Mihal KALIA: Qëndrimi e qasja e “intelektualëve” ndaj jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare IV

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e plota e të fuqishme si të stisura prej Poseidonit në çaste tërbimi e zemërimi, dallgë që lë mbrapa një shterje sipërfaqësore si për ta ngritur në shpatullat e veta kreshtën valore; hijeshi madhështie që lektis e drithëron edhe vetë perënditë…

Ky studim i thellë, realist, i maturar në një trajtesë të mirëfilltë akademike, i studiuesit ndër më lapidarët e letërsisë shqipe, Mihal  KALIA, meriton vëmendje të  veçantë, sepse në këtë kohën tonë, ku vlon kazani i anti-vlerave, ka pretendime  për manipulime, keqinterpretime, abuzime me të vërtetën, për qëllime të caktuara, apo thjesht me një noprani të lindur të disave, që duan me çdo kusht të tërheqin vëmendjen, jo me të vërtetat e njohura, reale dhe logjike, të njohura botërisht,  por me qasjen e tyre të përçudnuar, me çoroditjen e tyre të pashëruar…

Duke prezantuar studimin, autori i nderuar dhe i respektuar, Mihal  KALIA mes tjerash ka shkruar.  Më shqetëson abuzimi me të vërtetën dhe e quaj fyerje të inteligjencës  njerëzore, teksa pa asnjë ndjenjë përgjegjësie e interpretojnë veprën e Kadaresë si antiregjim. Në këtë rrafsh, pa mohuar aspak vlerat artistike të shkrimtarit, do të doja t’ju shprehja neverinë time për këta “mbrojtës” të Kadaresë, çka përbën dhe thelbin e shkrimit tim, për të  cilin ndiej nevojën e një mendimi që të shprehë të vërtetën, larg interesave e përfitimeve, me seriozitet dhe kompetencë, cilësi këto që juve nuk ju mungojnë dhe që jam i bindur se do të më shërbejë për të fashitur konfuzionin, për mua i rrejshëm dhe i padobishëm. Është fjala thjesht për objektin e shkrimit, ndërsa se si trajtohet, do ta thonë lezuesit e interesuar…

Ismail Kadare nuk ishte një Dostojevsk, as për  kohën, as për rrethanat, as për demonstrimet politike dhe shoqërore, as për ashpërsinë e konfliktit me regjimin, e cila për Dostojevskin arriti pikën kulmore deri në dënimin me vdekje, e më mbrapa, pas faljes, me internimin në Siberi. Vepra e këtyre dy shkrimtarëve është plasdarm e kërkimit të së vërtetës. Sipas A. Llunaçarskit Dostojevski e gjeti të vërtetën  te mikroborgjezia në dekadencë. I. Kadare e gjeti të vërtetën tek elitat, qoftë para, qoftë edhe pas rënies së regjimit komunist. Për masat e thjeshta nuk është se shpreh ndonjë simpati, për të mos thënë se herë-herë dhe cinik, i cili në të dy periudhat (para dhe pas 90-ës) shfaqet përkatësisht shpërfillës dhe nënvlerësues deri në përbuzje, përshtatur këto qëndrime sipas orekseve të regjimeve ndaj tyre.

As pushteti i Carit të Rusisë nuk mund të mohonte gjenialitetin e Dostojevskit, edhe pse ky ishte për revolucionin, sikurse as pushteti i sovjetëve, edhe pse Dostojevski ishte për nënshtrimin disfatist. Po kështu në vendin tonë, as regjimi komunist nuk mund të mohonte dhe nuk e mohoi gjenialitetin e Kadaresë, sepse ishte për një botë të re, të qytetëruar e moderne, ku Partia e Punës rrekej të gjente veten si prijëse e angazhimeve për prosperitet, sikurse nuk mund të mohojë gjenialitetin e Kadaresë edhe regjimi pa emër 35-vjeçar, gjenialitetin e të cilit duhej ta bënte të vetin, duke shfrytëzuar si lubrifikant për ingranazhet e ndryshkura të regjimit të ri, me adaptime që jo vetëm nuk i shërbejnë artit madhor, por e shëmtojnë atë dhe kjo, nga “dashuria për të bukurën”; dy dashuri që s’mund të funksionojnë gjatë, pavarësisht çasteve që diktojnë interesat për pika takimi të sajuara në këtë shtegtim emancipues.

Duke i pasur jo të shtrënguara burmat me njerëzit e thjeshtë, të cilat Kadareja i regjistronte aq sa i duheshin për të ruajtur në tërësi qëndrueshmërinë, “mbrojtësve” të tij u duket se e kanë të lehtë t’i vidhosin e zhvidhosin sipas prirjeve të tyre, protokolluar kjo në “librin e përshtypjeve” të realitetit të ri “demokratik”. Në këtë proces spikat dukshëm spekulimi që sjell deformimin, të cilin regjimi “demokratik” e pranon si normalitet, në kuadrin e një regjimi që thuajse është tërësisht spekulativ, konstatim ky jo thjesht yni, por i vetë shtetarëve dhe politikëbërësve tanë të pluralizmit demagogjik. Ja, pra, pse shkrimtarit V. Zhiti i duket “i pakuptueshëm” konflikti që shfaqej herë pas here dhe në shtyp mes Kadaresë dhe K. Trebeshinës, konflikt ky “ i pambaruar dhe i pambyllur” (V.Zh).

Konflikti mes këtyre shkrimtarëve është shumë i kuptimtë, ndaj dhe mbeti i pambyllur. Këto dy figura rrezatuese për ndriçimin e jetës dhe realitetit, nuk bënin aq dritë sa të shihnin e të kuptonin njëri-tjetrin, duke e lënë mënjanë konfliktin?! Si është e mundur të mos përcaktohet, të kapërcehet e të mos merret në konsideratë ajo yçkël që i ndan e largon nga njëri-tjetri, kur të dy janë “njëlloj” të rrezikshëm për regjimin?! Dhe V. Zhiti “e gjen” këtë yçkël, e cila jo vetëm që nuk na habit dhe nuk na duket e pakuptimtë për konfliktin mes tyre, por e përligj faktin që konflikti mbeti deri në fund i pambaruar. Të kundërtat e tyre V. Zhiti i shikon dhe i trajton si elemente të përbashkësisë në raportet me regjimin komunist. Përpiqemi të zbërthejmë kuptimin e fjalisë: “Dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, por edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim Partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu si u këndoi poeti, në atë lartësi…”. Pjesa e parë e fjalisë “Dikush mund të thotë” e distancon shkruesin nga “dikush-i”, pra nuk ndajnë të njëjtin mendim.

Cili është mendimi? E jep pjesa e dytë: “se edhe Kadare i këndon Partisë dhe shefit të saj”. Pra, kundërshtohet “dikush-i”. Por, a ka thënë ai një të vërtetë? Pa dyshim, se veprat  ku i këndohet Partisë dhe shefit të saj janë reale, konkrete, të prekshme, të qarta e të kuptueshme. Si mund të mohohet e vërteta?! Shkruesi e ka bërë distancimin nga kjo e vërtetë qysh në pjesën e parë të fjalisë. Pra, duhet ta mbrojë atë, duke mos e pranuar të vërtetën. Pjesa e tretë e fjalisë : “por edhe unë kam të drejtë…” jep sinjalin e dytë të kundërshtimit të së vërtetës, duke shfrytëzuar të drejtën e gënjeshtrës, ashtu sikurse “dikush-i”, sipas tij, e cila e bën të barabartë në pavërtetësinë e thënies dhe asgjë më tepër. Cila është e drejta që ka shkruesi? E sqaron pjesa e fjalisë në vijim: “ të them që pse të mos i bërtasim Partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu si u këndonte poeti”. Sipas V. Zhitit, poeti I.Kadare i këndoi një partie dhe Enveri ashtu siç i donte ai dhe jo ashtu siç ishin në të vërtetë. Poezitë e I.Kadaresë nuk janë pa referencë, as magazinë vargjesh ku mund të qëmtosh ato me të cilat justifikon veten dhe të tjerave t’u kthesh shpinën.

Sipas V. Zhitit poeti u këndoi Partisë dhe shefit deri në atë lartësi që meritojnë të qortohen për mosarritjen e tyre deri aty. Ky është zemërimi i V. Zhitit dhe ai ka të drejtë të bërtasë sa të dojë që të tjetërsojë këngën e poetit. Dhe, për ta përmbyllur këtë “arsyetim”, V.Zhiti nënvizon: “Nëse nuk i meritonin këto vargje (dhe dihet cilat janë vargjet e Kadaresë. M.K), atëhere nuk u përkasin atyre. Kjo është mbrojtja: Vargjet kushtuar Partisë dhe E. Hoxhës  nuk i përkasin Partisë dhe udhëheqësit të saj. Po kujt i kushtohen?! Rrotullim fjalësh që nuk ngacmojnë mendimin, që nuk japin rrugëdalje. I meritonin apo jo vargjet Partia dhe shefi i saj, kjo është çështje e ndërgjegjes dhe patosit të poetit, por që u kanë shërbyer atyre është një e vërtetë, realitet, që nuk mund ta zhbëjë dot e drejta e thënies, se thëniet përfshijnë dhe të pavërteta. Kjo është çështja që sot shumë “mbrojtës” vërtiten në fjalomanitë pa kuptim që përfundojnë mendimin aty ku e nisin, duke dhënë shkas për dyshime në vërtetësinë e asaj që “mbrojnë”. Fjalia e fundit të citimit të mësipërm, do të thotë që poeti ua ka kushtuar atyre vargjet (Partisë dhe shokut Enver) me gjithë stërmundimin përmbysës, por të pafrytshëm, sepse çështja shtrohet nëse vargjet i këndojnë Partisë dhe E. Hoxhës dhe jo në atë që e meritojnë apo jo këngën e poetit, sepse ky është problem i të tjerëve dhe jo i atij që këndon.

Visar Zhiti në argumentimin e tij nuk bën gjë tjetër veçse provon pavërtetësinë e së drejtës së tij për t’i bërtitur Partisë dhe shefit të saj, në kuadrin e vargjeve të Kadaresë. Kjo mënyrë argumentimi  indirekt e tezës së tij se “Kadareja nuk i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj”, kur antiteza “I. Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj” është plotësisht e vërtetuar, nuk të lë asnjë dyshim pavërtetësie dhe nuk gjen asnjë element që të çon në argumentimin apogogjik, që ai thërret në ndihmë për të arritur në përfundimin që dëshiron. Teza e ruan vërtetësinë e saj vetëm nëse provohet pavërtetësia e antitezës, gjë që realiteti s’e pranon, pavarësisht dëshirave, interesave e pikëpamjeve. Kjo është arsyeja që vihet në përdorim imagjinata e supozimet, gjë që bën të humbasë thelbi apogogjik i argumentimit, me parashtrimin e një sërë gjasash e trillimesh: “Pse s’ishin Partia dhe E.Hoxha ashtu siç u këndoi poeti (I. Kadareja)?”, apo “Nëse nuk i meritonin ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre”. Po kujt u përkasin vargjet? Atyre që i meritojnë! Cilët janë ata që i meritojnë?! Dhe, meqë Partia dhe shefi i saj del, sipas logjikës së V.ZH., që nuk i meritojnë vargjet, kjo nuk do të thotë që ata goditen (supozim ky) nga vargjet e Kadaresë, por në të vërtetë goditet poeti që u këndon atyre që duhen goditur. Kjo është “mbrojtja” që i bëhet Kadaresë dhe veprës së tij gjatë regjimit diktatorial komunist?! Duke mos e provuar dot pavërtetësinë e antitezës, nuk mund të arrihet në vërtetësinë e tezës së llojit “anti”, që “ Kadareja nuk i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj”.

Në kundërvënien (antitetikën) e pohimeve për dy shkrimtarët (Kadare dhe K. Trebeshina), V. Zhiti përpjekjen për arsyetimin e kundërshtive ia beson më tepër përdorimit bukur të fjalës sesa logjikës, gjë që më kujtoi thënien:  “Të flasësh bukur është më e lehtë sesa të mendosh bukur”. Kundërvënie të tilla si: a)“Kasëm Trebeshina zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i dyti ngrihej lartësive, duke u bërë shkrimtar i përbotshëm”. b)  “Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. c) “Njëri s’kish kohë të vetën dhe shpikte moskohën, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët”. d) Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra, tjetri botonte radhazi (kujto “Samizdapin” e F. Tarifës) dhe godiste me veprën. Këto pohime shprehin qasje të ndryshme, (të kundërta) të regjimit me dy shkrimtarët, por a i shërbejnë ato sqarimit të konfliktit mes  mes dy shkrimtarëve? Sigurisht që jo! Sepse “yçkla” anashkalohet dhe konflikti mbetet i pambyllur, i cili duke u gërvishtur nga të paditurit e dijshëm dhe duke mos iu bërë anamneza “yçklës” nga specialistët përkatës, do të vazhdojë të rrjedhë dyshim, abuzim, konflikt, shtrembërime, tjetërsime, mungesë kriteresh organizimi e vlerësimi, thjesht një përbërës “kulturor” i gjullurdisë shtetërore.

Në vazhdën e logjikës së “mbrojtjes” së Kadaresë është edhe fakti i mosmarrjes së çmimit Nobel. Vepra dhe fama e shkrimtarit e meritonin plotësisht këtë nderim ndërkombëtar. Pse Akademia suedeze nuk ia akordoi për vite e vite me radhë këtë çmim prestigjioz? “Mbrojtësit” e Kadaresë e kanë të vështirë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, sepse  do t’u shkonte dëm gjithë ajo “mbrojtje”, që, megjithatë, edhe ashtu, ajo ishte më tepër denigruese sesa vlerësuese, përderisa mbështetej në fantazira, në çudira e magjira, në përfytyrime e shpjegime për të mbivlerësuar frymën politike, të përmbysur nga çka trajtohet, pa ndonjë interes të veçantë për artin, gjuhën, atdhetarinë dhe patriotizmin, parë prej tyre të gjitha këto me lenten tejet smadhuese të pushtetit. Çmimin Nobel nuk e jep regjimi socialist, që ia mohoi shkrimtarit si antisocialist, por e jep një akademi prestigjioze e botës demokratike që, megjithatë, nuk është se nuk merr  në konsideratë raportet e shkrimtarit me regjimin komunist, e vetmja “kleçkë” që mund të ndikonte, sepse vlerat e tjera i ka me bollëk, si rrallë nga ata që e kanë fituar këtë çmim. Nëse Akademia suedeze raportet e Kadaresë me regjimin do t’i shikonte me sytë dhe mendjen e “mbrojtësve”, nuk do të kishte asnjë arsye për ta refuzuar, përkundrazi. Dhe përsëri, pengesë regjimi diktatorial i E. Hoxhës!  Mos vallë Akademia do të kërkonte që I. Kadareja të ishte pro komunizmit, që të realizonte çmimin e madh për të?! Atëhere pengesë janë këta “mbrojtës”, që zbuluan “të vërtetën” e madhe të Kadaresë si antiregjim. Kjo është qorrollepsja që nuk të lejon as të shohësh mirë, as të dëgjosh mirë, as të kuptosh mirë, pa le më pastaj ta shpjegosh mirë për të tjerët, që padyshim i dëgjojnë me indiferentizëm gjepura të tilla me limfë politike, akademike e religjioze panegoiste, të përziera në një çanak, këllirë e pakapërdishme.

Letrat anonime! Këta anonimë vijnë nga të zhgënjyerit e regjimit komunist për qëndrimet e reja të shkrimtarit pas rënies së diktaturës, apo nga “demokratët” që nuk mund të pranojnë një vlerësim kaq të madh për një shkrimtar që i ka shërbyer regjimit socialist? Këtë “mbrojtësit” nuk e thonë. Po, nga cilado anë që të jetë, qoftë edhe nga të dyja bashkë, cila është ajo mendje e kthjellët të pranojë se anonimët “urdhërojnë” komisionin e vlerësimeve në Akademinë suedeze? Më tepër transparencë! Cilat janë ato gabime njerëzore për të cilat bëjnë fjalë “mbrojtësit”? Thjesht, një përgjigje e cilësdo ngarkese që të jetë, e fashit çështjen që, me sa duket, i mbetet kohës , gjykatëses së drejtë dhe gjakftohtë. Por, sido që të jetë kjo ngarkesë, pesha e saj nuk është e tillë që të ndikojë në peshën e madhështisë së veprës së Kadaresë, gjë që nuk mund ta themi për peshoren dhe shijet e kësaj akademie prestigjioze.

Të gjithë apologjetët e Kadaresë më tepër sesa enden në veprën e shkrimtarit të madh, në kushtet kur kaosi politik, kulturor, artistik ka krijuar mundësi spekulimi, vrapojnë për t’u evidentuar secili në fushën e vet me ngritjen e zërit si antisocialist, duke dalë në tregun “demokratik” me hanxharin e kasapit për të shitur me pjesë ndërgjegjen e kalcifikuar, palca e së cilës nuk i funksionon krijesës së re, e cila mbetet e deformuar me lëfostra lëkure që zvargen, si prej një lebrozi.

Kur dikush që nuk i ka jetuar si i ri apo i rritur vitet ‘70, duke lexuar kapitullin “Samizdati i Shqipërisë komuniste” të shkrimit “IMMORTAL”, botuar në gazetën “Dita” (dt. 4.07.2024), krijon një përfytyrim të rrejshëm, të kthyer përmbys me të vërtetën, duke i hapur jo pak telashe shkruesit (F.T) në trajtimin e çështjes që shtron, por i bindur dhe i sigurt se ka hedhur mbi arkmortin e Kadaresë një tufë trëndafilash, por që në fakt i kanë rënë petalet dhe i kanë mbetur vetëm gjembat e kërcejve. Klounët e cirkut kanë edhe aftësi akrobatike që shpesh me qëllim, por edhe ndonjëherë pa qëllim, kur numri nuk u shkon si duhet, i shfrytëzon ato  brenda situatave komike, duke shkaktuar humor, si të jenë pjesë e trillit artistik. Po t’i ndodhë një gjë e tillë akrobatit të cirkut, numri i tij konsiderohet i dështuar dhe shkakton ankth te shikuesit. Duke lexuar: “Asnjë nga romanet e Kadaresë në atë kohë nuk është shitur në rrugë normale, në libraritë e vendit. Shumë prej tyre “vidheshin” që në shtypshkronjë, akoma pa u njoftuar zyrtarisht dhe pa u vlerësuar nga kritika, ose shpërndaheshin nga librarët nën banak”.

Duke patur parasysh se fjala kyç në këtë  fragment është fjala “samizdat” (që nuk e kuptoj pse nuk e sqaron këtë fjalë të huaj; ndoshta e shfrytëzon  si pedanë për të kapërcyer në anën tjetër, virtualisht, sepse edhe mund të rrëzohej gjatë përplasjes e do të shkaktonte të qeshura, por nuk jemi në cirk), artikullshkruesi është munduar të përzgjedhë atë fjalë për të krijuar idenë dhe atmosferën e përhapjes klandestine të shkrimeve ilegale, të cilat janë të censuruara nga shteti, janë shkrime jo të botuara, por dorëshkrime që fshehurazi  kalojnë nga njëri lexues në tjetrin. Nuk është  aq e lehtë që një të vërtetë ta kthesh në të pavërtetë, ndaj hyn në punë përdorimi i fjalës së huaj me pakuptueshmërinë  e vet  për  masën e gjerë të lexuesve, qofshin edhe të rinjtë apo të rriturit që nuk i kanë jetuar vitet 70-të. Cila është e vërteta? 1. Librat e Kadaresë nuk janë lexuar fshehurazi si dorëshkrime. Ato janë botuar dhe me një tirazh të konsiderueshëm.  2. Librat e Kadaresë nuk “vidheshin”, sado figurativisht të jetë përdorur kjo fjalë, por përpiheshin nga lexuesit. Hija që shpërndan fjala “samizdat”për botimet dhe mirëpritjen e veprave nga lexuesit, krijon dyshim tek ata që nuk i kanë jetuar si të rinj apo të rritur vitet 70-të, duke fuqizuar kështu tymnajën. Me sqarimin e fjalës “samizdat” kupton shumë lehtë kontradiktën mes përfytyrimit dhe realitetit, fjalë kjo “që përdoret për të treguar të gjitha prodhimet letrare që janë të detyruara të qëndrojnë në klandenstinitet për shkak të një regjimi censure qeveritare”. A është e vërtetë kjo për veprën e Kadaresë në regjimin diktatorial? Jo! Atëhere ç’mbeti për t’u kuptuar? Kjo është mbrojtja?!

Vepra e Kadaresë është një univers që, si e tillë, përmban dhe shpreh karakterin dialektik të kontradiktave në realitetin jetësor. Pohimet dhe mohimet, vërtetësia apo pavërtetësia e tyre nuk janë logjikë e njëkohësisë së veprimit, por e dy periudhave të ndryshme që, të ndara artificialisht, për t’iu përshtatur cikloneve e anticikloneve të përvojës ekzistenciale, pse jo dhe përtej saj, transcedentalizmit, krijojnë “situacione antinomike” të tilla që, duke luajtur, pa ditur të luajnë, me thelbin artistik të krijimtarisë letrare, përpiqen që me artin e Kadaresë të paraqesin galopin politik të tij, si të ishte jo një kalorës i letërsisë, por një letërsi që kalëron, ku çdokush që merr frerët, me apo pa përvojë, me apo pa qëllim, lëshohet revan, që, ose do të gorromiset vetë, ose bashkë me të do të rrokulliset edhe murgjani, dëmtuar gjymtyrësh, situata aporetike këto të sajuara për komplikimin e panevojshëm të problematikave.

Vepra e Kadaresë është vepër e tensionit të lartë, ku syçeltësia të mos mpaket për të mos pleksur keq fijet, lidhja e gabuar e të cilave prej kujtdo që merr guximin të merret me to, shkarkon një hark ndriçimi verbues që të përprish kontaktet me veprën në tërësi, sidomos për ata që “nuk i kanë jetuar si të rinj apo të rritur vitet e 70-ta” (F.T).

Vepra e Kadaresë është det i thellë ku nuk mund të zhyten ata që janë mësuar të notojnë në cektësi duke u spërkatur në lodrim ngazëllues, si të kenë përshkuar tejpërtej hapësirën e pafund të mrekullisë perçeshkumë.

Vepra e Kadaresë është mal i lartë ku çdokush do të dëshironte të ngjiste majat, por “më tepër” i shendohen lartësisë ata që e shohin nga larg, me një perceptim të rrejshëm të ngjyrave të një ylberi të shpërbërë, që, po t’i bashkoje përsëri, ylberi do të merrte formën e një nepërke me përmasa fantastike të perandorisë ëndrrake të tyre, e cila kthehet në kufijtë e veta mjeranë të një ngushtimi mendor, sapo gjeli i parë jep sinjalin e zbardhjes së mëngjesit të një dite të re me thurje telashesh, intrigash, ku ëndrra  ngatërrohet me zhgjëndrrën dhe vlerat e lavditë shiten e blihen në tregun politik me banakë llamarinash të ndryshkura ku ekspozohen fantazitë aguridhe me çmime çmendarake, të shtira si produkte të vyera të një parcele të tharë, pa ujë e pleh, që s’kanë shije, që të mpijnë trurin e të prishin stomakun.

Vargjet e I. Kadaresë janë të puthitura në poezitë e tij dhe nuk kanë hapësira për t’i mbushur me popla nga kushdo që futet brenda, por ato kanë korridore komunikimi, ku mund të ecësh, të pushosh, të meditosh dhe përsëri të vazhdosh ecjen nëpër pavijone, pa qenë nevoja e çarjes së mureve të poezisë me vare a me qysqi, nën peshën e rëndë të rrënojave të të cilave zor se del pa mbetur sakat dhe me hije.

Shekulli i Kadaresë ishte shekulli XX e këtej, ndërsa Kadareja është i të gjithë shekujve dhe është ky fakti që e bën atë të patjetërsueshëm, sado i vështirë edhe në hamendësim, sepse ai u mbështet në kolonadat e shekujve, që nga Homeri, Eskili, Dante, Shekspiri, Servantes etj., u mbështet në traditat më të mira të kulturës botërore, duke përqasur pranë tyre traditën kombëtare të vendit e popullit tonë, kolonadën shqiptare, si e denjë për të qëndruar krah asaj evropiane e më gjerë, me profilin e vet të hijshëm e origjinal.

Me vargjet e I. Kadaresë poezia shqipe ngjeshi rripat e sigurisë për të mos u trokëshitur nëpër rrungaja, duke e ridimensionuar  Shqipërinë në pozitat dhe kuotat reale të qytetërimit në kushtet e një përthithjeje të etshme të ndijimeve e perceptimeve etiko-morale dhe estetike nga një popull  vital i një kombi, që lavdinë e mbijetesës dhe ruajtjen e identitetit shpesh ia nënçmonin si prapambetje dhe injorancë.

Me ndarjen  prej nesh të I.Kadaresë, deti i letërsisë  shqipe humbi një nga dallgët e plota e të fuqishme si të stisura prej Poseidonit në çaste tërbimi e zemërimi, dallgë që lë mbrapa një shterje sipërfaqësore si për ta ngritur në shpatullat e veta kreshtën valore; hijeshi madhështie që lektis e drithëron edhe vetë perënditë. Fund

 7.08.2024                                                                                            

Mihal KALIA

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …