallë, thelbin e veprës së Kadaresë e përbëjnë të pavërtetat?! Çfarë mbrojtje! Poema “Përse mendohen këto male”, kryevepër në poezi e letërsisë shqiptare, është botuar në vitin 1964. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kryevepër e letërsisë shqiptare në prozë, është botuar në vitin 1963. Pra, janë të së njëjtës kohë. Cili është thelbi i këtyre veprave që i bën të dallohen nga njëra-tjetra, njëri më i rëndësishëm e tjetri i dorës së dytë, veç faktit që njëra është shkruar në vargje dhe tjetra në prozë, përderisa njërën e fshijmë nga kujtesa dhe tjetrën, për të njëjtën arsye, e ngremë në piedestal, ashtu si në fakt i takon, por jo i përmbysur?! Si është e mundur, apo kemi të bëjmë me një shkrimtar që ditën shkruan poezi dhe natën shkruan prozë, si të jenë dy të ndryshëm në gjini letrare, ide etj.?! Këtu forca e gjykimit zbehet dhe theksohet forca e hallakatjes, turbullirës dhe rrëmujës. A i shërben kjo Kadaresë dhe veprës së tij?!

Robert Elsie thekson se  “I. Kadare ishte me kurajë në çështje të formës, por ndoshta jo dhe aq në ato të përmbajtjes. “Përse mendohen këto male” është një himn, një nga shprehjet më të spikatura të vetë imazhit të Shqipërisë nën regjimin e E. Hoxhës”. Vallë, në poemat madhore të I. Kadaresë nuk funksionon alegoria, ashtu siç “funksionon” në romanin “Dimri i madh” etj.?! Alegoria, fjala shpëtimtare, së cilës “mbrojtësit” e Kadaresë i kanë hipur përsipër dhe e ngasin revan, duke bërë kërdinë mbi kundërshtarët me shpatën e ndryshkur, si Don Kishoti kundër mullinjve të erës. Aspak konsekuentë në argumentet e tyre përsa që konstatojmë se “mbrojtës” të ndryshëm të njëjtin “argument”, sigurisht, jo në debat me njëri tjetrin se nuk i lejon uniteti i qasjes, e përdorin si t’ua sjellë përpara çasti i rrotullimit të mendimeve, të ndryshme deri në kundërshti, paçka zellit mbrojtës të njëjtë. A ka sinqeritet kur publikisht Kadareja, për të cilin nuk është se mungojnë referencat për vlerat e tij, përkundrazi janë të shumta, të çmohet, nga pozitat e sotme, si i tillë që nuk ka përfolur krijimtarinë e ndonjë shkrimtari, ndërkohë që K. Trebeshina, B. Xhaferri, disidentë të regjimit, e akuzojnë si shkaktar të fatkeqësive të tyre në krijimtari dhe në jetë?

Për romanin “Dimri i madh” R. Elsie , në librin “Historia e letërsisë shqiptare”, thekson se: “Portreti që i bën E. Hoxhës forcoi pozitën si shkrimtar i brendshëm i Partisë. Kadareja më pas ka thënë se “Dimri i madh” e shpëtoi atë fizikisht”. Pra, “Dimri i madh” shihet si një vepër e realizmit socialist që i ka shërbyer regjimit, atëhere si mund të jetë po kaq e vërtetë dhe e kundërta, duke e konsideruar si një roman që demaskon dhe i kundërvihet diktatorit dhe diktaturtës?! Por sociologu F. Tarifa nuk do të dijë as për R. Elsie, as edhe për vetë Kadarenë, kur është fjala për “mbrojtjen” e Kadaresë, kur thotë se: “ Edhe pse ka njerëz që mendojnë, se veçanërisht ky roman (“Dimri i madh”) i ka bërë shërbim E. Hoxhës dhe diktaturës së tij, për mua ky është një gjykim aq vulgar, sa me të nuk ia vlen të merresh”. Qesharake kjo! Dhe nuk ka se si të merret! Sepse nuk i bën dot ballë rrebeshit të dimrit të madh një kurajoz i vogël, ndaj bën mirë që struket në strofullën e tij nga bën sehir shakullinën jashtë.

Ismail Kadare shkroi shumë, polemizoi shumë, respektoi shtetin, nuk donte pushtet! Duke u kalamendur në trajektoret e shumta të realiteteve, herë të rrokshme, herë të çuditshme, herë të qarta e herë të pashpjegueshme, në një “infrastrukturë” të çrregullt e pa sinjalistikë, jo rrallë ngatërrohej destinacioni dhe jo rrallë kthehej mbrapsht, por, po ashtu, rastiste të vazhdonte drejt nëpër kalldrëme duke sharë e gërmushur për çdo shkundje groporesh, por edhe duke u sharë prej këmbësorëve për pluhurin e ngritur nga vërshëllima e rrotave, apo për rrapëllimën shurdhuese të skapamentos që çirrej mundimshëm nën ritmin e vet të çatrafilluar. A i mbeti gjë peng shkrimtarit tonë të madh? Shumë mbrojtës thonë se u largua prej nesh pa ndonjë peng. “Ismail Kadare  i tha vërtetë ç’kishte për të thënë. Kurrë ky vend nuk do rresht së përsërituri me vete gjithçka Ismaili tha për të”, tha në fjalën e tij të përcjelljes kryeministri, E. Rama.

Por I. Kadareja nuk ishte thjesht një predikues, fjalët e të cilit do të përsëriten me vete nga populli, duke bërë “kryqin”, më pas një “amen!” dhe kështu pa mbarim. Kadareja nuk ishte murg manastiresh që të çlironte shpirtin duke thënë çka kishte për të thënë e kështu të vazhdonte ritualin. Në diktaturë ky lloj zëri ishte i palejueshëm, në “demokraci”, i lirë dhe i padëmshëm. Po ku qëndron bubullima Kadare?! Ku përplasen “mbrojtësit” me “sulmuesit”?! Stuhi në Manastir, ku nuk dëgjon dot këmbanat e përmortshme, ndërkohë që këmbanat kadareane kumbuan kudo në botën e qytetëruar, shenjë nderimi dhe respekti për një njeri të madh. Ku qëndron madhështia e Kadaresë? “Mbrojtësit” e kërkojnë aty ku nuk është, sepse aty mund të gjejnë edhe ndonjë vend për vete, qoftë edhe “në këmbë”.

Sepse me buçimën e këmbanave duan të bashkojnë edhe tringëllimën e zilkave të tyre. Si mund të ketë ikur Kadareja pa pasur ndonjë peng! Pengu i madh i tij ishte Shqipëria dhe nëse “mbrojtësit” mendojnë se çfarë tha dhe deshi Kadareja për Shqipërinë u realizuan të gjitha, aty ata shpërfaqin një “të vërtetë” që nuk e besojnë as vetë, pra, një mashtrim të madh, që nuk mund të mos përfshinin në të edhe largimin e qetë dhe pa pengje të shkrimtarit nga kjo jetë, sepse as donin dhe as duan të kuptojnë se çfarë tha, çfarë bëri dhe çfarë s’i doli mirë nga ato që bëri; të gjitha këto të inspiruara nga një dashuri për atdheun, popullin, gjuhën e traditat e vyera të këtij vendi, por mjerisht ai nuk i la ato ashtu siç do të dëshironte. Dhe ky ishte pengu i Kadaresë: Shqipëria e arrirë! Këtë “mbrojtësit” nuk e thonë dot, se atëhere Kadareja do të bëhet shkak për mosmarrëveshje të tyre me pushtetin, të cilin ata e duan dhe i servilosen, pushtetin të cilin Kadareja e refuzoi dhe, ngaqë ishte i vetëmjaftueshëm me pushtetin e tij, në atë rrugën e vështirë me sopa e gropa, nuk reshti së punuari me artin e tij për t’i dhënë dritë një shteti të ri, të emancipuar dhe, nëse iku pa ndonjë peng, kjo sepse zëri i tij nuk do të shuhet me shuarjen fizike, ai do të dëgjohet gjithmonë e më tepër dhe për këtë ishte i ndërgjegjshëm, se mundimi i tij nuk ishte si prej Sizifi, por si prej Prometeu, mallkuar prej Zeusit, por i bekuar prej njerëzimit. Si është e mundur që ky shkrimtar gjeti me artin e tij mënyrën për t’iu kundërvënë diktaturës më të egër dhe nuk mundi në tridhjetë e pesë vite “demokracie” të leqendisur, ku “predominon” fjala e lirë, të paraqesë artistikisht këtë realitet të ri, me të cilin zor se ka qenë në koherencë, ngaqë ishte larg pritshmërive të shkrimtarit? Apo, edhe kjo është alegori?!

Sot, pothuajse të gjithë poetët e shkrimtarët që kanë ushtruar krijimtarinë e tyre në kohën e regjimit diktatorial, ndjehen të censuruar. Të gjithë këta janë Kadare, që i paskan shpëtuar regjimit?! Të gjithë kanë krijuar “mbretërinë” e tyre letrare?! Jo! Ata janë njerëz të çastit dhe duan të përfitojnë nga çasti, ndërsa Kadareja synonte kohët, gjithmonë i pranishëm, i gjithëshqetësuar, i palodhur, i dëshiruar. Vepra e Kadaresë është minierë e pasur, ku minatorët nxjerrin mineralin ashtu siç është me dhera e papastërtira, të cilat i nënshtrohen procesit të pastrimit , por ajo çka përbën shqetësim është fakti se po ndodh që në vend të heqim dherat nga minerali, po heqim mineralin nga dherat, duke treguar kujdes e interes për to dhe jo për mineralin e vërtetë të kësaj miniere, duke ia atribuar vlerat e tij smërçeve e kalbësirave.

Atë çka M. Prençi e konstaton se “Dukuritë e politizuara te disa vepra të tij, që natyrisht përbëjnë një antivlerë, janë një minus, po kurrsesi nuk mund të çmitizojnë mitin e kolosit të letrave, Kadare”. Fjala, sigurisht,  është për qëndrimin ndaj E. Hoxhës dhe regjimit të tij. Ky është një shikim realist dhe interpretim realist i mbështetur në ideologjinë që përkrah dhe që i shërben, që nuk përbën qëllimin e shkrimit tonë, por që ndihmon në sqarimin e tij dhe konkretisht që ato antivlera e minuse lidhur me politikën e kohës e në përkrahje të saj, studiues, shkrues e krijues të mos na i kthejnë në vlera të qëndrueshmërisë ndaj këtij regjimi, të kundërshtisë së rreptë ndaj tij, gjë që shtrembëron realitetin shoqëror dhe atë letrar, si dhe vlerësimin e shkrimtarit të madh për pasqyrimin në art të jetës me të gjithë përbërësit e vet.  Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Muharremi: Skënderbeu i Gëzim Muriqit, në Sicili

Skënderbeu, hijeshia e pavdekësisë në Sicili Në bronzin e pavdekshëm, ku çdo linjë dhe formë …